Mus’ab ibn Umejri (r.a.), ishte i pari i të dërguarve të Islamit… Ai ishte prej mësuesve të parë të Kuranit Fisnik… Ishte një trim që e përgatiti Jethribin (Medinen) për hixhretin e madh… Ai ishte një predikues që ua shpjegoi njerëzve Islamin duke shkuar shtëpi më shtëpi dhe oborr më oborr… Ai ishte një djalosh i vullnetshëm që përpiqej për përhapjen e Islamit… Jeta e tij e cila kaloi si një legjendë, është një shembull i bukur për muxhahidin mysliman…

Jetën para se të hynte në Islam, e kaloi në rehati dhe mirëqenie, ngaqë familja e tij ishte e pasur. Ai ishte djali më tërheqës, djali që vishej më bukur dhe djali më i pashëm i kurejshve. Ai hidhte gjithmonë shumë parfum. Kishte fytyrë të qeshur, sjellje plot edukatë dhe karakter të butë. Mus’abi (r.a.), ishte shumë i zgjuar dhe kishte një oratori të mrekullueshme.

Edhe pse notonte në mirësitë e kësaj bote, prapë se prapë ndjehej sikur kishte një zbrazëtirë në zemër. Ai nuk e kishte arritur plotësisht prehjen shpirtërore. Për këtë arsye, ishte vazhdimisht në kërkim.

Ndërmjet të rinjve të Mekës po flitej për lajmin e ardhjes së një feje të re. Edhe zemra e Mus’ab ibn Umejrit (r.a.), po kërkonte Islamin, i cili ishte burim i prehjes shpirtërore. Andaj dëshironte ta shikonte Pejgamberin e ri dhe t’i dorëzohej atij.

Një ditë Mus’abi (r.a.), e dha vendimin e tij. Do të hynte në fenë e re. Ai kërkoi për vendin ku ndodhej i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe shkoi drejt e aty. Ai u takua me Resulullahun (s.a.s.), tha shehadetin dhe u nderua me Islamin.

Kur Mus’ab ibn Umejri (r.a.), u bë mysliman, nuk kishte frikë dhe nuk hezitonte prej askujt përveç nënës së tij. Përballimi i armiqësisë së nënës ishte diçka e rëndë. Për një kohë të caktuar e mbajti të fshehtë hyrjen në Islam, por në të njëjtën kohë nuk largohej aspak nga shtëpia e Erkamit ku gjendej i Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam. Nëna e tij e dëgjoi lajmin se ai ishte bërë mysliman. Kur Mus’abi (r.a.), shkoi në shtëpi, ajo e burgosi atë në bodrumin e shtëpisë.

Për ditë të tëra e la birin e saj pa ngrënë e pa pirë dhe priti që të hiqte dorë nga feja e re, Islami. Ndërsa Mus’ab ibn Umejri (r.a.), i tha asaj se kurrë nuk do ta linte Islamin dhe se do të bënte durim kundrejt torturave dhe vështirësive.

Mus’abi bëri durim dhe shfaqi qëndrueshmëri kundrejt presioneve psikologjike, shtypjeve emocionale dhe torturave reale të nënës së tij. Ai iu përgjërua nënës së tij me fjalë të ëmbla, fytyrë të qeshur dhe butësi që edhe ajo të hynte në fenë e Zotit (xh.sh.). Por sidoqoftë nuk arriti në asnjë mënyrë që t’ia ngrohte zemrën asaj. Mus’ab ibn Umejri (r.a.), nuk kishte rrugëzgjidhje tjetër përveçse të largohej dhe të arratisej nga Meka kundrejt qëndrimit të prerë plot kundërshtim të nënës së tij. Për këtë arsye, gjeti një mënyrë dhe bëri hixhret në Abisini.

Mus’abi (r.a.), e la mënjanë të gjithë rehatinë për hir të besimit. Ai përjetoi vështirësi serioze në çështjen e të ushqyerit dhe veshmbathjes, por kurrë nuk e humbi emocionin e besimit. Zemrën e kishte të mbushur plot me prehje shpirtërore. Për këtë arsye, bëri një jetë të lumtur e të kënaqshme me dashurinë ndaj të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Kjo sepse burimi i gëzimit për njeriun ishte besimi. Besimi te Mus’abi gjendej në çdo qelizë.

