Parimet e Botëkuptimit Islam: Parimi i Scientizmit - Mirësia Islame

Parimet e Botëkuptimit Islam: Parimi i Scientizmit

“Scientizëm” është një term i cili rrjedh nga fjala “science” / “shkencë” dhe shpreh pikëpamjen e cila i dedikon shkencës një fuqi dhe rëndësi më tepër se ç’i takon. Natyrisht, me kuptimin që ka, ky term nuk përputhet me konkluzionin…


Publikuar:

“Scientizëm” është një term i cili rrjedh nga fjala “science” / “shkencë” dhe shpreh pikëpamjen e cila i dedikon shkencës një fuqi dhe rëndësi më tepër se ç’i takon. Natyrisht, me kuptimin që ka, ky term nuk përputhet me konkluzionin e vlerave të Islamit. Ne e përdorim këtë fjalë me kuptimin e saj leksikor të afërt me pikëpamjen e cila i jep rëndësi shkencës.

Me të vërtetë, filozofët materialistë dhe, si rezultat, scientistë, u kushtojnë me kohë të gjitha të vërtetave përkatëse të shkencës, materies dhe dukurive një fuqi që mund të konsiderohet si një kompetencë absolute. Madje, për shkak të kësaj pikëpamjeje, pretendojnë edhe se do të vijë një ditë që shkencat pozitive do të zënë plotësisht vendin e fesë.

Edhe në vendin tonë është vënë dhe vihet re se disa persona antifetarë janë dhënë pas kësaj fantazie boshe. Tevfik Fikret i cili i përkëdhel intelektualët e periudhës me magjinë poetike, në poezinë “Amentu i Halukut” thotë:

Një ditë ka për ta bërë shkenca këtë dhé të zi, flori;

Besoj se me forcën e kulturës çdo gjë ka mundësi…

Natyrisht, megjithëse në optikën e Islamit, dija ka rëndësi të jashtëzakonshme, nuk mund të pranohet që ajo t’i arrijë të gjitha të vërtetat që përmbahen në Univers! Siç e kemi përmendur edhe më parë, janë pesë çështje cilësore të konfirmuara me ajet kur’anor dhe të quajtura “pesë të panjohurat”. Këtyre duhet t’u shtohet edhe “e vërteta e individualitetit (personalitetit) të Allahut”. Sepse njeriu është ndaluar të mendojë për këtë. Truri i njeriut që mendon me anë të mbresave që merr nga bota materiale, meqë nuk zotëron një mbresë e cila do të ishte e aftë për të bërë krahasim, nuk mund ta njohë të vërtetën e individualitetit (personalitetit) të Zotit. Sepse Zoti ka një atribut hyjnor të emërtuar “muhalefetun li’l-havadith” (i kundërt me akcidencat), që do të thotë se Zoti është krejt i ndryshëm nga qeniet e krijuara (akcidenciale), pasi Ai nuk është qenie e krijuar. Edhe profeti Muhammed (s.a.s.), duke porositur muslimanët, “sido që të mund ta përfytyroni, Ai është krejt i ndryshëm nga ajo që mund të përfytyroni ju për Të”, ka shprehur pamundësinë e përfytyrimit të Zotit.

Megjithëkëtë, dija më e virtytshme dhe më e çmuar është njohja e Allahut. Vetëm se kjo njohje është sipas cilësive atributive të Tij si dhe në vartësi nga njohja njerëzore. Pastaj vjen njohja e “vullnetit hyjnor” (murad-i ilahi), gjë që është konceptim i urtësisë dhe synimit në shfaqjen e vullnetit të krijuesit, vullnet i quajtur “adetullah” / “zakon i Allahut” ose “sunnetullah” / “traditë e Allahut”. Ky është kulmi i dijes (diturisë) njerëzore. Në Islam, kjo quhet “maarif” (marifetet), kulmet ose kulmi i dijes njerëzore. Përveç të gjitha këtyre, Zoti ka bërë të ditur se njerëzve u është dhënë pak njohuri mbi shpirtin dhe se njohja me kompetencë e entitetit të shpirtit është e pamundur. Edhe nëse qysh shumë shekuj më parë, entiteti i shpirtit është studiuar në fillim brenda tematikës së filozofisë së përgjithshme, pastaj si tematikë e një shkence të veçantë të quajtur “psikologji”, më së fundi, sot, është pranuar se entiteti i shpirtit nuk mund të njihet dhe psikologjia është shndërruar pothuajse në një shkencë laboratorike që studion shkaqet dhe pasojat e dukurive shpirtërore (psikologjike) dhe shkakësinë mes dukurive fiziologjike dhe psikologjike.

