Parimet e Botëkuptimit Islam: Parimi i Drejtësisë Sociale
Njeriu është krijuar me një natyrë që e bën të domosdoshme jetesën në grup. Kjo e vërtetë është e konfirmuar me faktin se asnjë individ nuk mundet t’i plotësojë vetë të gjitha nevojat e veta. Mirëpo, jetesa e përbashkët e…
Publikuar:

Njeriu është krijuar me një natyrë që e bën të domosdoshme jetesën në grup. Kjo e vërtetë është e konfirmuar me faktin se asnjë individ nuk mundet t’i plotësojë vetë të gjitha nevojat e veta. Mirëpo, jetesa e përbashkët e bën të domosdoshme hyrjen nën disa rregulla dhe kushte, me anë të të cilave kufizohen disa të drejta të individit dhe i jepet përparësi interesit të përgjithshëm mbi dëshirat dhe qëllimet individuale.
Ndërkaq, njeriu të cilit jeta e kësaj bote i është ofruar si “univers prove”, është krijuar i prirur dhe me kapacitet edhe ndaj së mirës, edhe ndaj së keqes. Dihet se njëra nga prirjet më rrënjësore tek njeriu është egoizmi. Po të mos frenohet kjo prirje, në shoqëri drejtësia identifikohet me forcën dhe hyn në fuqi rregulli sipas të cilit “i forti ka të drejtë”, si përfundim, sundimi i dhunës dhe padrejtësisë nuk parandalohet dot më.
Edhe nëse sistemet filozofike, me qëllim për ta parandaluar këtë përfundim negativ, e kanë ftuar dhe e ftojnë njeriun në altruizëm duke u mbështetur në disa arsyetime, janë dënuar me mossukses ngaqë nuk kanë parashtruar asnjë masë konkrete në këtë specifikë. Me të vërtetë, megjithëse ekzistojnë më shumë se dyqind lloj “teorish socialiste”, është e pamundur të thuhet sot se në botë është arritur të vendoset “drejtësia sociale”!
Përballë egoizmit njerëzor, botëkuptimi islam zotëron dy faktorë me efekt të madh, siç janë “besimi” dhe “rehabilitimi i vetvetes”. Më tej, edhe me anë të urdhrave dhe këshillave si “zeqati” dhe “dhurimi” të adoptuar me dy të parat mbi një bazë unike, botëkuptimi islam edhe e siguron drejtësinë sociale, edhe e garanton vazhdimësinë e saj.
Dhe, tani, le t’i shpjegojmë shkurt këto.
a) Besimi
Besimi te Allahu, besimi me një përmbajtje në përputhje me të vërtetën e Tij, shfaqet, përveç arritjes së prehjes dhe qetësisë me kënaqjen e nevojës së natyrshme më esenciale të zemrës, edhe si garanci e “veprimit të drejtë”, siç është urdhëruar vullneti si pasojë e efektshmërisë së tij. Sepse njeriu i cili ka besuar me sinqeritet, e di në mënyrë të sigurt se një jetë e jetuar në përshtatje me dëshirat e nefsit (egos, frymës) i cili urdhëron për keq, përsa i përket amshueshmërisë së saj, do të përfundojë në xhehennem. Me të njëjtën siguri kategorike, beson edhe se duke vepruar krejt ndryshe, vendi ku do të shkojë do të jetë xhenneti. Në këto kushte, a s’e shtyn njeriun në rrugë të drejtë edhe vetë egoizmi i tij natyror i bashkëlindur? Sepse, duke hequr dorë nga diçka e përkohshme, përfiton një interes të përhershëm dhe beson se ky interes është pakrahasimisht më i madh se ajo ç’ka braktisur. Eshtë për këtë arsye që pranimi nga njeriu i mundësisë që, pasi të arrijë vetëdijen e besimit, edhe egoizmi i tij natyror ka për ta shtyrë për tek e mira, është domosdoshmëri logjike dhe racionale.
