Shuajbi (a.s.), dëshpërohej për sjelljet e këqija dhe kundërshtimet e popullit të tij. Mirëpo, duke treguar një durim të madh, ai përpiqej t’i zgjonte ata nga gjumi i injorancës:

“O populli im, kundërshtimi ndaj meje le të mos ju çojë kurrsesi që t’ju ndodhë ajo, që i ndodhi popullit të Nuhut ose popullit të Hudit apo popullit të Salihut; mos harroni se edhe populli i Lutit nuk është larg prej jush.” (Hud, 89)

Domethënë se edhe ata u shkatërruan në një kohë jo fort të largët për ju. Ata nuk ishin të ndryshëm prej jush, as në mohim dhe as në të këqijat e tjera që u sollën shkatërrimin. Ju duhet të merrni mësim prej tyre!..

“Kërkoni falje nga Zoti juaj e kthehuni me pendim tek Ai. Me të vërtetë, Zoti im është Mëshirëplotë dhe gjithë dashuri.” (Hud, 90)

Politeistët nga paria e popullit, nuk i pëlqyen këshillat e Shuajbit (a.s.):

“Ata thanë: «O Shuajb, ne nuk kuptojmë shumë nga ato që na thua ti dhe të konsiderojmë të dobët midis nesh. Sikur të mos ishte farefisi yt, do të të kishim mbytur me gurë; ti nuk je i respektuar te ne.»

Ai tha: «O populli im, a mos vallë farefisi im për ju është më i respektuar se Allahu, të cilin po e anashkaloni? Me të vërtetë, Zoti im, ka nën kontroll gjithçka që bëni ju.»” (Hud, 91-92)

Kur Shuajbi (a.s.), e preu shpresën se ai popull i harbuar do të besonte, i la ata në dorë të Allahut. Tashmë s’kishte mbetur më gjë për të bërë! Megjithatë, me qëllim që ata të marrin mësim, ua kujtoi edhe një herë ndëshkimin hyjnor:

“Nëse një grup mes jush beson në mesazhin me të cilin jam dërguar, ndërsa grupi tjetër nuk beson, duroni derisa Allahu të gjykojë midis nesh! Ai është Gjykatësi më i mirë!” (A’raf, 87)

Mirëpo, medjenasit përsëri e akuzuan Shuajbin (a.s.), si gënjeshtar. Pastaj kërcënuan se, atë dhe ata që i besonin atij, do t’i nxirrnin prej Medjenit. Tashmë qëndrimin e besimtarëve në mesin e tyre, e konsideronin si rrezik:

“Paria arrogante e popullit të tij tha: «O Shuajb! Kthehuni në fenë tonë ose do t’ju dëbojmë nga qyteti ynë ty me gjithë ndjekësit e tu!» Shuajbi tha: «Edhe pse e urrejmë atë?!» Pastaj shtoi:

«Nëse do të ktheheshim në fenë tuaj, pasi Allahu na shpëtoi nga ajo, atëherë do të shpifnim gënjeshtra kundër Allahut. Ne nuk mund të kthehemi në të, përveçse po të dojë Allahu, Zoti ynë. Ai përfshin çdo gjë me dijeninë e Vet dhe tek Ai ne mbështetemi. O Zoti ynë, gjyko drejt midis nesh dhe popullit tonë! Ti je Gjykatësi më i mirë!»” (A’raf, 88-89)

Në këtë ajet, duket qartë se, Shuajbi (a.s.), e refuzoi propozimin e popullit të tij, për kthimin në fenë e tyre. Mirëpo, këtu bëri një përjashtim në lidhje me dëshirën e Allahut. Kjo, tregon se ai i ishte dorëzuar vullnetit të Allahut me bindje të plotë dhe pa kushte, sepse profetët dhe dijetarët, që janë trashëgimtarët e tyre, vazhdimisht i frikësohen ndëshkimit të Allahut dhe ndryshimit të gjendjes së tyre tek Ai.

Për këtë arsye, Shuajbi (a.s.), dëshiron t’i thotë popullit të tij se: Për ne është e papranueshme që të braktisim fenë e Allahut dhe të kthehemi në fenë tuaj. Por, nëse Allahu dëshiron shkatërrimin tonë, atëherë s’kemi çfarë të bëjmë. Kjo, sepse çdo gjë është në dorën e Tij. Ai, e lumturon kë të dojë për shkak të bindjes së tij; dhe dënon kë të dojë, për shkak të gjynaheve të tij.

Megjithatë, populli i pabindur, nuk hoqi dorë nga veprat e veta. Ashtu siç nuk donin të besonin vetë, ashtu nuk i duronin dot as besimtarët. Ata i mundonin dhe i kërcënonin ata që besonin. Ndërsa atyre që vinin për të pranuar besimin, u prisnin rrugën dhe duke u folur keq për Shuajbin (a.s.), përpiqeshin t’i largonin nga besimi:

“Por paria e pafe i tha popullit të tij: «Nëse shkoni pas Shuajbit, atëherë, me siguri, do të jeni të humbur.»” (A’raf, 90)

Zëri i tmerrshëm që erdhi nga lart

Tashmë, për Shuajbin (a.s.), s’kishte mbetur më asgjë për të bërë për këtë popull të devijuar. Prandaj, tha:

“O populli im, bëni sa të mundni, por edhe unë do të bëj. Ju, shpejt do ta mësoni se kë do ta gjejë dënimi që do ta poshtërojë dhe kush është gënjeshtar. Pritni (fundin), se edhe unë do të pres me ju.

Kur erdhi urdhri Ynë, Ne e shpëtuam me mëshirën Tonë Shuajbin dhe ata që i besuan atij, kurse mohuesit i kaploi një zë i tmerrshëm dhe në shtëpitë e tyre u gdhinë të vdekur e të palëvizshëm.” (Hud, 93-94)

“E kështu, ata i goditi një tërmet i rëndë dhe u gdhinë të shtrirë përmbys në shtëpitë e tyre. Ata që e quajtën Shuajbin gënjeshtar, sikur nuk kishin banuar kurrë në atë vend; ata që e quajtën Shuajbin gënjeshtar, qenë të humbur.” (A’raf, 91-92)

Në këtë mënyrë, populli i Medjenit mori ndëshkimin e punëve të tyre të shëmtuara, si degjenerimi, hilet, padrejtësitë dhe kundërshtimi i Allahut dhe profetit të tyre. Në fakt, ky ndëshkim ishte fundi i pashmangshëm i të padrejtëve dhe mizorëve. Po ashtu, edhe fundi i tyre më i dhembshëm:

“Shuajbi u largua prej tyre dhe tha: «O populli im, unë ju solla shpalljet e Zotit tim e ju këshillova, prandaj pse të hidhërohem për popullin e pafe?!»” (A’raf, 93)

 “(E gdhinë) thuajse nuk kishin jetuar kurrë aty. Qoftë larguar (nga mëshira e Zotit) populli i Medjenit, ashtu siç qe larguar edhe fisi Themud!” (Hud, 95)

Edhe populli i Shuajbit (a.s.), ashtu si populli i Themudit, u shkatërrua me një ushtimë dhe zhurmë të tmerrshme, për shkak se nuk i dëgjuan këshillat e profetëve. Kjo ngjashmëri në ndëshkimin e këtyre dy popujve, tregon se ata ngjanin me njëri-tjetrin edhe në moralin e keq që kishin. Si përfundim, për shkak se ata u larguan prej mëshirës së Allahut, që të dy popujt morën të njëjtin mallkim prej profetëve të tyre. Prandaj edhe populli i Medjenit është ngjasuar me atë të Themudit.

Populli i Themudit, u shkatërrua me një ushtimë që erdhi nga poshtë. Kurse populli i Medjenit, u shkatërrua me një ushtimë që erdhi nga lart. Në këtë mënyrë, ata u larguan nga mëshira e Allahut dhe pësuan humbje dhe ndëshkim në të dyja botët!

 

Share.

Leave A Reply