Faraoni, i cili kishte mbetur i pafuqishëm para mrekullive të Musait (a.s.) dhe i frikësuar se populli do të pranonte fenë e një Zoti të vetëm, kishte ngritur një çadër madhështore në breg të Nilit, ku për dy vjet me radhë, atyre që vinin e shkonin aty, u thoshte:

“Mos i besoni Musait! Unë jam zoti juaj së bashku me zotat e tjerë që adhuroni!”

“Faraoni i thërriste popullit të vet: «O populli im! Vallë, a nuk më përket mua sundimi i Egjiptit dhe i këtyre lumenjve që rrjedhin pranë meje? A nuk shihni? Vallë, a nuk jam unë më i mirë se ky i mjerë, i cili mezi mund të shprehet?»”  (Zuhruf, 51-52)

Me këto fjalë, nga një anë, faraoni kërkonte të tregonte mbretërimin, fuqinë, pasurinë dhe madhështinë e vet, ndërsa nga ana tjetër, theksonte se Musai (a.s.), ishte njeri i dobët, i varfër dhe i paaftë për të folur, duke pretenduar se, një njeri i tillë nuk mund të ishte profet:

“«Përse nuk i janë dhënë atij byzylykë ari? Përse nuk kanë ardhur bashkë me të engjëjt?» Kështu, ai e mashtroi popullin e vet. Ata iu nënshtruan atij, sepse ishin vërtet një popull i pabindur.” (Zuhruf, 53-54)

Dalja nga Egjipti

Faraoni dhe njerëzit e tij, jo vetëm që nuk besonin, por e përdornin edhe fuqinë e tyre të kësaj bote për të shtypur ata që besonin. Më në fund, Musai (a.s.), u detyrua t’i mallkonte:

“Musai tha: «O Zoti ynë! Ti i ke dhënë Faraonit dhe parisë së tij stoli dhe pasuri në jetën e kësaj bote, por ata, o Zoti ynë, na largojnë nga rruga Jote! O Zoti ynë! Shkatërroje pasurinë e tyre dhe ngurtësoi zemrat e tyre, që të mos besojnë, derisa të shijojnë dënimin e dhembshëm!»

(Allahu) tha: «U pranua lutja e ju të dyve! Qëndroni të dy në rrugën e drejtë dhe kurrsesi mos ndiqni rrugën e të paditurve!»” (Junus, 88-89)

Pas kësaj, çdo familjeje kopte, u vinin fatkeqësi të veçanta. Filloi thatësira dhe tek popullsia kopte u shfaq një sëmundje lëkure. Për rrjedhojë, faraoni u detyrua t’u jepte leje beni Izrailëve të dilnin nga Egjipti. Mirëpo, tashmë dihej se, sapo të kalonte e keqja, ata përsëri do t’i ktheheshin poshtërsive!

Allahu i Madhëruar urdhëron:

 “Pastaj, Ne i shpallëm Musait: «Ti udhëto natën me robërit e Mi, por do të jeni të ndjekur».” (Shu’ara, 52)

“Ne i thamë Musait: «Udhëto natën me robërit e Mi, hapu atyre një rrugë të tharë nëpër det dhe mos u frikëso se do të të kapë ndokush e as se do të mbyteni!»” (Ta-Ha, 77)

Në zbatim të urdhrit të Allahut të Madhëruar, Musai (a.s.), doli natën së bashku me bijtë e Izraelit drejt Suezit. Atë mëngjes, të gjitha vajzat e familjes së faraonit u sëmurën nga murtaja dhe vdiqën. Faraonit të zemëruar me Musain (a.s.), pas kësaj ndodhie iu shtua edhe më tepër zemërimi dhe tha:

– Këtë e ka bërë Musai!

Ndërkohë që faraoni po merrej me varrimin e vajzave, Musai (a.s.), kishte fituar shumë kohë në udhëtim. Kur faraoni mësoi se ata kishin ikur, ishte tepër vonë. Megjithatë, faraoni filloi të organizohej:

“Faraoni dërgoi lajmëtarë nëpër qytete (për të thënë): «Këta janë një grup i vogël që na kanë provokuar, por ne jemi kurdoherë të gatshëm!»” (Shu’ara, 53-56)

“Në agim, ata (njerëzit e Faraonit) iu afruan atyre. Kur dy grupet panë njëri-tjetrin, shokët e Musait thirrën: «Me të vërtetë, na zunë!» Ai tha: «Kurrsesi! Në të vërtetë, me mua është Zoti im. Ai do të ma tregojë rrugën.»” (Shu’ara, 60-62)”

Para Musait ishte Deti i Kuq, ndërsa pas tij, faraoni!

 

Share.

Leave A Reply