Njëra nga prirjet e natyrshme të pranishme në natyrën krijimore të njeriut është kureshtja dhe, rezultati i kësaj, mësimi. Për ta plotësuar dhe kënaqur këtë, njeriu është pajisur me mendje (arsye), ndjenjë dhe aftësi gjykimi. Këto cilësi janë faktorët e vetëm ndikues që e ngrenë njeriun në një pozitë të zgjedhur mes krijesave. Ndërkaq, këto, jo vetëm nuk janë të mjaftueshme vetëm për vetëm për të arritur te e vërteta, por edhe shumë faktorë me të cilët kanë lidhje ose nga të cilët varen, shfaqen në trajtë dobësish të ndryshme që ua shtojnë këtë pamjaftueshmëri. Eshtë për këtë arsye që Krijuesi e ka ndihmuar njeriun me mënyrën e vahjit ose revelacionit hyjnor, dhe këtë ndihmë e ka filluar me Ademin, njeriun e parë. Kjo dëshirë volitive hyjnore do të thotë mbështetje e kësaj dobësie dhe pamjaftueshmërie njerëzore nga Zoti i cili çdo qenie që e ka krijuar, e njeh më mirë se çdokush tjetër. Megjithëse ndihma hyjnore për njeriun me anë të vahjit ose revelacionit hyjnor ka mbetur gjithmonë po ajo për sa u përket të vërtetave abstrakte (teorike), konkluzionet sociale në vartësi të ecurisë dhe zhvillimit evolucionar të shënuar prej njeriut, janë çuar në përkryerje me profetin e kohës së fundit. Ne do të përpiqemi që vlerën e diturisë ta parashtrojmë me përmbajtjen e fundit dhe të vetme të vahjit ose revelacionit hyjnor të pranishëm që ka mbetur në këtë mes i paprekur nga korrigjimi dhe ndryshimi.

Së pari, si diçka që dihet nga e gjithë bota, urdhri i parë i Islamit është “ikra”, domethënë, “lexo!” Ndërsa leximi është mjeti i vetëm i cili siguron përcjelljen nga brezi në brez të informacioneve dhe të të dhënave të arritura nga dituria (shkenca). Po të mos ndodhte kështu, njerëzit do të mbeteshin të panjohur me përmbajtjen diturore (shkencore) të së kaluarës dhe do të mbeteshin të detyruar që çdo gjë ta zbulonin ose ta mësonin nga e para. Në fakt, është për këtë konsekuencë të natyrshme që, në Kur’anin e Shenjtë, afro një mijë ajete transmetojnë rrëfimet mësimdhënëse mbi popujt e kaluar. Nga ana tjetër, shumë ajete, me anë të vërejtjeve të ndryshme, si “a s’po mendoni”, “a s’po gjykoni”, e ftojnë njeriun për të menduar, ndërkaq që këto vërejtje dhe paralajmërime janë bërë në formën e pyetjeve, domethënë, në një formë që ta përforcojë kuptimin. Duke e shprehur me mënyrën e pyetjes edhe ajetin “A mund të jenë njëlloj të paditurit me të diturit?”, Zoti e ka pohuar epërsinë e dijetarëve. Nga ana tjetër, Allahu e ka zbritur ajetin kur’anor “Nga Allahu kanë frikë vetëm robtë dijetarë” me qëllim për të pohuar se Ai mund të njihet vetëm me rrugën e dijes qoftë edhe vetëm me atributet e Tij. Sepse, për të pasur frikë prej Tij, është e domosdoshme që Allahu të njihet denjësisht, ashtu siç duhet, gjë që është e mundur vetëm në sajë të dijes dhe diturisë.

Mësimi, arsimimi, marrja e diturisë është bërë farz, detyrim fetar për çdo musliman mashkull dhe femër, burrë dhe grua. Nga Profeti kanë dalë shumë hadithe që i mbështesin dhe përforcojnë këto ajete. Le t’ia paraqesim vëmendjes suaj disa prej tyre:

“Kush e dëshiron këtë botë, të kapet fort pas diturisë; kush e dëshiron ahiretin, botën tjetër, të kapet fort pas diturisë; edhe ai që i dëshiron të dy botët, të kapet fort pas diturisë!”

