Dashuria kundrejt prindërve është konsideruar e shenjtë në çdo periudhë dhe në çdo shoqëri, sepse respektin dhe shërbimin ndaj tyre e këshillojnë të gjithë dijetarët. Ndërsa Islami e ka ngritur në pikën kulmore nderimin që u është bërë prindërve. Bindjen ndaj prindërve e ka vendosur menjëherë pas bindjes ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Pra, bindjen ndaj prindërve e ka vendosur në radhën e tretë. Këta dy ajete të mëposhtme janë argument i qartë për këtë çështje:

“Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka mbartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vitesh. Ne i thamë atij: “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë.” (Lukman, 14)

“Ne e kemi urdhëruar njeriun, që të sillet mirë me prindërit e vet dhe: “Nëse ata të nxisin ty që të më shoqërosh Mua (në adhurim) atë, për të cilin ti nuk di asgjë, atëherë mos i dëgjo ata.” Tek Unë do të ktheheni të gjithë e do t’ju lajmëroj për gjithçka që keni bërë.” (Ankebut, 8)

Shoqëria islame është shoqëri e dashurisë. Njerëzit e kësaj shoqërie e bëjnë jetën e tyre nën flatrat e dhembshurisë dhe mëshirës… Aty nuk ka padrejtësi. Askujt nuk i shkelen të drejtat, sepse drejtësia është themeli i çdo gjëje. Në këtë shoqëri bëhet një jetë e lumtur larg mashtrimeve, dredhive dhe dinakërive.

Njeriu jeton me dritën e natyrshmërisë që ka në zemër. Ai gjithmonë vazhdon të bëjë mirësi me atë dritë. Ata që e zhvillojnë dhe bëjnë këtë dritë të ndriçojë edhe më shumë brenda tyre, bëhen shkak që të mbijnë farërat e dashurisë e mëshirës dhe të mblidhen frytet e besnikërisë, faljes e drejtësisë. Ndërsa ata që e burgosin dhe e mbulojnë atë dritë me mëkate, shndërrohen në të çmendur që e kanë humbur rrugën në errësirë. Ata i ngjajnë një peme të thatë që nuk çel dhe nuk bën fruta. Madje, u ngjajnë shkëmbinjve që nuk e tërheqin dot mëshirën drejt tyre.

Që nga dita kur dielli i Islamit ka filluar ta ndriçojë botën tonë, dashuria ndaj Allahut dhe Resulullahut është bërë burimi i të gjitha dashurive. Vëllazëria islame është formuar me këtë dashuri. Si rezultat i kësaj dashurie njerëzimi gjeti paqen. Ata që takohen me këtë dashuri, arrijnë te burimi i lumturisë. Në këtë mënyrë, mund ta flijojnë edhe jetën e tyre në këtë rrugë. Edhe Hazreti Sa’d ibn Ebi Vakkasi (r.a.), ishte njëri prej sakrifikuesve që u takua me këtë dashuri.

Ai ishte i pari që gjuajti me shigjetë në rrugën e Allahut (xh.xh.). Pejgamberi ynë i nderuar i ka thënë një fjalë atij të cilën nuk ia ka thënë askujt: “Nëna dhe babai im të qofshin falë!” Sa’d ibn Ebi Vakkasi (r.a.), ishte prej të parëve që kanë hyrë në Islam. Ai u bë mysliman në moshë të re (17 vjeç). I Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, u gëzua shumë kur Sa’di (r.a.), hyri në Islam.

Sa’d ibn Ebi Vakkasi (r.a.), ishte prej të rinjve fisnikë të Mekës. Edhe familja e tij ishte prej familjeve të nderuara të Mekës. Familja e Sa’dit (r.a.), ka dhënë shërbime të rëndësishme për përhapjen e Islamit. Përveç të tjerash, ata ishin dajat e Profetit (s.a.s.). Pra, ishte prej Beni Zuhre që ishte fisi i Hazreti Eminesë. Pasi Sa’di (r.a.), u nderua me Islam, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), e shfaqte dashurinë ndaj tij duke thënë: “Ky është daja im. A ka ndonjë që ka dajë të tillë?”

