Omer ibn Hattabi (r.a.), ishte kalifi i dytë që e kishte edukuar i Dërguari i Allahut (a.s.)… Ai ishte një kalif i drejtë që ia tregoi të gjithë botës drejtësinë e Islamit… Ai ishte një kryetar shteti dhe prijësi i besimtarëve që thoshte duke qarë: “Nëse rrezohet një dele buzë Eufratit, drejtësia hyjnore do ta marrë në llogari Omerin për të…”

Lindi në Mekë 40 vjet para hixhretit. Babai i tij ishte Hattabi, ndërsa nëna e tij ishte motra e Ebu Xhehlit, Hantemja. Omeri (r.a.), në rini kalëronte dhe preokupohej me mundje. Në mundjet që u zhvilluan në panairin Ukaz, doli i pari disa herë. Ai hipte në kalë me një hedhje nga toka. Ishte shumë i fuqishëm, i guximshëm dhe i manovrueshëm. Gjithashtu ishte prej heronjve të Mekës.

Omeri (r.a.), u nderua me Islam pasi fitoi lutjen e Pejgamberit tonë të dashur i cili tha: “O Zot! Forcoje fenë Tënde me Omerin apo Ebu Xhehlin!”

Historia e ngjarjes që ai ka pranuar Islamin, është lexuar me kënaqësi dhe është treguar me emocion brez pas brezi. Të rinjtë e të moshuarit e kanë dëgjuar me vëmendje dhe me lot në sy. Nderimi i tij me Islamin ka ndodhur në këtë mënyrë:

“Politeistët e Mekës premtuan deve për atë që vriste Muhamedin (a.s.). Mushrikët e inkurajuan atë duke thënë se këtë punë mund ta bënte vetëm Omeri, sepse ai ishte prej trimave më të fuqishëm të Mekës. Omeri e mori shpatën dhe u nis për rrugë. Gjatë rrugës po ecte shumë i nxehur dhe i xhindosur. Ai hasi në rrugë me Nuajm ibn Abdullahun. Ndërmjet tyre ndodhi kjo bisedë. Nuajmi i tha:

“Ku po shkon kështu me këtë zemërim dhe urrejtje, o Omer?” Omeri ia ktheu:

“Po shkoj të vras Muhamedin.” Nuajmi i tha:

“Kjo është e vështirë. Sahabët qëndrojnë rreth e rrotull tij vazhdimisht.” Omeri i tha:

“Mos vallë edhe ti je prej tyre.” – dhe nxori shpatën. Nuajmi i tha:

“O Omer! Më lër! Së pari merru me motrën tënde, Fatimenë dhe bashkëshortin e saj. Edhe ata janë bërë myslimanë.”

Omeri e ndërroi menjëherë rrugën dhe shkoi te shtëpia e motës së tij. Ai qëndroi te shkallët dhe dëgjoi zërin e ëmbël që vinte nga brenda. Omeri hyri brenda në shtëpi me furtunat që i kishim shpërthyer në zemër. Pyeti se çfarë ishte ajo që po lexohej dhe kush po e lexonte. Motra dhe dhëndri i tij e kishin fshehur Habbabin që po u mësonte Kuranin Fisnik. Me një shuplakë Omeri i hodhi për tokë motrën dhe dhëndrin e tij. Fatimja i bërtiti me të madhe Omerit: “O Omer! Edhe nëse na vret, nuk do të heqim dorë nga kjo fe.”

Omeri ndaloi kundrejt këtij qëndrimi të qartë të motrës së tij. Furtunat që kishin shpërthyer brenda papritur u qetësuan. U kërkoi atyre që t’ia jepnin atë që po lexonin. Ata po lexonin gjashtë ajetet e para të sures Hadid. Në ata ajete fisnike Zoti i Madhëruar thoshte:

“Allahun e lartëson çdo gjë që është në qiej dhe në Tokë. Ai është i Plotfuqishmi, i Urti.

