Në rrëfimin e ndodhisë së Habilit me Kabilin, bëhet krahasimi i mendjes së ndriçuar me dritën e shpalljes hyjnore dhe mendjes, e cila nuk ka shpëtuar prej mbizotërimit të egos së vet, duke parashtruar shembuj të gjallë të përfundimeve të përplasjes midis tyre.

Mendja, ka vlerën e vet brenda shpalljes së Allahut. Mendja që i shërben shpalljes dhe e pranon atë si udhëzues, arrin të zotërojë urtësinë. Ndërsa mendja, e cila privohet nga cilësia udhëzuese e shpalljes hyjnore, nuk mund ta mbrojë njeriun nga dëmet e egos. Mendja është si thika, e cila mund të përdoret për çdo qëllim. Kush dëshiron, me të pret bukën, kush dëshiron me të bën edhe vrasje. Për rrjedhojë, mendja e Kabilit, e çoi atë në rrugë të gabuar, duke ia shkatërruar botën e përjetshme, për shkak se ajo kundërshtonte dijen e mbështetur në shpalljen hyjnore.

Mendja e personave pa devotshmëri dhe sinqeritet, e shton dhunën dhe padrejtësinë e personit si ndaj vetes, ashtu edhe ndaj të tjerëve. Ashtu si në rastin e Kabilit, ajo mund të shkojë gjer aty sa mund të vrasë edhe vëllain. Ndërsa Habili, e cili e këshilloi vëllain e tij Kabilin duke e përdorur mirësinë e mendjes në përputhje me rrugën e shpalljes hyjnore, veproi me frikë ndaj Allahut për shkak se ishte i sinqertë.

Ata që sëmuren nga smira dhe zilia, nuk i shohin mirësitë që kanë vetë, por vihen pas të mirave të të tjerëve. Tek kushdo që mbizotëron smira dhe zilia, të cilat janë prej cilësive të këqija të egos, i nxit ata në çdolloj të keqeje. Madje, mund ta bëjë atë njeri të vrasë edhe vëllain e vet. Njerëzit smirëzinj dhe ziliqarë, nuk janë kurrë të  kënaqur me caktimin hyjnor. Dhe si rezultat i kësaj, ata mbeten të poshtëruar në këtë botë, duke vuajtur në ndërgjegje. Ndërsa në botën tjetër, do të kenë një ndëshkim të dhimbshëm.

Shërimi i kësaj sëmundjeje, është i mundur me edukimin dhe pastrimin e egos, me shpëtimin  nga egoja e pakënaqur dhe arritjen e egos së kënaqur, veçanërisht me pranimin dhe mjaftimin me atë që ka dhënë Zoti.

Në personalitetet e Kabilit dhe Habilit, ekziston polariteti që të kujton melekun me shejtanin. Ashtu si shejtani, edhe Kabili e kërkonte mangësinë e vetes tek tjetri. Kurse Habili, nuk u shqetësua për veten dhe nuk u tregua arrogant, por veproi vetëm me frikën ndaj Allahut. Pra, njëri këmbënguli si shejtani në gjynahun e vet, ndërsa tjetri u drejtua kah Zoti.

Lidhur me këtë krim të ndodhur për herë të parë në historinë e njerëzimit, pra, mbi ndodhinë e vëllavrasjes, i Dërguari i Allahut (s.a.v.) ka thënë:

“Nga gjaku (gjynahu i vrasjes) i çdo njeriu të vrarë padrejtësisht, patjetër ka një pjesë edhe djali i parë i Ademit, sepse ai ishte i pari që ka nisur zakonin e vrasjes së njeriut.” (Buhari, Enbija, 1.)

Gjithashtu, Profeti ynë, Muhamedi (s.a.v.), ka thënë:

“Kush i hap rrugën një pune të dobishme në Islam, ai do të ketë shpërblim për këtë. Atij do t’i jepet shpërblim edhe prej shpërblimit të atyre që ecin në atë rrugë, pa iu pakësuar shpërblimi atyre që ecin në të. (Po ashtu), kush i hap rrugën një pune të keqe në Islam, ai do të ketë gjynah për këtë. Ai do të ketë pjesë edhe prej gjynaheve të atyre që ecin në atë rrugë, pa iu pakësuar gjynahu as atyre që ecin në të.” (Muslim, Zekat, 69; Nesai, Zekat, 64.)

Ky hadith fisnik, tregon se, si ai që bëhet shembull në të mirë, si ai në të keq, marrin pjesë respektivisht, nga ajo e mirë apo e keqe që do të vazhdojë të veprohet pas tyre.

Mësimet që duhen nxjerrë prej rrëfenjës së Ademit (a.s.)

  1. Duhet të jemi vigjilentë dhe të kujdesshëm ndaj hileve të shejtanit, i cili vazhdimisht e nxit njeriun në të keqe dhe është armiku i tij i hapur.
  2. Për të shpëtuar prej veseve të këqija që e çojnë njeriun në humbje të përjetshme, si mendjemadhësia, smira, lakmia, nxitimi, etj., duhet t’i japim rëndësi pastrimit të egos dhe purifikimit të zemrës.
  3. Pas një gabimi, duhet ta braktisim menjëherë atë dhe të kërkojmë falje tek Allahu, ashtu siç bëri Ademi (a.s.).
  4. Edhe pse mund të kemi bërë gabime, ne duhet ta pranojmë dobësinë tonë dhe pamundësinë tonë për të falënderuar Allahun ashtu siç duhet, për mirësitë e Tija, dhe të kërkojmë falje.
  5. Në bazë të përfundimit që del prej ndodhisë së afrimit tek fruti i ndaluar nga ana e Ademit (a.s.) dhe nënës sonë Hava, vlerat shpirtërore të robërve që humbasin pas bërjes së gjynahut, mund t’u rikthehen përsëri pas kërkimit të faljes. Për këtë arsye, edhe ne nuk duhet të biem në pesimizmin e mospranimit të faljes pas një gjynahu, por duhet të drejtohemi menjëherë kah dera e pendimit.
  6. Njeriu është krijesa më e nderuar e Allahut. Ai ka në dorë të zgjedhë midis të mirës dhe të keqes, duke zgjedhur të bëhet melek apo shejtan.
  7. Ashtu si Habili, tek i cili mbizotëronte shpirti i të mirës, edhe ne duhet të përpiqemi ta bëjmë mbizotërues shpirtin tonë ndaj egos, duke e vendosur mendjen tonë në rrugën që udhëzon shpallja hyjnore.
  8. Ata që bëhen shkak për të mirën, marrin pjesë nga shpërblimi i asaj të mire të kryer nga të tjerët pas tyre; e kundërta e kësaj, edhe ata që bëhen shkak për një të keqe, marrin pjesë nga ndëshkimi i të njëjtës të keqe të kryer nga të tjerët pas tyre. Kështu, Habili është bërë shembull për të mirën, kurse Kabili për të keqen.

Si përfundim, mund të themi se, Ademi është:

– Njeriu dhe profeti i parë mbi tokë.

– Njeriu që ka bërë edhe gjynahun, edhe pendesën e parë.

– Njeriu që ka jetuar edhe në xhenet, edhe në tokë sa ka qenë gjallë.

Alejhisselam!..

 

Share.

Leave A Reply