Meqë bota është një vend sprove, njerëzit kanë aftësi (kapacitet) dhe prirje edhe për të mirë, edhe për të keq. Personaliteti i njeriut formësohet sipas mundësisë apo mundësive që nxiten, forcohen e dalin në plan të parë tek ai.

Dhënia një gotë ujë nga dikush dikujt tjetër edhe pa qenë i detyruar për një gjë të tillë, lind një borxh (detyrim) falënderimi, gjë që pranohet si një çështje ndërgjegjeje dhe humanizmi. Ndërkaq, ky kriter na kujton neve se në çfarë atmosfere ndjenjash mirënjohjeje e falënderimi duhet të jetojmë përballë të mirave të panumërta që na ka dhënë Zoti! Kështu, mosmirënjohja e njeriut për të mirat hyjnore përkundër prirjeve të natyrës së tij, si injoranca, epshi, mendjemadhësia, krenaria, lakmia, koprracia, zilia, shpërdorimi dhe zemërimi, është një vetëmashtrim i madh që lëshon hije mbi të si një qenie esencialisht e nderuar.

Është për shkak të këtij vetëmashtrimi që mëkatet, si rezultat i dëshirave të verbra të  egos ia minimizojnë herë pas here njeriut nderin dhe dinjitetin njerëzor dhe bëhen shkak për ndotjen e shpirtrave me të zezën e gjynahut.

Njerëzit i kryejnë gjynahet gjithmonë në raport me sa bien të mundur nga ndjenjat egoiste dhe me sa u zbehen ndriçimet frymëzuese të besimit.

Me të vërtetë, me t’u pakësuar mbështetja morale në ndërgjegje, mendimi i hollë dhe thellësia shpirtërore humbasin dhe del në shesh një dobësi serioze lidhur me aftësinë e orientimit. Gjynahet, egove u vijnë të këndshme si një muzikë e ëmbël dhe mund të kryhen duke mos u ndjerë pothuajse fare pesha e tyre.

Ndërkaq, njeriu, duke lindur, ka ardhur në botë i pastër e i pafajshëm. Edhe feja është një shfaqje mirësie e mëshire nga ana e Zotit për ta ruajtur këtë pastërti kongjenitale. Për rrjedhojë, nëse njeriu arrin të hapë perdet e indiferentizmit në sajë të këtyre dy motiveve, nis të ndiejë në ndërgjegje peshën e fajit të kryer. Ndjenja e virtytit në qenien e tij të brendshme, zgjohet dhe me zemër të kapluar nga një pendim i thellë, i djegur dhe i përlotur, ngre duart kah Zoti. Ja, pra, kjo ngritje duarsh dhe përgjërimi që del prej zemrave, quhet kërkim faljeje.

*

Njohja e faktit që gjynahu, madje edhe indiferentizmi janë faj, është tregues urtësie. Kurse kërkimi i faljes nga Zoti është një borxh për ndërgjegjen njerëzore.

Të mos e dish se gjynahu është faj dhe të mos e kuptosh domosdoshmërinë e të hequrit dorë prej gjynahut, është një tregues i falimentimit të zemrës dhe i rrugës për në xhehenem.

Në një hadith fisnik thuhet:

“Keqardhja (që ndjehet) nga bërja e një gjynahu, është pendim (teube). Kush pendohet për gjynahet e bëra, është sikur nuk i ka bërë fare ato.” (Ibn Maxhe, Zuhd, 30.)

Për pranimin e pendimit, nuk mjafton vetëm shqiptimi me buzë i fjalës “estagfirullah!” (Më fal, o Zot!) por, është e domosdoshme që me zemër të dridhur, të premtohet se nuk do të përsëritet më i njëjti gabim.

 

Poeti Xhelaleddin Rumiu, pendimin (teuben), e përshkruan, me këto fjalë:

“Pendohu me zemrën mbushur plot me zjarrin e keqardhjes dhe me sy të lagur! Sepse lulet çelin aty ku ka diell e lagështirë!..”

Pendimi dhe kërkimi i faljes, i çon individët dhe shoqërinë në shpëtim dhe i ruan ata nga fatkeqësitë që mund të vijnë.

Besimtari duhet të jetojë mes frikës dhe shpresës (hauf dhe rexha).

