I ati i Profetit ka qenë Hz. Abdullah, kurse e ëma, Hz. Amine. Prejardhja e tij e bekuar zgjatet gjer te Adnani, më i nderuari i brezit Kajzar, birit të Hz. Ismailit Adnani, stërgjyshi Profetit, është nga soji i Ismailit (a.s.).40 Thuhet se i biri i Adnanit, Meadd-i është bashkëkohës i Isait (a.s.).

Brenda fisit Kurejsh, I Dërguari i Allahut (s.a.s.) i takon një familjeje më të pastër e më të nderuar si nga ana e të atit, ashtu dhe e nënës. Mbi çështjen e pastërtisë së prejardhjes së tij, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka thënë kështu:

“Unë kam dalë prej nënës dhe tim eti pa m’u ngjitur asgjë nga të këqijat e periudhës së injorancës. Në prejardhjen time unë kam dalë nga lidhje martesore qysh nga Ademi e gjer te prindërit e mi. Në asnjë hallkë të prejardhjes sime nuk ka ndonjë lindje jashtë martese!” (Ibni Kethir, el-Bidaje, II, 260)

Mustafa është një ndër emrat e tij të nderuar që shpreh këtë përzgjedhje historike-gjenealogjike:

Sa herë që grupimi fisnor, antar i të cilit është Profeti (s.a.s.), është ndarë më dysh, Allahu i Lartë e ka bërë të Dërguarin e vet të ndodhet në anën më të mbarë e më të dobishme. Drita e tij që ndriçon ekzistencën, i është përçuar atij qysh prej Hz. Ademit (a.s.) duke u pasuar brez pas brezi përmes prindërve më të pastër.41

Hz. Ibni Abbasi e ka komentuar kështu ajetin 219 të sures Shuara duke e shprehur këtë kuptim:

“Ti, domethënë, drita jote, është përcjellë tek ti vazhdimisht duke të kaluar në mes atyre që bëjnë sexhde!” (Kurtubi, XIII, 144; Hejsemi, VIII, 214)

Profeti (s.a.s.) e ka trajtuar në këtë mënyrë këtë specifikë në hadithet e tij:

“Unë u linda në këtë familje ku ndodhem duke kaluar nga epoka në epokë nëpër pasardhësit më të pastër e më të dobishëm të të bijve të Ademit!” (Buhari, Menakib, 23)

“Allahu i Lartë, ndër bijtë e Ibrahimit, zgjodhi Ismailin. Nga bijtë e Ismailit zgjodhi bijtë Kinane. Nga bijtë Kinane zgjodhi Kurejshët. Nga Kurejshët zgjodhi bijtë Hashim. Nga bijtë Hashim zgjodhi bijtë Abdylmuttalib. Dhe, nga bijtë Abdylmuttalib, më zgjodhi mua!” (Muslim, Fedail, 1; Tirmidhi, Menakib, 1.)

Në lidhje me specifikën e njohjes me kaq hollësi dhe saktësi të prejardhjes së Profetit dhe të vazhdueshmërisë së prejardhjes së tij në mënyrë fisnike, dijetari i madh islam Ibni Haldun thotë kështu:

“Askush përveç Hz. Muhammedit (s.a.s.) s’e ka prejardhjen kaq të fiksuar dhe fisnikërinë e prejardhjes të lidhur në mënyrë kaq të vijueshme e të pandërprerë qysh nga Ademi (a.s.)! Kjo është një dhunti e posaçme e Allahut të Lartë për të Dashurin e Tij të Shquar!” (Ibni Haldun, I, 115)

Share.

Comments are closed.