Njëri nga synimet esenciale të martesës dhe ngritjes së familjes është rritja e fëmijëve dhe sigurimi i vazhdimësisë së brezit. Dhe kjo varet para së gjithash nga babai. Sa më i vëmendshëm dhe i zellshëm të jetë babai në rritjen dhe edukimin e fëmijëve, aq më cilësorë rriten dhe përgatiten ata, dhe shoqëria shndërrohet në mjedis paqeje e qetësie ku jetojnë njerëz të edukuar.

Ekzistenca e një mjedisi familjar të qetë është kusht i domosdoshëm për shëndetin shpirtëror dhe fizik të fëmijës. Baballarët kanë përgjegjësi të madhe për këtë. Për rritjen dhe përgatitjen e duhur të fëmijëve, duhet shqyrtuar me shumë kujdes qëndrimi i Profetit i cili ka qenë edhe baba, si dhe metodat që duhen ndjekur ndaj fëmijëve, duhen nxjerrë nga jeta e tij.

Dashuria dhe dhembshuria ndaj fëmijëve dhe nipërve

I Dërguari i Madh, Profeti ynë, i dërguar si mëshirë për botët, krahas dashurisë dhe dhembshurisë për të gjithë ummetin, bashkësinë e tij, për më tepër, për të gjithë materien, ka ndjerë afërsi dhe dashuri të ndryshme veçanërisht ndaj fëmijëve. Fëmijët e periudhës së injorancës paraislame të cilët s’e patën shijuar mjaftueshmërisht dashurinë, dhembshurinë dhe mëshirën, u bënë drita e syve e shoqërisë dhe ngritën fron në zemrat në sajë të të Dërguarit të Allahut. Fëmijët e pamësuar t’u fërkohej koka apo t’u puthej faqja me dashuri, pas ardhjes së Profetit (a.s.) në këtë botë, nisën të trajtoheshin me vështrime të mbushura plot dashuri, mësuan ç’ishte sinqeriteti dhe dhembshuria. Sapo ta shihnin diku, fëmijët vraponin me njëherë të Profeti, i mblidheshin rrotull, kurse ai merrej me secilin, interesohej për gjendjen, iu përgjigjej dashurisë që i shfaqnin dhe bënte shaka me ta.88

Disa nga skenat e bukura që tregojnë dashurinë e Profetit ndaj fëmijëve, janë kështu:

Kur i vdiq e bija Ummu Gulsum, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ia drejtoi vetë faljen e namazit funebër. Pastaj u ul në krye të varrit, ku, nga dashuria dhe mëshira për të bijën, s’i mbajti dot lotët dhe nisi të qante. (Ibni Sa’d, VIII, 38-39; Ibni Haxher, el-Isabe, IV, 489) Kur i vdiq vajza tjetër, Rukija, Profeti u ul në anë të varrit. Edhe Fatimja iu ul pranë duke qarë. Nga mëshira që ndjente për Fatimen, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ia fshiu lotët me cepin e rrobës dhe e ngushëlloi. (Ibni Hanbel, I, 335)89

Kur Hz. Fatime hynte te Profeti, ai ngrihej, e kapte për dore, e puth te dhe e ulte pranë vetes. Edhe Fatimja (r.anha) i përgjigjej në të njëjtën mënyrë babait të saj të nderuar. (Ebu Davud, Edeb, 143-144) Nga dashuria që kishte për të bijën Fatime, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.), kur do të dilte në marshim, së fundi fare me atë përshëndetej; pastaj, edhe kur kthehej, shkonte te ajo së pari dhe e puthte në faqet me dhembshuri. (Ebu Davud, Terexhxhul, 21)

Ummu Seleme (r.anha) tregon:

Në vitin e çlirimit të Mekës, atë vit që do të vdiste, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) e thirri Fatimen, me të cilën bisedoi kokë më kokë. Fatimja qau. Pastaj biseduan prapë dhe Fatimja qeshi. Pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s.), e pyeta Fatimen se pse kishte qarë e qeshur atë ditë. dhe ajo më dha këtë përgjigje:

“Në fillim, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) më njoftoi se do të vdiste dhe unë qava. Herën e dytë më përgëzoi se do të isha në xhennet kryezonjë mbi të gjitha gratë përjashtuar Merjemen, bijën e Imranit. Dhe unë qesha.” (Tirmidhi, Menakib, 60)

Profeti ynë i cili, në kthim nga marshimet apo fushatat luftarake, pritej gjithmonë me shfaqje gëzimi nga fëmijët e familjes, gjithmonë pyeste, hetonte dhe ndiqte edhe fëmijët që kishte larg. Hz. Rukije bashkë me të shoqin, Hz. Osman, kishin emigruar në Abisini. Për një farë kohe, Profeti nuk mori asnjë lajm prej tyre. Profeti dilte jashtë qytetit dhe pyeste njerëzit që vinin nga ajo anë, për Hz. Osmanin dhe të bijën. Një grua nga kurejshët erdhi nga Abisinia. Profeti e pyeti edhe atë. Gruaja i tha:

“O Ebul Kasëm, i kam parë!”

