Pjesa e njerëzimit që prej ditës kur Resulullahu r, u dërgua si Pejgamber, e deri në Ditën e Kijametit, është umeti/populli i tij. Një pjesë e këtyre e ka pranuar ftesën e tij, ndërsa një pjesë nuk e ka pranuar. Ata që e kanë pranuar, quhen “Ummi Ixhabe”, ndërsa ata që nuk e kanë pranuar quhen “Ummi Gajr-i Ixhabe”.

I Dërguari i Allahut r, e donte shumë popullin e tij dhe përpiqej me sa mundej për shpëtimin e tij. Këtë ai e ka shprehur shumë bukur në një hadith fisnik, ku thotë:

“Unë dhe ju, i ngjajmë njeriut që ndez një zjarr. Dhe kur zjarri ndriçon vendin përreth, fluturat e natës dhe disa kafshë të tjera që pëlqejnë dritën, fillojnë ta hedhin veten në zjarr. Njeriu i shkretë mundohet t’i pengojë, por kafshët e mundin dhe shumë prej tyre bien në zjarr. Unë përpiqem t’ju kap nga beli e nga rripi, që ju të mos bini në zjarr, por ju nxitoni për t’u hedhur në zjarr!” (Buhari, Rikak, 26)

I Dërguari i Allahut r, mendonte gjithmonë për Ahiretin (jetën tjetër) e umetit të tij dhe lutej gjithmonë për lumturinë dhe shpëtimin e tyre të përjetshëm. Një ditë, ai lexoi këto ajete fisnike:

“O Zoti im, ata kanë shmangur shumë njerëz (nga rruga e drejtë). Ai që më pason mua, është i fesë sime…” (Ibrahim, 36)

Nëse Ti i dënon ata – robërit e Tu janë, e nëse i fal ata, me të vërtetë, vetëm Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti.” (Maide, 118) Më pas, ngriti duart dhe filloi t’i përgjërohej Allahut, duke qarë:

“O Allah! Populli im, populli im!” Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar urdhëroi:

“-O Xhebrail! Zoti yt e di mirë çdo gjë, por shko dhe pyete Muhamedin se përse qan (që ta mësojnë edhe njerëzit)!”

Xhebraili u, u kthye dhe e njoftoi Allahun, se Resulullahu r, qante prej shqetësimit në lidhje me popullin e tij. Pas kësaj, Allahu i Madhëruar urdhëroi:

“O Xhebrail! Shko tek Muhamedi dhe përgëzoje: «Ne do të kënaqim ty në lidhje me popullin tënd dhe kurrë nuk do të hidhërojmë!»” (Muslim, Iman, 346)

Sipas një transmetimi të Ebu Dherrit t, njëherë, kur Resulullahu r, po falte namaz nate, e kishte lexuar ajetin e mësipërm të sures Maide deri në mëngjes. Ai e lexoi këtë ajet edhe në ruku edhe në sexhde… (Ahmedi IV, 149)

Një ditë, kur Aishja c, e pa Pejgamberin r, të gëzuar, i tha:

“O i Dërguar i Allahut! Lutju Allahut për mua!” Dhe Resulullahu r, bëri këtë dua:

“O Allah! Falja Aishes të gjitha gjynahet e shkuara e të ardhme, të hapëta e të fshehta!” Aishja c, u gëzua aq shumë për shkak të kësaj lutjeje, saqë po fluturonte nga gëzimi. Për këtë arsye, Resulullahu r, e pyeti:

“A të gëzoi lutja që bëra?” Ajo iu përgjigj:

“E si të mos më gëzojë lutja jote!?” Atëherë, Resulullahu r, tha:

“Vallahi, kjo është lutja që unë bëj në çdo namaz për popullin tim.” (Hejthemi, IX, 243; Ibn-i Hibban, Sahih, XVI, 47/7111)

Resulullahu r, i motivonte të gjithë myslimanët, që edhe ata të përpiqeshin dhe të luteshin për shpëtimin e njerëzimit siç bënte ai vetë. Në lidhje me këtë, në një hadith fisnik thuhet:

“Nuk ka lutje më të dashur tek Allahu, se sa kur robi i tij thotë:

«O Allah! Mëshiroje umetin e Muhamedit r, me një mëshirë gjithëpërfshirëse!» (Ali Muttaki, no: 3212, 3702)

Për shkak të kësaj mëshire të madhe, i Dërguari i Allahut r, nuk i mallkonte ata që nuk e besonin atë, madje as ata që silleshin armiqësisht ndaj tij. Po ashtu, ai nuk dëshironte as vrasjen e tyre. Përkundrazi, lutej që ata të gjenin rrugën e drejtë dhe përpiqej të largonte çdo të keqe ndaj tyre, pa u dëmtuar. Kjo, sepse ai shpresonte se pas një farë kohe, prej pasardhësve të tyre do të dilnin njerëz që do të besonin vetëm Allahun.

Një ditë, disa sahabë të cilëve u kishin ardhur në majë të hundës padrejtësitë e idhujtarëve, shkuan tek Resulullahu r dhe i kërkuan që ai t’i mallkonte ata. Por Resulullahu a.s, u tha:

“Unë nuk u dërgova si mallkues, por si mëshirë për botët!” (Muslim, Birr, 87)

Në qindra hadithe të tij, Resulullahu a.s, jep në mënyrë shumë të ëmbël mesazhin “populli im, populli im”, sikur ndjente një kënaqësi të pafundme kur thoshte “populli im”. Ai kishte një lidhje shpirtërore me popullin e tij. Resulullahu a.s, e donte aq shumë popullin e tij, saqë asnjëherë nuk donte të ndahej prej tij. Një ditë, kur i erdhi lajmi se do të vdiste, ai filloi t’i përgjërohej Allahut:

“O Zot! Kush do të qëndrojë në krye të popullit tim atëherë?” Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar zbriti këtë ajet fisnik:

Para teje, Ne nuk e kemi bërë asnjë të pavdekshëm. Nëse ti vdes, a do të mbesin ata të përjetshëm?!” (Enbija, 34)

Përpjekjet e Resulullahut a.s, për shpëtimin e popullit të tij, nuk u kufizuan vetëm në këtë jetë. Ai na ka bërë të ditur se edhe pas vdekjes së tij, në jetën e Berzahut dhe pas Kijametit do t’i lutet Allahut të Madhëruar për shpëtimin e popullit të tij dhe do të ndërmjetësonte tek Ai për ta. Në disa hadithe fisnike thuhet:

“Jeta ime është në dobinë tuaj; ju flisni me mua dhe njoftoheni (me shpalljen hyjnore dhe ligjet). Por edhe vdekja ime është në dobinë tuaj. Punët tuaja më tregohen edhe mua. Kur shoh një punë të mirë, falënderoj Allahun e kur shoh një punë të keqe, i kërkoj falje Atij për ju.” (Hejthemi, IX, 24)

“Bëni kujdes! Sa të jem gjallë, jam shkak i sigurisë suaj. Ndërsa kur të vdes e të jem në varr, do të thërras: «O Zot! Populli im, populli im!..», deri kur t’i fryhet surit për herë të parë…” (Ali Muttaki, Kenzu’l-Ummal, XIV, 414)

Kur të shpërthejë Kijameti, të gjithë njerëzit që kanë ardhur në këtë botë do të mblidhen në një fushë të madhe e të drejtë. Dielli do të afrohet tepër dhe njerëzit do të mbyten në djersë, duke përjetuar vështirësi shumë të mëdha. Ata do të qëndrojnë të tmerruar nga frika e ndëshkimit të Allahut të Madhëruar. Dhe për të shpëtuar nga kjo gjendje e frikshme, ata do të shkojnë tek të gjithë pejgamberët, duke filluar që nga Ademi  e do t’u kërkojnë që ata t’i luten Allahut që t’i japë fund kësaj gjendjeje. Mirëpo, të gjithë pejgamberët u thonë se njeriu i vetëm që mund të ndërmjetësojë tek Allahut në atë ditë, është Pejgamberi Muhamed a.s, duke i drejtuar të gjithë për tek ai. Më pas, Pejgamberi a.s, i lutet Allahut dhe njerëzit shpëtojnë prej kësaj frike të tmerrshme. Mirëpo, Pejgamberi a.s, për umetin e vet ka ruajtur mundësinë më të veçantë të ndërmjetësimit tek Allahu.

Me pak fjalë, Pejgamberi a.s, i cili u dërgua si mëshirë për botët, gjatë gjithë jetës së tij, u përpoq jashtëzakonisht shumë për shpëtimin e njerëzimit. Po ashtu, ai do të vazhdojë të lutet për shpëtimin e përjetshëm të popullit të tij, edhe në jetën e varrit, edhe pas ditës së kijametit. Pra, ai u përpoq gjithmonë, që njerëzit të bëhen robër të Krijuesit të tyre, Allahut të Madhëruar dhe t’i afrohen Atij sa më shumë. Dëshira e tij e vetme ishte që njerëzimi të kthehej nga rruga e gabuar, të gjejë rrugën e vërtetë dhe të arrijë mëshirën hyjnore duke iu nënshtruar Krijuesit të vet.

Share.

Comments are closed.