Islami i jepte fund jetës egoiste e sentimentale të politeistëve, bënte fjalë për të drejtën, drejtësinë, kiametin, ringjalljen dhe llogaridhënien, ndëshkimin e pashmangshëm për të këqijat dhe padrejtësitë e kyera. Për më tepër, Islami i quante të rremë zotat e politeistëve. Veç këtyre, Meka kishte filluar të tronditej me “Lajmin e Madh” të sjellë nga i Dërguari i Allahut. Ajetet e para të sures Nebe e përshkruajnë kështu këtë panoramë të tmerrshme:

“Për ç’e pyesin njëri-tjetrin? Për atë lajm të madh e të tmerrshëm mbi të cilin bien në kundërshtim?” (en-Nebe, 1-3)

Si pasojë e krijimit të tij me prirje ndaj të drejtës dhe të vërtetës, njeriu nuk tregon pëlqim me zemër ndaj të panjohurës. Ai vrapon vazhdimisht drejt së njohurës. Prandaj, gjërat që nuk i di dhe nuk mundet t’i dijë, e bëjnë atë të vuajë. Qysh në krye të herës, pavarësisht nga orientimi me anë të të dërguarve profetikë, çështja e vdekjes e ka preokupuar shumë njerëzimin. Kjo pyetje e shtruar ndër mendje si një gjarpër helmues dhe që kohë më kohë lëviz me anë të rathëve të frikshme të ankthit, është dashur të shtypet e të heshtet dhe të burgoset në nënvetëdije me anë të konsideratave dhe shprehjeve të shumëllojshme. Por kur realiteti i vdekjes i cili e mbështjell çdokënd si një vorbull e zjarrtë më e theksuar se çështja e jetës, bëhet një e vërtetë që ka për t’i rënë kujtdo në kokë pa përjashtim, lidhja e saj me të njohurën vjen në krye të qëllimeve finale të njeriut!

Këtë nyje të perspektivës që s’ka mundësi të rroket me anë të mendimit njerëzor, mund ta zgjidhë vetëm fuqia e revelacionit hyjnor. Ndërsa lajmi mbi perspektivën i dhënë nga të gjithë profetët, posaçërisht nga profeti Muhammed (s.a.s.), duhej pritur me falenderime e mirënjohje, sa keq që, nga një sërë njerëzish të larguar nga nderi dhe dinjiteti njerëzor, është pritur me tallje, fyerje, shqetësime apo indiferentizëm. Politeistët dhe heretikët që bënin një jetë në kundërshtim me urtësinë dhe qëllimin final të krijimit, e pritën me habi dhe hutim lajmin mbi ringjalljen të dhënë nga Profeti (s.a.s.) me rrugën e revelacionit hyjnor dhe i kthyen shpinën me një kryeneçësi të skajshme e me një negativitet të turpshëm kësaj ftese të shpëtimit të përjetshëm por të kundërt me mënyrën e tyre egoistike dhe sensuale të jetesës.

Kur’ani ka bërë fjalë për ringjalljen dhe jetën e pasme, ahiret, si “nebe-i adhim”, “lajmi i madh”. Shkaku dhe urtësia e kësaj janë shumë të qarta. Sepse njerëzit, pavarësisht nga kushtet e jetesës, ndjejnë të njëjtin ankth përballë vdekjes. Humbja e të gjitha rrugëve të jetës pas rrotullimeve e përdredhjeve, në horizontin e vdekjes, i lëndon thellësisht sidomos zemrat pa besim. Meqë për të gjallët nuk ka ngjarje më me rëndësi se vdekja, është e domosdoshme që të rroket madhështia e informacionit për të! Kështu, ata që e kanë rrokur dhe kuptuar ashtu siç duhet këtë, i kanë braktisur të mirat materiale e të përkohshme dhe janë orientuar nga perspektiva gënjeshtare, në perspektivën e vërtetë dhe të përjetshme. Jeta e jetuar pa marrë mësim nga vdekja, nuk ka ndryshim nga një botë e errët fatkeqësish. Ylli i lumturisë lind me vdekjen që vjen në fund të një jete të jetuar bukur. Eshtë për këtë arsye që feja islame, duke ua kujtuar njerëzve vdekjen vazhdimisht, i ka porositur të ndodhen të përgatitur për të!

