Kjo botë është një vend gare. Njeriu është një prej gjallesave që jetojnë aty. Lindja dhe vdekja janë kufijtë që e fillojnë dhe e përfundojnë këtë garë… Jeta përbëhet nga pasimi i kësaj vijueshmërie… Ajo është koha që kalon ndërmjet këtyre dy kufijve.

Njeriu besimtar është një trim që ia ka dorëzuar plotësisht zemrën Allahu (xh.xh.) dhe të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Kur zbaton Islamin, posedon një sinqeritet të plotë në fe. Asnjë dashuri nuk mund ta devijojë atë nga kjo rrugë. Dashuria për Allahun dhe të Dërguarin e Tij për të është mbi çdo gjë. Kjo dashuri për të është më e vlefshme se pasuria, jeta, fëmijët, pozita, paraja dhe çdo gjë tjetër. Kjo sepse besimtari është një njeri që e ka shijuar kënaqësinë e besimit, ka parë të vërtetën me dritën e zemrës dhe i është dorëzuar plotësisht Allahut (xh.xh.).

Nënshtrimi dhe sinqeriteti ishin prej cilësive më kryesore të sahabëve të nderuar. Nënshtrimi me sinqeritet ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe ecja në këtë rrugë me dëlirësi, përbënin moralin e lartë të miqve të zgjedhur të Pejgamberit tonë të nderuar. Sa fatmirësi dhe lumturi e madhe ishin të jetuarit me sinqeritet dhe vazhdimësia në këtë rrugë përgjatë gjithë jetës!..

I Dërguari i Allahut (s.a.s.), ka thënë për Sa’d ibn Ebi Rebi’an (r.a.): “Allahu e mëshiroftë Sa’din! Ai ka qenë i sinqertë kundrejt Allahut dhe të Dërguarit Tij edhe gjallë, edhe vdekur.” Sa’d ibn Rebi’a (r.a.), për të cilin Pejgamberi u shpreh kështu, ishte prej të parëve të ensarëve. Ai hyri në Islam në besatimin e parë të Akabesë. Për shkak se u gjend edhe në besatimin e dytë të Akabesë, pati nderin t’i jepte besën dy herë Pejgamberin tonë të nderuar.

Sa’d ibn Ebi Rebi’a (r.a.), ishte prej të pasurve të ensarëve. Kur Resulullahu, alejhi’s-selam, bëri hixhret në Medine dhe formoi vëllazërinë ndërmjet ensarëve e muhaxhirëve, Sa’d ibn Ebi Rebi’an (r.a.), e bëri vëlla me Abdurrahman ibn Aufin (r.a.). Vëllazëria fetare që shfaqi ai mund të rastiset rrallë në histori. Sa’dibn Ebi Rebi’a (r.a.), e mbajti vëllain muhaxhir më lart se vëllain e tij dhe e nderoi atë në çdo lloj mënyre. Konsiderata e madhe që ai kishte për vëllazërinë në fe, u bë mësim për të gjithë umetin.

* * *

Sahabët e nderuar i kishin mbushur aq shumë zemrat e tyre me dashurinë ndaj të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), saqë mendonin vetëm për të edhe kur ishin duke vdekur. Ata mendonin për Pejgamberin (s.a.s.), edhe në momente kur bëhej fjalë për jetë a vdekje… Të japësh shpirt me atë dashuri… Apo të ringjallesh me atë dashuri… Ndoshta ky duhet të jetë parimi i besnikërisë dhe nënshtrimit ndaj Zotit dhe Pejgamberit…

Në luftën e Uhudit Sa’d ibn Ebi Rebi’a (r.a.), luftoi me shumë heroizëm. Atij nuk i mbeti asnjë vend në trup pa marrë plagë. Pas luftës i Dërguari i Allahut (s.a.s.), pyeti për të:

“Vallë, në çfarë gjendjeje është Sa’d ibn Ebi Rebi’a? Mos vallë është ndërmjet dëshmorëve? Apo ndërmjet të plagosurve? Kam parë se ai është sulmuar me dymbëdhjetë heshta.” Ai dërgoi Muhamed ibn Meslemenë për ta kërkuar dhe për ta gjetur. Muhamed ibn Mesleme shkoi te vendi ku gjendeshin të plagosurit dhe thirri:

“O Sa’d ibn Ebi Rebi’a!” Ai thirri disa herë, por nuk mori përgjigje. Më së fundi kur tha: “O Sa’d! Mua më ka çuar i Dërguari i Allahut te ti.”, ai u përgjigj me një zë të dobët:

“Unë jam ndërmjet të vdekurve.”

Muhamed ibn Mesleme (r.a.), e gjeti atë ndërmjet dëshmorëve duke dhënë frymën e fundit. Trupi i Sa’dit kishte marrë shumë plagë prej shpatave dhe heshtave.

Kur Sa’d ibn Ebi Rebi’a (r.a.), e pa Muhamed ibn Meslemenë (r.a.), i hapi sytë dhe i tha këto fjalë të fundit historike që shprehin dashurinë ndaj Resulullahut (s.a.s.):

“Bëji selam të Dërguarit të Allahut. Unë tani po ndjej erën e xhenetit. Bëji selam edhe popullit tënd prej meje. Le të mos e harrojnë besën që ia kanë dhënë të Dërguarit të Allahut në Akabe. Nëse armiku i afrohet të Dërguarit të Allahut përderisa sytë ju shohin dhe qerpikët ju lëvizin, nuk mund të justifikoheni te Allahu.”

Muhamed ibn Mesleme (r.a.), shkoi te i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe i çoji selamin e fjalët e fundit të Sa’d ibn Ebi Rebi’as (r.a.). Nisur nga ky lajm, Resulullahu (s.a.s.), u lut:

“O Zot! Ji i kënaqur prej Sa’d ibn Ebi Rebi’as!” –pastaj shtoi: “Allahu e mëshiroftë Sa’din!  Ai ka qenë i sinqertë kundrejt Allahut dhe të Dërguarit Tij edhe gjallë, edhe i vdekur.”

* * *

Ata e mbajtën fjalën që e dhanë në Akabe. Ndërsa shpërblimi për ata që e mbanin fjalën, ishte xheneti. Allahu Teala ua ka dhënë atyre këtë premtim. Edhe Sa’d ibn Ebi Rebi’a (r.a.), ishte njëri prej atyre që e arritën këtë shpërblim.

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

Allahu Teala na dhëntë edhe neve dashuri dhe nënshtrim si të Sa’d ibn Ebi Rebi’as (r.a.)! Zoti na bashkoftë me të në xhenet! Amin!

Share.

Comments are closed.