Nga ana tjetër, fryti i parë i besimit është zgjimi në zemër i dhuntive të dashurisë dhe mëshirës. Dhe kjo ndodh ngaqë ajo çka na del para fillimisht në Kur’an janë atributet hyjnore “Rahman” / “Mëshirues” dhe “Rahim” / “Shpërblyes”.
Për të ndihmuar në sigurimin e këtyre rezultateve të bukura të besimit, është edhe një faktor efektiv i dytë në botëkuptimin islam: “Rehabilitimi i vetvetes”.
b) Rehabilitimi i vetvetes
Si termi “tezkije”, ashtu dhe termi “rehabilitim”, kuptimi leksikor i të cilëve është “pastrim, eliminim i gabimeve dhe të metave apo edhe i akuzave, duke rifituar pafajësinë dhe dinjitetin”, është, në të vërtetë, qëllimi final i të gjitha adhurimeve dhe, madje, urdhrave hyjnorë! Por nefsi, vetvetja, fryma shtazore dhe subjektive-egoistike e njeriut, është një armik i vështirë. Nënshtrimi i tij nuk është punë e lehtë! Eshtë për këtë arsye që edukimi i nefsit është shprehur me gjuhën profetike si “xhihadi i madh” / “lufta e madhe”.
Pikërisht gjatë kthimit nga Fushata e Tebukut që pati qenë me të vërtetë tejet e vështirë, Profeti (a.s.) u pati thënë muslimanëve:
“Po kthehemi nga lufta e vogël (nga xhihadi i vogël) për në luftën e madhe (për në xhihadin e madh)!”
Kurse ushtria islame rreth tridhjetëmijëshe kishte shkuar gjer një mijë km. larg dhe qe kthyer. Si pasojë e vështirësive të kësaj fushate të zhvilluar nën një vapë të tmerrshme në një stinë të thatë, luftëtarëve që i qenë afruar Medinës, pothuaj u ishte ngjitur lëkura për eshtrash, u ishin ngatërruar qimet e flokëve me të mjekrës! A mund të kishte xhihad më të madh se ai? Sahabiut që ia bëri këtë pyetje, Profeti i dha këtë përgjigje:
“Po, tani po shkojmë nga xhihadi i vogël për në xhihadin e madh, domethënë, po kthehemi që të luftojmë me vetveten!”
Le të paraqesim këtu edhe nja dy paralajmërime të tjera të Profetit (a.s.) mbi këtë specifikë:
“I mençur është ai që e sundon nefsin, vetveten, dhe, duke i kërkuar llogari, përgatitet për jetën pas vdekjes, kurse kokëtrashi, megjithëse e jep veten ndaj dëshirave dhe pasioneve, prapëseprapë mban shpresë të Allahu!”
“Gjëja që kam më shumë frikë për ummetin tim, është se mos ua përshtasin nefsin dëshirave!”
“Ekuilibrist i vërtetë është ai që, në çastin e zemërimit, e sundon nefsin e vet!”
Kurse Zoti urdhëron kështu:
“Pa dyshim, ka shpëtuar ai që e pastron nefsin (nga të këqijat) dhe është dëmtuar ai që e fundos nefsin në të këqija!”
“(O i Dërguar!) A e ke parë atë që i bën për zot dëshirat e veta subjektive? Tani, a mos do t’i bëhesh ti dorëzanës atij?”
Kjo do të thotë se, t’i shkosh pas nefsit, të bësh ç’dëshiron nefsi, është, para Zotit, një faj dhe mëkat i njëvlershëm me lënien e Zotit dhe trajtimin e nefsit për zot!
Për të shpëtuar nga një mëkat kaq i rëndë, është e domosdoshme të rehabilitohet nefsi, të nxirret i pafajshëm e i larë duke e pastruar nga fajet, mëkatet, të metat dhe gabimet. Mënyra dhe elementët përbërës të kësaj janë parashtruar me anë të urdhrave fetare. Mund të thuhet se ky është synimi final i tasavvufit ose mistikës islame. Nefsi i cili rehabilitohet me anë të një sërë adhurimesh të detyrueshme (farz), adhurimesh si traditë profetike (sunnet) dhe adhurimesh suplementare të këshilluara (nafile), kalon nëpër këto shkallë:
1) Nefsi emmare (urdhërues, imponues). Eshtë nefsi që imponon të keqen. Kjo është situata e nefsit krejtësisht të paedukuar. Eshtë specifika natyrore e bashkëlindur e nefsit dhe pasojë e faktit që kjo botë është univers prove.