Atij i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës. Ai jep jetë e vdekje dhe është i fuqishëm për çdo gjë.

Ai është i Pari dhe i Mbrami, i Dukshmi (me argumente) dhe i Padukshmi (me sy). Ai është i Dijshëm për çdo gjë!

Ai i krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë, pastaj u ngrit mbi Fron. Ai e di se çfarë hyn në Tokë dhe çfarë del prej saj, çfarë zbret prej qiellit dhe çfarë ngjitet drejt tij. Ai është me ju kudo që të gjendeni; Ai sheh gjithçka që bëni.

Atij i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës; tek Allahu do të kthehet gjithçka!

Ai e ndërfut natën tek dita dhe ditën tek nata. Ai e di çfarë ka çdokush në kraharor (zemër).” (Hadid, 1-6)

Omeri i mori në dorë për herë të parë këto. Ai po i shikonte për herë të parë këta ajete që shprehnin kuptime kaq të thella. Këta ajete ndikuan shumë te Omeri (r.a.). Prej syve filluan t’i rridhnin lot. Zemra iu pastrua me mëshirë dhe iu ndriçua me dritën e besimit. Ai pyeti:

“Ku është Muhamedi tani? Ata i thanë: “Është në shtëpinë e Erkamit.” Omeri u drejtua menjëherë andej. Kur sahabët e nderuar panë se po vinte Omeri, u shqetësuan. Ata kishin frikë në mos i ndodhte ndonjë gjë e keqe burimit të mëshirës, të Nderuarit tonë (s.a.s.), të cilin e mbronin me jetën e tyre. Aty gjendej edhe Hz. Hamza i cili ishte më i fundit që ishte bashkuar me rreshtat e myslimanëve. Edhe ai ishte prej trimave heronj të Mekës. Kur i pa sahabët që po shqetësoheshin, tha:

“Mos u shqetësoni!.. Lëreni të vijë. Nëse ka ardhur me mirësi, mirë se të vijë. Por nëse ka ardhur me qëllim të keq, do t’ia heq kokën me shpatën time.”

Omeri erdhi dhe ra në gjunjë para Hz. Pejgamberit. I Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, e kapi Omerin për krahu dhe i tha:

“Eja në besim, o Omer!” Omeri u bë ylli i 40-të i Islamit duke thënë:

“Eshhedu en la ilahe il-lall-llah ve eshhedu enneke Rasulull-llah.”

Sahabët e nderuar u gëzuan pa masë që ai hyri në Islam. Andaj, të gjithë së bashku dhanë tekbir me zë të lartë. Ata dolën nga shtëpia e Erkamit dhe të gjithë së bashku shkuan në Qabe. Aty falën namaz haptazi. Ebu Xhehli u habit shumë dhe ngriu në vend kundrejt kësaj ngjarjeje. Ai shkoi drejt Omerit dhe i tha:

“O Omer! Çfarë po ndodh me ty?”

Hazreti Omeri nuk shfaqi aspak konsideratë për të dhe e shpalli pranimin e Islamit duke thënë: “Eshhedu en la ilahe il-lall-llah ve eshhedu enne Muhammeden Rasulull-llah.” Pastaj i kërcënoi politeistët që gjendeshin aty duke u thënë: “Ai që do t’u shkaktojë ndonjë dëm myslimanëve, përballë do të gjejë Omerin.” Në këtë mënyrë i sfidoi politeistët e Mekës me në krye dajën e tij, Ebu Xhehlin. Në sajë të Omerit (r.a.), myslimanët për herë të parë gjetën mundësinë për të marrë frymë lirisht.

Ndërkohë që sahabët e nderuar bënin hixhret fshehurazi nga Meka në Medine, Omeri (r.a.), bëri hixhret haptazi. Kur do të emigronte, shkoi në Qabe, bëri tavafin dhe pastaj i sfidoi përsëri mushrikët që gjendeshin aty duke u thënë: “Ai që dëshiron ta lërë nënën e vet duke qarë, ta lërë fëmijën e vet jetim dhe bashkëshorten e tij të ve, le të vijë te unë pas kësaj lugine!..”

Omeri (r.a.), mori pjesë në të gjitha luftërat. Të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), e mbrojti si jetën e tij. Ndërkohë që në luftën e Bedrit morën pjesë të gjithë fiset e Kurejshëve, fisi Beni Adij mezi dërgoi 12 vetë prej frikës nga Hz. Omeri. Në këtë luftë ai vrau me dorën e vet politeistin As ibn Hashimin, i cili ishte daja i tij dhe njëri prej komandantëve të Kurejshëve. Ndërsa në luftën e Uhudit i mbrapsi mushrikët që dëshironin t’i godisnin myslimanët nga mbrapa. Ai nuk u nda nga i Dërguari i Allahut (s.a.s.), qoftë edhe për një moment. Pjesën që i takoi prej plaçkës së luftës në Hajber e dhuroi në rrugë të Allahut Teala. Në luftën e Tebukut ia solli gjysmën e të gjithë pasurisë së tij të Dërguarit të Allahut (s.a.s.).

Në kalifatin e Ebu Bekrit (r.a.), u bë “Eminu Bejti’l-Mal/Përfaqësuesi i Financës”. Ai ishte i pari i cili kërkoi që Kurani Fisnik të mblidhej dhe të bëhej libër.

Periudha e kalifatit të Omerit (r.a.), ishte periudha e zgjerimit të Islamit me çlirime. Ai i mori brenda kufijve të Shtetit Islam Sirinë, Palestinën, Egjiptin, Irakun dhe Iranin që gjendeshin nën sundimin e Perandorisë Bizante dhe Perandorisë Sasane që ishin dy shtetet e mëdha të asaj kohe. Omeri (r.a.), e përhapi Islamin në një gjeografi të gjerë që nga Afrika veriore e deri në Turkistan, që nga Azerbajxhani e deri në Jemen. Hz. Omeri përpiqej që dija të përhapej dhe njerëzit të edukoheshin. Ai i jepte shumë rëndësi edukimit Islam veçanërisht në vendet që sapo ishin çliruar.

Ai formoi institucionet e shtetit Islam. Ndër to mund të përmendim institucionet e drejtësisë, bashkitë, ushtrinë, institucionin e postës, institucionin për mbarëvajtjen e punëve publike, etj… Përveç të tjerash formoi edhe institucionet e dijes dhe fetvasë për të plotësuar nevojat shpirtërore të popullit. Ai hapi shkollat e Kuranit dhe Hadithit. Emëroi myftilerë. Omeri (r.a.), vendosi rregullat që përbëjnë bazën për jurisprudencën e sotme dhe nxori në pah metodën e gjykatës. Këtë e shpjegoi në letrën që ia shkroi Ebu Musa el-Esh’ariut (r.a.).

Ai përdori kalendarin hixhri për të parandaluar ngatërrimin në shkrimet e administratës së shtetit. Për herë të parë shtypi para. Ndërtoi rrugë dhe ura. Në Mekë ndërtoi shtëpi për mysafirë përgjatë rrugës për haxhilerët. Gjithashtu hapi edhe puse uji.

Në kohën e Omerit, radijall-llahu anh, për herë të parë u bë numërimi i popullsisë. U formua institucioni i bashkisë që quhej “hisbe”, në mënyrë që tregtarët të mos i mashtronin klientët. Ai e siguroi rendin duke vendosur roje natën dhe punoi duke ia shtuar natën ditës. Në këtë mënyrë, u përpoq që ta shfaqte madhështinë e Islamit në çdo fushë.

Në kohën e kalifatit të Omer ibn Hattabit (r.a.), u ndërtua një drejtësi e tillë ku u formua një atmosferë paqeje në të cilën mund të jetonte bashkë edhe ujku me qengjin, jo më të flitej për vrasjen e një njeriu. Të gjithë i besonin drejtësisë së tij. Çdo klasë e popullit e kryente siç duhet detyrën e saj. Omeri (r.a.), kurdo që i jepej mundësia, ua tregonte të gjithëve se kushti për ta vënë rendin dhe zbatuar drejtësinë ishte “barazia”. Ai kërkonte që të gjithë të bënin shumë kujdes ndaj kësaj. Herë pas here shkonte nëpër gjykata.

Një herë pati një mosmarrëveshje ndërmjet kalifit dhe Ubej ibn Ka’bit (r.a.). Andaj çështja u mbart në gjykatë. Gjykatësi, Zejd ibn Thabiti (r.a.), shfaqi respekt kur erdhi kalifi. Omeri (r.a.), u mërzit nga kjo sjellje. Për këtë arsye, e paralajmëroi Zejdin duke i thënë: “Kjo është shenja e parë e favorizimit të dikujt.”

Përgjatë seancës gjyqësore kalifi dhe Ubeji u ulën pranë njëri-tjetrit. Ubeji (r.a.), nuk kishte argument. Edhe Hz. Omeri nuk e pranoi padinë që ishte bërë kundër tij. Kur Ubeji propozoi betimin, gjykatësi duke marrë parasysh pozitën e Omerit (r.a.), iu lut që ta tërhiqte kërkesën e tij. Edhe ky veprim nuk i pëlqeu kalifit. Hazreti Omeri, i cili dëshironte që të vihej drejtësia qoftë edhe kundër tij, e paralajmëroi përsëri gjykatësin duke i thënë:

“Nëse në audiencën tënde njerëzit nuk janë të barabartë me Omerin, atëherë ti nuk je i denjë për gjykatës!”

* * *

Drejtësia ishte veçoria më e dallueshme e kohës së Omerit (r.a.)… Të gjithë ishin të barabartë… Drejtësia zbatohej pa u marrë parasysh nëse dikush ishte i pasur apo i varfër, fisnik apo i skamur, bej apo njeri i thjeshtë, i afërt apo i huaj. Një ditë Xhebele ibn Ejhemi, i cili ishte prej të parëve të Sirisë, po bënte tafav rreth Qabesë. Ai i gjuajti me shuplakë dikujt që i shkeli fundin e rrobës. Edhe ai iu kundërpërgjigj. Xhebele u ankua te kalifi për këtë njeri. Kalifi ia ktheu: “Paske korrur atë që paske mbjellë.” Xhebele u nxeh shumë nga kjo përgjigje. Ai nuk priste një përgjigje të tillë, por ekzekutimin e këtij njeriu. Omeri (r.a.), ia ktheu Xhebelesë: “Po!.. Në kohën e xhahilijetit (injorancës para ardhjes së Islamit), gjykohej siç thoni ju. Por Islami i ka hequr këto ndryshime ndërmjet njerëzve.” Pra, Omeri (r.a.), nuk e la drejtësinë për hatër të Xhebelesë.

Ja pra, ishte kjo drejtësi dhe barazi që ia hapi rrugën e Islamit me mijëra njerëz në kohën e tij. Zemrat u çliruan me këtë drejtësi. Vendet pranuan Islamin për shkak të kësaj drejtësie.

I deleguari në çlirimin e Sirisë, Xhorxhi dhe një kryetar prej Egjipti që quhej Shetta, u mahnitën nga kjo drejtësi e myslimanëve. Për këtë arsye, hynë në Islam së bashku me shokët e tyre.

* * *

Hazreti Omeri i trajtonte me të njëjtën drejtësi edhe ata që nuk ishin myslimanë. Ai ishte kalifi i të gjithëve. Ashtu e perceptonte përgjegjësinë dhe ashtu veproi. Në kohën e tij një karvan tregtie po bunte diku afër Medines. Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, mori me vete edhe Abdurrahman ibn Aufin (r.a.) dhe bëri rojë për atë karvan.

Të gjithë njerëzit e karvanit i pati marrë gjumi për shkak të lodhjes. Omeri (r.a.), bëri rojë deri në mëngjes, në mënyrë që atyre të mos u ndodhte gjë. Kur njerëzit e karvanit u zgjuan nga gjumi në mëngjes, panë se dy vetë po largoheshin prej tyre. Ata dërguan njërin prej tyre për të mësuar se kush ishin ata që po largoheshin. I dërguari vuri re që Hz. Omeri hyri në xhami dhe fali namaz. Kur pyeti me kureshtje se kush ishte ai që po falej, mori përgjigjen se ishte kalifi i myslimanëve. Lajmëtari u kthye te karvani dhe tha se njëri prej atyre të dyve që po largoheshin ishte kalifi i myslimanëve. Ata që gjendeshin në karvan thanë: “Nëse kjo është mëshira dhe ndihma që ky kalif i madh u jep atyre që nuk janë myslimanë, kush e di se si mund të jetë dhembshuria, mëshira dhe ndihma që u jep myslimanëve.” Ata e pranuan se feja e tij ishte feja e vërtetë. Për këtë arsye, shkuan në audiencën e tij dhe të gjithë u bënë myslimanë.

* * *

Ai nuk mbante anën e askujt dhe asnjëherë nuk favorizonte askënd. Kurdo që u ndalonte ndonjë gjë njerëzve, së pari mblidhte të afërmit e tij dhe i paralajmëronte duke u thënë: “Dijeni të gjithë! Njerëzve ua kam ndaluar këtë gjë bazuar në urdhrin e Allahut Teala. Në lidhje me këtë çështje ju duhet të jeni më të kujdesshëm. Nëse ndonjëri prej jush nuk e respekton urdhrin e ndalesës, do t’i jap ndëshkim dyfish në krahasim me ndëshkimin e të tjerëve.”

Një herë biri i tij, Ebu Shahame (r.a.), piu verë. Omeri (r.a.), e ndëshkoi me tetëdhjetë goditje kërbaçi. Edhe vjehrrin e tij, Kudame ibn Maz’unin (r.a.), e ndëshkoi në të njëjtën mënyrë për të njëjtin gabim.

Një herë biri i Amr ibn Asit (r.a.), Abdullahu rrahu një burrë padrejtësisht. Hz. Omeri urdhëroi që të sillej ky burrë. Pastaj e ndëshkoi Abdullahun me tetëdhjetë goditje kërbaçi para syve të babait të tij. Përveç të tjerash i qortoi: “Që kur i keni bërë njerëzit skllevër të cilët nënat e tyre i kanë lindur të lirë?!”

Omeri (r.a.), pati formuar një administratë aq të drejtë, saqë e edukoi popullin me fermanët që ua dërgonte prefektëve, komandantëve dhe njerëzve. Ata i çoi deri në atë gjendje, saqë mund ta kontrollonin njëri-tjetrin. E ndau shtetin në njësi administrative. Hixhazi, Siria, el-Xhezire, Basra, Kufe, Egjipti, Palestina, Irani, Horosani dhe Kirmani. Në krye të çdo njësie administrative emëroi një prefekt. Prefektët që emëroi, i këshilloi si më poshtë:

“Nuk ju kam emëruar për të sunduar dhe për t’u sjellë me njerëzit sikur të jeni sulltanë. Ju do të jeni udhërrëfyes për njerëzit. Të gjithë do t’ju ndjekin ju. Për këtë arsye, respektojini të drejtat e myslimanëve. Mos i poshtëroni ata. Mos i rrihni. Mos i lavdëroni kur nuk e meritojnë, në mënyrë që të mos llastohen. Mos ua përplasni derën në fytyrë dhe të fortët të mos i shtypin të dobëtit.”

Edhe popullit i dha këto këshilla:

“O myslimanë! Prefektët nuk dërgohen për t’ju prishur punët dhe për t’ju zhvatur pronat. Përkundrazi, ata dërgohen për t’ju mësuar rrugën e të Dërguarit të Allahut. Andaj, më njoftoni për ata që e kundërshtojnë këtë.”

Ndërsa komandantëve u dha këto këshilla:

“Kur të përballeni me armiqtë, mos bëni padrejtësi. Askujt mos ia prisni organet dhe gjymtyrët. Mos i prekni fëmijët dhe të moshuarit.” Në këtë mënyrë i këshillonte që të vepronin me maturi në luftë.

Edhe pse Hz. Omeri posedonte një fuqi dhe pushtet të tillë, në jetën private ishte jashtëzakonisht i thjeshtë dhe modest. Ai ishte i njohur me asketizmin dhe devotshmërinë e tij. Thjeshtësia, modestia, ndershmëria dhe drejtësia ishin prej cilësive të tij më të dalluara. Omeri (r.a.), nuk hezitonte të vishte rroba me arna. Ai i ndihmonte të moshuarit duke u mbajtur gjërat e rënda që kishin në dorë. Gjithashtu u shërbente grave të veja dhe jetimëve.

Një ditë Omeri (r.a.), çoi një lajmëtar te Perandori Bizant dhe e ftoi atë në Islam. Edhe ata çuan një lajmëtar. Kur lajmëtari i Bizantëve shkoi në Medine, Omeri (r.a.), po ndërtonte murin e një gruaje të moshuar. Edhe vetë i kishte bërë duart me baltë dukë punuar. Lajmëtari tha me vete: “Po ta dinte perandori se jeni i tillë, nuk do të më dërgonte.” Në ato momente Omeri (r.a.), i zgjati dy gishtat me baltë drejt lajmëtarit dhe i tha: “Po të mos të kishte dërguar, do t’ia nxirrja të dy sytë.”

Ata dy gishta me baltë u zgjatën dhe ia verbuan sytë Perandorit Bizantin. Edhe balta i ngeli në sy. Ajo nuk u fshi.

Lajmëtari u kthye dhe tregoi për ato që kishin ndodhur ndërmjet tij dhe Hz. Omerit. Të gjithë ngrinë nga habia. Në këtë mënyrë e kuptuan se si u verbua sytë e perandorit.

* * *

Omeri, radijall-llahu anh, e njohu dhe i shërbeu mirë popullit të tij. Ai i caktoi kështu rregullat për njohjen e një njeriu. Një ditë në prezencën e tij disa njerëz lavdëruan dikë. Omeri i pyeti: “A keni bërë tregti me këtë person?” Ata iu përgjigjën: “Jo.” Ai tha: “A keni udhëtuar me të?” Pasi Omeri (r.a.), përsëri mori përgjigjen jo, tha: “Atëherë ju nuk e njihni atë.”

* * *

Hz. Omeri ishte shumë i butë dhe i mëshirshëm kundrejt robërve të tij. Ai udhëtoi së bashku me skllavin e tij, Eslemin (r.a.), për në Kuds. Ata hipën në deve me radhë. Në hyrje të qytetit radha i ra skllavit për të hipur në deve. Eslemi ishte mbi deve, ndërsa kalifi po ecte në këmbë. Ata që kishin dalë për të pritur kalifin, i drejtoheshin Eslemit duke pandehur se ai ishte kalifi ngaqë ishte mbi deve. Ndërsa ai u tregonte me dorë se kalifi ishte Omeri (r.a.). Populli u mahnit nga kjo sjellje. Pasi njerëzit filluan të pëshpëritnin me njëri-tjetrin, Hz. Omeri tha me vete: “Shikoni!.. Të shkretët presin salltanet prej meje.” Pastaj u mbajti atyre këtë fjalim:

“Falënderimi dhe lavdërimi i përkasin vetëm Allahut. Ai është i fuqishëm për çdo gjë dhe bën çfarëdo që të dëshirojë. Allahu Teala na ka nderuar me Islam. Me Muhamedin (s.a.s.), na tregoi rrugën e vërtetë dhe na largoi nga devijimi. Na largoi nga armiqësia, ndarja dhe përçarja. O myslimanë! Falënderojeni Zotin për këtë mirësi të madhe. Të vepruarit e tillë bëhet shkak për shtimin e mirësisë.

Ju këshilloj që të keni frikë nga Allahu. Ai që i bindet Zotit, bëhet prej miqve të Tij. Ndërsa atij që e kundërshton Atë, i shkatërrohet bota e përtejme.

O njerëz! Jepeni zekatin e pasurive tuaja. Në këtë mënyrë pastrojini zemrat dhe nefset tuaj. Mos prisni shpërblim dhe falënderim nga asnjë krijesë përveçse prej Allahut. Kuptojini mirë këshillat e mia. Ai që është i mençur, e ruan fenë e tij. I lumtur është ai që e pranon këshillën e tjetrit. Zbatojeni Kuranin Fisnik dhe përmbajuni Sunetit të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.).”

Drejtësia e Omerit (r.a.), mori famë në të gjithë botën… Paqja u sigurua në këtë mënyrë… Plagët që rridhnin gjak, u mbështollën më këtë mëshirë. Sahabët e formuan shoqërinë e mëshirës me këtë drejtësi, dhembshuri dhe mëshirë. Ata i hodhën firmat e tyre në atë epokë të lumturisë me këtë drejtësi…

* * *

Omeri (r.a.), përgjatë periudhës dhjetë vjet e gjashtë mujore bëri kujdes të jashtëzakonshëm ndaj pasurisë së shtetit. Pasurinë e shtetit asnjëherë nuk përdori për punët personale.

Një ditë te ai shkoi Osmani (r.a.). Omeri (r.a.), po shkruante një letër me nxitim. Kur e përfundoi letrën së shkruari, e fiku llambën. Pastaj ndezi një llambë tjetër. Osmanit (r.a.), i cili e pyeti për shkakun e këtij veprimi, i tha:

“Llamba që fika ishte e Bejtu’l-Malit. Domethënë nuk ishte e imja. Atë e pata ndezur për të kryer një punë të myslimanëve. Ndërsa tani po takohem me ty për punën time personale. Për këtë arsye, ndeza llambën time.”

* * *

Përsëri në një kohë dreke kur ishte shumë nxehtë, Hz. Omeri (r.a.), po lidhte devetë që ishin marrë si zekat për Bejtu’l-Mal. Atij i thanë: “O prijësi i besimtarëve! Përse mundoheni?! Urdhëroni dikë që t’i lidhë.” Omeri (r.a.), u përgjigj:

“Këto janë e drejta e fukarenjve. Allahu Teala më ka ngarkuar me detyrën e përkujdesjes ndaj tyre. Nëse u shërbej vetë, do të ishte më mirë. Në ahiret do të merrem në llogari për to.” Në këtë mënyrë u bë shembull për të gjithë njerëzimin duke shfaqur përpikërinë që kishte ndaj pasurisë shtetërore. Me këtë botëkuptim njerëzimi fitoi fisnikëri.

Hz. Omeri i cili ishte kalifi i dytë që u bë i famshëm në të gjithë botën me drejtësinë e tij, u plagos me një shpatë të helmuar përgjatë namazit nga një skllav hebre që quhej Ebu Lu’lu Firuzi. Ngaqë helmi iu shpërnda në të gjithë trupin për një kohë të shkurtër, ra dëshmor. (645 p.e.s.). Pasi morën leje nga Hz. Aishja (r. anha), u varros pranë të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) dhe Ebu Bekrit (r.a.).

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

I lutemi Allahut (xh.xh.), që ta arrijmë përsëri një epokë të drejtë dhe të lumtur si Epoka e Lumturisë dhe të na bashkojë në xhenet së bashku me Hz. Omerin (r.a.)!

Amin!

Share.

Comments are closed.