Fjala “Kur’an” në gjuhën arabe do të thotë lexim, recitim. Me këtë kuptim gjuhësor është përmendur  në ajetin vijues: “Ti (o Muhamed) mos e shqipto atë (Kuranin) me gjuhën tënde për ta nxënë atë me të shpejtë! Ne e kemi për detyrë tubimin dhe leximin (kur’aneh) e tij. Dhe, kur ta lexojmë atë ty, ti përcille me të dëgjuar leximin (kur’aneh) e tij!’’ (el-Kijame, 16-18).

Kurse në aspektin fetar janë dhënë përkufizime të shumta, në varësi të këndvështrimeve të studiuesve të Kuranit. Përkufizimi më përmbledhës është: “Kurani  është fjala e Allahut në gjuhën arabe, e zbritur Muhamedit, e shkruar në mus’hafe, e mbartur gjeneratë pas gjenerate pa ndërprerje, mrekulli, fillon me suren “el-Fatiha” dhe mbaron me suren “en-Nas”.’’ Këtë po e shpjegoj pjesë-pjesë:

“Kurani është fjala e Allahut …’’. Pra, çdo fjalë tjetër jo e Allahut, pa marrë parasysh se kush e ka thënë dhe se sa e vërtetë është ajo, nuk quhet Kuran. Çdo fjalë e Kuranit është e vërtetë dhe jo çdo fjalë e vërtetë është Kuran.

 “… në gjuhën arabe …’’. Në 11 ajete të Kuranit Famëlartë tregohet se gjuha e Kuranit është arabishtja. Përkthimi i tij në çfarëdo gjuhe nuk ka dispozitat e Kuranit arabisht.  Përkthimet nuk janë fjalët e zbritura nga Allahu, ato paraqesin kuptimet e fjalëve të shpallura. Njëkohësisht përkthimet mund të përmbajnë gabime, keqkuptime e keqinterpretime nga përkthyesi, edhe pse, ndoshta, jo të qëllimta. Këta gabime që mbart përkthimi, nuk mund të quhen Kuran. Kurani është shpallur nga Allahu me fjalë dhe kuptime, të përcaktuara mirë. Kjo është një ndër arsyet që nuk lejohet falja e namazit me fjalë jo arabe.

Në Kuranin Famëlartë Allahu (xh.sh.) thotë:

Ne e zbritëm atë, Kuran arabisht, me qëllim që ta kuptoni.’’ (Jusuf, 2).

 “Ai (Kurani) është shpallje e Zotit të botëve. Atë e solli Shpirti Besnik (Xhebraili). E solli në zemrën tënde, për të qënë ti prej atyre që tërheqin vërejtjen. (Ta shpallëm atë) me gjuhë të kulluar  arabe.’’ (esh-Shuara,192-195.)

 “… e zbritur Muhamedit …’’. Kurani i është shpallur Muhamedit (a.s.) përgjatë 23 viteve me anë të melekut Xhebrail. Çdo shpallje tjetër hyjnore, e zbritur profetëve, para Muhamedit (a.s.), nuk quhet Kuran. P.sh. shpallja e Musait (a.s) quhet Teurat, ajo e Davudit (a.s) quhet Zebur, ajo e Isaut (a.s) quhet Inxhil.

“… e shkruar në mus’hafe …’’. Kurani është mësuar përmendësh dhe është regjistruar që nga koha e Muhamedit (a.s.) me mbikqyrjen dhe nën vëzhgimin e tij. Në hilafetin (udhëheqjen) dyvjeçar të Ebu Bekrit (r.a.), halifja i parë i muslimanëve pas Profetit Muhamed (a.s.), janë grumbulluar në një vend të vetëm të gjitha pllakat, lëkurat dhe pëlhurat në të cilat është regjistruar Kurani. Ky tubim i të gjitha pjesëve kuranore në një njësi të vetme është quajtur mus’haf.

Në hilafetin e Uthmanit (halifja i tretë) është shumëfishuar mus’hafi në disa kopje dhe është shpërndarë nëpër qytetet më të mëdha islame të asaj kohe: Medinë, Mekë, Sham, Kufe, Basra. E gjithë kjo, për të mos i lënë shkak ndryshimeve, mospajtimeve dhe keqleximeve të Kuranit. Kushdo që sot pretendon se kjo apo ajo fjali është Kuran, dhe ajo fjali nuk ekziston në mus’haf, pretendimi i tij konsiderohet i kotë dhe i pavlerë.

“… e mbartur gjeneratë pas gjenerate pa ndërprerje …’’ Kjo fjalë e Allahut, e mësuar dhe e shkruar, është mbartur dhe transmetuar gjeneratë pas gjenerate, pa shkëputje, që nga koha e Profetit Muhamed (a.s.) e deri në ditët tona dhe do të vazhdojë të përcillet pa ndërprerje, jo vetëm nga arabët, por nga të gjithë muslimanët. Librat e tjerë hyjnorë jo vetëm që nuk janë memorizuar, por as nuk janë shkruar në kohën e profetëve të tyre. Ato janë shkruar mbas dekadave dhe gjeneratave të shumta, origjinalet e tyre kanë humbur. Janë ruajtur dhe mbartur vetëm përkthimet nga greqishtja e vjetër ose latinishtja. P.sh. Musai (a.s) mendohet të ketë jetuar përafërsisht nga shek. 13-14 p.e.s. ndërsa, Teurati është shkruar pjesë-pjesë pas shumë kohësh. Disa pjesë të tij në shek. e 9-të p.e.s., disa pjesë të tjera në shek. e 7-të p.e.s. dhe disa pjesë në shek. e 5-të dhe të 4-t p.e.s.

“… mrekulli …’’ Fjala mrekulli ka për qëllim një argument, të cilin Allahu (xh.sh.) ia dha Profetit Muhamed (a.s.) si dëshmi për vërtetësinë e misionit të tij. Çdo pejgamberi i janë dhënë mrekulli, tek të cilat njerëzit besonin. Këto mrekulli, dhënë profetëve, i kapërcejnë aftësitë dhe mundësitë njerëzore. Mrekullia, dhënë Profetit tonë, ishte Shpallja Kuranore apo Frymëzimi Hyjnor i zbritur prej Allahut (xh.sh.).

Kurani është një mrekulli:

  • për nga ana gjuhësore, me stilin e tij të shkëlqyer;
  • për nga ana juridike, i paarritshëm
  • për nga ana historike, me rrëfimet e tij për të kaluarën dhe të ardhmen;
  • për nga ana shkencore, me fakte të pakundërshtueshme.

Njerëzimi është i paaftë për të sjellë një sure të ngjashme, për nga stili gjuhësor, niveli apo përmbajtja, me atë që e ka zbritur Allahu i Lartësuar. Kurani është i papërsëritshëm dhe unik.

Allahu (xh.sh.) thotë: “Thuaj: Sikur të tuboheshin të gjithë njerëzit dhe xhindët, për të hartuar një Kuran të tillë, ata nuk do të mund ta hartonin, ashtu siç është ai, madje, edhe sikur ta ndihmonin njëri-tjetrin.”  (El-Isra, 88)

“Nëse ju dyshoni në atë që ia kemi zbritur robit tonë (Muhamedit), atëherë hartoni një sure të ngjashme me atë që ia kemi shpallur atij! Thirrni në ndihmë edhe dëshmitarët tuaj (që i adhuroni) në vend të Allahut, nëse jeni të sinqertë. Nëse nuk mundeni, dhe kurrsesi nuk do të mundeni, atëherë ruajuni Zjarrit, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët dhe që është përgatitur për të ndëshkuar mohuesit.’’  (el-Bekare, 23-24).

“… fillon me suren “el-Fatiha” dhe mbaron me suren “en-Nas”.” Surja “el-Fatiha” është surja e parë e Kuranit dhe surja më e madhërishme e tij, kurse surja “en-Nas” është surja e 114-të dhe e fundit e Kuranit.

Ky përkufizim, i shpjeguar hollësisht, përjashton nga të qënurit Kuran, të gjitha leximet e transmetuara në mënyrë individuale, të gjitha tekstet e përcjellura me vargun transmetues të ndërprerë dhe të gjitha tekstet jo të shënuara në mus’hafin e H. Uthmanit (r.a.). Për shembull, në suren “el-Maide”, ajeti i 89-të, Allahu (xh.sh.) na tregon dispozitën e betimit, atëherë kur muslimani betohet në shenjë vërtetimi apo pohimi. Nëse muslimani betohet pa qëllim, nuk ka ndonjë përgjegjësi ndaj betimit të tij, e, nëse betohet me qëllim, duhet respektuar ai betim.

Nëse thyhet betimi, masa shpaguese e thyerjes së betimit është: ushqimi i dhjetë të varfërve, veshmbathja e tyre ose agjërimi i tre ditëve. Thotë Allahu (xh.sh.): “… e kush nuk ka mundësi, le t’i agjërojë tri ditë.

Është përcjellur në mënyrë individuale nga Abdullah ibn Mesudi që ka shtuar në leximin e këtij ajeti: “… e kush nuk ka mundësi, le t’i agjërojë tri ditë të njëpasnjëshme ”. Kjo fjalë  “të njëpasnjëshme ” nuk konsiderohet Kuran, sepse nuk i plotëson kriteret e përmendura në përkufizimin e lartëpërmendur.

Gilman KAZAZI, Për fjalën më të bukur

Share.

Comments are closed.