“Dituria dhe urtësia janë malli i humbur i muslimanit. Merrini ato kudo që t’i gjeni!”

“Kërkojeni diturinë sikur edhe gjer në Kinë!” Nuk ka dyshim se, këtu, me fjalën “Kinë” është dashur të thuhet “edhe në skajin më të largët të botës”.

“Kërkojeni diturinë nga djepi gjer në varr!”

“Pozita e diturisë dhe dijetarit është pozita më e lartë!”

“Dijetarët e ummetit tim janë si profetët e të bijve të Izraelit!”

“Boja e penave të dijetarëve është më e çmuar se gjaku i dëshmorëve!”

“Atij që udhëton për të fituar dituri, Allahu i tregon rrugën e xhennetit!”

“Një orë meditim mbi gjërat e krijuara nga Allahu, është më e lartë se adhurimi suplementar në gjashtëdhjetë vjet!”

“Kush tregon respekt ndaj diturisë dhe dijetarëve, tregon respekt ndaj meje!”

“Atij që niset për udhë për të marrë dituri, Allahu i Lartë ia bën të lehtë rrugën e xhennetit. Meqë u pëlqejnë ata që mësojnë dituri, engjëjt ua hapin krahët atyre. Qeniet që ndodhen në qiej e në tokë, madje, edhe peshqit në ujëra, i luten Allahut që t’i falë dijetarët! Epërsia e një dijetari ndaj dikujt që merret vetëm me adhurim, është si epërsia (në ndriçim) e hënës pesëmbëdhjetë ndaj yjeve të tjerë! Dijetarët janë trashëgimtarë të profetëve. Profetët nuk kanë lënë trashëgim ar e argjend, por vetëm dituri. Ja, pra, personi i cili merr nga ky trashëgim diturie, fiton një dhunti shumë të madhe!”

Këta dhe hadithe profetike të tjera, të ngjashme, po qe se shkruhen ashtu siç duhet, përbëjnë një vëllim të konsiderueshëm.

Si rrjedhojë e drejtpërdrejtë e faktit që dituria nxitet, inkurajohet dhe trajtohet me kaq interesim në botëkuptimin islam, një popull primitiv i cili i groposte përsëgjalli vajzat e mitura duke mos respektuar asnjë parim njerëzor dhe në jetën e të cilit nuk mungonin kurrë grabitjet, grindjet dhe konfliktet gjithashtu duke mos njohur asnjë rregull dhe kufizim, një popull, pra, kaq primitiv, pasi e pranoi Islamin dhe u nderua me të, brenda një kohe të shkurtër pas këtij ndryshimi në bindjet e veta, arriti në historinë e diturisë dhe shkencës një zhvillim mrekullor, gjë që dëshmohet dhe konfirmohet me shembuj të panumërt të historisë.

Zhvillimi mrekullor në fjalë qe i tillë, saqë edhe qytetërimi i sotëm perëndimor u detyrohet dijetarëve islamë për zhvillimin që pati arritur. Për ta rrokur dhe kuptuar këtë, mjafton t’u hidhet një vështrim sipërfaqësor, madje, koncepteve dhe terminologjisë themelore të shkencave pozitive (të natyrës dhe atyre ekzakte). Dhe atëherë do të shihet se të gjitha emërtimet e koncepteve dhe termave janë fjalë arabishte pavarësisht nga ndryshimet fonetike që kanë pësuar. Por ç’është nevoja? Këtë të vërtetë e pranojnë edhe shumë shkencëtarë perëndimorë të matur e të arsyeshëm!

Njëri nga këta, Sigrid Hunke, në veprën e tij të hollësishme, pasi tregon gjerë e gjatë se në Botën Perëndimore fanatike të Mesjetës, vetëm Venediku lejohej në mënyrë të posaçme të kishte lidhje dhe takime me muslimanët, për pasojë, ndërsa pasuroheshin me tregtinë e Lindjes, venedikasit e bartën në Evropë edhe “barrën” e kulturës islame, e përfundon veprën e vet me këto fjali:

