Xhafer Bekirogllu

Nga Marifetnameja kuptojmë se natyra e një njeriu është e thatë ose e lagësht, e ngrohtë ose e ftohtë. Ushqimet që merr, ia shtojnë thatësinë dhe ftohtësinë ose ngrohtësinë dhe lagështinë. Nisur nga kjo, çdo njeri i vetëdijshëm duhet ta njohë strukturën e tij, duhet t’i dijë veçoritë e rëndësishme të ushqimeve mjekësore që merr dhe të gjitha këto duhet t’i konsumojë duke pasur kujdes për kohën e tyre.

Spinaqi: është i ftohtë dhe i lagësht në shkallë të parë. Ushqimi me të është i shijshëm. Ai u bën dobi mushkërive të bardha dhe mëlçisë së zezë. E zbut barkun dhe lufton sëmundjet e shpinës.

Qepa: është tharëse në shkallën e dytë dhe ngrohëse në shkallën e tretë. Në të njëjtën kohë, është dekompozuese dhe zbutëse. Hap hyrjen e damarëve. Nëse i shtypet fara dhe me vajin e saj lyhet lëkura e sëmurë me lebrozë, e shëron atë. E shkul me kripë lurdhësin. Nëse hahet në mënyrë normale, forcon stomakun dhe hap oreksin. Qepa e zier është e dobishme. Liron rrugët e urinës, zbut natyrën e njeriut dhe lufton erërat helmuese. Nëse lidhet plaga me të, ndalon dhimbjet dhe rrjedhjet.

Veza e pulës: gjysmë e skuqur në vaj, është  më e mira. Nëse veza zihet shumë, nuk ka asnjë lloj dobie. Por e verdha e saj ka shumë dobi për nxehtësinë dhe e bardha për të ftohtët. Nëse e lyejmë fytyrën me të bardhën e vezës, e mbron atë kundrejt rrezeve dhe nxehtësisë së diellit. Nëse e përziejmë të verdhën e saj me mjaltë dhe lyejmë me të dëmtimet dhe qukat e fytyrës, i shëron. Veza ka fuqinë e mishit dhe pjesa më e dobishme është e verdha e saj.

Arra: është tharëse në shkallë të parë dhe ngrohëse në shkallë të dytë. Shkakton dhimbje koke. Tretet me vështirësi dhe jep shumë ngrohtësi. Vaji i saj është ndriçues, dekompozues dhe dobësues. Ajo është e dobishme për skuqjet, qukat dhe dridhjet e fytyrës. Është e dobishme për dhimbjet e kokës dhe të kraharorit. Largon rrufën dhe kollën e thatë, që kanë lidhje me të ftohtët. E forcon stomakun dhe qetëson zemrën. Hap bllokimet e mëlçisë së zezë. Është e dobishme për dhimbjet e veshkave dhe të mitrës. I vjen mirë errësimit të syrit dhe kataraktit.

Fiku: i freskët është pak i lagësht dhe i ngrohtë. Ka shumë lëng dhe ushqim. Tretet menjëherë në stomak. Është më i ushqyeshëm se të gjithë frutat e tjerë. Pjesa e tij ndërmjet bërthamës dhe lëkurës i pjek dhe i zbut plagët dhe ulçerën. E ul temperaturën dhe e rregullon ngjyrën që prishet prej sëmundjes. I pjek çibanët dhe u nxjerr qelbin. E heq kollën e vjetër. Është i dobishëm për mushkëritë e bardha dhe kraharorin. Hap bllokimet e mëlçisë së zezë, shpretkën, veshkat dhe fshikëzën e urinës. Është shumë i dobishëm kur hahet me bajame ose me arra. Nuk është mirë që fiku të hahet me ushqime të rënda. Ai që ha tre kokrra fiq para ushqimit, të zier në ujë me uthull, për tre ditë në mëngjes, shpëton nga ethet dhe tëmthi.

Nga këto që thamë më lart, mund të mendojmë se Hazreti Ibrahim Hakiu këshillon që njeriu duhet të jetë doktori i vetvetes, sepse ai e këshillon lexuesin e tij që së pari të njohë strukturën e trupit të tij, pastaj veçoritë e ushqimeve që i ka marrë si ilaç apo ushqim dhe mënyrën e duhur për përdorim. Ai tregon se duhet të respektohen parimet kryesore të mjekësisë mbrojtëse. Në fund, thotë: “Të gjitha ilaçet dhe ushqimet ndikojnë me lejen e Allahut të Madhëruar. Faktikisht, Musebbibu’l-Esbab është Ai që u jep gjërave forcën e ndikimit. Ai u jep dobi apo u shkakton dëm gjërave.”

Përfunduar

Përktheu: Fatmir SULAJ

Share.

Leave A Reply