Nëse do të thoshin: “Vetëm një person ka për të hyrë xhehenem”, besimtari duhet të mendojë me frikë, “a mos jam unë ai?” E nëse thonë: “Vetëm një person ka për të hyrë në xhenet”, ai përsëri duhet të mendojë me shpresë, “a mos jam unë?”.

Edhe profetët kanë bërë gabime pa dashje dhe për rrjedhojë, kanë jetuar në ankthin e atij gabimi duke u penduar dhe kërkuar falje. Kështu, ata kanë shijuar dobësinë njerëzore. Sepse epërsia absolute i takon vetëm Allahut. Vetëm Ai është i përjashtuar dhe i pastër prej pagabueshmërisë dhe dobësisë.

*

Njeriu i parë që ka bërë pendim, është Ademi (a.s.) së bashku me nënën tonë Hava. Pendimi i tyre është aq i lartë, sa ka zënë vend edhe në Librin e Allahut, Kuranin Fisnik:

“O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.” (A’raf, 23)

Kjo lutje, është një model pendese për brezat pasardhës gjer në Kiamet.

*

Një pjesë e ajeteve të Kuranit, të cilat i ftojnë njerëzit të bëjnë pendesë e të kërkojnë falje prej Zotit, janë si më poshtë:

“Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë. Ndërsa, ai që pendohet dhe bën vepra të mira, është i kthyer krejtësisht nga Allahu.” (Furkan, 70-71)

“Allahu dëshiron që t’jua pranojë pendimet tuaja, por ata që jepen pas epsheve, dëshirojnë që të largoheni krejtësisht nga udha e drejtë!” (Nisa, 27)

Vetëm se, pendesa duhet të jetë me gjithë zemër:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا تُوبُوا إِلَى اللَّـهِ تَوْبَةً نَّصُوحًا عَسَىٰ رَبُّكُمْ أَن يُكَفِّرَ عَنكُمْ سَيِّئَاتِكُمْ

“O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t’jua shlyejë gabimet!..” (Tahrim 8)

*

Edhe sikur të bëhen përpjekje për të mbetur krejtësisht larg gjynahut, i cili është kundërshtim ndaj urdhrave hyjnorë, askush nuk mund të mbetet i përjashtuar prej pendesës, për faktin se është e pamundur të falënderohen denjësisht të mirat e Zotit. Dobësia njerëzore në këtë çështje vlen për të gjithë njerëzit. Nëse  njeriu arrin të falënderojë ashtu siç duhet, edhe kjo është një mirësi më vete për të cilën kërkohet një tjetër falënderim. Në këtë mënyrë, borxhi i falënderimit mbi njeriun, do të vazhdojë deri në pafundësi.

Me të vërtetë, të mirat e Zotit janë aq të shumta e të panumërta, sa që falënderimi ynë kurrë nuk mund të jetë i mjaftueshëm. Në Kuran urdhërohet:

“Ai ju jep gjithçka që i kërkoni. Edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë e Allahut, nuk do të mund t’i numëroni dot. Njeriu është vërtet i padrejtë dhe mosmirënjohës.” (lbrahim, 34)

Aishja (r.a.) i ka thënë Muhamedit (s.a.v.):

“O i Dërguari i Allahut! Allahu t’i ka falur të gjitha gjynahet e së shkuarës e të së ardhmes, prandaj mos e mundo kaq shumë veten!”. Ndërsa ai i është përgjigjur:

“O Aishe! A të mos jem një rob që e falënderon Zotin e vet!?” (Buhari, Tehexhxhud, 6; Muslim, Munafikin, 81)

Në të shumtën e rasteve, pendimi dhe kërkimi i faljes që bënte Profeti ynë (a.s.), nuk ishte për shkak të ndonjë gabimi, por për shkak të dëshirës për t’u afruar sa më shumë me Allahun, për ta falënderuar sa më shumë Atë dhe për të fituar kënaqësinë e Tij. Përveç kësaj, për shkak se Profeti ynë (a.s.), ndodhej çdo moment në një ngritje shpirtërore, ai pendohej dhe kërkonte falje për gjendjen e tij të mëparshme.

Koha më e çmuar e pendimit dhe kërkimit të faljes, është koha para agimit. Ashtu siç shpërndahen errësirat pas agimit, ashtu edhe pendimi para agimit përgatit shpëtimin tonë nga errësirat e gjynaheve, duke na nxjerrë në dritën e agimit të lumturisë së faljes së ndritur.

 

Share.

Leave A Reply