2) Nefsi levvame (kritizer, gërnjar). Eshtë emërtimi i parë i nefsit që hyn në rrugën e edukimit. Njerëz me këtë lloj nefsi kryejnë mëkate duke i besuar faljes hyjnore ose me ndonjë motiv tjetër, pastaj, të penduar, e kritikojnë nefsin. Kjo sjellje është etapa e fillimit e vuajtjes për shkak të mëkateve të kryera.
3) Nefsi mulheme (i frymëzuar, i sugjestionuar). Ky është atributi i nefsit i cili, duke u ruajtur nga të këqijat që e largojnë zemrën nga Allahu, ndjek dhe lidhet pas urdhrave hyjnorë. Mirëpo dredhitë dhe mashtrimet e fshehta të nefsit ende s’kanë mbaruar në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ai është ende në pusi dhe pret rastin.
4) Nefsi mutmainne (i ngopur, i kënaqur, i prehur, i qetësuar). Në këtë etapë, nefsi është mundur dhe nënshtruar plotësisht. Më në fund, ai është bërë i bindur. Zemra ka arritur prehjen dhe nënshtrimin. Në këtë etapë, robi është ngjitur në gradën “arifi bil’lah” (njohës i Zotit).
5) Nefsi radije (me pëlqim ndaj Zotit). Eshtë grada e nefsit i cili, duke qenë i vetëdijshëm se ndodhet çdo çast me Zotin, është i kënaqur me çdo gjë (të mirë apo të keqe) që krijon Zoti për të. Personi me një nefs të tillë ndodhet në “pozitën e pëlqimit”. Ata që arrijnë në këtë pozitë, thonë: “Edhe favori yt është i këndshëm, edhe persekutimi yt…”
6) Nefsi merdijje (i pëlqyer prej Zotit). Eshtë grada e nefsit me të cilin Zoti është i kënaqur.
Përveç këtyre, është edhe një gradë tjetër më e lartë e nefsit, e quajtur “nefsi kamile” (i përkryer) ose “nefsi safije” (i kulluar), që nuk arrihet dot me punë dhe përpjekje. Kjo është dhunti hyjnore. Nefsi i profetëve është i kësaj grade.
Kurse tani le të shohim se ç’detyra shoqërore e presin njeriun e pjekur e të maturuar në sajë të besimit dhe edukimit të nefsit.
c) Zeqati
Zeqati si forma më e përkryer e ndihmës reciproke dhe solidaritetit shoqëror, e paparë në historinë e njerëzimit, është, si kuptim, derivat i kuptimeve “nemá” (shtim, shumëfishim) dhe “taharet” (pastrim). Sipas kësaj, dhënia e zeqatit e shton, e shumëfishon dhe e pastron mallin (pasurinë). Pastrimi i mallit dhe i pasurisë realizohet duke e ndarë prej saj pjesën që u takon të varfërve si e drejtë e tyre dhe dhënia e saj. Ky adhurim pasuror-material është aq i rëndësishëm, saqë është njëri nga pesë parimet themelore të qenies musliman.
Emërtimi i përgjithshëm i ndihmës së të pasurve për të varfërit është “sadaka”. Ky emërtim që ka rrënjë të përbashkët me fjalën “sadik”, i sinqertë, besnik, është dhënë si argument i besnikërisë së personit si rob i Zotit në adhurimin ndaj Zotit. Por jo të gjitha sadakatë kanë të njëjtin entitet. Sadakatë ndahen në tri kategori: farz (detyrim), vaxhib (domosdoshmëri) dhe nafile (suplementare).