“Prerja e lidhjeve dhe marrëdhënieve reciproke madhështore mes Lindjes dhe Perëndimit, shkaktoi lindjen e përfundimeve seriozisht shqetësuese dhe ogurzeza. Mbyllja në vetvete mendërisht ndaj botës islame e ktheu shumë shekuj pas zhvillimin ekonomik dhe kulturor të Evropës. Pavarësisht nga ndalimet ligjore dhe armiqësia zyrtare, qysh nga çasti që Perëndimi u hap ndaj Botës Arabe dhe tregtisë së Orientit, filloi të zhvillohej ekonomikisht. Në këtë mes, Perëndimi, për sa i përket teknikës, shëndetit, higjienës dhe organizimit shtetëror, shfaqi afërsi dhe afinitet ndaj pasurive të kulturës së përgjithshme të Qytetërimit Islam, dalngadalë e futi në dorë trashëgimin mendor-intelektual të tij. Për rrjedhojë, duke shpëtuar nga një etapë përgjumjeje dhe mpirjeje, më në fund, me krahët e veta, filloi një ngjitje të pashembullt. Natyrisht, Perëndimi mori nga Qytetërimi Arab (në të vërtetë, Islam) frymëzime të vogla të panumërta, por me rëndësi, jo vetëm në fushat e dijes dhe shkencave, por, në këtë mes, në të gjitha fushat e jetës, si dhe në arte, të cilat ia bënë jetesën më të pasur, më të bukur, më të shëndetshme dhe më të lumtur.

Armiqësia dhe fanatizmi fetar janë bërë gjithmonë udhërrëfyesit më të këqinj të kombeve dhe popujve, janë bërë armiqtë që ua kanë penguar dhe vështirësuar jetesën dhe zhvillimin. Kombet dhe popujt mund të arrijnë zhvillime energjike të jashtëzakonshme vetëm në kushtet dhe mjedisin e respektit dhe përfitimit të dyanshëm, të afrimit botëror dhe konkurrencës miqësore. Pavarësisht nga historia e çuditshme e përvijuar nga neveria dhe afrimi, nga armiqësia dhe admirimi, pavarësisht nga urrejtja dhe mosbesimi, marrëdhëniet mes Qytetërimit Islam dhe Perëndimit, prej të cilave Bota ka përfituar shumë, këto marrëdhënie shumëfrontëshe që ky libër u përpoq t’i përcaktonte, më në fund, fituan miratimin e merituar!”

Dhe, tani, le t’ju paraqesim juve një vlerësim të shkurtër mbi përfundimet, në arritjen e të cilave ndikoi kjo vlerë që i jepet dijes dhe diturisë në botëkuptimin islam.

“Edhe mongolët, madje, të cilët u përpoqën ta asgjësonin qytetërimin islam, të cilët digjnin bibliotekat kudo që u shkelte këmba, sapo që bëheshin muslimanë, bëheshin mbrojtës të dijeve, diturive dhe shkencave. 

Janë shkaqet fetare, si detyrimi fetar për ta vizituar Mekën, ndjenja e përgjegjësisë vetiake për të bërë udhëtime edhe në vendet më të largëta, madje, me qëllim për të marrë dituri, si dhe ndjenja e përgjegjësisë për të vënë ligje të veçanta për çdo vend dhe shtet të triumfuar, që i bënë muslimanët që, pa e lexuar ende librin e gjeografisë të shkruar nga Batliamus, të bëheshin iniciatorë të parashtrimit të shkencës së gjeografisë dhe kompilimit të saj.

Detyrimi fetar i faljes së namazit të pesë kohëve në ditë nxirrte në shesh në çdo vend çështjen e përcaktimit të legjislacionit kohor astronomik dhe, kështu, i shtynte muslimanët të kryenin hulumtime dhe analiza mbi lëvizjen e diellit dhe hënës. Ja, pra, me anë të të gjitha detyrimeve dhe domosdoshmërive fetare, qysh në shekullin VII të erës sonë, muslimanët u muarën me legjislacion, moral-etikë, politikë dhe tregti, bënë kërkime dhe shqyrtime në shkencat matematike dhe filozofike. El-Mansuri si dhe el-Me’muni që eci në rrugën e tij, grumbulluan dijetarët, shkencëtarët dhe përkthyesit dhe ngritën biblioteka, medrese dhe akademi.

Këto institucione ishin të hapura në çdo qytet për këdo. Ata i paguan përkthyesit me aq flori sa ç’peshonin veprat që i përkthyen në arabishte nga greqishtja, sirianishtja dhe sanskritishtja. Bagdati dhe qendra të tjera islame u bënë djepi i shkencave të moralit, jurisprudencës, politikës, filozofisë, astronomisë, matematikës, biologjisë, muzikës, letërsisë, sociologjisë, etj. Nga çdo anë e botës shkonin studentë për të marrë mësim, për të studiuar në Bagdat, Kajro dhe Kordovë.