I Dërguari i Allahut e pyeti:

“Si i pe, në ç’gjendje ishin?”

Gruaja iu përgjigj:

“Osmani e kishte hipur Rukijen në gomar, kurse vetë ecte pas…”

Atëherë, Profeti u gëzua dhe iu lut Allahut t’i ndihmonte. (Ali el-Muttaki, XIII, 63)

Kur i lindi Ibrahimi, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) u gëzua shumë, e mori në prehër, e çoi te Hz. Aisheja, së cilës ia shfaqi gëzimin duke e pyetur:

“Pa shihe këtë? Si të duket, a më ngjet mua?” (Ibni Sa’d, I, 137) Edhe Ebu Rafiut i cili i solli lajmin e lindjes së Ibrahimit, i fali një skllav. (Ibni Albdilber, I, 54) Në ditën e shtatë të lindjes së Ibrahimit, Profeti preu një dash si kurban flokësh,90 ia qethi flokët dhe u shpërndau të varfërve argjend sa ç’peshonin flokët. (Ibni Sa’d, I, 135; Ibnu’l-Ethir, Usdu’l-gabe, I, 49)

Enes bin Malik thotë:

“Nuk kam parë njeri më të dhembshur ndaj njerëzve të shtëpisë, sa i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.). Ibrahimi ndodhej pranë mëndeshës në një nga fshatrat e Medinës. Kur Profeti shkonte për ta parë djalin, bashkë me të shkonim edhe ne. I Dërguari i Allahut hynte brenda, e merrte të birin, e puthte, pastaj kthehej.” (Muslim, Fedail, 63)

Në vizitën e fundit te i biri që e donte aq shumë, Profetin e shoqëronte Abdurrahman bin Avf. Profeti e kapi për dore dhe shkuan të dy te shtëpia mes kopshtit të hurmave, ku ndodhej Ibrahimi. E mori Ibrahimin në prehër, e puthi. Në atë mes, Ibrahimi po jepte shpirt. Nga sytë e Profetit nisën të derdhen lot.

Abdurrahman bin Avf i tha:

“A edhe ti po qan, o i Dërguari i Allahut? A s’i pate ndaluar njerëzit të qanin kështu?”

Profeti iu përgjigj:

“O Ibni Avf! Kjo është e qarë që buron nga mëshira!”

Pastaj, kur zuri të lotojë përsëri, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) tha:

 “Sytë qajnë, zemra dëshpërohet, por ne s’themi ndonjë fjalë tjetër përveç atyre që i pëlqejnë Zotit tonë! Vallahi, o Ibrahim, ne jemi shumë të dëshpëruar nga ndarja prej teje!” (Buhari, Xhenaiz, 44; Ibni Sa’d, I, 138)

Profeti kërkoi të sillnin një gur në krye të varrit të Hz. Ibrahimit dhe e nguli aty. Kështu, varri i Hz. Ibrahimit u bë i dallueshëm. Profeti qe, gjithashtu, ai që spërkati ujë mbi varr. (Ibni Sa’d, I, 144; Ibni Abdilber, I, 59)

Sa e thellë qe dashuria që tregoi Profeti ynë, Mëshirë për Botët, për të birin, nga lindja në vdekje! Tregoi kujdesin e duhur për të birin që e mori si amanet të Allahut, e kreu siç duhet detyrën si baba, kurse kur vdiq, nuk bëri tjetër veçse derdhi lot nga dashuria dhe dhembshuria për të. Tha gjëra të pëlqyeshme për Allahun pa e prishur ekuilibrin, pa kaluar në ekstazë. Edhe në ato çaste të vështira, u mësoi sahabeve parime të bukura, si dashuria për fëmijën, mëshira, kujdesi për të marrë pëlqimin e Allahut.

Vëmë re se Krenaria i Gjithësisë ka treguar dashuri në të njëjtën mënyrë edhe për nipërit dhe mbesat. Pa dyshim, me sjelljet e tij, Profeti u ofronte mesazhe esenciale një shoqërie që e kishte për ulje t’u shfaqte dashuri fëmijëve. Havle binti Hakim (r.anha) tregon:

“Një ditë, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) doli nga shtëpia duke mbajtur në krahë njërin nga dy djemtë e së bijës Fatime (r.anha). Duke dalë nga shtëpia, thoshte kështu:

“Ah, ju! Ah, ju! Për shkak tuaj, (prindërit) bien në koprraci, frikë dhe injorancë! Kurse ju jeni nga aromat e këndshme të Allahut!” (Tirmidhi, Birr, 11; Ibni Maxhe, Edeb, 3)

Berá (r.a.) thotë:

“E pashë të Dërguarin e Allahut (s.a.v.s.) që e mbante Hz. Hasanin në sup dhe thoshte:

“Allahu im, unë e dua këtë, duaje edhe Ti!” (Buhari, Fedailu’l-As’hab, 22; Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 58, 59)

Ibni Abbasi (r.a.) e transmeton këtë ngjarje plot dashuri:

I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) e kishte marrë Hysenin dhe e mbante në sup. Një njeri që e vuri re, tha:

“Në ç’kalë të bukur ke hipur, o vogëlush!”

Kurse Profeti (s.a.v.s.) ia priti:

“Dhe ç’kalorës i bukur është ai!” (Tirmidhi, Menakib, 30)

Këtu, krahas dashurisë së Krenarisë së Gjithësisë për të nipërit, shohim edhe se sa vlerë u jepte ai atyre. Me këto fjalë, i Dërguari i Allahut pothuajse u pati bërë dritë posteve ku do të ngjiteshin ata në të ardhmen! Dashuria dhe dhembshuria e Profetit ndaj të bijve është e një niveli përjashtimor që përbën model për tërë ummetin, bashkësinë. Ai i merrte ata herë në shpinë dhe herë mbi bark për t’i dëfryer. (Hejthemi, IX, 181) Disa herë, edhe kur Profeti drejtonte faljen e namazit në xhami, ata i hipnin në sup ose në shpinë, kurse ai s’u bënte zë. Hz. Ebu Hurejre tregon kështu:

“Po falnim namazin e jatsisë së bashku me të Dërguarin e Allahut (s.a.v.s.). Kur Profeti ra në sexhde, Hasani dhe Hyseni iu hodhën në shpinë. Kur e ngriti kokën, i hoqi dhe i uli përdhe pa i lënduar. Kur ra përsëri në sexhde, përsëri iu hodhën në shpinë. Kështu vazhdoi gjersa mbaroi namazi. Pas namazit i mori në prehër. Unë iu afrova dhe i thashë:

“O i Dërguari i Allahut, po deshe, t’i çoj në shtëpi!”

Në atë mes ndriçoi një dritë (si mrekulli). Profeti u tha:

“Shkoni tani tek nëna!”

Dhe drita vazhdoi të ndriçonte gjersa fëmijët hynë në shtëpi. (Ibni Hanbel, II, 513)

Një ditë tjetër, i Dërguari i Allahut shkoi te sahabet duke i puthur me radhë Hasanin dhe Hysenin që i kishte vënë, njërin në një sup dhe tjetrin, në supin tjetër. (Ibni Hanbel, II, 440)

Duke vepruar kështu, Krenaria i Gjithësisë (s.a.v.s.) u mësonte sahabeve dashurinë për fëmijët.

Hz. Enesi (r.a.) tregon:

Të Dërguarin e Allahut (s.a.v.s.) e patën pyetur:

“Kë do më tepër nga njerëzit e shtëpisë?”

“Hasanin dhe Hysenin!” – U qe përgjigjur ai.

Profeti i thoshte Hz. Fatimesë (r.anha):

“Thirrmi djemtë e mi!”

Dhe, kur ia çonte ajo, i merrte, i përqafonte… (Tirmidhi, Menakib, 30)

Një ditë, Profeti ynë i dashur po shkonte në një ngrënie ku qe ftuar së bashku me sahabet. Në atë mes, Hyseni po luante me shokët në rrugë. Duke i lënë sahabet pas, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) eci para. Hapi duart për ta kapur Hysenin. Mirëpo Hyseni vraponte sa andej-këtej dhe Profeti përpiqej ta kapte duke qeshur. Më në fund, e kapi nipin e dashur. Duke e rrokur me një dorë pas koke e, me tjetrën, nën nofull, e puthi. Pastaj tha:

“Hyseni është imi dhe unë jam i Hysenit! Atë që e do Hysenin, edhe Allahu e do!” (Ibni Maxhe, Mukaddime, 11; Ibni Hanbel, IV, 172)

Lidhur me këto sjellje plot dashuri të të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s.), Ebu Hurejre (r.a.) transmeton një ngjarje të tillë:

“Ndodheshim së bashku me të Dërguarin e Allahut në njërin nga tregjet e Medinës. Pas një copë here, u larguam. Profeti shkoi te shtëpia e Hz. Fatimes dhe bëri zë tri herë:

“Ku është ai çamarroku? Ma thirr Hasanin!”

Kur erdhi, Hasani i hapi krahët, edhe Profeti i hapi, e përqafoi të nipin dhe e puthi. Pastaj tha:

“Allahu im! Unë me të vërtetë e dua këtë! Duaje edhe Ti, duaji edhe ata që e duan këtë!” (Buhari, Libas, 60)

Kjo ndjenjë afërsie dhe dashurie e të Dërguarit të Allahut vihet re edhe gjatë kryerjes së punëve më serioze. Për shembull, një herë, ndërsa po mbante hutbe, e ndërpreu fjalën për ta marrë të nipin që kishte hyrë duke përplasur këmbët. Zbriti poshtë, e mori të nipin në krahë, e ngjiti në minber, e uli në shkallët dhe pastaj vazhdoi të fliste. (Tirmidhi, Menakib, 30) Po kështu, edhe gjatë një ngjarjeje të madhe si çlirimi i Mekës, e pati marrë të nipin Ali nga e bija Hz. Zejneb, në vithe të devesë dhe pati hyrë së bashku me të në qytet. (Ibni Ethir, Usdu’l-gabe, IV, 126)

Pa asnjë dyshim, i Dërguari i Allahut ishte personi i cili tregonte më shumë lejueshmëri ndaj prapësive të fëmijëve dhe sillej me ta me mirëkuptim. Kjo ishte përfundim i dashurisë së Profetit ndaj të bijve. Kjo ngjarje e transmetuar nga Enes bin Maliku (r.a.) është ilustrim i bukur i kësaj:

Një ditë, engjëlli i shiut, me lejen e Zotit, kishte ardhur te Profeti. I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) urdhëroi:

“O Ummu Seleme! Mbylle derën pas nesh dhe mos lër njeri të hyjë brenda!”

Në atë mes, arriti Hyseni me vrap. Hz. Ummu Seleme s’deshi ta linte të hynte brenda. Por vogëlushi e shtyu portën, e hapi dhe iu hodh Profetit (a.s.) në prehër. Profeti e mori në sup, e ngjiti në zverk, e puthi dhe e përkëdheli. (Ibni Hanbel, III, 242; Hejthemi, IX, 187)

Prapë, një ditë, Ummul Fadl që u shërbente Hasanit apo Hysenit si mëndeshë, ia çoi Profetit të nipin dhe deshi t’ia ulte në prehër, kurse ai iu hodh sipër! Për këtë shkak, Ummul Fadl e qëlloi fëmijën në sup, kurse i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) i tha duke ia bërë të qartë se në këto raste shqetësimi, ndaj fëmijëve duhej sjellë me lejueshmëri:

“I shkaktove dhimbje tim biri, Allahu të mëshiroftë!” (Ibni Maxhe, Tabir, 10)

Profeti ynë, Krenaria i Gjithësisë, i donte me gjithë zemër jo vetëm Hasanin me Hysenin (r.anhuma), por edhe të tjerët. Ebu Katade (r.a.) thotë:

“I Dërguari i Allahut e drejtonte namazin e mëngjesit për sahabet duke pasur në sup vajzën e vogël Umame të së bijës Zejneb. Kur binte në sexhde, e ulte pranë, kurse kur ngrihej në këmbë (kijam), e merrte prapë në sup.” (Buhari, Salat, 106; Muslim, Mesaxhid, 41)

Një ditë, djalin gjashtëvjeçar të Hz. Osmanit dhe nipin e dashur të Profetit, Abdullah, e kishte çukitur në fytyrë e në sy një gjel. Vogëlushit iu enjt fytyra, u sëmur rëndë dhe vdiq. Faljen e namazit funebër të Abdullahut e drejtoi i Dërguari i Allahut, kurse në varr e zbriti i ati, Hz. Osmani. Kur kufoma po zbritej në varr, Profeti që po i derdheshin lot nga sytë, tha kështu:

“O Allah i Lartë, ki mëshirë për robtë e tu të mëshirshëm e zemërbutë!” (Ibni Sa’d, III, 53-54, VIII, 36; Belazuri, Ensab, I, 401)

Janë shumë rivajete (rrëfime, hadithe) mbi interesimin dhe dashurinë që tregonte i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) për fëmijët, nipërit dhe mbesat e veta. Ndërkaq, ky interesim nuk ka ndodhur si shtytje vetëm e lidhjeve të gjakut apo ndjenjave farefisnore, por është shfaqur si domosdoshmëri e detyrës profetike ndaj gjithë njerëzimit. Edhe ne, duke shkuar në gjurmët e Profetit, duhet t’i japim më shumë rëndësi edukimit të të vegjëlve tanë me mendimin se ata janë amanete të Allahut, dhe t’i rritim ata me dashuri me qëllim që të përgatiten më mirë dhe t’i shërbejnë njerëzimit.

Share.

Comments are closed.