Trupi, shpirti dhe jeta jonë shoqërore përfiton shumë gjëra me faljen e namazeve. Disa nga dobitë e namazit janë:

Namazi na mundëson që ta kujtojmë Allahun ashtu siç i ka hije Atij

Allahu i Lartë na njofton se “shpirtrat tanë do ta arrijnë kulmin e qetësisë vetëm duke e përkujtuar Allahun”.

Përkujtimi i Zotit që e duam më shumë se çdo gjë dhe përkujtimi i emrit të Tij, na e qetëson shpirtin dhe zemrën e ngushtuar duke i dhënë asaj prehje.

Rruga më e bukur për të kujtuar Allahun është falja e namazit. Çdo namaz që falim, na kujton Zotin tonë. Si rrjedhojë, namazi është një mirësi e madhe. Profeti ynë i dashur shpejtonte për ta kryer sa më parë dhe më mirë namazin, sepse ai e dinte shumë mirë vlerën e kësaj mirësie. Qetësinë dhe lumturinë që përjetonte duke e kujtuar Zotin me faljen e namazeve, ai e ka shprehur duke thënë: “Falja e namazit më bën të lumtur”.

Namazi na bën të kujtojmë ditën e llogarisë dhe të ahiretit

Në këtë botë, ka shumë gjëra që i bëjnë njerëzit të harrojnë botën tjetër. Njerëzit që harrojnë ahiretin dhe nuk mendojnë se një ditë do të japin llogari për gjithçka, mund të bëjnë çdo të keqe për interesin e vet. Atëherë është i nevojshëm një paralajmërues që t’ua kujtojë atyre ahiretin.

Namazet që falim me vetëdije dhe me kujdes na kujtojnë pesë herë në ditë Allahun, ditën e gjykimit dhe ahiretin, duke na larguar nga punët e këqija. Kështu nuk dëmtojmë as pasurinë e njerëzve të tjetër, nuk ua lëndojmë zemrën dhe as nuk ua cenojmë të drejtat.

Namazi na pastron nga gjynahet

Namazi është momenti i takimit tonë me Zotin. Kur falim namaz e dimë që kemi dalë para Allahut. Kur duam të bëjmë një punë që është gjynah, heqim dorë duke menduar se do të falim namaz dhe do të dalim para Allahut. Kështu pastrojmë zemrën nga mendimet dhe ndjenjat e këqija dhe organe të tilla si dorën dhe gjuhën nga sjelljet e këqija.

Namazi na mundëson të jemi të edukuar

Namazi është një mundësi shumë e mirë për të qenë të vetëdijshëm për gjynahet dhe gabimet e bëra si dhe për t’u penduar për to. Në sajë të namazit kërkojmë falje nga Zoti ynë. Ne dalim para Zotit pesë herë në ditë duke menduar se Ai është në dijeni të gjërave që bëjmë, prandaj dhe u kushtojmë kujdes sjelljeve dhe veprimeve tona. Kështu bëhemi njerëz të moralshëm.

Namazet e bëjnë ditën që jetojmë më të frytshme

Kur i falim namazet rregullisht, atëherë edhe ditën e planifikojmë sipas kohëve të namazeve. Akoma pa lindur dita, ngrihemi për të falur namazin e sabahut dhe kështu e fillojmë herët ditën. Ndërsa pjesa më e madhe e njerëzve janë në gjumë, ne kemi përfunduar një pjesë të punëve tona. Kështu, marrim pjesë nga lutja e Profetit tonë të dashur: “Zoti im! Begatoje kohën e agimit për bashkësinë time!”

Ne e kujtojmë Zotin dhe e prehim në pushim shpirtin tonë edhe në orët më të dendura me punë gjatë ditës, duke falur namazet e drekës dhe të iqindisë. Mes namazeve pushojmë, qetësohemi psikologjikisht dhe mbledhim energji për punët tona në vazhdim. Meqë punët i kemi kryer duke bërë pushime në mes, marrim më shumë përfundime pozitive prej tyre.

Me faljen e namazit të akshamit dhe të jacisë, ne bëjmë një llogari të ditës dhe më pas flemë të qetë duke menduar se i kemi plotësuar detyrimet si robër të Allahut.

Namazi na pajis me shprehinë e pastërtisë

Kur marrim abdes për të falur namazin, ne pastrojmë organet që ndoten më shumë në jetën tonë të përditshme. Ne i kushtojmë kujdes pastërtisë së trupit, të veshjes dhe të vendit ku do të falim namazin. Duke arrë abdes ne i pastrojmë dhe lajmë disa herë në ditë duart, fytyrën dhe këmbët. Këto na japin mundësi ta kthejmë pastërtinë në zakon.

Share.

Leave A Reply