Për shkak se Ibrahimi (a.s.), u tregua besnik lidhur me flijimin e të birit, Allahu i dha si shpërblim edhe një djalë tjetër megjithëse ishte plakur mjaft. Atë kohë, Ibrahimi ishte 120 vjeç, kurse Sara, 90 ose 99 vjeçe. Allahu i Madhëruar, ka urdhëruar:

 “Ne i dhamë atij lajmin e mirë për (lindjen e) Is’hakut, profet prej njerëzve të mirë. Dhe Ne e bekuam atë dhe Is’hakun, por midis pasardhësve të tyre, përveç punëmirëve, ka edhe të atillë që e kanë ngarkuar dukshëm veten me gjynahe.” (Saffat, 112-113)

Një nga cilësitë dalluese të Ibrahimit (a.s.), ishte edhe mikpritja e tij. Ai i jepte të gjithëve për të ngrënë e për të pirë. Për këtë arsye, ai njihej edhe si “ebu’l-edjaf”, pra “babai i mysafirëve”.

Mikpritja, është një cilësi e profetëve. Në fakt, maturia në ngrënie dhe pirje është shumë e domosdoshme, sepse ngrënia edhe pasi je ngopur, konsiderohet shpërdorim. Megjithatë, në gostitjen e mikut dhe ngrënien e ushqimit gjatë kohës kur je mysafir, nuk ka shpërdorim. Mirëpo, është kusht që gostitja dhe ftesa të bëhet vetëm për hir të Allahut dhe larg çdo interesi.

Sipas një transmetimi të Ibn Abbasit, Xhebraili (a.s.) dhe një grup melekësh e gëzuan Ibrahimin (a.s.), duke e përgëzuar atë me Is’hakun. Pastaj, prej aty shkuan të shkatërronin popullin e Lutit.

Melekët shkuar për vizitë te Ibrahimi (a.s.), në trajtë njerëzish. Ndërsa Ibrahimi (a.s.), u poqi atyre mish viçi dhe i gostiti. Mirëpo, ata nuk iu afruan ushqimit. Për rrjedhojë, Ibrahimi (a.s.), e kuptoi se ata ishin melekë. Në fillim u frikësua, sepse nuk e dinte se ata kishin ardhur për ta përgëzuar me Is’hakun. Ai filloi të shqetësohej, duke menduar se: “Mos kishte bërë diçka që e ka zemëruar Allahun, ose mos kanë ardhur për të shkatërruar popullin e tij!”

Megjithatë, për ta kuptuar mirë nëse ata ishin engjëj apo jo, ai i nxiti për të ngrënë, duke u thënë:

“A nuk po hani?”

“Ne nuk hamë pa pagesë!” – thanë ata.

Pas kësaj, kur Ibrahimi (a.s.), filloi të hante tha: “Bismil’lah”. Ndërsa kur përfundoi së ngrëni tha: “Elhamdulilah!”. Për këtë arsye, melekët thanë:

“Je mik i vërtetë i Allahut!”

Më pas i thanë Ibrahimit (a.s.):

“Mos ki frikë, o Ibrahim! Prej këtu ne do të shkojmë për ta shkatërruar popullin e Lutit!..”

Në këtë mënyrë, u kuptua plotësisht pse nuk hëngrën dhe pse kishin ardhur. Kur Ibrahimit (a.s.), i pati ikur e gjithë frika, melekët i dhanë sihariqin për Is’hakun (a.s.) dhe më pas për Jakubin (a.s.)!

Bisedën mes tyre Sara e pati ndjekur pas perdes. Për shkak të edukatës dhe turpit që kishte, Sara mbuloi fytyrën me duar. Ajo u çudit shumë me këtë lajm, sepse si ajo, ashtu edhe Ibrahimi (a.s.), ishin shumë të moshuar. Melekët thanë:

“A po çuditesh me urdhrin dhe caktimin e Allahut?”

Ndërkohë që Ibrahimi (a.s.), po gëzohej për këtë lajm të mirë, nga ana tjetër, ai ishte i hidhëruar për atë popull që kishte për t’u shkatërruar, sepse s’e dinte që besimtarët do të veçoheshin e s’do të pësonin dëm. Për rrjedhojë, ai deshi të lutej që të anulohej ndëshkimi. Mirëpo, melekët i thanë se, tashmë lutja nuk do të kishte vlerë dhe se ndëshkimi do të binte vetëm mbi mëkatarët. Atëherë, Ibrahimi u lehtësua. Kjo përshkruhet kështu në Kuran:

“Të dërguarit Tanë, i sollën Ibrahimit lajmin e mirë dhe i thanë: «Paqe mbi ty!» Ai u përgjigj: «Paqja qoftë mbi ju!» Dhe me të shpejtë u solli atyre një viç të pjekur.

Kur pa se ata nuk po i zgjasnin duart tek mishi, nuk i pëlqeu dhe ndjeu frikë prej atyre. (Melekët) thanë: «Mos u frikëso, Ne jemi dërguar te populli i Lutit».

Gruaja e tij, që rrinte aty, qeshi kur Ne i dhamë lajmin e mirë për Is’hakun e pas Is’hakut, për Jakubin. Ajo tha: «Ah! E mjera unë! A mos vallë, kështu plakë do të lind unë, ndërkohë që edhe burri im është plak! Me të vërtetë, kjo është diçka e jashtëzakonshme!»

Ata (melekët), thanë: «A mos vallë, po çuditesh me urdhrin e Allahut? Mëshira e Allahut dhe bekimi i Tij qoftë mbi ju – familjen e të Dërguarit. Me të vërtetë, Ai është i Falënderuar dhe i Lavdëruar!»