Kur Mus’ab ibn Umejri (r.a.), u kthye pas një kohe në Mekë dhe kur sahabët e panë me rroba të vjetra e të arnuara, u rrodhën lot nga sytë. Kur Resulullahu (s.a.s.), e pa Mus’abin duke ardhur, buzëqeshi dhe u shpreh:

“Tani po shikoj këtë Mus’ab ndërkohë që ai gjendej në një mirëqenie të madhe pranë nënës dhe babait të tij. Por ja që ai të gjitha këto i ka lënë për shkak të dashurisë ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij…”

Po!.. Mus’ab ibn Umejri, radijall-llahu anh, tashmë po bënte një jetë askete. Ai hante një ditë dhe nuk hante për ditë të tëra. Por ja që shpirti i tij i cili ndriçonte me dritën e besimit, e shndërroi atë në një njeri të cilin sytë e të tjerëve e shikonin me respekt dhe zemrat e shikonin me admirim.

I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, e pati zgjedhur Mus’abin (r.a.), për një detyrë madhështore. Ai do të bëhej i dërguari i Pejgamberit (s.a.s.), në Medine. Mus’abi do t’u mësonte Kuranin Fisnik ensarëve që patën dhënë besën në Akabe dhe do t’u predikonte njerëzve fenë e Allahut (xh.xh.). Në besatimin e parë të Akabesë dymbëdhjetë myslimanë i patën kërkuar Pejgamberit tonë të nderuar një mësues që t’u mësonte dispozitat fetare dhe Kuranin Fisnik. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), pati zgjedhur Mus’ab ibn Umejrin (r.a.), për këtë detyrë.

Mus’abi (r.a.), posedonte një zgjuarsi të madhe dhe një shpirt sublim. Ai i donte njerëzit dhe  i ndihmonte të gjithë. Kishte fytyrë të qeshur dhe fliste shumë bukur. Me asketizmin, devotshmërisë, sinqeritetin dhe moralin e lartë i çliroi zemrat e medinasve për një kohë të shkurtër. Mus’abi (r.a.), së bashku me Es’ad ibn Zuraren (r.a.), shkonin nëpër fise dhe mbanin fjalime fetare. Ai u lexonte atyre Librin e Allahut dhe u shpjegonte Islamin.

Një ditë te Mus’ab ibn Umejri (r.a.), shkoi i zemëruar kryetari i Beni Abdu’l-Esh’helëve, Usejd ibn Hudajri. Ai qëndroi para Mus’abit dhe i tha: “Përse keni ardhur në vendin tonë? Përse preokupoheni me njerëzit e dobët? Nëse dëshironi të jetoni, ikni nga ky vend!”

Mus’ab ibn Umejri (r.a.), iu përgjigj atij me qetësi, me dinjitet me fytyrë të qeshur dhe me një sjellje të lartë: “A keni mundësi të uleni dhe të dëgjoni? Nëse do t’ju pëlqejnë fjalët e mia, do t’i pranoni. Nëse nuk do t’ju pëlqejnë, edhe ne do të heqim dorë prej jush.”

Usejd ibn Hudajri kundrejt kësaj sjelljeje të ëmbël, të lartë dhe me dinjitet, e vendosi heshtën në një qoshe dhe u ul. Mus’ab ibn Umejri (r.a.), i lexoi pak Kuran dhe i foli për Islamin. Usejdit iu ndriçua zemra me dritën e Islamit. Andaj tha:

“Sa fjalë e bukur qenka kjo kështu!.. Çfarë duhet të bëjë ai që dëshiron të hyjë në këtë fe?”

Usejdi (r.a.), u nderua me Islamin duke thënë shehadetin së bashku me Mus’ab ibn Umejrin (r.a.). Lajmi për hyrjen në Islam të Usejdit (r.a.), u përhap në të gjithë Medinen për një kohë të shkurtër. Pas tij erdhi edhe Sa’d ibn Muadhi dhe u bë mysliman.

Dy fiset kryetarët e të cilëve u bënë myslimanë, erdhën grupe-grupe dhe hynë në Islam. Në sajë të përpjekjeve dhe shërbimeve të mëdha të Mus’ab ibn Umejrit (r.a.), Islami u përhap me shpejtësi në Medine.

* * *

Tashmë Medineja ishte gati për ditën e hixhretit të madh. Koha kishte ardhur. Pas një kohe të shkurtër, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe Ebu Bekri (r.a.), bënë hixhret në këtë qytet. Myslimanët u mblodhën në Medine. Së pari u ndërtua xhamia. Pastaj u formua vëllazëria ndërmjet ensarëve dhe muhaxhirëve. Në këtë mënyrë u sigurua uniteti. Forca e myslimanëve doli në pah. Kështu që u formua ushtria e parë islame. Medineja u bë djepi i Shtetit Islam.

