Sipas transmetimeve, Je’xhuxhët dhe Me’xhuxhët janë dy popuj të këqij e të ndyrë. Ata kanë fytyra të rrafshëta, sy të vegjël, veshë shumë të mëdhenj dhe shtat shumë të shkurtër. Numri i tyre është shumë i madh. Afër Kiametit, ata do të përhapen nëpër të gjithë tokën. Ashtu si mizat që shtohen përnjëherësh mbi diçka, ashtu do të shtohen edhe këta. Siç kanë dalë miliarda njerëz prej Ademit dhe Havasë, edhe ata do të shumëzohen me shpejtësi të madhe në një kohë të shkurtër. Vendi se ku ndodhen, tani për tani mbahet i fshehur tek Zoti.

Kur të vijë koha e caktuar, prita e ndërtuar prej Dhulkarnejnit do të rrafshohet dhe ata do të vërshojnë nëpër tokë. Ata të hyjnë në çdo vend përveç tri vendeve të bekuara, që janë Meka, Medina dhe Kudsi (Jerusalemi). Ata do të hanë e pinë, duke shfarosur gjithçka në çdo vend që do të kalojnë dhe do të shkaktojnë trazira të mëdha. Ata do të jenë si karkalecat dhe do të shkaktojnë dëme si insekte. Më në fund, Allahu do t’i shfarosë.

Rrëfime mësimdhënëse

 Në një prej fushatave të tij, Dhulkarnejni rastisi te një popull i çuditshëm, i cili braktiste të mirat e kësaj bote, duke u përpjekur të shpëtonte nga frika e vdekjes. Ata ushqeheshin vetëm me bimë dhe bënin shumë adhurime, duke u përpjekur të zhvisheshin prej dëshirave të egos. Ata nuk zotëronin shumë gjëra prej të mirave të kësaj bote. Furnizimin e siguronin duke kultivuar perime dhe fruta, të cilat i ruanin me shumë kujdes. Përveç këtyre, çdonjëri prej tyre hapte një varr të vetin, të cilin e pastronte çdo ditë dhe në të kryente adhurimet e tij. Dhulkarnejni (a.s.), thirri sundimtarin e tyre.

Pas kësaj sundimtari i tyre çoi fjalë e tha:

“Unë nuk dua të shoh njeri. Kush dëshiron të më shohë, vjen vetë.”

Atëherë, Dhulkarnejni shkon vetë te sundimtari dhe e pyet:

“Unë të ftova, pse nuk erdhe?”

“Unë s’kam nevojë për ty; po të kisha, vija!” – i tha sundimtari.

Atëherë Dhulkarnejni i tha:

“Ç’është kjo puna juaj? Një gjë të tillë askund s’ma kanë zënë sytë!”

“Po!”- i tha sundimtari. “Ne nuk u japim vlerë arit e argjendit, sepse kemi parë se, po të bjerë në dorë të dikujt pak nga këto, nis të kërkojë më shumë dhe, as ai nuk gjen rehati, e as të tjerët. Prandaj, nuk rendim pas gjërave të kësaj bote!..”

Dhulkarnejni: “Po këto varre, ç’janë? Përse i hapni këto varre dhe pse i bëni adhurimet aty?”

Sundimtari: “Veprojmë kështu, për të mos rendur pas interesave të kësaj bote. Kur i shohim varret dhe kujtohemi se një ditë do të shkojmë aty, heqim dorë prej çdo gjëje…”

Dhulkarnejni: “Pse s’keni asgjë tjetër për të ngrënë veç perimeve? A nuk bën sikur të rrisni bagëti e të përfitoni prej mishit dhe qumështit të tyre?”

Sundimtari: “Nuk deshëm t’i bëjmë stomakët tanë varre për kafshët e gjalla. Jetesën tonë e sigurojmë me anë të bimëve. Fundja, pasi ushqimi të kalojë fytin, njëlloj është, s’i kuptohet shija!..”[1]

Dikush i thotë Dhulkarnejnit:

“Më mëso diçka për të forcuar besimin dhe urtësinë!”

Dhe ai e këshilloi:

“Kur je i zemëruar, mos u nevrikos me askënd! Sepse shejtani e nxit njeriun më tepër për të keq, kur ai është i zemëruar. Mos u bëj i nxituar! Kur nxiton, e humbet edhe mirësinë që ke për të fituar. Tregohu i butë me të gjithë njerëzit, qoftë i afërt apo i largët. Kurrë mos u bëj inatçi, mohues dhe i padrejtë!..”

*

Para se të ndërronte jetë, Dhulkarnejni (a.s.), pati lënë këto porosi:

“Më lani e më qefinosni! Pastaj më vendosni në një tabut. Vetëm duart të më mbeten varur jashtë. Shërbëtorët të më vijnë pas, ndërsa thesaret m’i ngarkoni nëpër mushka. Le ta shohë populli se, megjithëse zotëroja sundim dhe pasuri madhështore, unë po shkoj duarbosh në botën tjetër. Le të shohin edhe se, si thesaret, ashtu edhe shërbëtorët e mi po mbeten në këtë botë. E të mos mashtrohen nga kjo botë e rreme dhe e përkohshme!”

Të gjitha u bënë siç dëshiroi ai! Kurse dijetarët, i kanë komentuar kështu këto porosi:

“Në sajë të ushtrive që më vinin pas, sundova Lindjen dhe Perëndimin. Nën urdhra kisha ushtarë pa numër dhe shërbëtorë të shumtë. Askush nuk e thyente urdhrin tim. Bota ishte fund e krye nën sundimin tim. Zotërova thesare të panumërta. Mirëpo, të mirat e kësaj bote nuk janë të përhershme. Ja, siç e shihni, po shkoj duarbosh në varr. Kurse malli i kësaj bote i mbeti prapë asaj. Bëni punë që do t’ju vlejnë në jetën tjetër!..”

Realitetin e faktit që ka dashur të tregojë Dhulkarnejni (a.s.), në porositë e tij, Profeti ynë (a.s.), i ka shpjeguar në këtë mënyrë:

“Të vdekurin e ndjekin në varr tre gjëra. Këto janë: Familja, pasuria dhe puna e tij. Dy prej këtyre kthehen pas, njëra qëndron me të. Familja dhe pasuria kthehen, kurse puna qëndron.” (Buhari, Rikak, 42; Muslim, Zuhd, 5.)

 

[1] – Në të vërtetë, në Islam nuk ka asnjë problem në konsumimin e mishit të kafshëve që Allahu i ka lejuar. Kjo që përmendet këtu, ka të bëjë vetëm me zgjedhjen e këtij populli.

Share.

Leave A Reply