Pasi i kaloi frika Ibrahimit dhe i erdhi lajmi i gëzuar, ai polemizoi me të dërguarit Tanë për popullin e Lutit.” (Hud, 69-74)

Ibrahimi kishte frikë se mos ndëshkimi do të prekte edhe Lutin dhe besimtarët, prandaj lutej me këmbëngulje.

“Vërtet, Ibrahimi ishte i butë, i dhembshur e vazhdimisht i kthyer (tek Allahu).” (Hud, 75)

Ibrahimi ishte bërë veçanërisht i butë ndaj njerëzve pas paralajmërimit hyjnor lidhur me kërkesën e tij për ndëshkimin e atyre njerëzve kur u ngjit në qiell. Mirëpo populli i Lutit (a.s.), ndërkaq, kishte shkuar shumë larg dhe e kërkonte vetë ndëshkimin. Ata s’i donin njerëzit e mirë e thoshin: “Të pastrit të largohen prej nesh!” Prandaj edhe melekët thanë:

“O Ibrahim, shmangu prej kësaj! Me të vërtetë, erdhi urdhri nga Zoti yt dhe ata do t’i gjejë dënimi i pashmangshëm.” (Hud, 76)

Kjo e vërtetë, për shkak të rëndësisë së saj, përsëritet edhe në ajetet 24-30 të sures Dharijat.

Vizita e Ibrahimit (a.s.), tek Ismaili (a.s.)

Ismaili (a.s.), u martua me një vajzë prej Xhurhumive. Ata e deshën dhe e nderuan shumë Ismailin (a.s.). Ndërsa ai, prej tyre  mësoi arabishten. E ëma, Haxherja ndërroi jetë dhe u varros në dhe në vendin e quajtur “Hixhr” pranë Qabes.

Pas martesës së Ismailit (a.s.), Ibrahimi (a.s.) shkoi ta vizitonte. Por, kur shkoi, nuk e gjeti në shtëpi. Dhe e pyeti të shoqen.

“Doli për të gjetur furnizim!” – i tha ajo.

Më pas Ibrahimi (a.s.), e pyeti:

“Si ia kaloni, si jetoni?”

E shoqja e Ismailit (a.s.): “Jemi shumë ngushtë, jemi shumë keq!”

“Kur të vijë yt zot në shtëpi, i bëj selam prej meje dhe i thuaj të ndërrojë pragun e shtëpisë!” – i tha Ibrahimi (a.s.).

Kur Ismaili (a.s.), u kthye në shtëpi, prej aromës së mirë që kish mbetur, e kuptoi se kish ardhur i ati dhe e pyeti të shoqen..

“Mos erdhi kush tek ne?”

“Po” – i tha ajo. “Ishte një njeri i pashëm kështu e ashtu. Më pyeti dhe unë iu përgjigja. Më pyeti se si jetonim e unë i thashë se ndodheshim ngushtë.”

“A mos la ndonjë porosi?” – e pyeti Ismaili (a.s.).

“Po, më bëri selam për ty dhe më porositi të të them ta ndërrosh pragun e shtëpisë.”

Ismaili (a.s.), i cili e kuptoi alegorinë e asaj porosie, iu drejtua të shoqes:

“Ai plaku është im atë. Ai më ka lënë porosi që të ndahem prej teje. Je e lirë! Mund të kthehesh në shtëpinë e tët eti!”

Më vonë Ismaili (a.s.), u martua me një vajzë tjetër prej Xhurhumive.

Pas një farë kohe, Ibrahimi (a.s.), erdhi prapë tek Ismaili (a.s.), ku në derë doli e shoqja se i biri s’ishte në shtëpi. Ai e pyeti për Ismailin (a.s.), ndërsa ajo iu përgjigj:

“-Ka dalë për furnizim!”

“Si ia kaloni, si jetoni?” – e pyeti përsëri Ibrahimi (a.s.).

“Elhamdulil’lah, lavdi Allahut, kemi plot!” – iu përgjigj ajo.

“Ç’hani e ç’pini?” – e pyeti Ibrahimi.

“- Hamë mish, e pimë ujë!” – tha nusja.

Atëherë, Ibrahimi (a.s.), u lut: “O Zot! Bekoje mishin dhe ujin e këtyre! Mbushua shtëpinë plot!”

Më pas, i tha gruas së Ismailit (a.s.):

“Kur të kthehet yt shoq, bëji selam prej meje dhe i thuaj ta mbajë fort pragun e shtëpisë!”

Edhe kësaj radhe, kur u kthye në shtëpi, Ismaili (a.s.), prej aromës së mirë që kishte lënë, e kuptoi se i ati kishte qenë përsëri aty. Prandaj e pyeti të shoqen:

“A mos ka kaluar kush këndej nga ne?”

“Po, ishte një plak i nurshëm. Më pyeti se si jetonim. Unë i thashë se ishim të lumtur e me të gjitha të mirat!” – iu përgjigj e shoqja.

Ismaili (a.s.), e pyeti:

“A nuk la ndonjë porosi?”

“Po, më dha selam për ty dhe më porositi të të them ta mbash fort pragun e shtëpisë!”

“Ai ka qenë im atë!” – tha Ismaili. “Ndërsa ti je pragu i nderuar i shtëpisë sime. Prandaj më ka porositur të të mbaj mirë!” (shih. Buhari, Enbija, 9.)

Nga kjo rrëfenjë kuptohet se falënderimi bëhet pretekst për shtimin dhe vazhdimësinë e të mirave. Kurse nënvlerësimi i të mirave dhe ankesa janë mosmirënjohje. Dhe përfundimi i kësaj është pakësim i të mirave, ndarje e disfatë.

 

Share.

Leave A Reply