Ebu Abdurrahman Abdullah Ibni Omer Ibni’l-Hatab (r.anhuma), transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s.), të thotë:

“Tre persona nga gjeneratat para jush u nisën për udhë. Nata i zuri para një shpelle, në të cilën hynë për t’u strehuar. Mirëpo, një shkëmb u rrokullis nga mali dhe e mbylli plotësisht hyrjen e shpellës. Ata thanë:

«Nga ky shkëmb mund të shpëtojmë vetëm nëse e lusim Allahun e Madhëruar që ta largojë atë për hir të veprave tona të mira.»

Njëri prej tyre (e mori fjalën i pari dhe) tha:

«O Zoti im! Unë kisha prindër të moshuar e të thinjur dhe, para tyre nuk u kam dhënë asnjëherë të hanë e të pinë, as fëmijëve të mi, e as shërbëtorëve. Një ditë u largova nga shtëpia në kërkim të kullosës më të mirë për bagëtitë e mia. Për këtë arsye nuk erdha dot para se ata të flinin. E mola qumështin në enë dhe ua solla, por i gjeta në gjumë. Ashtu siç më erdhi keq t’i zgjoj, nuk m`u duk as e përshtatshme që të ushqej familjen dhe shërbëtorët para tyre. Prandaj kam pritur me enë në dorë deri në agim, kur ata u zgjuan. Fëmijët qanin nga uria tek këmbët e mia, por unë ju dhashë qumësht vetëm pasi prindërit janë zgjuar dhe kanë pirë qumështin që u kisha sjellë.

O Zoti im! Nëse këtë e kam bërë vetëm për Ty, e për askënd tjetër, atëherë largoje këtë shkëmb nga hyrja e kësaj shpelle në të cilën gjendemi!»

Shkëmbi lëvizi pak, por jo edhe aq sa të mund të dilnin!

I dyti tha:

«O Zoti im! Kam pasur një kushërirë të afërt, të cilën e kam dashur më shumë se tërë botën, (sipas një transmetimi tjetër – e kam dashur siç i duan burrat gratë, andaj kërkova prej saj siç kërkojnë burrat prej grave të tyre), por ajo nuk më lejoi. Një vit kaploi zia e bukës. Kushërira e dashur më erdhi dhe unë i dhashë 120 dinarë (monedha ari) që të vetmohet me mua. Ajo pranoi. Por, kur erdhi koha të vetmohem me të, (sipas një transmetimi tjetër – kur e përqafova ashtu siç e përqafon burri gruan e tij), ajo (duke qarë) më tha: “Frikësoju Allahut dhe mos ma merr virgjërinë pa të drejtë.” Atëherë u largova prej saj duke e kursyer nga akti i turpshëm edhe pse e doja më tepër se çdokënd tjetër. E lirova (nga kjo barrë) dhe nuk ia mora mbrapsht as paratë që i dhashë.

O Zoti im! Nëse këtë e kam bërë vetëm për të fituar kënaqësinë Tënde, na e largo këtë vështirësi në të cilën jemi!»

Shkëmbi lëvizi edhe pak nga hyrja e shpellës, por jo edhe aq sa të mund të dilej prej saj.

I treti tha:

«O Zoti im! Kam pasur shumë punëtorë (me rrogë) dhe të gjithëve ua kam paguar menjëherë paratë e merituara, përveç njërit që u largua para se të merrte rrogën. Më vonë, paratë e tij i kam shfrytëzuar dhe pasuria e tij u shumëfishua. Një ditë, ky person erdhi e më tha:

“O robi i Zotit! Më jep paratë që nuk m’i ke dhënë!” Unë i thashë:

“Të gjitha këto dele, lopë, deve dhe robër që sheh, janë në sajë të parave të tua që janë shtuar.” Ai tha:

“O robi i Zotit! Mos u tall me mua!” Atëherë unë i thashë:

“Nuk po tallem me ty.”  Pastaj, ai e mori tërë mallin dhe iku pa lënë asgjë pas.

O Zoti im! Nëse këtë e kam bërë vetëm për Ty, atëherë largoje këtë shkëmb nga hyrja e shpellës!»

Shkëmbi u rrokullis dhe udhëtarët dolën, e vazhduan rrugën.”

-Muttefekun alejhi-

(Buhari, Buju’ 98, Ixhare 12, Harth ue’l-mudharea 13, Enbija 53, Edeb 5; Muslim, Dhikr 100.)

