Suhejb-i Rumi (r.a.), transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë:

“Shumë kohë përpara jush, jetonte një mbret që kishte një magjistar. Kur magjistari u plak, i tha mbretit:

«Unë jam plakur dhe ditëve të mia po u vjen fundi, prandaj më dërgo një djalosh që t’i mësoj (trashëgoj) dijen time mbi magjinë.»

Mbreti i dërgoi një djalosh dhe magjistari i mësoi magjinë. Sa herë që djaloshi shkonte tek magjistari, gjatë rrugës ai pushonte pranë një murgu dhe dëgjonte me admirim fjalët e tij.

Një ditë, kur po shkonte tek magjistari, ai kaloi nga murgu dhe u ul të bisedonte me të. Më vonë, kur shkoi tek magjistari, ai e rrahu për shkak se ishte vonuar. Për rrjedhojë, djaloshi iu ankua murgut, i cili i tha:

«Sa herë të druhesh prej magjistarit, thuaji se të kanë penguar njerëzit e shtëpisë, e s’të kanë lanë të shkoje. E, sa herë të druhesh nga njerëzit e tu, thuaju se ke qenë i zënë (i angazhuar) me magjistarin dhe s’të linte të largoheshe.»

Për njëfarë kohe, djaloshi bëri pikërisht kështu. Njëherë, në rrugë u shfaq një kafshë e tmerrshme që nuk i lejonte njerëzit të kalonin. Atëherë, djaloshi tha:

«Sot do të mësoj kush është më i zoti, magjistari apo murgu.» Më pas, ai mori një gur dhe tha:

«O Allah! Nëse veprat dhe sjellja e murgut është më e dashur për ty se ajo e magjistarit, atëherë vrite këtë krijesë dhe mundësoju njerëzve të kalojnë rrugën.»

Pastaj, ai e goditi kafshën me një gur dhe e vrau. Më vonë, djaloshi shkoi tek murgu dhe i tregoi për atë që i kishte ndodhur. Murgu i tha:

«Biri im! Sot ti je më i mirë se unë, dhe ke arritur në një gradë që mund ta shoh. Ndjej se së shpejti ti do të sprovohesh. Dhe, nëse ndodh diçka e tillë, mos e trego vendndodhjen time!»

Djaloshi shëronte personat e verbër nga lindja, lebrosët dhe sëmundje të tjera. Një këshilltar i mbretit ishte verbuar dhe dëgjoi për djalin. Për këtë arsye, ai i shkoi djalit me disa dhurata të çmuara dhe i tha:

«Këto dhurata janë për ty, me kusht që të më shërosh.» Djali i tha:

«Unë nuk shëroj askënd. Vetëm Allahu i shëron njerëzit. Prandaj, nëse beson në Allah dhe i lutesh Atij, Ai do të të shërojë.»

Ai besoi dhe iu lut Allahut, e Allahu e shëroi. Më vonë, këshilltari shkoi tek mbreti dhe u ul tek vendi ku ulej para se të verbohej. Mbreti e pyeti:

«Kush ta ktheu shikimin?» Këshilltari iu përgjigj:

«Zoti im!» Mbreti i tha:

«Unë ta ktheva!» Këshilltari i tha:

«Jo! Zoti im dhe Zoti yt, Allahu!» Mbreti i tha i zemëruar:

«Ti ke zot tjetër përveç meje?» Këshilltari i tha:

“Po! Zoti im dhe Zoti yt është Allahu!» Mbreti e torturoi atë pa u ndalur, derisa ai i tregoi për djalin. Kështu që ata e gjetën djalin dhe e sollën para mbretit, i cili i tha:

«Djalosh! Domethënë, magjia jote është fuqizuar aq shumë, sa mund të shërosh ata që kanë lindur të verbër, lebrosët dhe sëmundjet e tjera!?»

«Unë nuk shëroj askënd! Vetëm Allahu mund të shërojë!» – tha djaloshi.

«Unë!?» – i tha mbreti

«Jo!» – u përgjigj djali. Pas kësaj, mbreti e pyeti:

«Ke zot tjetër përveç meje?»

