Parimet e Botëkuptimit Islam: Parimi i Dinamizmit
Thuhet se parimi më me rëndësi i botëkuptimit islam është të jetë veprues dhe iniciues (aktiv dhe dinamik). Sepse në vështrimin e tij, jeta e kësaj bote i është dhënë njeriut për ta fituar jetën e pasme, ahiretin. Me fjalë…
Publikuar:

Thuhet se parimi më me rëndësi i botëkuptimit islam është të jetë veprues dhe iniciues (aktiv dhe dinamik). Sepse në vështrimin e tij, jeta e kësaj bote i është dhënë njeriut për ta fituar jetën e pasme, ahiretin. Me fjalë të tjera, kjo jetë është mjedis veprimtarie dhe fitimi. Në Kur’anin e Shenjtë ka shumë ajete që e shprehin këtë.
Nga këto kuptohet se shkaku i ekzistencës së jetës së kësaj bote është “të provohet se kush do të bëjë punë më të mirë”. Edhe Profeti a.s.) ka thënë se “kjo botë është ara ku mbillet jeta tjetër, ahireti”. Kurse Zoti, faktin se rezultati produktiv i jetës së kësaj bote varet nga përpjekja dhe fitimi, e ka deklaruar me dekretin hyjnor, “për ju nuk ka tjetër përveç shpërblimit të asaj që keni bërë”! Dhe se në ç’masë duhet përpjekur në mënyrë dinamike, e parashtron Profeti me këtë hadith profetik:
“Kush t’i ketë dy ditë njëlloj, është me dëm!”
Kjo fe e cila e urdhëron zhvillimin dhe përparimin në këtë masë, qysh herët ka ardhur duke u akuzuar për “dembelizëm” dhe “pengim të përparimit” për shkak se ka urdhëruar “dorëzimin tek Zoti” (tevekkul) dhe “besimin tek kaderi” (parashkrimi hyjnor). Mirëpo kjo është një shpifje e madhe, sepse dorëzimi tek Zoti është një urdhër i domosdoshëm pas vendosmërisë (azim). Në Kur’an thuhet:
“Pasi të kesh vendosur, dorëzoiu Allahut!”
Kuptimi i kësaj është që njeriu më parë të bëjë atë që ka në dorë dhe vetëm pastaj ta mbajë shpresën te Allahu. Në të kundërt, robi (njeriu) është i dënuar me fatkeqësinë për të pandehur se ai vetë është krijuesi i aktit të vet. Mirëpo besimtarët e kanë kuptuar dhe përvetësuar në kthjelltësinë e besimit se Zoti e ka krijuar këtë botë si “botë të shkaqeve”, se vullneti hyjnor i pranishëm në mënyrë absolute në çdo fenomen të mirë ose të keq, shfaqet në një sënë shkaqesh. Kurse kaderi që është i fshehtë, me aspektin e vet, sipas të cilit, nuk njihet para se të shndërrohet në kaza (kada), nuk luan asnjë rol në zanafillën e aktit njerëzor, sepse njihet si parim besimor se, për shumë akte që përfshihen brenda vullnetit njerëzor, kaderi është “relativ”, domethënë, është i ndryshueshëm përballë shkaqeve. Kështu, edhe vdekja, madje, e cila është një fenomen absolut për çdo gjallesë, në vështrimin e Islamit është dy llojesh: Ndërsa vdekja aksidentale mund të kapërcehet duke përdorur shkaqet, domethënë, duke marrë masa paraprake mbrojtëse, nga vdekja nominale nuk ka shpëtim, sepse për çdo gjallesë shtazore, momenti i fundit i jetës është domosdoshmëri e parashkrimit ose vendimit hyjnor, domethënë, kader absolut.
Me të vërtetë, në Kur’an thuhet:
“Çdo gjallesë do ta shijojë vdekjen!”
Kjo do të thotë se, për çdo dëshirë, në fillim duhen respektuar shkaqet, pastaj, dorëzimi tek Zoti, “tevekkul”, është i domosdoshëm për qetësinë e zemrës, gjë që do të thotë shpresim tek atributet e Allahut, si Rezzak (furnizues, ushqyes), Halik (krijues) dhe Rahman (i gjithëmëshirshëm).
