Krijuesi i gjithësisë e krijoi njeriun si një qenie të nderuar dhe të përsosur. Por, me gjithë përsosmërinë e tij, njeriu nuk e zotëron strukturën e duhur për t’u përballur në mënyrë direkte me Shpalljen Hyjnore. Prandaj, që prej kohës kur në këtë botë ka filluar jeta njerëzore, Allahu i Madhëruar ka zgjedhur ndër njerëz të dërguar të posaçëm të quajtur “Nebi”, ose “Resul”, të cilët kanë qenë të ngarkuar me detyrën për të krijuar lidhje midis Tij dhe njeriut dhe për të kumtuar Shpalljen Hyjnore.

Të gjithë të dërguarit, kanë qenë udhëzues të ngarkuar me detyrën për t’i përcjellë njerëzve urdhëresat dhe ndalesat Hyjnore dhe për t’u treguar atyre rrugën e drejtë. Të gjithë këta të dërguar, janë përpjekur ta kryejnë në mënyrën më të mirë këtë detyrë të shenjtë. Profeti ynë, Muhamedi (a.s.), njohuritë e domosdoshme për një model jetese siç ka kërkuar Allahu, ia ka përcjellë Ummetit të tij në formë praktike. Si çdo profet, edhe Muhamedi (a.s.), ka pasur dy detyra kryesore: Përçimin dhe shpjegimin e mesazhit.

“O i Dërguar! Trego atë që të është shpallur nga Zoti yt! Në qoftë se nuk e bën këtë, atëherë nuk e ke përcjellë Mesazhin e Tij…” [Maide, 67.]

“…Ne të zbritëm ty (o Muhamed) Përkujtesën (Kuranin), me qëllim që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur dhe që ata të mendojnë!” [Nahl, 44.]

Si domosdoshmëri e detyrës së tij, Profeti (a.s.), nuk u mjaftua vetëm me përcjelljen e ajeteve Kuranore që mori nga Allahu me anë të Shpalljes, por njëkohësisht, ai i shpjegoi dhe i sqaroi ato. Kjo, sepse shpjegimi dhe sqarimi i Shpalljes ishte detyra e tij e vërtetë. Duhet të theksojmë se, për shkak se predikimi i Profetit tonë (a.s.), ishte universal, edhe sqarimet realizoheshin brenda një kuadri të përshtatshëm me natyrën universale të Shpalljes. Në një farë mënyre, Suneti nënkupton interpretimin e Kuranit në plan universal nga ana e Profetit (a.s.).

Në mendje mund të vijë një pyetje e tillë: Përderisa Kurani është i qartë, i kuptueshëm dhe nuk lë vend për dyshim apo moskuptim, përse ka nevojë për një interpretim dhe sqarim nga ana e Sunetit? Është e vërtetë që Kurani është i qartë dhe i kuptueshëm, por me gjithë këtë cilësi të Kuranit, për shkak të nivelit të ndryshëm perceptues të njerëzve, është e pamundur që ai të kuptohet drejtë nga të gjithë njerëzit. Nga ana tjetër, për të qenë i ngarkuar me përgjegjësi, njeriut i duhet të kuptojë, e jo vetëm të dëgjojë. Pra, është e pamundur t’i ngarkosh njerëzit me përgjegjësi për gjërat që ata nuk i kuptojnë. Prandaj, është e domosdoshme që gjithkujt t’i sqarohet ajo të cilën ka nevojë të kuptojë. Dhe, padyshim se interpretimin dhe sqarimin më të saktë e më të drejtë, mund ta bënte  vetëm Profeti (a.s.), i cili i solli dhe i kumtoi këto ajete të Kuranit. Shpjegimet e Profetit (a.s.), nuk nënkuptojnë asnjëherë se Kurani është i mangët, i pamjaftueshëm dhe i pakuptueshëm. Për rrjedhojë, njerëzit, të cilët nuk kanë asnjë detyrë tjetër përveçse të jenë “robër të Allahut”, vetëm në sajë të këtyre shpjegimeve mund të mësojnë se si duhet ta adhurojnë Atë. Për këtë arsye, është e pamundur të mendosh një Islam pa Sunetin profetik.

Suneti ka marrë përsipër një detyrë të dorës së parë, menjëherë pranë Kuranit, në ndërtimin e jetës në përputhje me vullnetin hyjnor. Ky fakt, deklarohet njëkohësisht edhe nga Kurani, i cili urdhëron bindjen ndaj Profetit (a.s.), edhe nga vetë Profeti (a.s.).

Në ajete të ndryshme të Kuranit, urdhërohet :

“Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj!” [Hashr, 7.]

“Thuaju (o Muhamed): «Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet!»” [Al-i Imran, 31.]

“Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” [Ahzab, 21.]

“Nëse nuk pajtoheni në ndonjë gjë, drejtojuni Allahut dhe të Dërguarit!” [Nisa, 59.]

“Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjyqtar për kundërshtitë mes tyre; e pastaj, të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht.” [Nisa, 65.]

“Ti, me të vërtetë, udhëzon në rrugën e drejtë.” [Shura, 52.]

“Le të frikësohen ata që kundërshtojnë urdhrin e tij, që të mos i arrijë ndonjë sprovë ose që të mos i godasë një dënim i dhembshëm.” [Nur, 63.]

“Kush i bindet të Dërguarit, i është bindur Allahut” [Nisa, 80.]

Ndërsa Profeti ynë (a.s.), ka thënë:

“… Kush i kthen shpinën Sunetit tim nuk është prej meje!” (Buhari, Nikah,1; Muslim, Nikah, 5.)

“Humbja e fesë, fillon me braktisjen e Sunetit. Ashtu siç zgjidhet litari fije – fije dhe në fund këputet, ashtu do të humbasë edhe feja me braktisjen një nga një të suneteve.” (Darimi, Mukaddime, 16.)

Të gjitha këto ajete dhe hadithe, tregojnë se myslimanët mund ta ruajnë identitetin e tyre Islam vetëm në sajë të kapjes fort pas traditës profetike dhe përpjekjes për të mos u shkëputur prej saj. Kjo, sepse boshllëku që do të lindte nga braktisja e Sunetit, do të mbushej nga bid’atet, të cilat janë e kundërta e Sunetit.

Me një përkufizim më të shkurtër dhe të përgjithshëm, sunet do të thotë “kulturë Islame”. Kurse bid’at, është çdo gjë që bie ndesh me kulturën Islame, që nuk është pjesë e saj, por që duket si pjesë e saj apo bëhen përpjekje për ta treguar si pjesë të saj. Vlerat e përbashkëta dhe ngjashmëritë në tradita, të cilat janë shfaqur gjatë shekujve ndër myslimanët që jetojnë në vende të ndryshme, janë bërë të mundura në sajë të karakterit përcaktues, gjithëpërfshirës, përbashkues dhe universal të Sunetit. E thënë më shkoqur, Ummeti Islam ekziston në sajë të Sunetit dhe jeton me të. Kurse degjenerimi fillon me largimin prej tij.

Share.

Leave A Reply