Enesi (r.a.), transmeton se, kur po ktheheshim nga beteja e Tebukut, Profeti (a.s) tha:

“Në Medinë kanë mbetur njerëz të tillë, të cilët janë me ne në çdo luginë dhe shteg mali që kalojmë. Ata janë penguar nga disa arsye.”

(Buhari, Megazi 81, Xhihad 35. Shih. Ebu Daud, Xhihad 19; Ibni Maxhe, Xhihad 6.)

 

Enes Ibn Malik (r.a.).

Kur Profeti (a.s.), emigroi në Medinë, Enesi ishte vetëm 10 vjeç. Nëna e tij, Ummu Sulejm (r.a.), e mori përdore dhe të dy shkuan tek Profeti (a.s.). Ajo i tha Profetit (a.s.), se Enesi ishte djalë i mbarë dhe ia ofroi atij për t’i shërbyer. Enesi qëndronte pranë Profetit (a.s.), deri në mbrëmje, pastaj shkonte në shtëpinë e tij në Kuba. Ai mori pjesë në shumë beteja së bashku me Profetin (a.s.).

Profeti (a.s.), e donte shumë Enesin (r.a.), i cili ishte një fëmijë shumë i zgjuar. Siç shprehet edhe vetë Enesi (r.a.), Profeti (a.s.), e thërriste duke i thënë, “bir im” dhe asnjëherë nuk e qortonte, edhe nëse bënte diçka të papëlqyeshme. Madje, herë pas here bënte shaka me të, duke i thënë, “Dhul udhunejn”, që do të thotë, “dy veshësh”.

Profeti (a.s.), u lut që Enesi (r.a.), të kishte jetë të gjatë, shumë fëmijë e pasuri dhe që Allahu ta vendoste atë në Xhenetin e Tij. Lutja e Profetit (a.s.), u realizuar plotësisht. Enesi (r.a.), jetoi më shumë se 100 vjet, pati shumë fëmijë,  nipër e mbesa dhe pasuri të madhe.

Enesi (r.a.), ka transmetuar prej Profetit (a.s.), 2286 hadithe (së bashku me përsëritjet e tyre), duke zënë vendin e tretë midis shtatë sahabëve që dinin më shumë hadithe. Për shkak se dinte shkrim dhe lexim, Enesi (r.a.), i shkruante të gjitha hadithet që dëgjonte. Më pas, këto hadithe ua mësoi qindra nxënësve të tij në Medinë, e më vonë në Basra, ku u vendos me banim.

Po ashtu, për shkak se ishte një nga personat që e njihte më mirë Profetin (a.s.), Enesi (r.a.), përpiqej të jetonte dhe të falte namaz njësoj si ai. Ai gjithmonë mbante pranë një fije floku dhe një shkop të Profetit (a.s.). Kur vdiq, sipas amanetit që kishte lënë, shkopin ia vendosën pranë në varr, ndërsa fijen e flokut nën gjuhë.

Nëna e Enesit (r.a.), Ummu Sulejm (r.a.) dhe njerku i tij Ebu Talha (r.a.), ishin prej parisë së sahabëve. I Dërguari i Allahut (a.s.), shkonte shpesh për vizitë në shtëpinë e tyre, ku falte namaz nafile, hante prej ushqimeve të Ummu Sulejmit (r.a.), bënte gjumin e drekës dhe lutej për mirësi ndaj tyre. Enesi (r.a.), ndërroi jetë në Basra në vitin 93 Hixhri, në moshën 103 vjeç.

Allahu qoftë i kënaqur më të!

Shpjegime

Ky Hadith, të cilin Profeti (a.s.), e ka thënë në vitin e 9-të të Hixhretit, gjatë kthimit nga fushata e Tebukut, thekson rëndësinë e qëllimit dhe sinqeritetit.

Në epokën e lumturisë, kur bëhej ndonjë përgatitje për luftë, të gjithë sahabët i kaplonte entuziazmi për të marrë pjesë. Të gjithë përgatiteshin për luftë, dikush me mundësitë e veta, e dikush tjetër me ndihmën e sahabëve të pasur. Ata që nuk mund të merrnin pjesë në luftë për shkak të pamundësive materiale, hidhëroheshin dhe derdhnin lot, duke menduar se po privoheshin nga një shpërblim i madh. Edhe në këtë rast kishte ndodhur e njëjta gjë. Ata që nuk mundën të shkonin në këtë betejë të Profetit (a.s.), mendonin vazhdimisht për ushtrinë Islame dhe ëndërronin të ishin midis fatlumëve që kishin marrë pjesë në luftë.

Në të dy hadithet e lartpërmendura, theksohet fakti se myslimanët që nuk mundën të marrin pjesë në luftë për shkak të ndonjë sëmundjeje apo arsyeve të tjera, do të fitojnë shpërblim njësoj si ata që morën pjesë në luftë. Kjo, sepse sikur të mundeshin, edhe ata do të merrnin pjesë, madje do të sakrifikonin jetën në rrugën e Allahut.

Ajeti 95 i sures Nisa e thekson fort faktin se, ata që nuk marrin pjesë në luftë pa arsye, duke preferuar të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, nuk mund të jenë të njëjtë me ata që marrin pjesë në luftë dhe vënë në dispozicion të gjitha mundësitë që kanë. Për rrjedhojë, ata që marrin pjesë në luftë, do të kenë shpërblime të mëdha nga ana e Allahut. Ky ajet fisnik, nuk bie aspak ndesh me Hadithin, sepse në ajet bëhet fjalë për ata që nuk marrin pjesë në luftë pa arsye. Kurse Hadithi flet për trimat me shpirt luftarak, të cilët janë hidhëruar dhe kanë derdhur lot për shkak se nuk kanë mundur të marrin pjesë në luftë për arsye shumë të forta. Dhe, midis këtyre dy grupeve ka një dallim shumë të madh.

Dallimi midis atyre që, edhe pse dëshirojnë me mish e me shpirt të bëjnë xhihad dhe të bien dëshmorë në rrugën e Allahut, nuk kanë mundur të marrin pjesë për pamundësi fizike dhe logjistike dhe atyre që largohen nga lufta për shkak të frikës, dembelizmit dhe dhënies pas rehatisë, është qëllimi dhe sinqeriteti. Ja pra, pikërisht këto cilësi e lartësojnë njeriun tek Allahu.

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Ai që lufton në rrugë të Allahut ka shpërblim për çdo hap që hedh dhe çdo vepër që bën.
  2. Ata që për arsye të pamundësive nuk e bëjnë dot një vepër të mirë e të pranuar tek Allahu, do të kenë shpërblimin sikur ta kishin kryer, për shkak të dëshirës së sinqertë që kanë për ta vepruar atë.
Share.

Comments are closed.