Krishterët e ardhur nga skajet më të largëta të Evropës, vazhdonin mësimet në medresetë islame. Disa burra të shquar që qenë ngritur më pas gjer në pozitën e kryetarit të Kishës, patën studiuar në medresetë islame. Antiokia dhe Harrani ishin qendrat më me rëndësi të shkencave mjekësore. 

Meqë muslimanët e konsideronin mësimin dhe njohjen e të gjitha diturive dhe shkencave në qendrat e ndryshme të botës, si detyrime fetare, me punët dhe përpjekjet që bënë në këtë drejtim, brenda një kohe të shkurtër edhe i përkthyen ato dituri dhe shkenca në gjuhët e tyre dhe i përhapën në të gjithë vendin, edhe autorët e tyre i kaluan shumë herë, edhe duke iu bërë atyre diturive dhe shkencave zbulime gjithnjë e më të reja, si dhe, për rrjedhojë, duke u vënë vulën e Islamit, i shndërruan ato vepra në një trajtë të posaçme për qytetërimin islam.

Eshtë si rrjedhojë e kësaj që, kur evropianët u nisën për t’i ringjallur shkencat greke, mbetën të detyruar t’i përcillnin dhe përkthenin nga arabishtja të kombinuara me bojë islame. Traktatet që pati shkruar Ebu Bekr Muhammed ibni Dhekerijja er-Razi (vd. 923 e.r.) mbi variolën dhe fruthin i pati lexuar tërë bota dhe pati përfituar prej tyre. Raziu pati shkruar 200 traktate mjekësore, nga të cilat një pjesë u përkthyen në latinishte dhe u shtypën në Venedik më 1510.

Njëzet vëllime mbi mjekësinë të shkruara nga Ali ibni Abbasi i cili qe bërë i famshëm pesëdhjetë vjet më pas se Raziu, u përkthyen në latinishte më 1227 dhe u shtypën në Lion më 1523. Krahas mjekut musliman Ibni Sina i cili pati marrë titullin “reis”/“maestro” dhe Ebul Kasemit, mund të përmenden edhe shumë dijetarë të tjerë të mëdhenj. Operacioni që pati bërë Ebul Kasemi për nxjerrjen e gurit të veshkave është identik me po atë operacion që bëhet sot nga kirurgët më të përparuar në atë fushë. Eshtë i njohur fakti që vepra “el-Kanun” e Ibni Sinait qe studiuar për shekuj të tërë në universitetet dhe fakultetet mjekësore të Evropës. Janë të mahnitshme veprat që shkroi Biruni mbi filozofinë, matematikën, topografinë, mjekësinë, kiminë dhe indologjinë. Me librat që shkruan mbi të gjitha degët e diturive dhe shkencave, aq sa me to të mbusheshin biblioteka të tëra, si dhe me zbulimet e reja që bënë, dijetarët islamë i bënë shërbimin më të madh njerëzimit dhe ngritjes lart të qytetërimit.”

Veprat e pavdekshme të gjenive të tillë, si Farabiu, Ibni Sinai, el-Kindi, er-Raziu, Ibni Ruzhdi, Gazaliu, Tusiu dhe Musa Biraderler, janë plot me parime dhe metoda që mund ta lartësojnë me plot kuptimin e fjalës një komb, që mund ta bëjnë të aftë një brez për çdo lloj zhvillimi e përparimi. Të gjithë këta e patën marrë shtytjen dhe frymëzimin nga feja islame, sepse feja islame i cilëson si adhurimin më të madh punët dhe përpjekjet në këtë rrugë.

Tani, ta lëmë Lindjen me të gjitha medresetë, bibliotekat, observatorët, historianët, me letërsinë, artin dhe fabrikat, dhe le të shkojmë në vende të tjera. Do të shohim se ai që e pati shpikur lavjerësin e orës, që në pallatin e sundimtarëve të Siciljas pati bërë hartën-reliev të botës mbi një tabelë argjendi të rëndë 800 batman (800×8 okë) ku i pati shënuar në arabishte pjesët e njohura të Evropës, qe një musliman. Mbreti sicilian Frederiku II merrte në pallat fëmijët e filozofit islam Ibni Ruzhd dhe mësonte prej tyre botanikë dhe biologji. Ka qenë një dijetar islam ai që e ka pasë parashtruar së pari metodën e provës dhe eksperimentit në shkencat e natyrës. Sipas pohimit edhe të të famshmit amerikan Draper, janë gjithashtu muslimanët që e kanë provuar të parët lavjerësin në sahatët e varur. Botimi dhe përhapja në Evropë e veprave të shkencës së Astronomisë i përket periudhës pas përkthimit në latinishte të veprave të Ferganallë Mehmetit. Observatori i parë në Evropë është ngritur nga muslimanët. Por sa keq që, pas përzënies së muslimanëve nga Andaluzia, spanjollët që s’e kuptonin dot se përse duhej ajo, e kthyen observatorin në kambanore!