Sadakaja farz është “zeqat”. Zeqati është adhurim pasuror-material që bëhet një herë në vit ose, e thënë ndryshe, zeqati jepet një herë në vit. Çdo musliman burrë apo grua (mashkull apo femër që ka arritur moshën e pjekurisë dhe është bërë person përgjegjës fetarisht) që, me përjashtim të nevojave themelore të jetesës, zotëron pasuri në një masë të caktuar dhe që ka mbushur një stazh njëvjetor, është i detyruar t’ua japë një të dyzetën e saj personave të tillë, si të varfërit, udhëtarët e mbetur në rrugë, borxhlinjtë, etj. Ky është urdhër hyjnor, domethënë, farz (detyrim fetar). Në shtetin islam, atij që nuk e jep zeqatin vetë, i merret me masa shtrënguese. Meqë zeqati është, në të njëjtën kohë, adhurim, nuk merret nga jomuslimanët si dhe nga muslimanët jopërgjegjës, si ata që nuk e kanë arritur ende moshën e pjekurisë ose pubertetit, po ashtu, që nuk kanë zhvillim mendor normal.
Raporti një e dyzeta në zeqat mund të duket pak. Por nuk duhet harruar se zeqati merret jo nga fitimi ose të ardhurat, por nga pasuria e qëndrueshme. Me këtë cilësi, zeqati është shumë më tepër efektiv sesa taksat e sistemit kapitalist për sa i përket sigurimit të ekuilibrit mes të varfërve dhe të pasurve si dhe për të parandaluar krijimin e greminave mes tyre. Veç kësaj, edhe kriteri i vlerësimit të personit si i pasur, “nisabi”, është mbajtur në nivelin më të ulët dhe, në këtë mënyrë, një pjesë e madhe e popullsisë është ngarkuar me përgjegjësinë për të dhënë zeqat. Në këtë mënyrë, kjo përgjegjësi e vënë me synimin që, pavarësisht nëse burimi bazë i plotësimit të nevojave është puna dhe përpjekja, të gëzohen ata që, duke mos e arritur dot t’i plotësojnë nevojat e tyre me punë dhe përpjekje, mbeten ngushtë, si dhe, duke e eliminuar pakënaqësinë ose armiqësinë e tyre ndaj të pasurve, të forcohen ndjenjat e vëllazërisë, kjo përgjegjësi, pra, së bashku me të tjerat, janë masa të pashembullta në realizimin e drejtësisë sociale. Edhe në fetë e tjera është porositur dhe këshilluar bamirësia dhe ndihma reciproke. Por, meqë këto s’janë, si në Islam, detyrime (farz) ose domosdoshmëri (vaxhib) fetare, nuk shkojnë me tej se të jenë thjesht këshilla dhe porosi. Njeriu i cili në esencë është egoist, shpesh herë nuk tregon konsideratë ndaj detyrave fakultative. Prandaj, në botëkuptimin islam, këto përgjegjësi fetare të shoqëruara me sanksione edhe në këtë botë, edhe në botën tjetër, janë të pashembullta për sa i përket sigurimit të drejtësisë sociale.
“Nuk ka asnjë fe dhe asnjë institucion bamirësie që të mos u kërkojë anëtarëve dhe ndjekësve të vet ndihmë reciproke dhe solidaritet. Në esencë, ky është njëri nga synimet dhe qëllimet e mëdha që ndjekin këto institucione. Por është vetëm feja islame ajo që e konsideron ndihmën reciproke dhe solidaritetin si të drejtë duke u atribuar atyre një pozitë të lartë si detyra të domosdoshme!”
Sadakaja vaxhib (domosdoshmëri fetare) është “sadakaja e fitrit”, e cila quhet “zekâtu’r-re’s”, “zeqat (sadaka) për kokë”. Personi i cili konsiderohet i pasur sipas kritereve juridiko-fetare, ka edhe katër përgjegjësi të tjera përveç zeqatit:
1) Dhënien e sadakasë së fitrit si vaxhib (domosdoshmëri juridiko-fetare);
2) Therjen e kurbanit si vaxhib (domosdoshmëri juridiko-fetare);
3) Sigurimin e nafakës (strehimit, veshmbathjes dhe ushqyerjes) së personave që ka nën kujdestari ligjore-fetare, si vaxhib (domosdoshmëri juridiko-fetare);
4) Ndalimin e marrjes së sadakasë për vete si haram (akt juridiko-fetar jolegjitim, i palejuar, i pabekuar).
Po të vihet re me kujdes, të tria përgjegjësitë me cilësinë “vaxhib” (domosdoshmëri juridiko-fetare) të sipërpërmendura, janë pasurore-materiale dhe kanë të bëjnë me sigurimin e ekuilibrit dhe marrëveshjes sociale.
Me cilësinë e saj si “vaxhib”, ashtu si kurbani, edhe sadakaja e fitrit jepet një herë në vit. Në ndryshim nga zeqati, sadakaja e fitrit duhet të jepet edhe për fëmijët dhe për personat me zhvillim mendor jonormal, sepse, në hadithin profetik është thënë:
“Jepeni sadakanë e fitrit për personat që u siguroni nafakanë (jetesën)!..”
Sasia e sadakasë së fitrit llogaritet me grurë, elb, hurma dhe rrush të thatë dhe shpallet çdo vit nga myftinjtë. Ndërkaq, është më me vlerë që, në kohëra thatësire dhe krize buke, sadakaja e fitrit të jepet jo në monedhë, por në natyrë.
d) Infak-u, dhënia ose shpenzimi në rrugën e Allahut
Infaku, dhënia ose shpenzimi i pasurisë në rrugën e Allahut, është një urdhër hyjnor. Megjithëkëtë, një pjesë e shpenzimeve në fjalë është i këshillueshëm (jo i detyrueshëm). Me anë të premtimit të disa shpërblimeve, Zoti i bën ato të pëlqyeshme e të kërkueshme. Kulmi i dhënieve ose shpenzimeve të këshillueshme, të pëlqyeshme e të kërkueshme është ajo që emërtohet “ísár” / “dhënie gjer në vetëmohim”, është t’i japësh (dhurosh) një vëllai besimtar nevojtar diçka që të duhet për vete si nevojë elementare. Bujaria është, në Islam, njëra nga shtyllat themelore të moralit, por bujaria e nivelit “isar” as nuk mund të imagjinohet në ndonjë sistem tjetër moral.
Zoti urdhëron kështu:
“… Edhe sikur vetë të jenë nevojtarë, i parapëlqejnë ata në vend të vetes (bëjnë vetëmohim për ta). Ata që ruhen nga koprracia e nefsit, kanë shpëtuar!”
“Megjithëse kanë nevojë vetë, ua japin ushqimin të varfërve, bonjakëve dhe skllevërve dhe u thonë: “Po ju ushqejmë me këtë për pëlqim të Allahut, prandaj nuk presim shpërblim dhe falenderim prej jush. Ne frikësohemi nga një ditë e vështirë e Zotit!” Dhe Allahu i mbron ata nga e keqja e asaj dite, u jep shkëlqim në fytyra dhe gëzim në zemra!”
Në shoqërinë islame ka forma të ndryshme për ndihmën dhe mbrojtjen e atyre të cilët për shkaqe të ndryshme, s’janë të aftë ta sigurojnë jetesën. Këto forma të ndryshme ndihme dhe mbrojtjeje kanë një emërtim të përbashkët: infak. Edhe masa e mjaftueshme e mjeteve për sigurimin e jetesës quhet “nafaka”. Përgjegjësia e një personi (kryefamiljar, kujdestar) për të siguruar nafakanë, kufizohet tek vetja e tij dhe pastaj tek anëtarët e familjes. Edhe kjo përgjegjësi e cila është domosdoshmëri e realizmit të Islamit, ashtu si zeqati, është farz, detyrim ligjor-fetar. Pas anëtarëve të familjes, vijnë personat me lidhje gjaku të drejtpërdrejtë ose të shkallës së dytë (me të cilët personi përgjegjës nuk mund të martohet): nëna, babai, gjyshi, gjyshja, fëmijët dhe nipërit.
