Said ibn Zejdi (r.a.), ishte prej trimave të parë që u nderuan me Islamin. Halla e tij, Atike binti Amri ishte bashkëshortja e Omerit (r.a.). Ndërsa Fatime binti Hattabi ishte bashkëshortja e Saidit (r.a.). Babai i tij është Zejd ibn Amri.

Zejd ibn Amri asnjëherë në jetën e tij nuk i kishte adhuruar idhujt, nuk kishte ngrënë ato që ishin therë në emër të idhujve, gjithmonë kishte kërkuar fenë e pastër dhe kishte ecur në rrugën e tevhidit. Ai jetoi duke qëndruar vazhdimisht larg traditave të xhahilijetit (kohës para ardhjes së Islamit). Ndërmjet njerëzve njihej për zgjuarsinë, moralin e lartë dhe karakterin e tij.

Ai u përpoq me gjithë shpirt për t’i shpëtuar vajzat e vogla që i kishin bërë gati t’i varrosnin të gjalla në dhe. Baballarëve të tyre ua merrte vajzat duke u thënë: “Mos e vrisni atë. Të gjitha nevojat e saj do t’i siguroj unë.” Kur vajzat rriteshin dhe edukoheshin, Zejdi u thoshte baballarëve të tyre: “Ja vajzat tuaja! Nëse doni, mund t’ua jap. Nëse doni, mund të vazhdoj t’ua siguroj nevojat atyre.” Në këtë mënyrë shfaqte veprimin më human në atë kohë. Me këtë veprim ua mësoi të gjithëve se njeriuduhet të vlerësohej. Fëmijët, qofshin vajza apo djem, të gjithë janë amaneti i Allahut (xh.sh.). Zejdi u bë shembull me këtë veprim.

Abdullah ibn Omeri (r.a.), transmeton se Zejdi është takuar me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), në luginën Beldah diku afër Mekës para ardhjes së profecisë. Atë kohë akoma nuk kishte ardhur shpallja hyjnore. Krahas kësaj, ushqimin që kishin përgatitur politeistët, nuk e hëngri as ai ngaqë nuk e hëngri as Pejgamberi (s.a.s.). Ai shfaqi largpamësinë e tij duke u shprehur: “Unë nuk i ha ato që theren në emër të idhujve.”

Ai mërzitej shumë kur kurejshit thernin kafshët në emër të idhujve. Një ditë, kur Zejdi pa delet që po çoheshin përpara idhujve për t’u therë në Qabe, tha:

“O populli i kureshjve! Allahu i ka krijuar delet. Për ato ka lëshuar shi nga qielli dhe ka nxjerrë bar nga toka. Delet ushqehen me të. Ndërsa ju po i therni ato në emër të dikujt tjetër. Unë ju konsideroj popull injorant.”

Pas këtyre fjalëve, xhaxhai i tij, Hattabi i tha: “Mallkuar qofsh! Vazhdimisht i thua këto fjalë. Ndërsa ne bëjmë durim. Tashmë nuk na ka mbetur durim për të të dëgjuar.” – dhe e goditi me shuplakë. Pastaj u tha njerëzve që ta sulmonin. Zejdi pas kësaj ngjarjeje u largua nga Meka dhe shkoi në shpellën Hira. Në Mekë mund të hynte vetëm natën dhe fshehurazi.

Një herë Zejdi u takua fshehurazi me Varaka ibn Neufelin, Abdullah ibn Xhahshin dhe Osman ibn Harithin. Zejdi u takua me këta një nga një dhe tha: “Për Zotin, ju e dini se populli juaj nuk i përket asnjë feje dhe se e ka lënë e nuk e pranon fenë e Ibrahimit. Nëse dëshironi të shpëtoni, gjeni një fe në të cilën mund të hyni…” Në këtë mënyrë i inkurajoi ata për fenë e pastër.

Këta katër vetë shkuan te dijetarët hebrenj dhe të krishterë që jetonin në atë kohë për të mësuar fenë e pastër. Ata morën të dhëna rreth fesë së Ibrahimit (a.s.). Varaka ibn Neufeli u bë i krishterë. Ndërsa Abdullah ibn Xhahshi dhe Osman ibn Harithi nuk ndjenë interesim për asgjë. Zejd ibn Amri e tregon vetë këtë kërkim që bënë:

“Studiova hebraizmin dhe krishterimin. Në të dyja fetë nuk gjeta gjë që të më qetësonte. Pastaj fillova të kërkoja fenë e Ibrahimit sa këtej e sa andej. Më në fund shkova në Sham. Atje u takova me një murg. E pyeta atë për fenë e pastër. Ai më tha se feja e pastër është feja e Ibrahimit e cila nuk i ngjan hebraizmit, nuk i ngjan krishterimit dhe që adhuron vetëm Allahun. I thashë atij: “Ja, edhe unë pikërisht këtë fe dua.” Murgu më tha:

“Po, o mekas! E kuptova se po kërkon fenë e Ibrahimit. Ti po kërkon një fe te e cila askush nuk mund të të çojë. Por sidoqoftë kthehu menjëherë në vendin tënd. Allahu do të dërgojë prej popullit tënd pejgamberin e fundit që do ta rinovojë fenë e Ibrahimit. Ardhja e tij është afruar. Andaj mos ndalo. Shko, sepse ndoshta mund të ketë ardhur.” Kështu, edhe unë u largova nga aty.

Zejdi mori rrugën e Mekës me mallëngjimin për të parë Pejgamberin e fundit. Ndërkohë Allahu Teala e kishte dërguar Muhamedin (s.a.s.) si Pejgamber me fenë e fundit. Zejdi, i cili e kishte nisur rrugën me një mallëngjim të madh, përgjatë rrugës u sulmua nga beduinët.

Ai u plagos dhe për fat të keq nuk shkoi dot te Pejgamberi i fundit. Kur ishte në frymën e fundit, e humbi shpresën prej vetes. Pastaj dëshiroi që të paktën biri i tij, Saidi të takohej me të. Për Saidin iu lut Allahut Teala:

“O Zot! Mos e privo prej tij birin tim, Saidin!..”

* * *

Said ibn Zejdi (r.a.), ishte prej të parëve që hynë në Islam me begatinë e lutjes së babait që u bë me plot sinqeritet. Ai u martua me motrën e Omerit (r.a.), Fatime ibn Hattabin. Të dy së bashku u bënë myslimanë. Ajetet që zbrisnin, i lexonin dhe i mësonin përmendësh së bashku. Zemrat e tyre i mbushën me dritën e shpalljes hyjnore. Ata formuan një vatër të lumtur familjare.

Nënshtrimi ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij që kishte Said ibn Zejdi (r.a.), me bashkëshorten e tij, vendosmëria e qartë që kishin në pranimin e fesë së re dhe qëndrueshmëria e tyre në besim, u bënë shkak që të hynte në Islam edhe Omer ibn Hattabi (r.a.). Said ibn Zejdi (r.a.), i cili ishte adhurues, asket dhe luftëtar në rrugën e Allahut, ishte prej të parëve që bënë hixhret. Ai ishte një njeri që kishte cilësi engjëllore dhe që i pranoheshin lutjet. Gjithashtu ishte prej dhjetë të përgëzuarve me xhenet që në këtë botë. Një ngjarje që i ka ndodhur, tregohet si më poshtë:

“Një grua shkoi te prefekti i Medines dhe u ankua për Saidin (r.a.), duke thënë: “Më ka uzurpuar vendin.” Said ibn Zejdi (r.a.), i shkroi prefektit këtë përgjigje: “A mendon se mund ta kem bërë këtë? Unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), duke thënë:

“Nëse dikush uzurpon qoftë edhe një pëllëmbë vend, ditën e kiametit do t’i vendoset në kokë si hallkë.”

Ai nuk u ankua për atë grua dhe ia la Allahut në dorë çështjen e saj. Pas një kohe të shkurtër asaj gruaje iu verbuan sytë. Pastaj është dëgjuar se kishte rënë në pus duke ecur brenda shtëpisë së saj.

* * *

Edhe një ngjarje tjetër që i ka ndodhur, e tregon vetë Saidi (r.a.): “Kur ishim me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), në shpellën Hira, ra tërmet. Në ato momente, Pejgamberi ynë i nderuar tha:

“Mos u lëkund, o Hira!.. Tani mbi ty gjendet një profet, një Siddik/i sinqertë dhe disa dëshmorë.” (Ahmed ibn Hanbel, Musned, vëll. 5, fq. 346.)

E pyetën Saidin (r.a.): “Kush ishin ata?” Said ibn Zejdi (r.a.), u përgjigj: “Ebu Bekri, Omeri, Osmani, Aliu, Talha, Zubejri, Sa’di, Abdurrahmani dhe Ubejde.” Kur i thanë: “Kush ishte i dhjeti?”, Said ibn Zejdi u përgjigj: “Isha unë.”

* * *

Një ditë Saidi (r.a.), së bashku me Omerin (r.a.), i kërkoi të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), që të bënte istigfar për babain e tij. Nisur nga kjo kërkesë, Pejgamberi, alejhi’s-selam, i dha këtë sihariq: “Zejdi ditën e kiametit do të ringjallet si një umet më vete.”

Said ibn Zejdi (r.a.), ka marrë pjesë në të gjitha luftërat përveç luftës së Bedrit. Pejgamberi (a.s.), e pati bërë vëlla me Ubej ibn Ka’bin që ishte prej Ensarëve. Saidi (r.a.), ka transmetuar 48 hadithe. Njëri prej tyre është:

“Ai që vritet duke mbrojtur pasurinë, është dëshmor. Ai që vritet duke u vetëmbrojtur, është dëshmor. Ai që vritet duke mbrojtur fenë, është dëshmor. Ai që vritet duke mbrojtur familjen, është dëshmor.” (Përkthimi i Rijazu’s-Salihin, vëll. 6, fq. 119.)

Ai ndërroi jetë në Medinetu’l-Munevvere më 672 p.e.s. mbi moshën shtatëdhjetë vjeçare. Namazin e xhenazes ia fali Abdullah ibn Omeri (r.a.).

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

Allahu i lartësuar e mëshiroftë atë dhe babanë e tij! Edhe neve na bëftë të dashur të Pejgamberit si ata dhe na bashkoftë në xhenet me këta njerëz si yje! Amin!

Share.

Comments are closed.