Muslimanët e zbuluan të parët artin e farmaceutikës. Prej tyre u përhapën ligjet e përgatitjes së ilaçeve. Pa asnjë dyshim, kimia si shkencë është zbulim i muslimanëve. Ebu Musa Xhabiri nga Tarsusi është ati i kimisë moderne. Epoka që hapi ai në botën e kimisë është e rëndësishme po aq sa epoka që hapën Bristley dhe Lavuazje. Edhe sot, evropianët përfitojnë nga metodat e këtij kimisti të madh të Orientit. Disiplina mjekësore e kirurgjisë pati patur zhvillimin dhe përhapjen më të madhe. Janë muslimanët ata që kanë treguar se si përdoren instrumentat kirurgjikale, që kanë zbuluar inflamacionin peritonik, acidin sulfurik, që e kanë përdorur barutin për shumë qëllime dhe për të hedhur gjërat e rënda, etj. Edhe në tregti dhe art, muslimanët patë shkuar para aq sa t’ia ndryshonin formën jetës. Ata prodhonin letër nga mbeturinat e tekstilit dhe pambuku. Letra e prodhuar në fabrikat e muslimanëve patën shkuar në shek. XIII nga Spanja, në Francë, Angli, Itali dhe Gjermani.

Mes vendeve islame u hapën rrugë tregtare dhe udhëtimi. Gjatë rrugëve u ndërtuan cisterna uji, u ngritën ndërtesa apo zyra postare. Kështu, u lidhën mes tyre Andaluzia, Marakeshi, Algjeria, Tunizia, Egjipti, Sudani, Arabia, Irani, Rusia, India, Kina, Kufa, Basra, Siria dhe Iraku dhe, të gjithë bashkë, u lidhën me Mekën dhe Medinën.

Qytetet madhështore që ngritën muslimanët, shkollat, medresetë, spitalet, institucionet e tjera shkencore dhe asistence sociale, artet e bukura patë arritur kulme veçanërisht në Granadë nga kreu i shek. XIII, gjer në mesin e shek. XV. Në periudhën e pushtetit islam, Toledo kishte dyqind mijë banorë, kurse në Ishbilije kishte 6000 tezgjahe vetëm për endjen e mëndafshit. Muslimanët u jepnin rëndësi të jashtëzakonshme shkollave të përgjithshme dhe të specializuara. Në bibliotekën e Hakem Ibni Abdurrahmanit kishte 400 000 vëllime libra. Kur vendi kaloi në duar të krishterëve, kardinali Aksiminis dogji 80 000 libra në sheshet e Granadës. Udhëtari Ibni Bendi thotë se në vitin 1140, në Kajro kishte 60 000 vepra vetëm mbi matematikën dhe astronominë, kurse një tjetër thotë se ka parë dy kërriça apo mëza të Abdurrahman Sofiut. Muslimanët qenë marrë jo vetëm me një formë të qytetërimit, por me të gjitha degët e tij dhe ashtu siç e patën treguar epërsinë e tyre në të gjitha dituritë dhe shkencat, e patën treguar edhe në muzikë.

Përfitimi në mënyrë legale nga çdo lloj bukurish dhe kënaqësish të botës ishte një nga urdhrat e hapur të Islamit dhe ata që ua patën mësuar evropianëve shumicën e këtyre, patën qenë muslimanët e Andaluzisë. Pastërtia është një nga kushtet bazë të Islamit. Prandaj muslimanët nuk mund të vishnin rrobat e ndyra dhe trashanike të Evropës. Me të vërtetë, në ato kohë, gjërat që evropianët i mbanin për rroba dhe i vishnin, përbëheshin prej grumbuj paçavrash të ndyra e të mbushura me fole morrash. Evropianët e mësuan nga muslimanët të vishnin ndërresa prej pambuku apo kambriku.

