Ebu Abdurrahman Abdullah Ibni Mes’ud (r.a.), tregon:

“E kam ende para syve të Dërguarin e Allahut (a.s.), kur tregon për njërin nga profetët e Allahut, të cilin e ka rrahur aq shumë populli i vet (ku është dërguar si profet) sa e ka përgjakur, e ai, duke e fshirë gjakun nga fytyra thotë: «O Zoti im, fale popullin tim, se ata nuk dinë!»”

-Muttefekun alejhi-

(Buhari, Enbija, 54. shih. Buhari Murteddin, 5; Muslim, Xhihad, 104; Ibni Maxhe, Fiten 23.)

Abdullah Ibni Mes’ud (r.a.).

Abdullah Ibni Mes’ud (r.a.), ka qenë prej myslimanëve të parë dhe prej parisë së sahabëve në aspektin e dijes dhe virtyteve. Llagapi i tij ishte Ebu Abdurrahman. Që prej ditës që u bë mysliman, nuk është ndarë asnjëherë prej të Dërguarit të Allahut (a.s.) dhe i ka shërbyer atij me kënaqësi të madhe.

Abdullah Ibni Mes’ud (r.a.), ka qenë njeri me trup të dobët, por kishte një zë të ëmbël dhe një fytyrë të dashur. Kur pranoi Islamin, numri i myslimanëve ishte shumë i vogël. Ata as nuk mund të këndonin Kuran me zë, e as nuk mund të faleshin në Qabe. Mirëpo, Abdullahu (r.a.), donte t’i jepte fund kësaj gjendjeje dhe, për rrjedhojë, duke mos i marrë për bazë edhe kundërshtimet e disa myslimanëve, ai filloi të këndonte Kuran me zë në një kohë kur paria e Mekës gjendej e grumbulluar përreth Qabes. Idhujtarët, të cilët nuk donin absolutisht të dëgjonin dhe të shihnin skena të tilla, deshën ta ndëshkonin Abdullah Ibni Mes’udin (r.a.) dhe e shtrënguan atë që të braktiste Islamin. Mirëpo, ai u rezistoi atyre. Për rrjedhojë, në një farë kuptimi, idhujtarët e Mekës, goditjen e parë e morën pikërisht prej Abdullah Ibni Mes’udit (r.a.). Gjithsesi, idhujtarët nuk e lanë të qetë në Mekë, prandaj Abdullahu (r.a.), emigroi në Medinë dhe u strehua tek Muadh Ibni Xhebeli (r.a.). Pas emigrimit të Profetit (a.s.), u vendos përfundimisht në Medinë dhe nuk u nda kurrë prej të Dërguarit të Allahut (a.s.).

Abdullah Ibni Mes’udi (r.a.), ka marrë pjesë në të gjitha betejat. Profeti (a.s.), e dëgjonte me shumë kënaqësi këndimin e Kuranit nga ana e tij. Me dijen e tij të gjerë në fushën e tefsirit, hadithit dhe fikhut, u bë mësuesi i dijetarëve që erdhën pas tij. Në mënyrë të veçantë, dijetarët e Kufes kanë dhënë mendime në fushën e fikhut, duke u bazuar në transmetimet dhe mendimet e tij.

Pavarësisht dijes së gjerë në fushën e Hadithit, të cilën e kishte fituar në sajë të afërsisë me të Dërguarin e Allahut (a.s.), ai mbante qëndrime mjaft rigoroze në lidhje me transmetimet. Prej tij na kanë ardhur 848 transmetime, 64 prej të cilave shënohen edhe në “Sahihun” e Buhariut, edhe në “Sahihun” e Muslimit. Ndërkohë që 21 transmetime të tij janë shënuar vetëm në “Sahihun” e Buhariut, 35 të tjera janë shënuar vetëm në atë të Muslimit. Kështu, Buhariu ka marrë 85 transmetime prej Ibni Mes’udit, ndërsa Muslimi 99 të tillë. Transmetimet e tjera të Ibni Mes’udit (r.a.), ndodhen në “Musnedin” e Ahmed Ibni Hanbelit dhe librat e tjerë të haditheve.

Në kohën e kalifatit të Osmanit (r.a.), ai u kthye në Medinë nga detyra e gjykatësit të Kufes dhe, pas një kohe të shkurtër ndërroi jetë aty, kur i kishte kaluar të gjashtëdhjetat.

Allahu qoftë i kënaqur me të!

Shpjegime

Transmetohet se ndodhia që tregohet në këtë Hadith, është përjetuar edhe nga Profeti ynë (a.s.), edhe nga një profet tjetër i mëhershëm. Profeti ynë (a.s.), e ka përjetuar personalisht këtë situatë gjatë betejës së Uhudit, ku ashtu si edhe profeti për të cilin bëhet fjalë, në lidhje me ata që i thyen dhëmbin dhe i plagosën fytyrën, është lutur duke thënë: “O Zoti im, fale popullin tim, sepse ata nuk dinë se çfarë po bëjnë!”.

Nga kjo, kuptohet se durimi ndaj vuajtjeve që u vijnë nga populli, falja e tyre dhe lutja për faljen e tyre, është qëndrimi, ose Suneti i përbashkët i të gjithë profetëve. Po ashtu, duke na treguar gjendjen e një profeti të mëhershëm, i Dërguari i Allahut (a.s.), sjell argument për qëndrimet e tij, duke lënë të kuptohet se durimi është një virtyt i përbashkët i profetëve.

Ky Hadith, i cili na tregon për vendin që zë durimi në jetën e profetëve, na jep edhe mesazhin se, liderët apo prijësit e xhemateve janë njerëzit që duhet të tregojnë më tepër durim se kushdo tjetër. Në të njëjtën kohë, ainxjerr në pah edhe përputhjen midis këshillave dhe sjelljeve të Profetit tonë (a.s.). Pra, për çfarëdo gjëje që e ka këshilluar popullin e tij, Profeti (a.s.), e ka zbatuar personalisht atë në mënyrën më të përsosur. Kjo tregon qartë se ai nuk ka pasur asnjë ndryshim nga populli në aspektin e përgjegjësive.

Gjithashtu,  Hadithi, të cilin do ta rishikojmë edhe në atë me numër 647, në një pikëpamje thekson dimensionet që mund të arrijë durimi i shfaqur gjatë një detyre. Një profet, apo një ftues në fe, i cili mund të keqtrajtohet dhe ofendohet për shkak se thërret në të vërtetën, mund të lutet me gjuhën e tij për faljen e atyre që ia shkaktojnë këto të këqija, ndërkohë që me dorë është duke fshirë gjakun që i rrjedh në fytyrë. Ja pra, ky është një tregues i vërtetë i durimit në shërbim dhe thirrjen Islame.

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Toleranca ndaj njerëzve të paditur, është prej moralit të profetëve.
  2. Profetët kanë përballuar shumë vuajtje për t’u përçuar fenë njerëzve. Suksesi është shpërblimi i durimit.
Share.

Leave A Reply