Shtëpia e bekuar e Profetit ndodhej mes shtëpive të të dy njerëzve të varfër shpirtërisht e të humbur në jetën tjetër, Ebu Lehebit dhe Ukbe bin Ebi Muajtit. Ata mblidhnin çdo ndyrësi dhe e lëshonin para portës së të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Zemra e pastër dhe e ndjeshme e Profetit prekej nga ky veprim i shëmtuar i fqinjëve, ai i qortonte ata duke u thënë:

“O të bijtë Abdi Menaf, ç’fqinjësi është kjo?”

Dhe pastaj i largonte ndyrësitë nga para derës. (Ibni Sa’d, I, 201)

Një ditë, Hz. Hamzai e zuri në flagrancë Ebu Lehebin duke bërë të njëjtin veprim të neveritshëm. Atëherë, ia mori ndyrësinë nga duart dhe ia hodhi në kokë Ebu Lehebit. Dhe Ebu Lehebi, ndërsa nga njëra anë pastrohej, nga ana tjetër e shante Hz. Hamzain.

Edhe gruaja e Ebu Lehebit, Ummu Xhemil, nuk mbetej pas të shoqit në veprimet për t’i shkaktuar mundime të Dërguarit të Allahut. Çdo natë bënte një barrë me gjemba, i ngarkonte në shpinë dhe i shpërndante nëpër rrugët nga kalonte Profeti. Mirëpo i Dërguari i Allahut (s.a.s.) kalonte mbi to duke shkelur si të shkelte mbi mëndafsh Për shkak të këtyre mizorive të tyre, zbriti sureja Tebbet. Sapo e dëgjoi këtë, Ummu Xhemil rrëmbeu një gur të madh në dorë dhe doli ta kërkonte Profetin. Në atë mes, i Dërguari i Allahut ndodhej në Qabe bashkë me Hz. Ebu Bekrin.

Me ta vënë re ardhjen e saj, Ebu Bekri (r.a.) i tha Profetit:

“O i Dërguari i Allahut! Kjo është Ummu Xhemil. Eshtë një femër e tërbuar! Kam frikë se do të të shohë dhe do të të mundojë! Sikur të ngriheshe e të ikje pa ardhur ende e pa të bërë ndonjë të keqe kjo grua!”

Profeti i tha:

“Ajo s’më sheh dot mua!”

Me të vërtetë, megjithëse u afrua pranë tyre, Ummu Xhemil nuk e pa dot të Dërguarin e Allahut. Ajo vetëm sa lëshoi ca përçartje pranë Ebu Bekrit (r.a.) dhe u largua.

Para profetësisë, vajza e Profetit, Hz. Ummu Gulsumi qe fejuar me djalin e Ebu Lehebit, Utejben, kurse vajza tjetër, Hz. Rukije, me djalin tjetër të tij, Utbe, por martesat e tyre nuk qenë bërë ende. Pasi zbriti sureja Tebbet, Ummu Xhemil u tha të bijve:

“Rukija me Ummu Gulsumin kanë dalë nga feja, prandaj ndahuni prej tyre!”

Edhe Ebu Lehebi u betua:

“Po s’i ndatë vajzat e Muhammedit, mos qofshi fëmijët e mi!”

Pas kësaj, Utejbe shkoi te Profeti dhe i tha:

“Unë s’e njoh fenë tënde! Edhe nga vajza jote jam ndarë! Këtej e tutje, as ti mos eja tek unë, as unë nuk do të vij tek ti!”

Dhe ia grisi këmishën Profetit! Përballë kësaj paturpësie të Utejbes, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e mallkoi:

“Allahu im, lëshoji një qen atij njeriu!”

Pas një farë kohe, Utejbe u nis me një karvan tregtar. Gjatë rrugës, karvani bëri konak në një vend të quajtur Zerka. Kur atë natë u erdhi një luan dhe nisi t’u vijë rrotull, Utejbe tha:

“E mjera nëna ime! Vallahi, siç ka thënë Muhammedi, ky ka për të më ngrënë mua! Edhe sikur vetë të jetë në Mekë dhe unë, në Damask, katili im është Ibni Ebi Kebshe!”204

Pasi u suall vërdallë edhe ca kohë përreth tyre atë natë, luani u largua. Shokët e vunë në mes Utejben dhe ashtu fjetën. Pasi i kishte zënë gjumi mirë, luani u kthye, kaloi pa u ndjerë mes tyre dhe, duke ndjekur erën, arriti në krye të Utbes dhe e kafshoi për vdekje armikun e Allahut. Fjalët e fundit të tij qenë:

“A s’ju pata thënë se Muhammedi është më fjalëdrejti i njerëzve?”

Kur e mori vesh fundin tragjik të të birit, edhe Ebu Lehebi u shpreh kështu:

“A s’ju pata thënë se frikësohesha nga mallkimi i Muhammedit ndaj tim biri?”205

Në atë periudhë, Profeti (a.s.) iu nënshtrua mundimeve të shumë politeistëve si Ebu Lehebi. Por ai, duke iu përgjigjur me durim veprimeve të tyre, e vazhdoi kumtesën.

Share.

Comments are closed.