Lufta e Bedrit ka ndodhur me shtatëmbëdhjetë Ramazan në vitin e dytë të hixhretit ditën e xhuma. [1] Kjo është lufta e parë që është zhvilluar mes myslimanëve dhe politeistëve të mekës. Shkaku i kësaj lufte ishte goditja e karvanit të cilin e udhëhiqte Ebu Sufjani dhe marrja e pasurisë që politeistët u’a kishin marrë myslimanëve kur ata emigruan për në Medinë.

Lufta e Bedrit nxori në pah vlerën e besimit, identitetit dhe qëndrueshmërisë. Në këtë luftë janë përballur vëllai më vëllanë, babai me djalin e tij etj.

  • Ajo që ka caktuar Allahu dhe ndodh me lejen e Tij është më e mira më e dobishmja

Nga kjo betejë kuptohet qartë ajeti kuranor ku Allahu (xh.sh) thotë: “Mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju dhe mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini”. [2] Profeti (a.s) me sahabët e tij dolën në këtë ekspeditë për karvanin e jo për të luftuar. Allahu ju premtoi fitoren mbi njërin prej dy grupeve, që ai të ishte i juaji. [3] (ose karvanin ose luftën).

  • Lidhja e fuqishme me zemër mes besimtarëve

Myslimanët në këtë luftë numerikisht ishin pak dhe kishin një përgatitje modeste në raport me kundërshtarin. Allahu (xh.sh) thotë: “Ai është që përkrahu me ndihmën e Tij dhe me besimtarët, duke i bashkuar zemrat e tyre (si një zemër e vetme). Sikur të shpenzojnë tërë pasurinë që gjendet në Tokë, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por Allahu i bashkoi ato”. [4] Besimtarët ishin të lidhur me zemër më njëri-tjetrin ndërsa politeistët ishin të lidhur për interesa të caktuara.

  • Konsultimi

Profeti (a.s) kur mori vesht se karvani kishte ikur dhe një ushtri nga meka (nën komandën e Ebu Xhehlit)  po vinte në drejtim të Medinës nuk mori vendim vetë për të dalë në betejë por u këshillua me shokët e tij. Allahu (xh.sh) thotë: “Këshillohu me ata për çështje të ndryshme”. [5] Ata që kishin dalë me Profetin (a.s) ishin mekasit dhe banoret e Medinës së bashku. Marrëveshja që nënshkroi Profeti (a.s) me banorët e Medinës në Akabe ishte që ta mbronin brenda Medinës dhe jo jashtë saj. Kurse Profeti (a.s) tani ndodhej jashtë Medinës. Duke pasur parasysh këtë, Pejgamberi (a.s) u foli sahabëve dhe u tha: “Thoni mendimin tuaj, o njerëz!” Çohet Ebu Bekri (r.a) dhe i thotë: “Bëj atë që shikon të arsyeshme o i Dërguar i Allahut!” Profeti (a.s) i thotë:”Zoti të shpërbleftë me të mira”. Më pas u drejtua përsëri njerëzve dhe u tha:

“Thoni mendimin tuaj, o njerëz!” Çohet Omeri (r.a) dhe i thotë: “Bëj atë që shikon të arsyshme, o i Dërguar i Allahut, se ne jemi me ty!” Profeti (a.s) i thotë: “Zoti ta shpërbleftë me të mira o Omer”. Më pas u drejtua përsëri njerëzve dhe u tha: “Thoni mendimin tuaj, o njerëz!” Çohet Mikdad ibn Amri (r.a) dhe i thotë: “O i Dërguar i Allahut, bëj atë që të thotë Zoti se ne jemi me Ty. Për Zotin nuk do të të themi ashtu siç i thanë çifutët Musait: “Shko ti me Zotin tënd dhe luftoni se ne do të qëndrojmë këtu” [6] por të themi: “Shko ti me Zotin tënd të luftoni, se edhe ne do të luftojmë me ty. Betohem në Atë që të dërgoi me të vërtetën, ne do të të ndjekim në çdo hap që do të ecësh”.[7] Këto fjalë e gëzuan Profetin (a.s) sepse të gjithë ato që folën deri tani ishin myslimanët e Mekkes (muhaxhirët). Profeti (a.s) kërkonte dhe miratimin e myslimanëve të Medines. Për këtë ai i pyeti sërish: “Thoni mendimin tuaj, o njerëz!” Atëherë çohet Sad ibn Muadhi (r.a), i pari i fisit Eus dhe i thotë: “Sikur kërkon mendimin tonë, o i Dërguar i Allahut?” “PO”, iu përgjigj Profeti (a.s). Atëherë Sad ibn Muadhi i thotë: “Ne të kemi besuar dhe dëshmuam që mesazhi me të cilin je dërguar është i vërtetë. Për këtë ne të premtuam bindje, respekt dhe të dhamë besën. Prandaj vepro si të duash! Betohemi në Atë që të ka dërguar me të vërtetën, nëse do të hyje në det, do të hynim pas teje, pa munguar asnjëri nga ne. [8] Merr nga pasuritë tona çfarë të duash dhe lër çfarë të duash. Ajo që do të marrësh nga pasuritë tona do të jetë më e dashur për ne se ajo që le. Hyr në paqe me kë të duash dhe shpalli armiqësi kujt të duash, mbaji lidhjet me kë të duash dhe ndërpriti me kë të duash. Për Zotin ne nuk kemi frikë nga takimi me armikun nesër. Ne jemi durimtarë në luftë dhe të sinqertë në betejë. Shpresojmë që Zoti të të tregojë gjëra me të cilat do të gëzohesh”. [9] Këto fjalë e gëzuan shumë Profetin (a.s) i cili u tha më pas: “Përgëzohuni, pasi Zoti më ka premtuar njërën nga dy të mirat (o fitoren, o karvanin). Për Zotin, më duket sikur i shoh (kurejshët) të vrarë.”