Në ajetin kur’anor thuhet:
“Bëjuni të mira nënës, babait, farefisit, jetimëve, të varfërve, komshinjve, shokut që keni pranë, udhëtarëve të mbetur në udhë dhe skllevërve që keni në pronësi!”
Një sahabi e pati pyetur Profetin se kush ishte njeriu më i denjë për t’i bërë të mirë dhe Profeti i qe përgjigjur:
“Nëna!”
“Pastaj?” – E pati pyetur sahabiu.
“Nëna!” – I qe përgjigjur sërish Profeti.
Pas të njëjtës përgjigje për të tretën herë, Profeti i pati thënë:
“Babai dhe, pas tij, të afërmit e tjerë nga më i afërti gjer te më i largëti!”
Infak-u (për sigurimin e jetesës, nafakanë) duhet të jetë “në masë të mjaftueshme” sipas traditës së vendit. Sepse, për shkak të nevojtarisë, ky infak është bërë “vaxhib”, domosdoshmëri fetare.
Një çështje që përmendet këtu është edhe kjo:
Në infak duhen respektuar dy specifika, njëra nga të cilat është të jepet diçka e cila për dhënësin është gjë e dashur, e zgjedhur. Po të veprohet kështu, dhënësi ose dhuruesi ngjitet në nivelin e quajtur “birr”. Zoti urdhëron kështu:
“Nuk mund ta arrini xhennetin dhe më të bukurën e së mirës (birr) gjersa të mos keni shpenzuar në rrugën e Allahut nga gjërat që i doni!”
Specifika e dytë është që dhënia apo dhurimi të bëhen me fytyrë të qeshur dhe fjalë të ëmbël duke u përpjekur për të mos e prekur personin përballë.
Në Islam, me anë të këshillave dhe porosive të bëra tërheqëse me shpërblime ose urdhra të llojit “farz” apo “vaxhib”, është ngritur një rrjetë asistence e jashtëzakonshme për të gjithë personat e dobët të një shoqërie, si jetimët, të vejat, të gjymtuarit, etj.:
“O ju që keni besuar, shpenzoni (jepni zeqat dhe sadaka) në rrugën e Allahut nga gjërat më hallall e më të mira nga ato që keni fituar dhe nga prodhimet që kemi nxjerrë nga toka për ju!”
“Ata që i shpenzojnë mallrat ditë e natë, hapur e fshehur, kanë shpërblim tek Zoti i tyre. Për ta nuk ka asnjë frikë dhe ata nuk do të dëshpërohen!”
“Gjendja e atyre që e shpenzojnë pasurinë në rrugën e Allahut, është si gjendja e farës nga e cila mbijnë dhe rriten shtatë kallinj me nga njëqind kokrra. Allahu i jep shumëfish atij që dëshiron. Mirësia e Allahut është shumë e gjerë. Ai e di çdo gjë me të drejtë!”
Jo vetëm janë këto ajete kur’anore dhe shumë të tjera, shumë hadithe profetike përveç këtyre, të cilat e bëjnë infakun të pëlqyeshëm e të dëshirueshëm, por edhe zbatimet praktike të Profetit dhe sahabeve janë plot me shfaqjet më ideale të ndihmës shoqërore reciproke dhe të solidaritetit shoqëror. Duke u shprehur me gjuhën e vet se “më i dobishmi i njerëzve është ai që u sjell më shumë dobi atyre”, qenien “më i dobishëm” e ka shprehur si efektive jo ndaj vetes, por ndaj llojit të vet. Të jesh i dobishëm për llojin tënd, para së gjithash fillon me mbrojtjen e të dobtëve dhe të të paaftëve, në krye të të cilëve vijnë “jetimët” dhe “gratë e veja”.
Me të vërtetë, urdhrat dhe porositë për mbrojtjen dhe kujdesin ndaj jetimëve, janë të jashtëzakonshme.
