Adem Saraç

Një ditë prej ditëve të bukura të jetës plot sihariqe të Hz. Pejgamberit (a.s.)…

Një ditë që do ta bënte Hz. Ummu Ejmen Bereken të fluturonte nga gëzimi…

Njëra prej zonjave sahabe fatlume, e cila me moralin e saj të bukur, kishte hapur derën ndaj një bote të re, e bëri rrugën me hapa të shpejtë dhe shkoi në shtëpinë e Ummu Ejmenit. Fryma po i merrej. Gjendja e saj e shqetësoi Ummu Ejmenin! Edhe pse po merrte frymë me vështirësi prej lodhjes, menjëherë i tha:

-O Ummu Ejmen! A e di çfarë ka thënë i Dërguari i Allahut?

-Nga ta di nëse nuk ma thua! Por ji e sigurt se çfarëdo që të ketë thënë, patjetër është e vërtetë. Për këtë nuk kam aspak dyshim!

“Ai që dëshiron të martohet me një grua prej banorëve të Xhenetit, le të martohet me Ummu Ejmenin!”[1]

Ummu Ejmeni u hodh nga vendi me një lëvizje të pavetëdijshme sikur të kishte pësuar një goditje në zemër! U zverdh në fytyrë dhe i ndryshoi ngjyra! Mezi arriti të fliste.

-A e kupton se çfarë thua?

-Unë të tregova atë që tha i Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, për ty!

-Pse u zverdhe kaq shumë?

-Me të vërtetë ka thënë ashtu i Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam?

-Unë të tregova vetëm ato që tha! Ne e dimë të gjithë se ti nuk mendon të martohesh.

-Nuk është kjo që më tronditi mua, fqinje!

-Çfarë të tronditi atëherë?

-Fjala e Tij!

-Edhe unë prandaj erdha tek ti, që të të lajmëroja! Çdo fjalë e të Dërguarit të Allahut, alejhi’s-selam, është e vlefshme për ne! Por këtë fjalë e tha veçanërisht për ty! Unë u gëzova shumë për ty dhe desha ta sillja lajmin menjëherë!

-Ma thuaj edhe një herë atë që tha!

Ai që dëshiron të martohet me një grua prej banorëve të Xhenetit, le të martohet me Ummu Ejmenin!

Ummu Ejmeni u përkeqësua përsëri. Pothuajse do t’i binte të fikët. Mezi e mblodhi veten, u ngrit dhe iu drejtua fqinjës së saj:

-A me të vërtetë ka thënë kështu? A kështu ka thënë i Dërguari i Allahut (s.a.s.)?

-Çfarë po të ndodh, Ummu Ejmen?

-A mund ta përsëritësh edhe një herë? A mund ta përsëritësh edhe një herë atë fjalë të pashoqe?

Ai që dëshiron të martohet me një grua prej banorëve të Xhenetit, le të martohet me Ummu Ejmenin!

-Aman o Zot!

Ummu Ejmeni po lëkundej si një rrap i madh majtas e djathtas. Sapo do të rrëzohej, e kapi fqinja e saj…

-Çfarë ke për hir të Zotit? Nëse nuk dëshiron të martohesh, mos u marto Ummu Ejmen! I Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, nuk të detyron për këtë.

-Për fat të keq, çështja nuk është martesa, fqinje! Mua më tronditën fjalët mahnitëse të Tij!

-Si?

-Përgëzimi “grua prej banorëve të Xhenetit” që ka thënë për mua!

-Si nuk e kuptova unë këtë! Edhe pse të njoftova për këtë përgëzim! I Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, të cilëson si “grua prej banorëve të Xhenetit”.

-Me të vërtetë, a je e sigurt se ka thënë kështu?

-Jo vetëm unë, por të gjithë që gjendeshin aty e dëgjuan këtë. Pas pak do të vijnë edhe ata për të të përgëzuar.

-“Grua prej banorëve të Xhenetit!” Aman o Zot! Sa larg jam unë dhe sa larg është të qenët grua prej banorëve të Xhenetit!

-Por i Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, ashtu tha!

-Nëse Ai ka thënë, ka thënë të vërtetën, por unë nuk e meritoj këtë!

-A e di më mirë ti se Ai, o Ummu Ejmen?

-Estagfirullah! Me mijëra herë estagfirullah! Sigurisht se Ai (s.a.s.), e di më mirë.[2]

Ummu Ejmeni u ul në vendin ku ishte dhe filloi të qante. Nga ana tjetër qante me dënesë: “Grua prej banorëve të Xhenetit, ë? Grua prej banorëve të Xhenetit? Po qante aq shumë, saqë fqinja e saj s’po e qetësonte dot.

Fqinja e saj e pa se kjo qarje me dënesë ishte nga gëzimi i përgëzimit “grua prej banorëve të Xhenetit” dhe nuk ndërhyri më. Madje, nuk rezistoi dot dhe filloi të qante bashkë me të.

Si të mos qante? A nuk qahet për një gëzim të tillë?

Ndërkohë erdhën edhe gratë e tjera. Edhe ato sollën të njëjtin përgëzim. Ato e përgëzonin dhe e uronin këtë zonjë të bekuar.

Hz. Ummu Ejmeni (r.a.), e cila dëshmoi çdo gjë të të Dërguarit të Allahut, alejhi’s-selam, që nga lindja e derisa ndërroi jetë, kishte një zemër shumë të ndjeshme dhe të butë. Ajo e donte të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), më shumë se veten e saj.

Ummu Ejmeni jetonte çdo çast me të Dërguarin e Allahut, alejhi’s-selam, në çdo gjë reflektonte Atë dhe e gjithë jeta e saj pothuajse ishte e veshur me Atë (s.a.s.). Ajo e donte aq shumë Hz. Pejgamberin (a.s.), saqë një ditë Ai tha: “Ajo ishte nëna ime pas nënës sime.”

Hz. Ummu Ejmeni e kishte përqafuar Islamin me të gjithë qenien e saj dhe që në këtë botë, u bë prej të përgëzuarve me Xhenet.

Lum për ata që janë përgëzuar nga i Dërguari i Allahut (s.a.s.)!

 

[1] Ibn Is’hak, Siretu Ibn Is’hak el-Musemma bi Kitabi’l Mubtede’ ve’l-Meb’as ve’l-Megazi; fq. 385; Ibn Hisham, es-Siretu’n-Nebevijje, vëll. 2, fq. 342

[2] Ibn Haxher el-Askalani, el-Isabe fi Temjizi’s-Sahabe, 11849; Muhammed Raci Hasen Kennas, Rasûlüllah’ın Etrafındaki Hanım Sahâbîler, fq. 71

Share.

Leave A Reply