  • Dashuria e madhe e sahabëve për Pejgamberin (a.s) i bëri ata që të luftojnë

Nuk ishte e lehtë për Muhaxhirët që sapo erdhën në Medine të dalin në luftë po ashtu as i Ensarëvë që sakrifikuan çdo gjë për vëllezërit e tyre të ardhur nga Meka, por dashuria e madhe që kishin ndaj Profetit (a.s) i bëri ata që të dalin e të luftojnë. Nëse ne e duam Pejgamberin (a.s) edhe neve na don Zoti (xh.sh) e nëse neve na don Zoti (xh.sh) atëherë çfarë mund të duam tjetër?

  • Realiteti i fitores nuk është vetëm ai fizik por ai parimor

Myslimanët në Bedër fituan edhe fizikisht por ajo që është e rëndësishme është se fitoi besimi, e drejta dhe e vërteta. Allahu i Madhëruar në librin e Tij e emërtoi këtë betejë si dita e “Furkanit” [10] (dita e ndarjes së të vërtetës nga e pa vërteta).

  • Kthimi tek Allahu (xh.sh) me dua pasi i kemi marrë të gjitha masat e duhura

Pejgamberi (a.s) pasi i kishte marrë të gjitha masat e duhura ju lut Allahut (xh.sh) : “O Zot, realizoje premtimin Tënd. O Zot, nëse sot do të vritet ky grup besimtarësh nuk do të ketë kush të të adhurojë më në tokë”. Vazhdoi të lutet me duart lart, saqë i ra dhe xhybeja të cilin e kishte hedhur krahëve. Shkoi Ebu Bekri (r.a) dhe ia hodhi përsëri krahëve dhe i tha: “O Profet i Zotit, të mjaftojnë këto lutje drejtuar Zotit. Të jesh i sigurtë që Ai do e mbajë premtimin që të ka bërë”. [11]

Më pas Profeti (a.s) ngriti kokën nga qielli dhe tha: “Po zbret Xhibrili me një mijë melekë për t’u dhënë ndihmë besimtarëve”. [12] (Dikush mund të pyes përse zbriten melekët e tjerë, a nuk do mjaftonte Xhibrili (a.s) ? Sigurisht që po. Por natyrshmëria e luftës ishte prania e komandantit dhe ushtrisë, kjo i përngjante ushtrisë që udhëhiqte vetë Profeti (a.s)). Allahu (xh.sh) thotë: “Ju kërkuat ndihmë nga Zoti juaj e Ai ju përgjigj: “Unë do t’ju ndihmoj me një mijë melekë të cilët do të vijnë njëri pas tjetrit”. [13] Besimi dhe bindja që Zoti do na ndihmojë duhet të shoqërohet gjithmonë me përpjekje dhe planifikimin tonë.

  • Falënderimi i Zotit (xh.sh)

Çdo sukses që njeriu arrin në jetën e tij  i’a ka borxh Zotit prandaj duhet që ta falënderojmë shumë Atë. Allahu (xh.sh) thotë: “Fitorja vjen vetëm nga Allahu”. [14]

  • Vlera e diturisë

Në këtë betejë bëhet e qartë vlerë e diturisë në fenë Islame. Shembull për këtë është kushtëzimi që Pejgamberi (a.s) bëri. Për lirimin e robërve të varfër të cilët dinin shkrim- lexim, Profeti (a.s) kushtëzoi që secili nga ata t’u mësojë dhjetë fëmijë të myslimanëve shkrim- lexim. Ndërsa të pasurit i shpagoi sipas pasurisë që posedonin.

Hoxhë: Naim Drijaj

[1]  Ibn Hisham, Sire, II/286, Ahmed ibn.Hambel, Musned, IV/54, Ibn Ebi Shejbe, Megazi, 174, Belazuri, Ensab, III/124

[2] El-Bekare, 216

[3] El-Enfal, 7

[4] El-Enfal, 62-63

[5] Al’Imran, 159

[6] El-Maide, 24

[7] Nessârî, Mahmud, Câmiu’r-Rivâyât fî Tahkîki Nübüvvâti’n-Nebî, f. 39, Beyrut, 2004.

[8] Ibn Sad, Tabakat, III/535

[9] İbn Hisham, Sîre, II/272

[10] El-Enfal, 41

[11] Muslimi, Sahih, Kitâbu’l-Cihâd, ve’s-Siyer, 18

[12] İbn Hishâm, Sîre, II/286-287

[13] El-Enfal, 9

[14] El-Enfal, 10

Share.

Comments are closed.