Zoti urdhëron:
“A nuk të (zgjodhi dhe) strehoi Ai kur ti ishe jetim? Dhe a s’të (zgjodhi dhe) vuri në rrugë kur s’e dije rrugën? Dhe a s’të (zgjodhi dhe) të bëri të pasur ndërsa ishe i varfër? Atëherë, kurrsesi mos e poshtëro jetimin dhe kurrsesi mos e qorto atë që të kërkon e të pyet! Por trego për dhuntitë e Zotit tënd!”
Për ta kuptuar vlerën e ndihmës për jetimin, le ta paraqesim një ngjarje nga gjuha e Profetit:
Një i dehur kishte rrëshqitur dhe i ishin bërë duart tërë baltë. Duke u menduar se si t’i fshijë duart, kishte parë një fëmijë ndanë rrugës dhe i kishte fshirë duart në flokët e tij. Fëmija kishte qenë një jetim që po qante s’dihet për ç’shkak. Duke pandehur se i dehuri kishte dashur ta përkëdhelte, kishte pushuar së qari.
Profeti (s.a.s.) bën të ditur se i dehuri ishte falur edhe pse e kishte qetësuar fëmijën jetim pa qenë i vetëdijshëm për këtë!
Edhe në një porosi të tijën, Profeti thotë:
“Shtëpia më e bekuar është ajo që strehon një jetim!”
Edhe gratë e veja mbrohen me të njëjtën ndjeshmëri. Në kohën e osmanëve ekzistonte “Banka e jetimëve dhe e të vejave”. Ajo ishte ngritur për t’u dhënë jetimëve dhe të vejave borxh pa interes dhe për t’ua shumëfishuar mallrat.
Institucioni i vërtetë islam ku infaku ka arritur zbatimin e nivelit më të lartë, është vakfi. Vakfi ndalonte shitblerjen ose përdorimin me ndonjë qëllim tjetër fitimprurës të pasurisë vakfnore të shprehur në monedhë ose pasuri fizike. Kushtet e vëna nga dhuruesi ose ngritësi i vakfit në akt-dhurim pranoheshin si kushte të vëna nga vetë Zoti. Specialistët e hadithit e nxjerrin idenë e vakfit nga përmbajtja e ajetit kur’anor:
“Gjersa të mos keni dhënë (gjersa s’keni shpenzuar në rrugën e Allahut) nga gjërat që doni, nuk arrini dot te birr-i (e mira më e lartë)!”
Kurse në një hadith profetik thuhet:
“Kur vdes njeriu, i mbyllet libri i llogarive. Nga kjo përjashtohen tre vetë: ata që kanë lënë pas një sadaka me veprim të përhershëm, një vepër të dobishme për shoqërinë, një fëmijë të mbarë që të lutet për prindin!”
Eshtë e padyshimtë se sadakaja me veprim të përhershëm përputhet plotësisht me konceptin e vakfit. Eshtë për këtë arsye që ngritja e vakfeve ka filluar qysh në kohë të Profetit.
Me të vërtetë:
“Siç transmetohet nga Hz. Aisheja (vd. 57 h. / 676 e.r.), i Dërguari i Allahut pati dhuruar në Medinë shtatë prona të patundshme. Një çifut me emrin Muhajrik nga fisi Beni Nadr pati marrë pjesë në luftën e Uhudit në radhët e muslimanëve dhe para betejës pati lënë këtë porosi:
“Po të vritem në luftë, e gjithë pasuria ime t’i mbetet të Dërguarit të Allahut dhe ai le ta shpenzojë atje ku të dojë vetë!”
Pasi Muhajriku u vra në atë betejë, prona e tij e patundshme që përbëhej prej shtatë objektesh i mbeti Profetit i cili, sipas një opinioni, ua la djemve të Abdylmuttalibit dhe bijve Hashim, kurse sipas një opinioni tjetër, i dhuroi për të plotësuar nevojat urgjente të Islamit dhe muslimanëve. Pranohet se ky është vakfi i parë në Islam. Historianë islamë si Ibni Is’haku (vd. 151 h. / 768 e.r.) dhe Ibni Hishami (vd. 218 h. / 833 e.r.) kanë transmetuar se Muhajriku pati hyrë në Islam.
