Moda jonë e të gjitha kohërave është Kurani dhe Suneti - Mirësia Islame

Moda jonë e të gjitha kohërave është Kurani dhe Suneti

Faleminderit Zotit që ne jemi myslimanë! Le ta përfaqësojmë sa më mirë këtë emër, me veprat dhe karakterin tonë. Për ta bërë një gjë të tillë, duhet që në çdo moment të ndjekim shembullin e Profetit tonë të dashur, salallahu …


Publikuar:

Faleminderit Zotit që ne jemi myslimanë! Le ta përfaqësojmë sa më mirë këtë emër, me veprat dhe karakterin tonë. Për ta bërë një gjë të tillë, duhet që në çdo moment të ndjekim shembullin e Profetit tonë të dashur, salallahu  alejhi ve selem… Njeriu që nuk jeton ashtu siç beson, fillon të besojë ashtu siç jeton. Aq sa e jetojmë Islamin, aq jemi myslimanë të mirë.

Çfarë mbante Resulullahu në shtëpi? Le ta mendojmë këtë gjë… I Dërguari i Allahut jetoi edhe në varfëri edhe në pasuri. Në shtëpi Ai nuk mbante asgjë të tepërt, vetëm gjërat e domosdoshme. Ai nuk blinte gjëra të reja para se të vjetrat të bëheshin të papërdorshme. Tani le t’u hedhim një sy  shtëpive tona… A nuk janë ato një vend i komfortit  dhe i luksit?!.. Sipas psikologjisë, suksesi nuk arrihet, në qoftë se nuk hiqet dorë  nga rehatia. Sipas Pejgamberit tonë të dashur, kjo botë nuk është asgjë tjetër veçse një vend në të cilin jemi ndalur për të pushuar.

Vajza e Hazreti Omerit dhe gruaja e nderuar e Pejgamberit tonë, Hazreti Hafsa, ka dhënë këtë përgjigje kur e kanë pyetur se si ka pushuar në shtrat Resulullahu salallahu alejhi ve selem:

“Ai flinte mbi një mbulesë prej leshi të palosur më dysh. Një natë e palosa mbulesën më katërsh, në mënyrë që të flinte më rehat. Resulullahu salallahu alejhi ve selem, kur u zgjua në mëngjes, tha:

“Çfarë keni shtruar si shtrat këtë natë?”

“Ishte dysheku i vjetër, o Resulullah! Unë e palosa më katërsh, në mënyrë që të flini më rehat!..” Pas kësaj, Resulullahu salallahu alejhi ve selem, tha:

“Dyshekun tim e dua në formën e tij të vjetër. Rehatia e natës që më dha butësia e dyshekut  më pengoi të ngrihem për namazin e natës.” (Tirmidhi, Shemail, 154.)

Nga kjo ngjarje kuptojmë se rehatia nuk sjell probleme vetëm tek ekonomia e njeriut, por edhe tek morali i tij. Kemi shikuar shumë shembuj, në të cilët kjo rehati bëhet shkak për largimin nga Allahu (xh.sh.), dhe nga rruga e drejtë.

Motrat e mia, që i ndërroni perdet, qilimat, kolltukët, sepse atyre u ka ikur moda… Motrat e mia, që blini telefon të ri, sepse i vjetri është shumë i prapambetur… Vëllezërit e mi, që ndërroni makina çdo vit… Motrat e mia, që josheni nga vitrinat e dyqaneve… Nuk po flas për ndjekjen e  Sunetit, por a nuk e kuptoni se, të blesh gjëra të panevojshme, është një shpenzim që nuk duhet bërë? Shpenzimet e tepërta janë të ndaluara në fenë tonë.

Cila duhet të jetë logjika që duhet ndjekur kur jemi duke blerë diçka? A po e blejmë atë send që të na shërbejë neve apo do të jemi ne që do t’i shërbejmë atij?! Ekzistojnë shtëpi të tilla në të cilat marrja e pluhurave zgjat nga mëngjesi deri në darkë. Prej këtij shkaku neve nuk na mbetet kohë as për të përmbushur detyrat tona familjare dhe as ato fetare. Le të mos blejmë gjëra të tepërta, sepse në këtë mënyrë ruajmë edhe kohën dhe nuk e shpenzojmë atë në gjëra të panevojshme, prandaj le të blejmë gjëra të thjeshta e nevojshme. Sigurisht që myslimani  duhet të jetë i rregullt dhe i pastër, por ai duhet të zgjedhë një jetë të thjeshtë larg luksit. Myslimani duhet të ndjekë shembullin e Resulullahut salallahu alejhi ve selem… Mënyra e Tij   e jetesës është shpjeguar shumë qartë dhe rregullat e Tij janë të përcaktuara. Po jeta jonë, si është?

Le të vijmë tek tema e ngrënies dhe e pirjes… Jemi duke ngrënë në një lokal të shtrenjtë; le të mos flasim për faturën që vjen, por të paktën a shqetësohemi dhe a e pyesim veten se nga vijnë ushqimet?! Sa produkte të dyshimta ka brenda ushqimit? Sa është përqindja e haramit në të? Njeriu që e ka përgatitur ushqimin, me çfarë bote shpirtërore është? Në fund të fundit, ne të gjithë e dimë që njeriu ndikohet nga ushqimet që ha… A nuk duhet të jetë çdo kafshatë e jona hallall, në mënyrë që të fitojmë vetëm të mira prej saj? Një pikë tjetër që ceket në hadith është kjo:

“Sigurisht që ngrënia e çdo gjëje, që dëshiron (për të cilën ke neps), është shpenzim i panevojshëm.” (Ibn Maxhe, Etime, 51.)