Pavarësisht nga të gjitha këto të vërteta, feja e lartë islame, për shkak të prapambetjes që i janë nënshtruar ndjekësit e saj qysh prej disa shekujsh, është akuzuar si “pengesë përparimi”. Në të vërtetë, ky përfundim i dalë si rezultat i shkaqeve ndërkombëtare, si pushtimet mongole, ndryshimi i rrugëve botërore të tregtisë pas hapjes së rrugës përreth Kepit të Shpresës së Mirë dhe rrjedhja për në botën perëndimore e lëndëve të para pas zbulimit të Amerikës, gjithashtu, si pasojë e pashmangshme e të metave individuale të muslimanëve, ky përfundim, pra, iu ngarkua enkas fesë së lartë islame dhe, me anë të një propagande tinzare, iu injektua muslimanëve kompleksi i inferioritetit dhe, rezultati i tij, mosbesimi në vetvete aq sa, poeti Zija Pasha, me synim ankimi për gjendjen, ka mbetur i detyruar të thotë:
“Islami na qenkësh për popullin pengesë përparimi;
Më parë s’ishte kjo thënie, doli e re tani!”
Në një vepër që e pati shkruar para se të rrëshqiste në rrugë të shtrembër, Shemseddin Gynalltaj, pasi përshkruan – shpesh duke bërë citime nga autorë perëndimorë – hopin e zhvillimit kulturor dhe qytetërimor nga bota perëndimore pasi i patën kuptuar drejt muslimanët dhe patën zbatuar përvojën e tyre, thotë:
“Por a s’është një ngutje injorante ta akuzosh vetë fenë duke parë fjalët që thonë në emër të saj ata që s’kanë mundur të ngrihen në atë nivel kulturor që të mund t’i njohin konkluzionet dhe lartësinë sublime të asaj feje?
Për të mund të folur pro apo kundër një feje apo një bindjeje filozofike çfarëdo, duhen mbajtur parasysh jo ato çka thonë ndjekësit e saj, por vetë ajo fe apo bindje. Po qe se feja islame do të ishte vetë pengesë për zhvillim dhe përparim, a do të mund të linin muslimanët e parë në prehrin e qytetërimit monumente shkencore dhe vepra të mëdha e të pavdekshme që u imponojnë respekt edhe sot personaliteteve të kulturës dhe shkencës?
Në periudhat kur muslimanët u qëndruan besnikë ligjeve të larta të Islamit, vrapuan drejt zhvillimit dhe përparimit, kurse qysh kur i nënvleftësuan ligjet në fjalë, ranë në greminat e varfërisë, mjerimit dhe fatkeqësisë!
Islami është fe dijeje dhe kulture. Kurrë s’mund të qëndrohet në këmbë me injorancë! Historia është sheshit! Sa herë që muslimanët e kanë kuptuar fenë ashtu siç duhet dhe janë kapur fort pas dijes dhe kulturës, janë ngjitur lart. Dhe sa herë që i kanë nënvleftësuar porositë e fesë dhe kanë rënë në injorancë dhe përtaci, kanë vrapuar nga fatkeqësia, në fatkeqësi. Kur Islami ka zotëruar intimitetet e ndërgjegjeve të truve të ngarkuar me dije dhe kulturë, i ka përhapur përreth tufat e ndritshme, u ka hapur ndjekësve të vet rrugët e zhvillimit dhe përparimit.”
Dhe shkaku i heshtjes dhe vendnumërimit të mëpastajmë është, pa asnjë dyshim, ndryshimi që bënë muslimanët në praktikë, gjë që ka shumë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, përmbajtësorë dhe formalë. Meqë tema jonë s’është të bëjmë histori, analiza e këtyre faktorëve këtu është jashtë teme. Si përfundim, po të ndryshojnë njerëzit, sipas ndryshimit që do të bëjnë ata, do të arrijnë lumturi ose do të pësojnë fatkeqësi. Me të vërtetë, në Kur’anin e Shenjtë thuhet:
“Po qe se një popull nuk i prish vlerat dhe karakterin e vet, as Allahu nuk ia prish qetësinë dhe lumturinë!”
Dhe:
“Allahu nuk e ndryshon dhuntinë që ia fal një populli gjersa ai popull të mos i prishë vlerat dhe karakterin e vet!”
Sigurisht! A bie në mjerimin e prapambetjes një popull i cili mban në dorë këto parime?!
“Kushdo që bën një thërrime të mirë, e gjen; dhe kushdo që bën një thërrime të keqe, e gjen!”
Dhe:
“Kush bën një punë të mirë, e ka për vete dhe kush bën një punë të keqe, e ka për vete!”
Njeriu i cili beson denjësisht se kjo botë është “e përkohshme” dhe se ahireti, bota e pasme, është “e përhershme”, se lumturia (xhenneti) dhe fatkeqësia (xhehennemi) i botës së pasme janë të përhershëm e të pafund, se vdekja dhe llogaridhënia pas saj janë absolutisht të vërteta e të pashmangshme, se edhe e mira, qoftë sa një thërrime, edhe e keqja, qoftë sa një thërrime, do të peshohen dhe vlerësohen, a nuk e përdor në mënyrë maksimalisht produktive dhuntinë e jetës? Për më tepër, krahas edhe shumë paralajmërimeve, orientimeve dhe frikësimeve hyjnore dhe profetike!..
Dy nga pesë parimet themelore të Islamit, haxhi dhe zeqati, mund të kryhen vetëm me kusht zotërimin e një pasurie të caktuar. Dhe kjo, pa asnjë dyshim, është nxitje dhe inkurajim për të punuar dhe për t’u pasuruar. Veç kësaj, Profeti (a.s.), duke u shprehur si në vijim, i ka nxitur dhe inkurajuar muslimanët që, në vend që të jenë “zeqatmarrës”, të bëhen “zeqatdhënës”:
“Dora që jep është më e çmuar se dora që merr!”
Nga ana tjetër, zeqati nuk merret nga fitimi, por nga pasuria gjendje. Edhe ky konkluzion, duke parandaluar stanjacionin në rentabilitetin e mallit dhe kapitalit, nxit dhe inkurajon veprimtarinë tregtare e cila e qarkullon dhe e shton mallin dhe kapitalin. Kapitali i palëvizshëm, për shkak të dhënies së zeqatit, vjen një ditë që të mbarohet. Veç kësaj, ndërsa tregtisë nuk i vihet asnjë kufizim përveç interesit publik (të përgjithshëm), kamata (faizi, fajdeja) është vlerësuar absolutisht haram (jolegjitime, e palejuar, e pabekuar). Sepse në kamatë nuk ka as veprim (punë, përpjekje, zhvillim), as rrezik. Profeti (a.s.), jo vetëm u ka dhënë guxim njerëzve për t’u marrë me veprimtari tregtare duke thënë se “tregtari i guximshëm është begatuar”, por edhe u ka dedikuar një gradë të lartë shpirtërore me porosinë profetike, “tregtari i drejtë dhe i ndershëm është i dashur te Allahu”.
Një shfaqje e dinamizmit tek botëkuptimi islam duket edhe te parimi i “ndëshkimit adekuat me fajin” (kisas). Sipas këtij koncepti, atij që kryen një të keqe në mënyrë të pajustifikueshme, i jepet një ndëshkim adekuat (identik, i njëvlershëm) me të keqen që ka kryer. Ndërsa në krishterizmin e korrigjuar urdhërohet që “atij që të godet me shpullë në njërën faqe, t’i zgjasësh tjetrën”, në Islam, autori i aktit të padrejtë trajtohet me të njëjtin akt përgjegjës. Populli e shpreh saktë këtë koncept në formën “dhëmbin për dhëmb, syrin për sy!” Në kundërshtim me këtë mizantropizëm dhe indiferentizëm të krishterizmit të korrigjuar, në Islam, atij që godet padrejtësisht me një shpullë, i jepet një shpullë si ndëshkim adekuat me fajin. Ndërkaq, duhet sqaruar se, në Islam, është ndaluar që ndëshkimi të jetë më i rëndë se faji. Për shembull, ai që godet me një shpullë, nuk goditet me dy shpulla. Po të veprohet kështu, shpulla e dytë vlerësohet padrejtësi dhe dhunë.
Krahas kësaj, ekzekutimi në aktet me rëndësi i ndëshkimit adekuat, gjë që është një e drejtë (e të dëmtuarit), i takon shtetit. Për shembull, ai që vret (me paramendim), pra, kryen një krim, vritet dhe ekzekutimin e tij me vdekje e bën shteti, e drejta e ekzekutimit nuk u është njohur trashëgimtarëve (palës së dëmtuar), sepse atëherë do të shkohej në vetëgjyqësi, gjë që nuk e pranon asnjë sistem juridik. Islami u ka njohur trashëgimtarëve të viktimës të drejtën e faljes së vrasësit dhe shpëtimit të tij nga vdekja me dëmshpërblim. Ky dëmshpërblim si ekuivalent për jetën e një njeriu është përcaktuar kundërvlera aktuale e njëqind deveve të rritura e të shëndetshme. Dhe kjo është një kujtim i mbetur nga një ngjarje historike.
Po kështu, edhe lufta është urdhër për muslimanët me qëllim vetëmbrojtjeje. Në Kur’anin e Shenjtë thuhet:
“Edhe ju luftoni në rrugën e Allahut (bëni luftë mbrojtëse) kundër atyre që ju hapin luftë, por mos e teproni. Pa dyshim, Allahu nuk i do ata që e teprojnë!”
Një tjetër shfaqje e pasivizmit në krishterizmin e korrigjuar është edhe fakti që katolikët lejohen të mos martohen por të bëhen murgjër ose murgesha. Ndërsa murgeshat e kundërshtojnë martesën me shpresën për t’u bërë bashkëshorte të profetit Isa në botën tjetër, murgjit pretendojnë se, duke e ruajtur zemrën nga afiniteti femëror, ia kushtojnë atë Zotit. Eshtë diçka shumë e njohur që, për shkak të këtij qëndrimi që bie në kundërshtim me natyrën njerëzore, gjatë gjithë historisë, në mjedisin e murgjve dhe murgeshave kanë ndodhur ngjarje tejet të turpshme dhe diskredituese.
Në kundërshtim me këtë qëndrim të katolikëve kinse si domosdoshmëri e devocionit të tyre, në Islam, martesa e cila është kushti i vetëm për vazhdimësinë e brezit, është urdhër hyjnor. Dhe, për shkak se kjo është domosdoshmëri e natyrës krijimore të njeriut, është faktor sa për aktivitetin social, aq edhe për pjekurinë individuale. Ky është faktori ndikues më esencial që e bën njeriun qenie shoqërore. Me të vërtetë, veprimtaritë sociale të shumicës së njerëzve janë përfundime të çështjes së krijimit të familjes dhe jetesës.
Siç dihet, adhurimet farz (detyrim fetar) zënë vetëm një pjesë të ditës, kurse koha tjetër që mbetet është për të punuar. Në Kur’anin e Shenjtë thuhet: “Natën e bëmë mbulesë, kurse ditën, jetesë!”
Nga ana tjetër, martesa – në të kundërt me ç’pandehin katolikët – është etapa e parë “stërvitore” që zemra të fitojë aftësi për afërsi dhe dashuri ndaj Allahut. Kurse etapa e dytë e kësaj është lindja e fëmijëve. Janë këto dy etapa që e bëjnë zemrën të mos mbetet thjesht një organ që pompon gjak, por të shndërrohet në pasqyrë të një aktiviteti moralo-shpirtëror ose të bëhet e përshtatshme për një aktivitet të tillë. Gjithsesi, ekziston rreziku që, ndërsa afërsia dhe dashuria ndaj gruas duhet të jetë një etapë që i përfton kapacitet dashurisë për Allahun, të bëhet pengesë duke e mbajtur personin të ngulitur aty. Dhe a mos vetëm gruaja? Kështu është edhe pasuria, kështu janë edhe fëmijët! Eshtë për këtë arsye që në Kur’an thuhet: “Bijtë dhe mallrat janë intrigë për ju!” Mirëpo, fundja, a nuk është jeta e kësaj bote një univers prove? Ja, pra, besimtarët e vërtetë janë heronj që dalin ballëhapur ng çdo aspekt nga kjo provë. Mund të themi se katolikët të cilët kinse e respektojnë devocionin, janë gjysmë vetëvrasës dhe frikacakë të tërë!
Meqë dashurinë që përjetojnë në jetën familjare, muslimanët nuk e pranojnë si esenciale, e quajnë “dashuri metaforike”. Kurse “dashuria e vërtetë” është dashuria ndaj Allahut. Një atribut hyjnor i Zotit është edhe “Rakib” (kundërshtar, konkurrent). Po qe se një besimtar jepet në mënyrë të tepërt ndaj një qenieje tjetër veç Allahut, Allahu e bën atë qenie burim ngatërresash e kokëçarjesh për atë besimtar. Me këtë shfaqje, njerëzit përballen përgjithësisht në fëmijërinë e tyre të fundit ose në një mall që e duan shumë. Kështu, i dashuri bie në vlerë dhe zemra kthehet në entitetin e saj origjinal. Edhe kjo është një konsideratë hyjnore që s’mund t’i takojë kujtdo, pasi Zoti u jep disave rrugë të shtrembër, madje, u njeh afat në gabim.
Këtë të vërtetë e patëm treguar kështu në faqen e parë të revistës sonë “Sebil” që e patëm filluar ta nxjerrim në Gjermani në vitin 1988:
“…Nderi i një përfundimi është në nivelin e vështirësive të përballuara për ta arritur atë. Prandaj, atyre që, duke arritur në kulmet e “të mirës”, “të bukurës” dhe “qenies”, munden të shpëtojnë nga “e keqja”, “e shëmtuara” dhe “e paqena”, u premtohen dhuntitë më të mëdha: “parajsa” dhe “soditja e bukurisë së Zotit”!