Mus’ab ibn Umejri (r.a.), mbarti flamurin e muhaxhirëve në luftën e Bedrit dhe të Uhudit. Në luftën e Uhudit pati veshur dy mburoja. Në momentet kur myslimanët filluan të mposhteshin, Mus’ab ibn Umejri (r.a.), ngriti flamurin kundrejt politeistëve që kishin rrethuar të Dërguarin e Allahut për ta kapur dhe dha tekbir duke ulëritur si luan. Ai u zhyt te mushrikët duke i sulmuar ata i vetëm. Mus’abi (r.a.), bëri zhurmë sikur të ishte një ushtri më vete dhe e tërhoqi vëmendjen e armikut tek vetja duke i sulmuar me shpatë. Në këtë mënyrë, i largoi politeistët që ishin mbledhur rreth e rrotull të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Heroizmi që shfaqi ai në luftën e Uhudit tregohet si më poshtë:

“Mus’ab ibn Umejri (r.a.), ditën e Uhudit e mori flamurin në dorë dhe u zhyt te politeistët. Mushriku Ibn Kanie erdhi me kalë dhe sulmoi të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Mus’abi (r.a.), i doli përballë, por ai i gjuajti me shpatë dhe i këputi dorën e djathtë.  Mus’abi e mori flamurin në dorën e majtë. Armiku këtë herë i gjuajti në dorën e majtë dhe ia këputi. Mus’ab ibn Umejri (r.a.), e mbajti flamurin me trupin e tij dhe kurdo që merrte ndonjë goditje shpate, thoshte këtë ajet:

“Muhamedi është vetëm i Dërguar, para të cilit ka pasur edhe të dërguar të tjerë. Nëse ai vdes ose vritet, a mos do të ktheheni ju prapa? Kushdo që kthehet prapa, nuk i bën kurrfarë dëmi Allahut. Dhe Allahu do t’i shpërblejë falënderuesit.” (Al Imran, 144)

Mus’abi (r.a.), ra dëshmor për shkak të goditjes që mori nga një heshtë që erdhi prej larg. Ndërsa flamurin e mori një engjëll me pamjen e Mus’abit. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), i cili akoma nuk ishte njoftuar se Mus’abi kishte rënë dëshmor, thoshte: “Përpara!.. Përpara, o Mus’ab!..” Kur engjëlli që mbante flamurin në dorë u kthye prapa, u kuptua se Mus’abi kishte rënë dëshmor.

Kur Resulullahu, alejhi’s-selam, po ecte në fushën e luftës, qëndroi te trupi i Mus’abi (r.a.). Ai këndoi këtë ajet duke derdhur lot:

“Midis besimtarëve ka të atillë, që e kanë mbajtur besëlidhjen me Allahun. Disa prej tyre kanë vdekur, kurse të tjerët presin pa ndryshuar asgjë nga besnikëria e tyre.” (Ahzab, 23)

Pastaj i shprehu ndjenjat e tij të  brendshme me këtë fjali: “Ti do të tubohesh te Allahu si dëshmor, o Mus’ab!” Ndërsa shokëve që kishte pranë, u tha:

“Vizitojini këta! Shkoni dhe jepuni selam këtyre! Betohen në Allahun, në dorën e të Cilit është jeta ime, nëse dikush u jep selam këtyre deri në kiamet, ata e marrin selamin e tij.”

Kur po varroseshin dëshmorët, për Mus’ab ibn Umejrin (r.a.), nuk u gjet dot qefin. Habbab ibn Ereti (r.a.), transmeton:

“Ky dëshmor fisnik kishte vetëm një kaftan. Kur i mbulonim kokën, i dilnin jashtë këmbët.”

Ai gjithashtu tha: “Për shkak të mungesës së qefinit, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), na urdhëroi t’i mbulonim kokën. Ndërsa te këmbët na urdhëroi t’i vendosnim një lloj bari me erë të mirë që quhej “iz’hir”.”

Ne e përshëndesim me selam këtë dëshmor fisnik dhe me dashuri që na vjen nga thellësitë e zemrave tona, duke i kënduar një Fatiha dhe tri Ihlase edhe pse jemi larg. Pastaj e lusim Allahun Teala që të na japë edhe ne prej dashurisë së predikimit, shpirtit të xhihadit, edukatës, dashurisë dhe bindjes që kishte Mus’ab ibn Umejri (r.a.)! Allahu na bashkoftë me të në xhenet! Amin!

Selam qoftë për ty, o Mus’ab!..

Selami qoftë për ju, o dëshmorë!..

Selami qoftë për ju, o dëshmorët e Uhudit!..

Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!

E lus Zotin (xh.xh.), që edhe zemrat tona t’i mbushë me dashurinë ndaj predikimit, xhihadit dhe Resulullahut (s.a.s.), siç kishin edhe ata!

Allahu Teala na bashkoftë në xhenet së bashku me dëshmorët e Uhudit! Amin!

Share.

Comments are closed.