Për një fjalë të bukur
Njeriu, që është një qenie e dobët dhe e pafuqishme, gjatë gjithë historisë ka ndjerë nevojën e strehimit dhe zotërimit. Me nevojën e strehimit ka plotësuar anën e tij të vogëlsisë dhe paaftësisë. Ndërsa me ndjenjën e zotërimit ka dashur…
Publikuar:

Njeriu, që është një qenie e dobët dhe e pafuqishme, gjatë gjithë historisë ka ndjerë nevojën e strehimit dhe zotërimit. Me nevojën e strehimit ka plotësuar anën e tij të vogëlsisë dhe paaftësisë. Ndërsa me ndjenjën e zotërimit ka dashur të kënaqë dobësitë e nefsit. Pikërisht, ana e nefsit të njeriut, i cili është krijuar nga balta, e tërheq atë drejt tokës (fitimeve të pritshme e shterpa) që është gjithmonë e ulët. Ndërsa shpirti që Zoti i botëve i ka fryrë, e drejton njeriun në vepra të larta e fisnike.
Duke bërë vazhdimisht zgjedhje sipas dëshirës së tij mes këtyre dy poleve, njeriu që e bën të qartë vendin e tij, në shumë raste mjaftohet me të dukshmen dhe e harxhon gjithë jetën e tij për pasuri dhe fitime. Si Nemrudët që e shpallën veten posedues të gjithë sipërfaqes së tokës apo si Karunët që mjaftoheshin e lumturoheshin me sarajet dhe thesaret e tyre… Ndërsa sahabet, dijetarët, fetarët e drejtë, të gjithë këta me në krye Pejgamberët, investimet e tyre nuk i kanë bërë për ambiciet e tyre kalimtare, por për pasuritë e përhershme që ngrihen në Arsh.
Ashtu si Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, e pa të shkurtër jetën e kësaj bote, sa të ulesh e të pushosh nën një pemë e pastaj të ngrihesh; por Ai e zbukuroi atë vend me veprat dhe me fjalët më të bukura. Si rezultat i këtyre bukurive, armiqtë u bënë miq dhe me dashurinë e sinqertë ndaj “Të dashurit” ranë në shtratin e vdekjes.
Këto bukuri nuk kanë rrethuar vetëm njerëzit që jetojnë së bashku, por të gjitha kohërat dhe popujt nga lindja në perëndim, nga fillimi deri në fund. Biri i Abdullahut, Muhamedi, salallahu alejhi ve selem, që ishte jetimi dhe i varfri i Mekës, sot është burimi më i madh pasuror i zemrave dhe jetës më fisnike.
Fjala
Fjala, që është dalluesi i njerëzve, është e shenjtë. Zoti i botëve, kur na bëri pyetjen e parë, na pyeti me dy fjalë; krijesat janë pranuar si besimtarë me një çift fjalësh. Për të hyrë në rrethin e Islamit, duhet një çift fjalësh. Për këtë arsye Allahu Teala një fjalë të bukur e shpreh si një pemë të bereqetshme rrënjët e së cilës janë thellë në tokë, degët i ka lart në qiell dhe që gjithmonë jep fruta. (shik. Ibrahim, 24-25)
Trupi i vdekshëm, i cili është zotërues i fjalës, edhe nëse ndahet nga jeta e kësaj bote, ajo fjalë gjithmonë do ta vazhdojë frytdhënien dhe riskun. Ashtu si tregimet dhe këshillat të cilat sot i japin jetë shpirtit tonë…
Kur ne jemi të pakujdesshëm kundrejt urdhrave të Allahut Teala, na bëhet shembull pendimi i Pejgamberit Adem (a.s.). Themi si ai me pendim dhe modesti:
“… O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.” (Araf, 23)
Në dhimbjet më të vështira e të padurueshme, ulemi te gjunjët e Jakupit, alejhisselam, mësojmë nga ai durimin dhe si ai gjejmë ngushëllim:
“…Tashmë ajo që më takon mua, është të duroj.” (Jususf, 18, 83)
Kur zotërojmë pasuritë dhe madhështitë e botës, falënderojmë ashtu si Sulejmani, alejhisselam, “… Kjo është misësia e Allahut…” (Neml, 40)
Fjala, kur thuhet, është e lidhur me kohën dhe vendin, por ajo ka aftësi t’i kapërcejë ato, duke u bërë udhërrëfyese edhe në kohë dhe vende të tjera. Çdo fjalë merret nën përgjegjësi dhe shënohet në regjistër. Ky është shkaku që në hadithin fisnik këshillohet:
“Ose flisni fjalë të bukura, ose heshtni.” (shik. Hakim, IV, 319/77.)
