Osman ibn Affani (r.a.), ishte një njeri monument i edukatës dhe ndjenjës së turpit që fitoi lavdërimin e të Dërguarit të Allahut, alejhi’s-selam, i cili tha për të: “Njeriu prej të cilit kanë turp engjëjt.” Ai ishte një bujar i madh si dielli në harxhimin e pasurisë në rrugë të Allahut… Ishte një fatlum që mori llagapin “Dhunnurajn/poseduesi i dy dritave” ngaqë u martua me dy vajzat fisnike të të Dërguarit të Allahut (a.s.). Pra, u martua me Rukijen dhe Ummu Gulthumin (r. anhuma). Osman ibn Affani (r.a.), ishte një sahab trim i cili u përgëzua me xhenet që në këtë botë dhe kalifi i tretë i të Dërguarit të Allahut (a.s.).

Hz. Osmani lindi në Mekë në vitin 577 e.s. Ai u bë mik me Ebu Bekrin (r.a.). Në sajë të Ebu Bekrit, u nderua me Islam. Ngjarjen se si është bërë mysliman, e tregon vetë si më poshtë:

“Një ditë tezja në shtëpi po fliste për dikë dhe po e lavdëronte shumë. E pyeta: “Kush është ai?” Tezja qeshi dhe më tha:

“Ai është një njeri me fytyrë të bukur dhe me një të folur të ëmbël. Allahu na e ka dërguar atë si Profet. Ai i njofton njerëzit për urdhrat e Allahut dhe i fton në fenë e vërtetë. Ai që hyn në fenë e tij, shpëton. Ai që i qëndron afër, gjen prehjen shpirtërore. Andaj, ndiqe atë dhe mos i adhuro idhujt!..”

Këto fjalë mu dukën të ëmbla. Kështu që shkova te miku im, Ebu Bekri. I tregova atij për fjalët që më kishte thënë tezja. Edhe ai më tha: “O Osman! Ti je një njeri i mençur. Si mund të jenë zota gurët që nuk shohin, nuk dëgjojnë dhe nuk kanë asnjë dobi apo dëm kundrejt askujt?” Edhe unë i thashë: “Ke të drejtë.” “Atëherë, eja të shkojmë te i Dërguari i Allahut (a.s.).” – më tha. Të dy bashkë shkuam te Pejgamberi (s.a.s.). Resulullahu (a.s.), më tha:

“O Osman! Po të ftoj te Allahu dhe xheneti. Unë jam Pejgamberi që Allahu Teala ka dërguar për ty dhe gjithë njerëzit.”

Këto fjalët e tij si perla shpërthyen dritën e besimit në zemrën time. Brenda meje u formua një dashuri dhe respekt kundrejt Resulullahut (a.s.). Iu përgjigja menjëherë thirrjes së tij dhe thashë shehadetin. Në këtë mënyrë u nderova me Islamin.

Kur Osmani (r.a.), u bë mysliman, xhaxhai i tij, Hakem ibni Ebi’l-As i bëri shumë tortura. Ia lidhi këmbët e duart me litar dhe i tha: “Po lë fenë e etërve dhe po hyn në një fe që sapo ka dalë? Betohem në Allahun se nuk do të t’i zgjidh litarët derisa ta lësh atë fe në të cilën ke hyrë.” Ai u përpoq që ta bënte Hazreti Osmanin të hiqte dorë nga feja e re. Por ja që kjo ishte e pamundur. Kur drita e besimit hynte në zemër, të gjitha torturat, mundimet dhe vështirësitë ktheheshin në mëshirë. Edhe Osmani, radijall-llahu anh, e provoi një herë atë mëshirë. Ai i tha xhaxhait me të madhe: “Edhe unë betohem se kurrë nuk do ta lë këtë fe.” Xhaxhai i tij e kuptoi se presioni dhe padrejtësia nuk do të bënin dobi kundrejt këtij qëndrimi me plot vendosmëri. Andaj e la të lirë atë.

Aq sa njeriu është i vendosur dhe i qartë në kauzën që beson, po aq arrin edhe sukses. Heronjtë e Epokës së Lumturisë kurrë nuk bënë lëshime për sa i përket çështjes së zbatimit të Islamit. Kur qe e nevojshme, lanë pasurinë e pronat dhe bënë hixhret. Edhe Osmani (r.a.), së pari bëri hixhret në Abisini dhe më pas në Medine. Pejgamberi ynë i dashur ka thënë në lidhje me të: “Prej këtij umeti, i pari që ka bërë hixhret së bashku me familjen e tij, është Osman ibn Affani.”

* * *

Kur Osmani (r.a.), bëri hixhret në Medine, në qytet kishte probleme me ujin. Përveç pusit Rume nuk kishte vend tjetër për të marrë ujë të pijshëm. Pronari i pusit ishte çifut. Ai e shiste ujin me para. Hz. Osmani e bleu pusin për të qenë një ditë i veti dhe një ditë i çifutit. Myslimanët vinin ditën kur ishte radha e Osmanit (r.a.) dhe plotësonin nevojën dy ditore për ujë. Kur e kishte radhën çifuti, nuk shkonte askush. Ngaqë çifutit iu prish puna, u detyrua që t’ia shiste Osmanit të gjithë pusin. Në këtë mënyrë, iu plotësua nevoja për ujë e myslimanëve të Medines…

* * *

Pasi myslimanët filluan të shtoheshin, Mesxhidu’n-Nebevi filloi të mos mjaftonte. I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, tha: “Ai që e zgjeron xhaminë tonë qoftë edhe një krah, do të hyjë në xhenet.” Kur Hz. Osmani e dëgjoi këtë, e zgjeroi xhaminë dyzet krahë.

Osmani (r.a.), mori pjesë në të gjitha luftërat përveç luftës së Bedrit. Për luftën e Bedrit nuk iu dha leje ngaqë kishte familjen me probleme shëndetësore. Kur ndërroi jetë Rukija (r. anha), Pejgamberi ynë i Nderuar e martoi Osmanin (r.a.), me vajzën e tij të dytë, Ummu Gulthumin. Kur ndërroi jetë edhe ajo, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), tha: “O Osman! Po të kisha edhe një vajzë tjetër, do të ta jepja edhe atë.” Në këtë mënyrë e ngushëlloi atë dhe e ndau dhimbjen së bashku me të.

Po, Osmani (r.a.), ishte shembull në edukatë dhe turp. Edhe engjëjt e kishin zili edukatën dhe turpin e tij. Këtë moral të lartë na e tregon si më poshtë Hz. Aishja (r. anha):

“Po qëndronim së bashku me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Babai im, Ebu Bekri dhe Omeri (r.a.), morën leje dhe hynë brenda. Pak më vonë erdhi edhe Osmani (r.a.) dhe kërkoi leje. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), u mblodh dhe e ndryshoi menjëherë qëndrimin e tij. Mua më tha: “Ti tërhiqu prapa, Aishe!” Atij iu dha leje. Kështu që hyri brenda. Ata biseduan me njëri-tjetrin. Pastaj u ngritën së bashku dhe u larguan. Pasi dolën, e pyeta të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), për urtësinë e kësaj sjelljeje kundrejt Osmanit (r.a.). Ai mu përgjigj: “Si të mos kem turp për një person prej të cilit kanë turp edhe engjëjt!”

Ai ishte një personalitet monument edhe në bujari siç ishte në edukatë dhe turp. Ai e shpenzoi pasurinë e tij në rrugë të Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Një ditë dëgjoi se nuk kishte ushqim në shtëpinë e Pejgamberit tonë të nderuar. Mori menjëherë një dele, pak mjaltë e një thes me miell dhe ia çoi nënës sonë, Aishes (r. anha). Ai tha se të gjitha bashkëshorteve të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), u kishte dërguar të njëjtat ushqime. Kur Resulullahu, alejhi’s-selam, erdhi në shtëpi, mësoi për atë që kishte ndodhur. Ai u lut duke u shprehur: “O Zot! Falja të gjitha mëkatet Osmanit. Të kaluarat e të ardhmet, të fshehtat dhe të dukshmet!”

Një ditë Osmai (r.a.), vuri re në treg se po shitej mburoja e Aliut (r.a.). Menjëherë e bleu mburojën dhe ia dërgoi Aliut (r.a.), bashkë me katërqind dërhemë. Përveç të tjerash, shkroi edhe këta rreshta plot lavdërime: “Kjo mburojë nuk i shkon askujt përveç teje. Ndërsa këta katërqind dërhemë harxhoji për shpenzimet e dasmës. Na fal për këtë…”

* * *

Një herë tjetër pati mungesë ushqimi në Medine. Në ato momente erdhi karvani i Osmanit (r.a.), plot me grurë nga Siria. Sahabët e nderuar deshën të blinin grurë. Por Osman ibn Affani (r.a.),  tha: “Kam një blerës më të mirë se ju. Ai jep më shumë se ju.” Sahabët e nderuar u mërzitën për këtë dhe shkuan te Ebu Bekri (r.a.). Ata e shprehën pikëllimin e tyre duke thënë: “A bëhet kështu në kohën kur mungon ushqimi? Ai nuk na e shiti grurin.” Ebu Bekri (r.a.), e kuptoi se fjala e Osmanit ishte kuptuar gabim. Andaj tha: “Ejani të shkojmë të gjithë së bashku te Osmani.” Të gjithë së bashku shkuan te Osmani dhe i treguan për gjendjen. Ata i treguan atij që pikëllimin e sahabëve. Nisur nga këto, Osmani (r.a.), tha: “Po, o kalifi i të Dërguarit të Allahut! Ata më dhanë një me shtatë. Ndërsa unë ia dhashë Atij që më dha një me shtatëqind…” Në këtë mënyrë, shpërndau falas njëqind deve me grurë në Medine.

Ja botëkuptimi i vëllazërisë… Ja botëkuptimi i bujarisë dhe gjendja e njeriut të Islamit që ka arritur pjekurinë shpirtërore duke u shkrirë në Islam… Ky njeri nuk rend pas fitimeve të përkohshme, por përpiqet në rrugën për të fituar lumturinë e botës së përhershme… Kjo është vetëdija për dhënien në rrugën e Allahut Teala, me të cilën mendohet fitimi që do të arrihet në botën e përtejme…

Hz. Osmani (r.a.), ka udhëhequr dymbëdhjetë vjet si kalif. Ai, siç ishte një njeri monument në edukatë, turp dhe bujari, ishte edhe një njeri që kishte arritur pikën kulmore në butësi e modesti. Ai hipte në deve së bashku me skllavin e tij, Nailin. Ngrihej natën, e përgatiste ujin vetë dhe merrte abdest. Kur i thanë: “Urdhërojeni shërbëtorin që t’ua sjellë ujin.”, Osmani (r.a.), u përgjigj: “Jo, sepse nata është koha kur ata pushojnë.”

Hazreti Osmani (r.a.), natën falte shumë namaz dhe ditën mbante shumë agjërim. Për këtë arsye, atij i thuhej: “Natën adhurues, ditën agjërues.” Ai u jepte ushqime pa masë të varfërve e të vobektëve. Varrezat i vizitonte shpesh. Madje, ulej në varreza dhe qante. Ai ishte shumë i butë dhe i ndjeshëm. Sikundër kësaj, ishte edhe shumë trim. Ai nuk lëkundej kundrejt asnjë fatkeqësie. Kur kryengritësit e rrethuan Medinen dhe i kërkuan që të tërhiqej nga kalifati, Osmani (r.a.), tha:

“Nuk e heq kurrë një rrobë që ma ka veshur i Dërguari i Allahut (s.a.s.).” Kështu që nuk u dorëzua. Ai nuk e prishi qetësinë dhe nuk e la trimërinë.

Në kohën e tij u bënë shumë çlirime. Në atë kohë u morën shumë vende si: Horosani, India, Kaukazi, Qiproja dhe Afrika Veriore. Në periudhën e tij Shteti Islam shtrihej deri në Spanjë nga perëndimi dhe deri në Kabil e Belh nga lindja. Osmani (r.a.), korri fitore të mëdha në det dhe në tokë.

Një ndër shërbimet më të mëdha të tij ishte shumimi në gjashtë kopje i Kuranit Fisnik që e kishte mbledhur Ebu Bekri (r.a.). Për këtë arsye, atij i është thënë “Nashiru’l-Kur’an/Botuesi i Kuranit”.

Gjashtë vitet e para të kalifatit të tij kaluan në mirëqenie. Ndërsa gjashtë vitet e fundit kaluan me problemet që i nxirrnin kryengritësit. Për shkak të fitneve të hipokritit, Abdullah ibn Sebe, u martirizua në vitin 35 hixhri në shtëpinë e tij ndërsa po lexonte Kuranin Fisnik. Edhe kur po ndërronte jetë, mendonte për umetin dhe lutej:

“O Zot! Largoji përçarjet nga umeti i Muhamedit! Bashkojua zemrat atyre!”

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

Lusim Allahun Teala që të na japë pjesë nga begatia e kësaj lutjeje të Osmanit (r.a.) dhe nga edukata, turpi, bujaria, butësia dhe modestia e tij! Zoti na bashkoftë me të në xhenet!

Amin!

Share.

Comments are closed.