Në pranimin e Islamit nga Sa’di (r.a.), ka shumë gjëra mësimdhënëse. Veçanërisht ka sjellje dhe mësime që mund të merren si shembull nga rinia që sapo takohet me Islamin.

Sa’d ibn Ebi Vakkasi (r.a.), pati mbetur ndërmjet dy dashurive. Kë duhet të zgjidhte vallë?.. Ja historia e hyrjes së tij në Islam… Le ta dëgjojmë nga vetë ai:

“Tri ditë para se të hyja në Islam, e pashë veten në ëndërr në një vend shumë të errët. Asgjë nuk shikoja dot. Papritur u shfaq hëna. E ndoqa rrugën nën ndriçimin e saj. Aty vura re se kishte edhe të tjerë që e kishin parë përpara meje atë dritë. Ata ishin Zejd ibn Harithe, Ali ibn Ebi Talibi dhe Ebu Bekri, radijall-llahu anhum. I pyeta: “Kur erdhët këtu?” Të tre mu përgjigjen: “Tani.”

Kur u bë mëngjes, dëgjova për ftesën e fshehtë që bënte i Dërguari i Allahut (s.a.s.) në Islam. Aty e kuptova se Allahu Teala dëshironte të mirën time dhe donte të më nxirrte nga errësirat në dritë nëpërmjet Pejgamberit të Tij.

Shkova Menjëherë te i Dërguari i Allahut (s.a.s.), duke vrapuar. E gjeta në lagjen Xhijad. Ai ishte duke falur namaz. E prita, pastaj i thashë plot kureshtje: “Kujt po i lutesh?” Resulullahu (s.a.s.), mu përgjigj:

“Edhe ti e di se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se unë jam i Dërguari i Allahut.” Pas këtyre fjalëve, nuk e pashë të nevojshme t’ia tregoja ëndrrën. Thashë menjëherë shehadetin dhe u bëra mysliman. Përveç atyre që kisha parë në ëndërr, askush tjetër nuk ishte bërë mysliman përpara meje.

* * *

Kur nëna e dëgjoi se kisha pranuar Islamin, u mërzit jashtë mase. Ajo më tha duke reaguar shumë ashpër: “Sa’d! Çfarë është kjo fe që të ka nxjerrë nga feja e nënës dhe babait tënd? Si mund ta braktisësh fenë tonë? Do ta lësh menjëherë këtë fe të re! Përndryshe nuk do të ha dhe nuk do të pi derisa të vdes. Atëherë do të mërzitesh dhe do të pendohesh për atë që ke bërë. Ndërkohë edhe njerëzit do të të nënçmojnë përgjithmonë.” Ajo deshi të mi vinte në lëvizje ndjenjat e mëshirës dhe dashurisë nëpërmjet veprimeve dhe fjalëve të pafajshme që i drejtoheshin zemrës. Më la ndërmjet dy dashurive. Pasi nuk mori rezultat, filloi të sillej me ashpërsi. Në çdo fjalë dhe veprim të saj e shtoi ashpërsinë e reagimit. Ndërsa unë i thashë: “Nënë e dashur! Mos bëj kështu. Unë nuk mund ta lë fenë.” Pasi i thashë këto fjalë, nëna e la të ngrënët dhe të pirët. Trupi iu dobësua. Ajo pothuajse po shkatërronte veten.

Unë shkoja shpeshherë pranë saj, në mënyrë që të hante qoftë edhe sa për të qëndruar në jetë, por ajo reagonte edhe më keq duke më thënë: “Nuk do të ha derisa ta lësh fenë.” Për shkak të këtij reagimi të pakuptimtë, iu afrova nënës dhe i thashë:

“Nënë e dashur! E dua Allahun dhe të Dërguarin e Tij më shumë se ti. Për Zotin! Edhe nëse do të kishe një mijë shpirtra dhe do t’i jepje ata një nga një në mënyrë që unë ta lija Islamin, përsëri nuk do të hiqja dorë nga feja ime.”

Këto fjalë ndikuan shumë te ajo. Kur e pa vendosmërinë time në fe, u habit. Ajo nuk kishte asnjë rrugëzgjidhje. Kështu që filloi përsëri të hante e të pinte.

* * *

Kur Sa’di ibn Ebi Vakkasi (r.a.), u bë mysliman, pati një reagim të tillë nga familja, por ai nuk u mposht dhe nuk hoqi dorë nga feja. Edhe Allahu i Lartësuar e mbështeti atë me këtë ajet fisnik:

 “Nëse ata (prindërit) orvaten, që të më shoqërosh Mua (në adhurim) diçka, për të cilën ti nuk ke dijeni, mos i dëgjo, por sillu mirë me ata në këtë jetë dhe ndiq rrugën e atij që drejtohet tek Unë me devotshmëri; pastaj, tek Unë do të ktheheni dhe Unë do t’ju lajmëroj për atë që keni bërë.” (Lukman, 15)

Sa’d ibn Ebi Vakkasi (r.a.), i cili mori pjesë në të gjitha luftërat, shfaqi heroizma të mëdha në luftën e Bedrit. Ai e vrau Sa’d ibn Asin i cili ishte prej komandantëve të mushrikëve. Sa’d ibn Ebi Vakkasi (r.a.), ishte specialist në gjuajtjen e shigjetës. Me çdo shigjetë që gjuante, godiste në shënjestër. Ai njihej si sahabi që ka gjuajtur shigjetën e parë në rrugë të Allahut Teala. Në luftën e Uhudit ishte kryetari i harkëtarëve. Atë ditë ka gjuajtur më shumë se një mijë shigjeta. Sa’d ibn Ebi Vakkasi (r.a.), fitoi konsideratën e Pejgamberit tonë të dashur i cili u shpreh:

“Gjuaj o Sa’d!.. Gjuaj o Sa’d! Nëna dhe babai im të qofshin falë!”

* * *

Sa’di (r.a.), kishte një dashuri aq të madhe për të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), saqë asnjëherë nuk dëshironte të ndahej prej tij. Sa’di e ndiqte Pejgamberin (a.s.), si hija e vet. Nëna jonë, Aishja (r.anha), e tregon si më poshtë këtë dashuri të madhe që Sa’di kishte për Resulullahun (s.a.s.):

Në njërën prej luftërave i Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, u kthye natën në Medine. Atë natë tha: “Ah sikur një i devotshëm të bënte roje sonte!” Në ato momente nga jashtë u dëgjua një zë. Kur Pejgamberi (s.a.s.), tha: “Kush është?”, Sa’di iu përgjigj: “Jam unë, o i Dërguari i Allahut!.. Sa’d ibn Ebi Vakkasi!” Resulullahu (s.a.s.), e pyeti:

 “Çfarë të ka sjellë këtu?” Sa’d ibn Ebi Vakkasi iu përgjigj:

“O i Dërguari i Allahut! Një zë nga brenda më thoshte se i Resulullahu është vetëm. Andaj u frikësova në mos dikush mund të të bënte keq. Për këtë arsye, erdha t’ju shërbej.” I Dërguari i Allahut (s.a.s.), u gëzua shumë nga kjo largpamësi e Sa’dit (r.a.). Pastaj u lut për të.

* * *

Në periudhën e kalifatit të Hz. Omerit, Sa’d ibn Ebi Vakkasi (r.a.), u dërgua për të mbledhur zekatin në krahinën Hevazin. Kur ngjarjet në anët e Iranit u bënë shqetësuese, u urdhërua që të kthehej në Medine. Sa’d ibn Ebi Vakkasi u emërua komandanti i ushtrisë islame. Omeri (r.a.), i dha nën komandë katër mijë ushtarë. Ai u bashkua me pjesën tjetër të ushtrisë islame që gjendej në tokat e Iranit dhe fitoi luftën e Kadisijes e cila është e njohur.

Në këtë luftë ushtrinë islame e komandonte Sa’d ibn Ebi Vakkasi (r.a.), ndërsa ushtrinë e Iranit e komandonte Rustemi. Ai i dërgoi korrierë mbretit të Persisë, Jezid Xhurdës për t’i thënë: “Ose bëhuni myslimanë, ose paguani taksat, ose luftoni.”

Kur mbreti i Iranit mori këtë lajm, u zemërua shumë. Zemërimin e tij e shprehu duke thënë: “Po të kishte qenë ndonjë mbret që ka vrarë korrierët para meje, edhe unë do të bëhesha i dyti.” Kisra (mbreti i Iranit/Persisë) urdhëroi që t’i sillnin një sasi dheu. Atë ia vendosi në kurriz korrierit dhe i tha: “Këtë çojani kryetarit tuaj. Po e dërgoj Rustemin për t’ju groposur në hendekun e Kadisijes.”

Sa’d ibn Ebi Vakkasi (r.a.), dëshironte ta rregullonte këtë punë me marrëveshje. Prandaj dërgoi përsëri korrierë dhe u dha tri ditë afat. Ata nuk kthyen përgjigje. Ditën e katërt filloi lufta. Sa’d ibn Ebi Vakkasi (r.a.), u dha këtë taktikë ushtarëve:

“Qëndroni me vendosmëri nëpër vendet tuaja. Pas namazit të drekës unë do të marr katër tekbire. Pas çdo tekbiri jepni tekbir edhe ju. Në tekbirin e parë përgatituni për luftë. Në tekbirin e dytë merrni armët. Në tekbirin e tretë qëndroni në gadishmëri. Në tekbirin e katër sulmoni duke thënë “La havle ve la kuvete il-la bil-lah”.

Ushtria islame në këtë mënyrë e filloi sulmin. Edhe ushtria e Persisë sulmoi me elefantë madhështorë. Ditën e parë u bënë beteja shumë të ashpra. Në ditët e mëpasshme ushtria islame me taktikat gjeniale që shfaqi, e shkatërroi ushtrinë e Persisë që përbëhej nga ata elefantë të mëdhenj. Kur myslimanët e vranë edhe kryekomandantin e persianëve, Rustemin, ushtarët e Iranit filluan të arratiseshin. Shumica prej tyre ranë në lum dhe u mbytën. Një pjesë u kap rob. Myslimanët dhanë dy mijë dëshmorë. Ushtria islame u nis për sulm drejt Medajinit i cili ishte kryeqyteti. Kur mbreti i Persisë/Iranit e dëgjoi këtë, u arratis nga qyteti. Në këtë mënyrë u çlirua edhe Medajini. Sarajet dhe thesaret e mbretit të Persisë kaluan në dorën e myslimanëve.

Sa’d ibn Ebi Vakkasi (r.a.), e njoftoi kalifin se ajri dhe uji i Medajinit nuk po u bënin mirë ushtarëve. Hz. Omeri (r.a.), e urdhëroi që të ndërtonin një qytet të ri. Kështu u ndërtua qyteti i Kufës. Sa’di (r.a.), u bë prefekti i parë i atij vendi. Këtë detyrë e vazhdoi edhe në kohën e Hz. Osmanit (r.a.).

Sa’d ibn Ebi Vakkasi (r.a.), i cili ishte prej dhjetë të përgëzuarve me xhenet që në këtë botë dhe i cili transmetoi 270 hadithe fisnike, në fund të jetës së tij u sëmur në një vend që quhej Akik diku afër Medines. Aty ndërroi jetë në vitin 675 p.e.s.. Sa’di (r.a.), u varros në Xhennetu’l-Baki.

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

Lus Zotin (xh.xh.), që të na bëjë besimtarë që nuk bëjnë lëshime në besimin e tyre dhe që i japin rëndësi para çdo gjëje dashurisë ndaj Allahut dhe të Dërguarit të tij pikërisht si Sa’d ibn Ebi Vakkasi (r.a.)! Allahu na bashkoftë me të në xhenet! Amin!

Share.

Comments are closed.