Ja, pra, ndërsa muslimanizmi që e kumtoi Hz. Muhammedi, ecte me hapa të tilla vigane në fushat e diturisë, shkencës, kulturës, përparimit dhe qytetërimit duke i dhënë botës një jetë të re, krishterizmi dhe ata që e përfaqësonin atë, e asgjësonin shkencën dhe filozofinë dhe, duke thënë se “injoranca është nëna e besnikërisë”, i ndëshkonin dijetarët me dënimet më të rënda. Në periudhën e shfisnikërimit dhe regresit që vazhdoi për shekuj të tërë në Evropë, Islami dhe muslimanizmi u bënë flamur i përparimit dhe rinovimit. Ndërsa në Evropë shkencëtarët e vërtetë digjeshin në zjarr, ndërsa Evropa binte në gjunjë para xhindve dhe u falej atyre, adhuronte paçavuret dhe copat e eshtrave, në vendet islame dituria dhe kultura gëzonin respektin dhe konsideratën më të lartë!

Liria e mendimit, liria e ndërgjegjes, liria e fjalës dhe e veprimit të shpallura me një sërë synimesh të posaçme me Deklaratën e të Drejtave të Njeriut në Evropë vetëm në shek. XVIII, qenë shpallur nga Islami dymbëdhjetë shekuj më parë!

Por sa keq që ky qytetërim që sendërtoi Islami u asgjësua, nga njëra anë, nëpërmjet sulmeve të egra të turmave barbare të kryqtarëve dhe, nga ana tjetër, me duart e krishterëve që zunë vendin e muslimanëve të larguar nga Andaluzia. Muslimanët e patën kthyer Spanjën në xhennet, kurse krishterët e shndërruan në shkretëtirë! Muslimanët e patën mbushur Spanjën me institucione shkence dhe arti, krishterët e mbushën me kisha për t’iu falur ikonave të shenjtorëve! 

Kulturës që sendërtuan muslimanët në Spanjë, iu vu zjarri. Burrat, gratë dhe fëmijët muslimanë u vranë, u dogjën ose u kthyen në robër kolektivisht, kurse ata që mundën të mbeteshin gjallë, u përhapën si lypësa nëpër brigjet e Afrikës. Të tilla qenë edhe barabaritë e kryera në Afrikën lindore dhe veriore nga hordhitë e kryqtarëve të shtyrë nga priftërinjtë armiq të diturisë dhe kulturës. Edhe këto hordhi, në ato vende ku arrinin, digjnin bibliotekat, kurse qendrat e kulturës dhe artit i kthenin në rrënoja.”

“Po qe se Islami do t’i bëhej pengesë zhvillimit dhe përparimit, a do të kishte mundësi që, në kohën më të fuqishme të Islamit, të arrihej kjo ngjitje e shpejtë dhe mahnitëse në të gjitha degët e diturisë, zhvillimit dhe përparimit të këtij qytetërimi madhështor?

Fakti që vendet islame përparuan kaq shumë dhe brenda një kohe kaq të shkurtër në fushën e diturisë, shkencave dhe qytetërimit, a nuk tregon se me ç’shpejtësi feja islame, duke i shpëtuar menjëherë nga primitiviteti një sërë popujsh primitivë, i nxori në fushën e një qytetërimi vlerash dhe se fryma e Islamit e kishte të nevojshme një gjë të tillë? Po qe se Islami nuk do të urdhëronte, nxiste dhe inkurajonte në këtë rrugë, sigurisht që asnjëra prej këtyre nuk do të realizohej. Kjo, në të njëjtën kohë, shpjegon edhe këtë që regresi dhe dobësia që kanë pësuar muslimanët në shekujt e fundit është pasojë e drejtpërdrejtë e faktit që  muslimanët u larguan nga kjo frymë fisnike dhe jetëdhënëse e Islamit, nga kjo frymë diturie dhe iluminizmi dhe u larguan, veç të tjerash, edhe nga ndikimi dhe presioni i formave dhe mënyrave të ndryshme të evropianëve mbi ta!