Abdullah Ibni Omer (r.a.).

Lindi në Mekë dhjetë vjet para Hixhretit. Ai u bë mysliman bashkë me babanë e tij, Omerin (r.a.), dhe po ashtu, bashkë me të emigroi edhe në Medinë. Kur ishte 13 vjeç, donte të merrte pjesë në betejën e Uhudit. Por i Dërguari i Allahut (a.s.), nuk e lejoi me pretekstin se ai ishte ende i vogël. Më vonë, ai mori pjesë në shumë beteja dhe çlirime. Ai mori pjesë edhe në fushatën ushtarake të Stambollit, ku merrte pjesë edhe Ebu Ejub el-Ensari (r.a.).

Ibni Omeri (r.a.), ishte një prej kandidatëve që pritej të bëhej kalife pas martirizimit të Osmanit (r.a.). Mirëpo, ai nuk e pranoi këtë propozim dhe nuk mori pjesë në mosmarrëveshjet ndërmjet myslimanëve. Megjithatë, ai ua tërhiqte menjëherë vëmendjen udhëheqësve kur shihte ndonjë lëshim të tyre në çështjet e fesë.

Për shkak se motra e tij e madhe, Hafsa (r.anha), ishte bashkëshortja e të Dërguarit të Allahut (a.s.), ai kishte mundësinë të qëndronte në rrethin e afërt të tij. Për rrjedhojë, ai u përcolli myslimanëve shumë hadithe që sahabët e tjerë nuk kishin mundësi t’i dëgjonin.

Ai ka transmetuar 2630 hadithe bashkë me përsëritjet e tyre, gjë e cila e bën atë sahabin që ka transmetuar më shumë hadithe pas Ebu Hurejres (r.a.). Në të njëjtën kohë, Ibni Omeri (r.a.), ishte një nga shtatë sahabët që ka dhënë më shumë fetva. Ai dha fetva për gjashtëdhjetë vite me radhë.

Ibni Omeri (r.a.), e imitonte germë për germë mënyrën e jetesës së Profetit (a.s.) dhe nuk kishte asnjë të ngjashëm me të në zbatimin pikpërpikë të urdhrave të Profetit (a.s.). Një ditë, Ibni Omeri (r.a.), me anë të motrës së tij Hafsa (r.a.), i tregoi Profetit tonë (a.s.), një ëndërr që kishte parë. Ndërsa i Dërguari i Allahut (a.s.), tha: “Sa njeri i mirë është Abdullahu. Pale sikur të falte edhe namaz nate!” Për rrjedhojë, që prej asaj dite, Ibni Omeri (r.a.), nuk e braktisi kurrë namazin e natës.

Pas vdekjes së Profetit (a.s.), Ibni Omeri (r.a.), mësoi vendet ku i Dërguari i Allahut (a.s.), ka pas falur namaz dhe, në shenjë të dashurisë që kishte për të, filloi të falej edhe vetë në ato vende. Përveç kësaj, ai ecte nëpër rrugët që ka pas ecur Profeti (a.s.), qëndronte nën hijen e pemëve ku ka pas qëndruar ai dhe i vadiste ato që të mos thaheshin. Madje, ai tregohej shumë rigoroz edhe në lidhje me urdhrat që Profeti (a.s.), ka dhënë në çështjen e dhënies së selamit (përshëndetjes Islame). Kur nuk kishte punë për të bërë, ai dilte në rrugë vetëm për t’u përshëndetur me myslimanët dhe u jepte selam çdokujt që takonte, të vegjël apo të mëdhenj qofshin.

Abdullah Ibni Omeri (r.a.), ishte prej sahabëve të pasur. Mirëpo, ai nuk lejonte që pasuria e tij të akumulohej tepër, prandaj herë pas here e shpërndante tek të varfrit. Ndër të gjitha ato që zotëronte, ai veçonte ato që pëlqente më shumë, për t’i flijuar në rrugë të Allahut ose për t’i dhënë si sadaka. Njëherë, kishte filluar të ushqente tepër dashuri ndaj një robëreshe që zotëronte. Prandaj, ai e liroi atë menjëherë dhe e martoi me një burrë që e kishte liruar më parë nga robëria.

Ai kishte filluar të lironte të gjithë robërit që shfaqnin sjellje të mira, e sidomos ata që falnin namaz. Mirëpo, një nga miqtë e tij, i cili e pa të arsyeshme ta paralajmëronte në lidhje me këtë çështje, i tha se një pjesë prej robërve, shkonin në xhami vetëm për t’u liruar nga robëria. Ndërsa Ibni Omeri (r.a.), u përgjigj:

“Unë pranoj të mashtrohem prej atyre që dëshirojnë të më mashtrojnë me Allahun!” Kështu, ai liroi më tepër se njëmijë robër me arsye të ndryshme.

Nga frika se mos kaplohej prej ndjenjës së mendjemadhësisë, ai vishej thjeshtë dhe, megjithëse ishte i shëndetshëm, hante shumë pak. Flokët i kishte të gjatë, aq sa i derdheshin mbi supe. Mjekrën e lyente me këna dhe një lloj boje të verdhë të quajtur “ketem”. Për këtë arsye, mjekra e tij merrte një ngjyrë gështenje. Madje, ai thoshte se kështu e bënte edhe Profeti (a.s.).

Abdullah Ibni Omeri (r.a.), ndërroi jetë në Mekë, në vitin 73 Hixhri (692), në moshën 85 vjeçare.

Allahu qoftë i kënaqur me të!

Shpjegime

Edhe në këtë Hadith fisnik, theksohet se veprat e bëra me qëllim të mirë dhe sinqeritet, e kënaqin Allahun e Madhëruar. Po ashtu, Allahu kënaqet me robin e Vet, i cili bën vepra të mira për të fituar pëlqimin e Tij dhe i braktis veprat e këqija duke pasur frikë prej Tij. Kjo kënaqësi e Allahut, e shpëton njeriun nga shumë vështirësi, si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër dhe i sjellin atij lumturi në të dyja botët.

Në këtë Hadith trajtohet rëndësia e shërbimit ndaj prindërve, vetëpërmbajtjes dhe respektimit të të drejtës së njeriut. Shembulli i parë, tregon se mirësia ndaj prindërve dhe kënaqja e zemrës së tyre, është një sjellje shumë e çmuar. Në fakt, njeriu është i detyruar të sillet mirë ndaj prindërve, sepse ata janë kujdesur për të dhe e kanë rritur. Ndërsa tani, radhën për të bërë mirë dhe për t’u kujdesur e kanë fëmijët.

Më e çmuara prej këtyre tre veprave, është ajo e atij që e përmbajti veten nga dëshirat e ulëta të egos vetëm prej frikës nga Allahu, ndërkohë që nuk e pengonte asgjë të shkonte me kushërirën e vet. Lidhur me këtë lloj vepre, në Kuranin Fisnik urdhërohet:

“Ai që i është frikësuar madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat, pa dyshim që do të ketë për strehë Xhenetin.” (Nazi’at, 40-41.)

Kur njeriu bie në vështirësi, ai duhet t’i lutet dhe t’i përgjërohet Allahut që ta shpëtojë atë nga këto vështirësi. Në atë moment, ai mund të përmend ndonjë vepër të mirë, për të cilën është i sigurt se e ka bërë me sinqeritet dhe t’i lutet Allahut ta ndihmojë për hir të asaj vepre. Prandaj, është e domosdoshme të kesh vepra të sinqerta, të cilat mund t’i përdorësh për t’iu lutur Allahut në kohë të vështira.

Rezultatet pozitive të veprave të mira që bëhen me sinqeritet dhe qëllim të mirë, shihen që në këtë jetë, madje, në kohë kur mendohet se gjithçka ka mbaruar. Kjo tregon rëndësinë e  sinqeritetit dhe qëllimit të mirë në jetën e njeriut.

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Prindërit duhet të dëgjohen dhe të respektohen më shumë se kushdo tjetër. Pas Allahut dhe të Dërguarit të Tij (a.s.), prindërit duhet të jenë në radhë të parë ndër të gjithë të dashurit.
  2. Braktisja e dëshirave të egos vetëm prej frikës së Allahut dhe dëshirës për të fituar kënaqësinë e Allahut, edhe pse janë të gjitha mundësitë për t’i arritur ato dëshira, e bën njeriun me virtyte të larta.
  3. Ndershmëria, mirëkuptimi dhe sakrifica që tregohen në marrëdhëniet me njerëzit, janë vepra të mira që e kënaqin Allahun e Madhëruar.
  4. Allahu i Madhëruar nuk e humb asnjë punë të mirë, por e vlerëson atë kur të vijë koha e duhur.
  5. Njeriu do të shpërblehet në të dyja botët për sinqeritetin dhe qëllimin e mirë.
Share.

Leave A Reply