Mohuesit të shqetësuar nga deklaratat e Kur’anit në kundërshtim me dëshirat dhe pasionet e tyre, si vdekja dhe jeta e pasme, kërkuan nga Profeti t’i ndryshonte ato në atë mënyrë që t’u pëlqenin atyre. Ata shkuan te i Dërguari i Allahut dhe i thanë:

“Sillna neve një Kur’an që të mos na urdhërojë ta lëmë adhurimin e Latit dhe Uzës. Po qe se Allahu nuk të zbret një Kur’an të tillë, kërkoja ti ose ndryshoje kështu atë që të ka ardhur nga Allahu. Në vendin e ajetit mbi ndëshkimin, vër ajetin mbi mëshirën, në vend të haramit vër hallallin, në vend të hallallit vër haramin!”

Mbi këta persona zbriti ky ajet:

 “Pasi iu kënduan ajetet tona hapur, ata që nuk shpresojnë të takohen me Ne (pas vdekjes), thanë: “Sill një Kur’an tjetër nga ky ose ndryshoje këtë!” Thuaju: “Unë nuk mund ta ndryshoj atë nga ana ime, unë ndjek vetëm atë që më përcillet. Po t’i kundërvihem Zotit tim, frikësohem nga ndëshkimi i ditës së madhe!” (Junus, 15) (Vahidi, f. 270; Alusi, XI, 85)

Politeistët e humbën pusullën, ata s’dinin ç’të bënin. Dhuna, padrejtësia, torturat, shtypja dhe mundimet e ushtruara mbi muslimanët shtoheshin nga dita në ditë, jeta në Mekë po bëhej e padurueshme. Në këto kushte, ashtu si muslimanët e tjerë, edhe Hz. Ebu Bekri kërkoi leje nga i Dërguari i Allahut (s.a.s.) për të emigruar dhe, pasi iu dha leja, u nis për rrugë.

Pas nja dy ditësh, takoi në udhë kryetarin e fisit Kare, Ibni Degine. Ibni Degine i tha:

“O Ebu Bekr! Një person si ti as del vetë nga vendi, as e nxjerrin! Vallahi, ti je stolia e fisit dhe e popullit. Bën të mira dhe kujdesesh për të afërmit. Ti ua merr përsipër barrën atyre që s’e mbajnë dot. Kthehu prapë se je nën mbrojtjen time!”

Së bashku me Ibni Deginen, Hz. Ebu Bekri u kthye në Mekë. Kur hynë në Mekë, Ibni Degine ua shpalli të gjithë Kurejshve mbrojtjen që i kishte dhënë Ebu Bekrit.

Si kundërshpërblim, Kurejshët i vunë Ibni Degines disa kushte:

“Thuaji Ebu Bekrit t’i bëjë adhurimet brenda shtëpisë. Aty le të falet e të këndojë Kur’an, por të mos na shqetësojë neve me falje e këndim Kur’ani jashtë në vende të hapura. Sepse kemi frikë se mos na i bën për vete gratë dhe fëmijët!”

Ibni Degine ia përcolli Hz. Ebu Bekrit kërkesat e politeistëve dhe ai i pranoi. Pastaj bëri para shtëpisë një namazgjah dhe aty nisi të falej e të këndonte Kur’an. Meqë zemërdhembshuri sahabi ishte njeri me ndjenja të holla, gjatë këndimit të Kur’anit prekej dhe s’i mbante dot lotët. Ndërsa këndonte Kur’an, fëmijët dhe gratë e Kurejshve filluan td’i mblidheshin përreth e ta dëgjonin. Kjo gjendje i frikësoi politeistët Kurejshë. Atëherë, duke iu drejtuar Ibni Degines, i kërkuan që ose t’i bëhej pengesë Ebu bekrit ndaj këtyre veprimeve, ose t’ia hiqte mbrojtjen.