Ata që pretendojnë herë pas here se muslimanizmi është armik i dijes, diturisë, qytetërimit, se muslimanët janë të paaftë për të vrapuar në garë me popujt e tjerë në fushën e jetës, po ta njihnin të vërtetën e muslimanizmit ose po ta shqyrtonin historinë e Islamit duke u shmangur nga ndjenjat armiqësore ndaj tij, nuk do të vononin ta kuptonin se sa turpërues, sa ta skuq fytyrën konkluzioni që kanë dhënë ose po japin. Siç ka thënë një mjeshtër i nderuar (M. Şemseddin Günaltay, Zulmetten Nura), është diçka për të ardhur keq që, në çështjen e zhvillimeve dhe përparimeve shkencore, qytetërimi evropian kërkon ta harrojë  mirënjohjen për faktin që u detyrohet muslimanëve. Megjithëse mendimtarët më të çmuar e të paanshëm të Evropës dhe Amerikës e pohojnë këtë të vërtetë, cilësimi i fesë islame me fanatizëm apo me ndonjë synim tjetër, si pengesë për zhvillimin, i ngjet mohimit të diellit mu në mesditë!”

Edhe nëse autori shprehet kështu duke u mbështetur në të vërtetat historike, për fat të keq, veçanërisht në vendin tonë, qysh nga dita kur filloi “lëvizja e oksidentalizimit” feja e lartë islame është treguar si “penguese e zhvillimit dhe përparimit” dhe ky pretendim pa bazë ende sot, madje, nuk është eliminuar.

Në Botën Perëndimore, për më tepër në krishterizmin e korrigjuar dhe në përfundim të luftës me pqriftërinjtë fanatikë, anëtarë të tij, përballë zgjimit ideor evendual dhe përparimit teknik, disa gjysmintelektualët tanë të paaftë për ta bërë llogarinë Lindje-Perëndim, janë rrëmbyer nga një kompleks inferioriteti i tmerrshëm dhe kanë rënë një vorbullën e një dyshimi të thellë. Pa asnjë dyshim, një pjesë, janë shpallur armiq të Islamit (!) prej personave zyrtarë dhe kompetentë me pretendimin e shërbimit në emër të popullit, në kuadrin e këtij kompleksi inferioriteti ku luajnë rol edhe sugjerimet, nxitjet, inkurajimet, madje ndihmat materiale, në sfondin edhe të një disfate ushtarake shpesh vepër tradhtie.

Sot është seriozisht e vështirë ta përcaktosh prerazi nëse duhet treguar dhembshuri aho zemërim ndaj mungesës së sinqeritetit ose injorancës në qëndrimin dhe sjelljen e shumë gjysmintelektualëve tanë të cilët, me mendjen e tyre – për shkaqe demokratike – thonë: “Islamit, po, sheriatit, jo!”

Edhe pse, së bashku me kalimin në demokraci, qëndrimi negativ që kanë vendosur të mbajnë kundër kërkesave fetare të popullit dhe kryeneçësia dhe këmbëngulja e tyre në këtë qëndrim e kanë shndërruar pushtetin në një lloj “molle të ndaluar”, ende vazhdojnë veprimtaritë e tyre në lidhje një sërë “forcash të fshehta dhe të ndërhyrjes së shpejtë”. Vetëm se, meqë, në fund të fundit, në kuadrin e ballafaqimit të forcave botërore, nuk do të mund ta ndërpresin zhvillimin e demokracisë, është jashtë çdo diskutimi se, në fund fare, populli ka për të dalë fitues dhe atëherë çdokush do ta pranojë dhe pohojë se “sheriati” nuk është diçka e ndarë dhe më vete nga Islami.

Në këtë sendërtim, edhe fakti që zhvillimet dhe zbulimet shkencore do të bëhen më të qarta e të kuptueshme nga kushdo në çdo etapë të së vërtetës që ka ardhur dhe vjen gjithmonë e më shumë duke e mbështetur Kur’anin, mendojmë se do të luajë një rol ndikues dhe efektiv.

Prandaj, duke i dhënë fund kësaj teme ku parashtruam lidhjen e botëkuptimit islam me diturinë dhe shkencën, duhen përcaktuar edhe dy specifikat si më poshtë:

1) Në çdo çështje me të cilën kanë lidhje ose së cilës i përkasin, dogma (ajetet dhe hadithet) janë në përputhje të plotë me të vërtetat diturore (shkencore) që njihen aktualisht ose që do të njihen në të ardhmen.

2) Gjatë gjithë kohëve, botëkuptimi islam është ndodhur para zbulimeve, zhvillimit dhe përparimit shkencor.

Nuk duhet të jetë e vështirë të parashikohet se, në një të ardhme të afërt, kur këto dy cilësi do të dalin në shesh qartazi, fati i Islamit do të ndryshojë edhe në vendin tonë, madje, edhe në të gjithë botën!

Copyright © 2026 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim