Allahu i Madhëruar, e ka krijuar njeriun si krijesën më të nderuar dhe çdo gjë në tokë, ia ka lënë atij amanet. Njeriu, të cilit i është dhënë një autoritet i madh, është i detyruar të zotërojë një vetëdije të lartë devotshmërie karshi Krijuesit të vet dhe të bartë ndjenjën e ihsanit.

Thelbi i Islamit në aspektin shpirtëror, është monoteizmi në besim, etika/edukata në vepra dhe mëshira në orientim. Mëshira është fryti i parë i besimit. Një zemër pa mëshirë e ka humbur cilësinë dhe ndjeshmërinë njerëzore dhe e ka çuar dëm ndërgjegjen. Fjala “bismilah”, e cila është fillimi i çdo pune të mirë dhe Fatihaja, që është surja e parë e Kuranit të Madhëruar, fillon me emrat “Rrahman” dhe “Rrahim”, që shprehin mëshirën dhe dhembshurinë e Allahut. Edhe jetët e profetëve, të sahabëve dhe dijetarëve të nderuar janë të mbushura plot me ndodhi që shprehin mëshirë. E në fakt, ëmbëlsia e besimit shihet më tepër tek mëshira. Kurse mëshirë, do të thotë të japësh atë që ke, atij që është më i privuar se ty. Po ashtu, në këtë botë, mëshira është paqe e ndërgjegjes dhe përgëzim Xheneti, ndërsa në botën tjetër është kapitali i një lumturie të përjetshme.

Në ditët tona, mëshira është cilësia e vetme që do ta bëjë besimtarin të jetojë me pasionin e besimit, të shpëtojë nga mbizotërimi i egos dhe të thellohet shpirtërisht. Ndërsa frytet e mëshirës, janë virtytet e bukura, si bujaria, modestia, shërbimi, falja dhe shpëtimi nga smira. Kurse nivelin e dashurisë, e nxjerr në pah sakrifica dhe dashuria në shërbim. Rruga më e shkurtër që një besimtar të pajiset me mëshirë, dhembshuri, butësi dhe ndjesi shpirtërore, kalon nga sakrificat që bëhen me jetën dhe pasurinë. Për rrjedhojë, një sahabiu që ankohej për ngurtësinë e zemrës së vet, i Dërguari i Allahut (a.s.), i tha:

“Nëse dëshiron të të zbutet zemra, ushqeje të varfrin dhe përkëdheli kokën jetimit!” (Ahmed, II, 263, 387.)

Ndërsa Sadi Shirazi këshillon kështu:

“Virtyti në shërbim, është të falënderosh për shëndetin dhe forcën, duke mbajtur peshën e të dobëtëve.”

Ashtu siç është e përmalluar për shirat e begatë toka e çarë nga etja, ashtu edhe shtresa më nevojtare e shoqërisë sonë janë jetimët dhe skamnorët. Ata janë amaneti i Zotit për ne. Në shumë ajete të Kuranit Fisnik dhe në shumë hadithe autentike, porositemi t’u shërbejmë nevojtarëve dhe të mbrojmë jetimët dhe skamnorët.

Ndërsa Ibn Abbasi (r.a.), tregon:

“Kur u zbritën ajetet e Allahut: «Dhe mos iu qasni pasurisë së jetimit, përveçse për ta rregulluar, derisa të mbërrijë pjekurinë!..»[1] dhe «Vërtet, ata që shpenzojnë pasurinë e jetimit pa të drejtë, vetëm mbushin barkun e tyre me zjarr dhe ata do të digjen në zjarrin flakërues.»[2], sahabët që kishin jetimë (nën kujdesje), shkuan dhe e ndanë ushqimin dhe pijen e tyre nga të vetat. Madje, ata nuk e preknin ushqimin dhe pijen e jetimit, edhe nëse tepronte diçka prej tyre, por e ruanin derisa jetimi e hante vet, ose të prishej…” (Ebu Daud, Uesaja, 7/2871; Nesai, Uesaja, 11.)

Po ashtu, në një transmetim tjetër të Ibn Abbasit (r.a.), thuhet:

Një herë, Aliu ujiti për tërë natën një bahçe me hurma për të fituar një sasi të caktuar elbi. Kur gdhiu, mori atë sasi elbi që ishte haku i tij i punës dhe shkoi në shtëpi. Një të tretën e sasisë së elbit që fitoi Aliu atë natë, e bluan të gjithë së bashku si familje, që të gatuanin një ushqim të veçantë që quhej “hazira”. Pasi përgatitën hazirën, u duk në derë një i varfër që kërkonte ushqim. Ata i dhanë ushqim nga ai që e kishin bërë gati. Më pas morën një të tretën e dytë të elbit që Aliu kishte fituar duke punuar tërë natën, e bluan dhe e gatuan për ta ngrënë. Atë çast ia behu një jetim, që kërkoi diçka për të ngrënë. Ata ia dhanë menjëherë jetimit atë që kishin përgatitur për të ngrënë vetë. Pastaj filluan të bluanin e të përgatisnin pjesën e mbetur të elbit. Kur ushqimi u bë gati, u shfaq në derë një idhujtar i zënë rob, i cili u kërkoi diçka për të ngrënë. Kështu, edhe sasinë e fundit të ushqimit ia dhanë atij, duke e kaluar të uritur atë ditë. Sipas një transmetimi tjetër, kjo histori ka ndodhur kur Aliu së bashku me familjen e tij kanë qenë agjërueshëm. Tre nevojtarët, pra i varfri, jetimi dhe skllavi kanë ardhur në prag iftari. Ushqimi u është dhënë këtyre të varfërve të sipërpërmendur, ndërsa pjesëtarët e kësaj familjeje të nderuar e kanë bërë iftarin vetëm me ujë. Kjo ngjarje u bë shkak për shpalljen e këtyre ajeteve:

 “Ata i ushqejnë të varfrit, jetimët dhe të zënët rob edhe pse vetë janë nevojtarë, duke thënë: Ne ju ushqejmë vetëm për hir të Zotit. Për këtë, nuk duam shpërblim e as falënderim! Ne i frikësohemi Zotit tonë në një Ditë të ashpër, që do t’i bëjë fytyrat të jenë të vrenjtura. Por Allahu do t’i ruajë ata nga tmerret e asaj Dite e do t’u japë shkëlqim dhe gëzim.” (Insan, 8-11) (Vahidi, Esbabu Nuzul, s. 470; Zemahsheri, el-Keshshaf, VI, 191-192; Razi, XXX, 244.)