Nga ana tjetër, pas betejës së Hajberit, kur Hz. Omeri (vd. 23 h. / 643 e.r.) e pyeti Profetin se ç’duhej të bënte me një parcelë që e pëlqente shumë, i Dërguari i Allahut i tha: “Bllokoje pronësinë e saj, kurse të ardhurat prej saj shpërndaji!”
Më të shquarit ndër sahabet, ose i patën dhënë pasuritë si sadaka në të gjallë, ose i patën dhuruar si vakfe. Në këtë drejtim, vakfi i parë i rregullt i përket Hz. Omerit.
Hz. Omeri (r.a.) e tregon kështu se si e pati dhuruar një kopsht frutor që i pati rënë në pjesë pas fitores së Hajberit dhe që atij i pëlqente shumë.
“I thashë të Dërguarit të Allahut:
“Më ra në pjesë një tokë aq e bukur dhe aq e vlefshme që s’e kam pasur si pronë kurrë në jetë. Ç’më urdhëroni për të?”
Profeti i tha:
“Po deshe, pronësinë e mallit mbaje mbi vete, kurse të ardhurat shpërndajua si sadaka të varfërve!” Në bazë të kësaj këshille, Hz. Omeri, duke vënë si kusht që prona të mos shitet, të mos falet dhe të mos trashëgohet, të ardhurat e saj ua la të afërmve, të rrëgjuarve, të mbeturve në rrugë, luftëtarëve në rrugëgn e Allahut dhe skllevërve që bëjnë marrëveshje lirimi. Gjithashtu, vuri si kusht që nga të ardhurat të përfitonte, sipas traditës, edhe kujdestari i pronës.
Hz. Omeri përpiloi një akt-dhurimi për këtë dhe ia dorëzoi si porosi të bijës Hafsa (vd. 41 h / 644 e.r.) që pas saj ta marrin me radhë vazhduesit e brezit.
Fakti se si institucioni i vakfit u shndërrua me kohë në një “bashkërendim bamirësie”, mund të shihet edhe me një vështrim të sipërfaqshëm mbi historinë islame. Ashtu siç u përmend edhe më parë, veçanërisht tek osmanët, mbrojtja dhe kujdesi për njerëzit arriti përsosmërinë, radha u erdhi zogjve e shpendve dhe u ngritën vakfe edhe për strehimin, ushqimin dhe mjekimin e lejlekëve që nuk mundeshin të shtegtonin!
Në çdo çështje, Islami parapëlqen interesin e shoqërisë ndaj interesit të individit. Në Kodin tonë Civil të vjetër, të quajtur “Mexhel’le” ishte neni (neni 26), sipas të cilit “parapëlqehet dëmtimi i individit për të mënjanuar dëmtimin e përgjithshëm”, që, pa asnjë dyshim, është një rregull islam!
Si adhurimi më me rëndësi ndër adhurimet individuale, edhe vlerësimi i faljes së namazit në kolektiv (xhemaat) njëzet e tetë herë më i çmuar se falja e namazit në mënyrë individuale, tregon se në urdhrat islame, vazhdimisht shoqëria, kolektivi, vihen mbi individin. Fakti që njëra nga katër parimet e urdhëruara për administratën është këshillimi, që namazi i xhumasë është një “mbledhje këshillimore lokale”, kurse haxhi, “mbledhje këshillimore ndërkombëtare” janë që të gjitha shfaqje konkrete e praktike të këshillimit i cili është një urdhër hyjnor.
Veçanërisht haxhi është një kuvend këshillimor ndërkombëtar që mblidhet një herë në vit, kurse me kuptimin e sotëm, një kongres i përgjithshëm.
Elementët përbërës të haxhit i cili kryhet me ihram që simbolizon qefinin, është një ekspozitë e pashembullt edhe e përkujtimit të ngjarjeve kryesore të historisë së unitetit për sa i përket individit, edhe e njohjes dhe afrimit mes individëve dhe këshillimit mes tyre. Dhe, me këtë cilësi, haxhi është, pa asnjë dyshim, një shfaqje dhe përforcim i parimit islam të kolektivitetit.