Përpjekja më fisnike e kësaj fjale aq të shenjtë dhe të rëndësishme; shpjegimi i Zotit të botëve dhe mesazheve të Tij; është zbatimi i “emr-i bil mâruf nehy-i anil munker”, pra “urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja”. Kështu pra Allahu që na do më shumë se ç’e duam ne veten tonë, dëshiron që asnjë nga robërit e Tij të mos jetë i trishtuar. Shfaq gjithmonë raste dhe hap dyer që të robërit të kenë mundësinë të fitojnë mirësitë që ka përgatitur në Xhenet. Madje një hapi të robit i përgjigjet me dhjetra hapa.
Prandaj ata që nuk dinë, i këshillon të mësojnë dhe të dëgjojnë, ndërsa atyre që dinë u bën të ditur fisnikërinë e të shpjeguarit dhe të mësuarit të tjerëve. Robërit të cilët mblidhen dhe lexojnë Kuran, ua lavdëron engjëjve. Atyre që mblidhen për kënaqësinë e Tij, ua fal të gjitha mëkatet akoma pa u larguar nga ai kuvend dhe i pastron ata nga papastërtia e çdo lloj mëkati. Atij që u mëson njerëzve një hadith fisnik, në Ditën e Kiametit ia zbardh fytyrën.
Një nga sahabët e nderuar me emrin Durre (r.a.), tregon:
“Një ditë, ndërkohë që Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, qëndronte në xhami, i shkova pranë dhe e pyeta:
“O i Dërguari i Allahut!.. Kush është më i devotshmi nga njerëzit?”
Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, tha:
“Ai që urdhëron më shumë për të mirë, ndalon më shumë nga e liga dhe që interesohet më shumë për të afërmit.” (Kenzu’l-Ummal, III/689.)
Ndërsa Enes bin Maliku i cili e kaloi të gjithë fëmijërinë dhe rininë pranë Pejgamberit, salallahu alejhi ve selem, thotë:
Në një nga bisedat e Tij, Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, ka thënë:
“A t’ju njoftoj për ata persona të cilët, edhe pse nuk janë pejgamberë apo shehidë, në Ditën e Kiametit profetët dhe dëshmorët do ta lakmojnë pozitën e tyre prej drite?”
Sahabët e nderuar pyetën:
“Cilët janë ata, o i Dërguari i Allahut?”
Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, tha:
“Janë ata persona të cilët ua bëjnë të dashur Allahun robërve dhe robërit ia bëjnë të dashur Allahut. Janë ata njerëz të cilëve u është ngarkuar detyra e predikimit mbi sipërfaqen e tokës.”
Kur ata pyetën sërish:
“O i Dërguari i Allahut! Ne e dimë mirë se si t’ia bëjmë të dashur Allahun robërve, por nuk dimë si mund t’ia bëjmë të dashur robërit, Krijuesit të tyre, Allahut! Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, tha:
“Ata i inkurajojnë robërit për gjërat që i do Allahu dhe i ndalojnë ata nga gjërat që Ai (xh.xh.), nuk i do. Dhe kur ata zbatojnë veçoritë që u tregohen, Allahu i do ata.” (Bejhaki, Shuanu’l-Iman, I, 367.)
Fitimi më i madh në jetën e kësaj bote dhe detyra më fisnike është t’u flasësh njerëzve për Allahun Teala, Zotëruesin e vërtetë të të gjitha mirësive që kemi, t’u tregosh për urdhrat dhe ndalesat e Tij dhe për shkak të kësaj të arrish kënaqësinë e Tij (xh.xh.). Dy fjalë që kemi mundur t’i mësojmë, janë kapitali ynë më i madh. Ashtu siç thuhet në suren el-Fatir, ajeti 10:
“Kush dëshiron lavdi e pushtet, ta dijë se e gjithë lavdia e pushteti i takojnë Allahut. Tek Ai ngjiten fjalët e bukura, ndërsa veprën e mirë Ai e ngre Vetë. Sa i përket atyre që kurdisin të këqija, ata do të kenë dënim të rëndë dhe dredhitë e tyre do të dështojnë.” (Fatir, 10)
Seher Ajdën