Ibni Degine i tha Hz. Ebu Bekrit:

“O Ebu Bekr! Ose qëndro brenda në shtëpi e mos e nxirr zërin, ose shpalle se ke dalë nga mbrojtja ime!”

Atëherë, Ebu Bekr Besniku (r.a.), duke iu dorëzuar Allahut, i dha këtë përgjigje të mbushur me ndjenjën e nënshtrimit të plotë ndaj Zotit të vet:

“Po ta kthej mbrojtjen! Mbrojtja e Allahut është e mjaftueshme për mua!” (Buhari, Menakibu’l-Ensar, 45; Ibni Hisham, I, 395-396)

 

Ngaqë ishte tejet e dhënë ndaj letërsisë, shoqëria arabe prekej jashtëzakonisht nga fjala e bukur dhe shprehëse dhe tregonte interesim të madh për të, aq sa, kur përdorej me vend, një dyvargsh, madje, ishte i mjaftueshëm që ndërsa disa t’i ngjiste në qiej, disa të tjerë t’i fundoste nën tokë! Herë pas here, edhe politeistët, duke mbajtur parasysh ndikueshmërinë e jashtëzakonshme të stilit të Kur’anit i cili i demaskonte, merrnin disa masa për vete. Politeistët që e kishin ndaluar këndimin dhe dëgjimin e Kur’anit, kur ndodhte që, megjithëkëtë, të këndohej Kur’an, bënin zhurmë për të penguar që njerëzit ta dëgjonin fjalën hyjnore dhe zemrat të prireshin ndaj saj. Zoti e bën të ditur kështu këtë në ajetin kur’anor:

 “Mohuesit thanë: “Mos e dëgjoni këtë Kur’an; kur të këndohet, bëni zhurmë se ndoshta dilni fitues mbi të!..” (Fussilet, 26)

Pavarësisht nga çdo lloj dhune e padrejtësie të ushtruar mbi të nga ana e fisit të vet, Zotëria i Botëve (s.a.s.) nuk tërhiqej nga kumtimi i Islamit, nga ftesa e tyre për në shpëtimin e përjetshëm. Kurse politeistët, duke i pritur jashtë qytetit arabët që vinin në Mekë për haxh, umre ose me ndonjë qëllim tjetër, i paralajmëronin, madje, i kërcënonin ata që të mos i afroheshin Profetit dhe të mos i dëgjonin ato ç’thoshte ai! Duke i ngjitur të Dërguarit të Allahut cilësi të tilla si marrëzi, falltari dhe iluzionizëm, me këto shpifje që s’i besonin as vetë, përpiqeshin t’i mbanin larg tij ata që vinin në Mekë.

Kur Tufejl bin Amri217 shkoi në Mekë, disa vetë nga parësia e Kurejshve e takuan dhe i thanë duke i sugjeruar:

“O Tufejl, ti je poet dhe njeri që gëzon konsideratë mes fisit. Erdhe në vendin tonë, por duhet të kesh kujdes për këtë njeri të dalë nga mesi ynë! Gjendja e tij na ka shkaktuar shqetësime. Ai na i shkatërroi shoqërinë dhe punët. Fjala e tij e efektshme si magji, e ndan njeriun nga i ati, nga i vëllai e nga gruaja. Kemi frikë se mos kjo që na ka rënë në kokë neve, ju bie në kokë edhe ty dhe fisit tënd. Kurrsesi mos fol me të dhe mos dëgjo asgjë prej tij!”