Le të hamë për të jetuar dhe të mos jetojmë për të ngrënë!.. Gjatë ngrënies qëllimi ynë të jetë fitimi i forcës dhe ruajtja e shëndetit… Për të arritur këtë gjë na mjafton të hamë gjëra hallall dhe pa e tepruar.

Një temë tjetër është edhe ajo e veshjes. Si fillim le të tregojmë mënyrën e duhur të veshjes. Si çdo temë tjetër edhe në këtë pikë duhet të marrim shembull Resulullahun, salallahu alejhi ve selem. Ai bënte kujdes që të vishte rroba të pastra dhe të rregullta. Ka transmetime që thonë se Resulullahu ka veshur edhe rroba që kanë pasur shenja, por nuk ka asnjë transmetim që na thotë se Resulullahu ka veshur rroba të papastra!.. Duhet të kemi kujdes që veshjet tona të jenë të gjera dhe të mos na ngjiten për trup. Në këtë mënyrë nuk dalin në pah të gjitha format e trupit. Ky rregull është i vlefshëm si për gratë ashtu edhe për burrat. Nuk ka asnjë rast që Resulullahu të ketë veshur një rrobë të ngjitur për trup. Përveç kësaj, duhet të kujtojmë faktin që pambuku është haram për burrat. Nuk është e pëlqyeshme që gratë të vishen si burrat dhe burrat të vishen si gratë. Nuk duhet të vishemi me rroba të popujve jo myslimanë vetëm nga dëshira për t’u ngjarë atyre. Në vend që ta mbushim dollapin tonë me rroba, le të blejmë disa rroba të pastra dhe të thjeshta dhe t’i veshim ato derisa të vjetrohen. Po, në temën e veshjeve këto janë rregullat që duhen ndjekur.

Mënyra e veshjes e një njeriu na flet për karakterin, shijen dhe stilin e tij. Diçka që i shkon një njeriu mund të mos i shkoj dikujt tjetër. Një nga gjërat e pakuptimta të modës është fakti që çdo vit, bile çdo stinë disa njerëz vendosin se çfarë duhet veshur. Sa keq më vjen për ata persona që duke u munduar të ndjekin modën veshin çdo lloj modeli dhe çdo ngjyrë, edhe pse nuk duken bukur!.. Njerëzit e zgjuar nuk e ndjekin modën, atë që nganjëherë bën që njerëzit të duken qesharakë. Ata që vendosin për modën e një stine e bëjnë këtë gjë duke u bazuar tek shijet dhe mënyra e tyre e jetesës. Qëllimi i tyre kryesor është që të bëjnë njerëzit të konsumojnë  sa më shumë, në mënyrë që vetë të kenë përfitim ekonomik. Sigurisht që të gjithë ne e kemi vëne re se diçka që sot teksa është  në modë ka një çmim shumë të lartë, pas disa ditësh çmimi i saj ulet ndjeshëm. Ky ndryshim në çmim është diçka për të cilën njeriu që e paguan do të japë llogari.

Ne duhet të krijojmë një stil i cili të jetë në përputhje me fenë dhe traditën tonë dhe që t’i përshtatet tipit dhe karakterit tonë. Çdo njeri ka veçorinë dhe bukurinë e vet. Syri, vetulla e çdo njeriu është e veçantë prandaj çdo njeri duhet të vishet me gjëra që i pëlqejnë dhe që i shkojnë, pa marrë parasysh se a janë në modë ato apo jo. Gjithashtu, duhet të bëjmë kujdes që të mos bëjmë shpenzime të tepërta. Moda e mbulesës është e njëjta gjë, nuk ka ndryshim nga moda tjetër. Njerëzit që e kanë shpikur këtë e kanë bërë me qëllime përfitimi, sepse sikur ta kishin bërë me qëllime të pastra dhe me dëshirën për t’u shërbyer femrave myslimane, do ta kishin bërë në bazë të rregullave të fesë sonë. Në ditët e sotëm gratë myslimane nganjëherë e kanë të vështirë të gjejnë veshje dhe shami sipas rregullave të Islamit… Ndërkohë që Kurani i urdhëron gratë myslimane t’i fshehin stolitë e tyre, vitrinat e dyqaneve propagandojnë krejt të kundërtën.

Shkurtimisht, mund të themi që duhet të kemi shumë kujdes kur bëjmë zgjedhjet tona. Nuk mund të bëjmë kompromise me rregullat e Allahut vetëm për t’u veshur sipas modës. Jeta jonë duhet të jetë e lidhur me Allahun dhe jo me modën. Moda jonë e të gjitha kohërave është Suneti… Ne duhet të bëjmë atë që thotë Allahu dhe i Dërguari i Tij…

O Zoti ynë! Na bëj neve dhe fëmijët tanë prej njerëzve që nuk janë të fiksuar pas modës dhe  luksit. Shëroji të gjitha sëmundjet tona morale! Na bëj neve nga myslimanët me karakter të fortë dhe të qëndrueshëm! Amin!

Kybra Çoban

Copyright © 2026 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim