Ebu Hurejre (r.a.), transmeton se, një person erdhi tek i Dërguari i Allahut (a.s.) dhe i tha:

“Më këshillo!” Ndërsa Profeti (a.s.), i tha:

“Mos u nervozo!” Më pas, personi e përsëriti edhe disa herë kërkesën e tij. Por i Dërguari i Allahut (a.s.), i tha të njëjtën gjë:

“Mos u nervozo!”

(Buhari, Edeb, 76. Shih. Tirmidhi, Birr, 73.)

Shpjegime

Nervozizëm, do të thotë të humbasësh veten dhe të dalësh nga gjendja normale si pasojë e cytjes së shejtanit. Aq, sa në këtë gjendje njeriu thotë fjalë të këqija dhe bën vepra të shëmtuara, të cilat janë të ndaluara nga feja. Madje,(Allahu na ruajt!) ndonjëherë mund të shkojë deri në mohim. Këtë gjendje e shpreh më së miri kjo fjalë popullore, e cila thotë: “Kush ngrihet i zemëruar, ulet i dëmtuar!”

Siç e kemi thënë edhe më lart, eliminimi i shkakut, nënkupton edhe eliminimin e rezultatit. Për rrjedhojë, ruajtja nga nervozizmi dhe zemërimi, parandalon shumë rreziqe që mund të lindin si pasojë e tyre. Ky është edhe shkaku që i Dërguari i Allahut (a.s.), sahabit që i kërkoi këshillë, i tha me këmbëngulje “Mos u nervozo!”.

Këtu duhet të ndalemi pak për të kujtuar se, i Dërguari i Allahut (a.s.), atyre që i kërkonin këshilla, i këshillonte sipas temperamentit dhe kapaciteteve të tyre. E thënë ndryshe, ai i këshillonte ata në aspektet ku ata kishin më tepër mangësi.

Ky sahab, për identitetin e të cilit nuk kemi informacion, sado që nguli këmbë, nuk mori dot asnjë këshillë përveç përsëritjes: “Mos u nervozo!”. Ky fakt, të bën të mendosh se ai sahab, duhet të ketë pasur ndonjë temperament që nevrikoset lehtë, mbase,edhe për gjërat  më të vogla. Prandaj, kjo këshillë e Profetit tonë (a.s.), i drejtohet të gjithë myslimanëve që kanë një temperament të tillë.

Në disa prej transmetimeve të këtij Hadithi, i cili do të përsëritet edhe në atë  me numër 640, mësojmë edhe disa arsye të këshillës: “Mos u nervozo!”. Për shembull, në njërën prej tyre thuhet: “Mos u nervozo, sepse nervozizmi i prish ndjenjat dhe sjelljet!”. Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: “Mos u nervozo dhe hyr në Xhenet!”. Këtu shihet qartë se sa me rëndësi është kjo çështje.

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Nervozizmi e shtyn njeriun të thotë fjalë e të bëjë vepra për të cilat pendohet më vonë.
  2. Edhe i Dërguari i Allahut (a.s.), ka pasur raste që është nervozuar kur janë shkelur kufijtë e Allahut. Por kjo ka qenë për shkaqe të arsyeshme dhe jo temperament i Profetit (a.s.).

*

(txt arb)

  1. Ebu Hurejre (r.a.), transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë:

“Besimtarit dhe besimtares nuk i ndalen problemet në veten e tyre, në fëmijë dhe në pasuri, derisa të takohen me Allahun pa asnjë gjynah.”

(Tirmidhi, Zuhd, 57.)

Shpjegime

Pasi është bërë e qartë domosdoshmëria e durimit, dobia e tij dhe se çfarë duhet bërë në momentet e zemërimit dhe nervozizmit, kur është më e vështirë të tregohet durim, me anë të këtij Hadithi na bëhet e ditur se të gjitha këto, nuk kanë për qëllim të ndalojnë plotësisht problemet dhe fatkeqësitë, por theksohet se besimtarit dhe besimtares nuk do t’i mungojnë kurrë sprovat si, sëmundjet, vdekjet, mospërballimi i nevojave, papunësia, gjendjet e dëshpëruara të prindërve të moshuar, humbja e pasurisë, etj. Por, nëse ata bëjnë durim, këto sprova do të jenë shkaqe të pastrimit të tyre nga gjynahet. Kështu, edhe njëherë vihet në pah veçoria që kanë problemet dhe fatkeqësitë në pastrimin nga gjynahet dhe faljen e gabimeve.

Ndërsa shprehja, “derisa të takohen me Allahun”, ka për qëllim vdekjen. Pra, këtu bëhet e qartë se çdo mysliman do të përballet me probleme dhe fatkeqësi derisa t’i vijë vdekja. Prandaj, është e domosdoshme të jemi të përgatitur për këtë. E në fakt, kjo është një domosdoshmëri e natyrshme e jetës. Dhe, detyra kryesore e çdo myslimani është t’i kthejë të gjitha këto situata në favor të vet, duke bërë durim.

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Kjo botë është vendi i sprovave.
  2. Njeriu sprovohet në forma të ndryshme në këtë botë. Mirëpo, qëndrimi që duhet të mbajë një mysliman përballë këtyre sprovave, është vetëm durimi.
Share.

Leave A Reply