I mbetur nën ndikimin e këtyre sugjerimeve, vendosi të mos takohej fare me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) dhe të mos bisedonte fare me të. Për më tepër, kur arriti në Qabe, i mbylli veshët me pambuk për të mos i dëgjuar thëniet e Profetit. Kurse më pas, duke mos i gjetur të denja këto qëndrime dhe veprime të vetat, mendoi:

“Turp të kem! Unë jam poet dhe njeri i mençur. Unë i njoh edhe fjalët e bukura, edhe të shëmtuarat. Atëherë, ç’të keqe mund të ketë po t’i dëgjoj fjalët e këtij njeriu? Po të jenë të bukura, i pranoj, po të jenë të shëmtuara, i hedh poshtë!”

Dhe priti aty. Pastaj, kur i Dërguari i Allahut u nis të largohej për në shtëpi, ai e ndoqi pas dhe i tha:

“O Muhammed! Fisi më tha kështu e ashtu për ty! Aq më trembën, saqë i zura veshët me pambuk që të mos të dëgjoja. Por pastaj, me ndihmën e Zotit, m’u dha mundësia të të dëgjoj. A mund të ma tregosh këtë çështjen tënde?”

Në vazhdim, Tufejli thotë kështu:

“I Dërguari i Allahut (s.a.s.) më foli për Islamin. Vallahi, unë kurrë s’pa dëgjuar fjalë më të bukur se Kur’ani dhe fe më të bukur se Islami! Menjëherë u bëra musliman dhe dëshmova se nuk ka zot tjetër përveç Allahut!”

Pasi qëndroi disa ditë pranë Profetit, kërkoi leje dhe u kthye te fisi i vet me qëllimin për të bërë kumtimin e Kur’anit. Ai i kërkoi Profetit t’i lutej Allahut që në veten e tij të shfaqej ndonjë shenjë mrekullore. Me begatinë e lutjes së të Dërguarit të Allahut, në fillim, në mes të ballit iu shfaq një dritë e cila, pastaj, me kërkesën e tij, i kaloi në majë të shkopit. Duke u kthyer në këtë gjendje te fisi i vet, u muar me kumtimin e fesë gjersa meritoi pozitën e dëshmorit.218

Personi që iu përgjigj i pari ftesës së Tufejlit (r.a.), është sahabiu i njohur Ebu Hurejre (r.a.) i cili është ai që ka përcjellë më shumë hadithe.219

Megjithëse mbanin një qëndrim kaq negativ ndaj Kur’anit, kur mbeteshin vetëm për vetëm me ndërgjegjen e tyre, politeistët e pranonin të vërtetën dhe s’bënin dot pa e dëgjuar Kur’anin fshehurazi. Dhe, këtë herë, duke gjetur një pretekst tjetër,

 “Thonin: “A nuk mund t’i zbriste ky Kur’an një njeriu të shquar nga dy qytetet?” (edh-Dhuhruf, 31)

Megjithëse e pranonin Hz. Muhammedin (s.a.s.) si profet të vërtetë dhe Kur’anin si libër të vërtetë, egoizmi u bëhej pengesë për t’i miratuar. Ata e pranonin se Kur’ani ishte libër i Allahut, por i atribuonin gabim vullnetit dhe vlerësimit të Allahut. Sipas mendjes së tyre të veshur me egoizëm dhe të bërë pengesë për të vërtetën, Kur’ani nuk duhej t’i zbriste dikujt që s’ishte i pasur por i varfër dhe jetim, por ose Velid bin Mugires nga të pasurit e Mekës, ose Amr bin Umejrit nga të pasurit e Taifit.

Kështu, Velid bin Mugire pati thënë:

“Ndërsa jemi unë, i madhi dhe zotëria i Kurejshve, ose i madhi i Sakifit, Amr bin Umejri, a Muhammedit ka për t’i zbritur Kur’ani?” (Ibni Hisham, I, 385)

Mirëpo vlera e robve në lartësinë e Allahut nuk është as me pasuri, as me fisnikëri, por vetëm me devocion. Në fund të fundit, Hz. Muhammed Mustafai (s.a.s.) edhe në fisnikëri ishte më i nderuari i tyre!

Share.

Comments are closed.