Në këtë ajete fisnike, Allahu i Madhëruar, na jep sihariqin e shpërblimit me Xhenet të sakrificave dhe mirësive që bëhen ndaj të varfërve, jetimëve dhe robërve. Disa nga porositë lidhur me dhurimin e sinqertë me gjithë zemër për të cilin bëjnë fjalë ajetet, mund t’i shprehim edhe kështu:

Besimtari duhet të kujdeset për vëllain e tij mysliman, edhe nëse vet është më nevojtar se ai. Ai duhet ta ndjejë në zemrën e tij vuajtjen e krahëthyerve të shoqërisë. Njohja, qarja e halleve dhe plotësimi i nevojave të tyre duhet të bëhet pjesë e natyrës së besimtarit.

Nga ana tjetër, sadakatë e dhëna, nuk duhet të jenë për interesa të përkohshme të kësaj bote, por vetëm për hir të Allahut. Prandaj, gjatë ndihmës ndaj nevojtarëve, duhet bërë kujdes i madh që të mos i bëjmë ata të ndihen në siklet dhe të na jenë mirënjohës. Në një hadith fisnik thuhet:

“Thirrmëni të dobëtit tuaj, sepse ju ndihmoheni dhe furnizoheni vetëm (me lutjen dhe begatinë) e personave të dobët nga ju!” (Ebu Davud, Xhihad, 70; Ahmed b. Hanbel, Musned, V, 198.)

“Allahu e ndihmon këtë popull për shkak të duave, namazeve dhe sinqeritetit të të dobëtëve.” (Nesai, Xhihad, 43.)

Ndërsa Ebu’l-Lejs Semerkandi ka thënë:

“Dhuruesi, duhet t’i japë nevojtarit, me një ndjejnë falënderimi…” Kjo, sepse në sajë të tij, ai që dhuron do të fitojë kënaqësinë e Allahut dhe do të largojë prej vetes fatkeqësitë, sëmundjet dhe problemet.

Po ashtu, edhe Rumiu e shpreh shumë bukur faktin se ai që përfiton më shumë prej dhurimeve dhe ndihmave, është ai që jep:

“Ashtu sikundër bukuritë kërkojnë pasqyrë të pastër, edhe bujaria kërkon njerëz të varfër dhe të dobët. Fytyra e të bukurve duket bukur në pasqyrë, edhe bukuria e bujarisë dhe e mirësisë del pah tek të varfrit dhe të dobëtit.”

Një çështje shumë e rëndësishme që kuptohet prej ajeteve që përmendëm më herët, është edhe se; “dhurimi” është një nga veprat më të rëndësishme që do të na mbrojë nga tmerri i ditës së kiametit. Po ashtu, dhurimi që bëhet në mënyrë të sinqertë, do të pranohet tek Allahu dhe ditën e kiametit do t’ia zbardhë fytyrën të zotit.

Në tjetër çështje mbi të cilën duhet të fokusohemi, është edhe fakti se Allahu i Madhëruar dëshiron që besimtarët t’i kryejnë këto lloj veprash të mira e të sinqerta.

Një tjetër shembull i këtij altruizmi tregohet në lidhje me Davud-i Tain:

Një ditë, nxënësi që i shërbente, i tha:

“Kam pjekur pak mish. A dëshironi të hani?”

Mësuesi heshti dhe kjo nënkuptoi miratim për nxënësin. Mirëpo, Davud-i Tai, tek po shikonte mishin që nxënësi i solli, e pyeti atë:

“Kemi ndonjë gjë të re për gjendjen ekonomike të filan jetimëve, bir?”

Nxënësi iu përgjigj:

“Nuk ka asnjë gjë të re në lidhje me ta, vetëm të vjetra, ato që i dini edhe ju.”

Pas kësaj përgjigjeje, Davud-i Tai tha:

“Atëherë këtë drekë dërgojua atyre, menjëherë!”

Nxënësi i tij i sinqertë, që dëshironte ta ndante këtë ushqim me mësuesin e tij, këmbënguli duke i thënë:

“Mësues i nderuar, ka kohë që ju nuk keni ngrënë aspak mish!..” Mirëpo, Davud-i Tai ia ktheu:

“O bir, nëse unë do ta ha këtë mish që ke sjellë dhe përgatitur enkas për mua, pa kaluar shumë ai do të dalë jashtë. Por, nëse mishin në fjalë do ta hanë jetimët, ai do të ngjitet deri në Arshi Ala, ku do të na paraqitet si sevap në botën tjetër!..”

Ja pra, ky është një shpirt i lartë, që e ndjen veten përgjegjës ndaj shoqërisë, u qan hallet jetimëve dhe qëndron me të vuajturit!.. Vallë, ata që sot notojnë në luks dhe kënaqësi, sa arrijnë t’i ndjejnë vuajtjet e njerëzve të braktisur në vetmi?..

 

[1] – En’am, 152.

[2] – Nisa, 10.

Share.

Leave A Reply