Islami i kundërvihet indiferentizmit dhe përtacisë në atë mënyrë, saqë e urdhëron çdo individ që çdo gabim që sheh, ta rregullojë me gojë ose me dorë, domethënë, si të jetë e mundur. Ky urdhër do të thotë ndërhyrje ndaj evenimentit në emër të mbrojtjes të së drejtës dhe drejtësisë. Dhe këtë ndërhyrje nuk e ka kufizuar e nuk e ka bërë të posaçme vetëm një grupi të ngarkuar me detyrë, për shembull policisë, siç ndodh në regjimet moderne, për e ka shtrirë dhe përgjithësuar në të gjithë kolektivin. Pastaj, nëse s’ekziston mundësia për ndërhyrje as me fjalë e as me veprim, ka urdhëruar përbuzjen me zemër, në mënyrë që fjala apo veprimi i shtrembër i vëzhguar nga individi të mos shndërrohet me kohë në diçka të natyrshme për të duke iu shuar ndjenja e kundërnvënies. Për më tepër, kjo e fundit, domethënë, mjaftimi me përbuzjen me zemër shpallet si rrjedhojë e pashmangshme e gradës më të dobët të besimit.
Dhe kjo do të thotë se ndërhyrja ndaj gabimit është një sjellje që përbën domosdoshmëri besimi. Vetëm se nuk duhet harruar se kjo sjellje ndërhyrëse nuk është vetëm ndaj gabimit, por, në të njëjtën kohë, edhe ndaj urdhërimit të së drejtës, gjë e cila në gjuhën e legjislacionit kanunor shprehet me perifrazën “emr-i bi’l-ma’ruf nehj-i ani’l-munker”, që do të thotë: “urdhërim i së drejtës, pengim i së shtrembrës”.
Meqë ky është një urdhër hyjnor, do të thotë se çdo besimtar është një lloj polici në shërbim të botëkuptimit islam. Në një hadith profetik që e mbështet këtë vlerësim, thuhet kështu:
“Që të gjithë jeni çobanë dhe mbani përgjegjësi për këtë!”
Me të vërtetë, a nuk mund të jetë dinamizmi esenca e një feje e cila urdhëron “përpjekjen për këtë botë sikur s’ke për të vdekur kurrë dhe përpjekjen për jetën e pasme, ahiretin, sikur ke për të vdekur menjëherë”?
Eshtë e çuditshme se, ndërsa ndalohet që, në kundërshtim me zellin maksimal në çdo specifikë, njeriu “të kapet pas ambicjes dhe lakmisë”, vetëm “ambicja në rrugën e diturisë” nuk është parë e neveritshme, por e rregullt, legjitime.
Veçanërisht duhet thënë edhe kjo që shoqëria nuk është e ngarkuar me përgjegjësinë për të treguar bindje absolute ndaj qeveritarëve. Bindja qëndron në këmbë me anë të drejtësisë. Ndaj pushtetarëve që shmangen apo largohen nga drejtësia, bëhet e domosdoshme jo bindja, por kundërshtimi. Emërtimi juridiko-fetar i kësaj është “huruxh ale’s-sulta” / “kryengritje ndaj autoritetit”. Edhe kjo është njëra nga shfaqjet e dinamizmit në botëkuptimin islam.
Nga ana tjetër, me qëllim që çështjet e reja që shfaqen me kohë, të mund të interpretohen me anë të konkluzioneve të vlerave të botëkuptimit islam, personave kompetentë u është lënë hapur “porta e ideatimit (ixhtihadit)” gjer në kiamet. Ndërkaq, për të parandaluar stanjacionin veçanërisht të konkluzioneve sociale, përveç kësaj kompetence të njohur për dijetarët e sinqertë islamë, është paralajmëruar dalja e një novatori (muxheddid) çdo njëqind vjet.Fakti që, ndërsa në botë ekziston një fe dinamike në këtë masë, dikur komunistët patën mundur të thonë se “feja është opium për popullin” dhe patën bërë që kjo pikëpamje e shtrembër të fitonte mjaft përkrahje, të shtyn të thuash se me të vërtetë që është e pamundur të shpjegohet kjo gjë në një mënyrë tjetër, veçse me mendimin se botëkuptimi islam ende nuk është kuptuar ashtu siç duhet!

