I cili me mrekullinë e shkopit të tij, e mbyti faraonin mendjelehtë në dallgët e Detit të Kuq dhe vëllai i tij besnik

HARUNI -Alejhisselam-

I cili e ndihmoi atë në çdo kohë dhe vend.

 

Musai (a.s.), është profeti, emri i të cilit përmendet më shumë në Kuranin Fisnik[1]. Pas Jusufit (a.s.), ai është një nga profetët më të mëdhenj (ulu’l-adhm), të cilët Allahu i Madhëruar ia ka dërguar popullit hebre. Gjaku i Musait (a.s.), birit të Imranit, me anë të Jakubit dhe Is’hakut (alejhimesselam), shkon deri tek Ibrahimi (a.s.). Ndërsa Haruni (a.s.), është vëllai i tij.

Faraoni i Egjiptit, Rejjan bin Meliku, i cili e bëri Jusufin (a.s.), ministër të ekonomisë së vendit, ishte njeri që i besonte Allahut. Pas tij, në fronin e faraonit u ul një person me emrin Kabus. Ky faraon, megjithëse nuk i besoi Jusufit (a.s.), nuk e hoqi atë prej detyrës së tij. Kurse faraonët që erdhën më vonë, nuk i trajtuan fare mirë bijtë e Izraelit.

Pas Jusufit (a.s.), bijtë e Izraelit mbetën në Egjipt. Ata ishin të lidhur pas fesë së Jusufit, Jakubit, Is’hakut dhe Ibrahimit (alejhimusselam). Kurse egjiptianët vendës, koptët, ishin idhujtarë, të cilët adhuronin idhujt dhe yjet. Ndërsa Izraelitët i shihnin me sy të keq.

Faraonët koptë ishin njerëz të këqij dhe mizorë. Ata nuk e dëshironin shtimin e popullsisë Izraelite, sepse nëse beni Izrailët, që quheshin “sipti”, do të shtoheshin, pushteti mund të kalonte në duart e tyre. Për këtë arsye, koptët, me në krye faraonin, filluan të ushtronin dhunë dhe presion mbi bijtë e Izraelit.

Ndërkaq, siptinjtë që nuk mund ta duronin më dhunën e tyre, e cila shtohej çdo ditë e më shumë, u lodhën së tepërmi nga vuajtjet dhe vështirësitë që po hiqnin. Tashmë, ata i kishin humbur të gjitha të drejtat e tyre shoqërore dhe politike në atë vend. Për rrjedhojë, ata deshën të ktheheshin në rajonin e Ken’anit, ku ishte edhe atdheu i Jakubit (a.s.). Mirëpo, nuk ia arritën dot qëllimit të tyre, sepse faraoni i përdorte ata në punë të rënda si ndërtimi i piramidave dhe nuk mund t’i lejonte të shkonin.

Faraoni, i mundonte shumë bijtë e Izraelit, të cilët përbëheshin nga dymbëdhjetë fise, ku secili prej tyre ishte i lidhur me njërin prej bijve të Jakubit (a.s.). Ai i mbante nën shtypje të vazhdueshme dhe u vinte taksa të rënda edhe atyre që s’ishin në gjendje të punonin. Ndërsa atyre që nuk e sillnin taksën ditore pa perënduar dielli, ua lidhte duart dhe i mbante ashtu për një muaj!

“Me të vërtetë që Faraoni madhështohej në Tokë dhe banorët e saj i kishte përçarë në grupe; disa prej tyre i përndiqte, ua vriste fëmijët meshkuj, ndërsa femrat ua linte gjallë. Ai ka qenë vërtet keqbërës.” (Kasas, 4)

“Pa dyshim, Faraoni, Hamani dhe ushtria e tyre ishin në rrugë të gabuar!” (Kasas, 8)

Në këtë kohë dhune dhe padrejtësish, Allahu i Madhëruar, u dërgoi atyre Musain (a.s.), si profet:

“Por vullneti Ynë ishte që t’u jepnim mirësi atyre që qenë të shtypur në Tokë, t’i bënim prijës e trashëgimtarë, t’i forconim ata në Tokë dhe t’u tregonim Faraonit, Hamanit dhe ushtrisë së tyre atë prej së cilës ata frikësoheshin” (Kasas, 5-6)

 

[1] -Musa (a.s.), përmendet në 136 ajete të Kuranit.

Share.

Leave A Reply