«Zoti im dhe Zoti yt është Allahu!» -u përgjigj djali.

Për këtë arsye, mbreti e torturoi atë derisa ai i tregoi për murgun. Murgu u soll para mbretit, i cili i tha:

«Braktise fenë tënde!»

Murgu refuzoi dhe mbreti urdhëroi t’i sillnin një sharrë të cilën ia vendosën murgut në mes të kokës dhe e sharruan përmes. Pjesët e trupit të murgut ranë secila në një anë. Më pas mbreti iu drejtua këshilltarit të tij, që dikur ishte i verbër dhe i tha:

«Braktise besimin tënd!»

Edhe ky refuzoi dhe u përball me të njëjtin ndëshkim si të murgut. Një sharrë iu vendos në mes të kokës dhe ia sharruan trupin në dy pjesë. Pastaj përpara mbretit u soll djaloshi, dhe mbreti i tha:

«Braktise besimin tënd!»

Natyrisht, edhe djaloshi refuzoi ta bënte këtë. Prandaj mbreti ia dorëzoi djalin njerëzve të tij dhe i urdhëroi:

«Ngjituni me të mbi mal, derisa të arrini në majën e tij. Nëse ai e braktis besimin, mirë. E, nëse nuk e braktis, hidheni nga maja e malit!»

Ata e dërguan djalin në majë të malit dhe ai tha:

«O Allah! Më shpëto prej tyre ashtu siç dëshiron Ti!» Pas kësaj, mali u drodh dhe ata ranë në humnerë. Kurse djali u kthye në këmbë tek mbreti, i cili i tha:

«Ku shkuan njerëzit me të cilët të dërgova në majë të malit?» Djaloshi u përgjigj:

«Allahu më shpëtoi prej tyre!»

Më pas, mbreti urdhëroi disa njerëz të tjerë dhe i urdhëroi:

«Hipeni atë në një anije dhe çojeni në mes të detit. Nëse e braktis besimin e tij, kursejani jetën, përndryshe mbyteni!»

Ata e çuan në det dhe djali tha:

«O Allah! Më shpëto prej tyre ashtu siç dëshiron Ti!» Si rrjedhojë e pranimit të lutjes së tij, ata u mbytën të gjithë në det. Pastaj djali u kthye shëndoshë e mirë tek mbreti, i cili i tha:

«Ku përfunduan shoqëruesit e tu?» Djali u përgjigj:

«Allahu më shpëtoi prej tyre.»

Më pas shtoi:

«Nuk do të jesh në gjendje të më vrasësh, derisa të bësh siç të them unë. Vetëm nëse bën siç të them unë, do mund të më vrasësh.»

Mbreti e pyeti:

«Çfarë duhet të bëj?» Djali i tha:

«Mblidhi të gjithë njerëzit në një vend të lartë dhe më lidh në trungun e një peme. Pastaj merr një shigjetë nga të miat dhe thuaj: “Në emër të Allahut, Zotit të djalit!” Nëse e bën këtë, do të jesh në gjendje të më vrasësh.»

Mbreti bëri pikërisht ashtu siç i tha djali. Ai e vendosi shigjetën në hark dhe e lëshoi atë duke thënë: “Në emër të Allahut, Zotit të djaloshit!”

Shigjeta e qëlloi djaloshin në kokë. Ai vendosi dorën mbi plagën e shkaktuar nga shigjeta dhe vdiq. Njerëzit thanë:

«Ne besojmë në Zotin e djaloshit!» Pastaj mbretit i thanë:

«E shikon, ndodhi pikërisht ajo të cilës ti i frikësoheshe? Të gjithë njerëzit besuan tek Allahu, Zoti i djaloshit.»

Për këtë arsye, mbreti urdhëroi që të hapeshin hendeqe në krye të rrugëve dhe kështu u bë. Brenda tyre u ndezën zjarre dhe mbreti urdhëroi:

«Kushdo që braktis besimin e tij, lëreni të lirë! Kushdo që refuzon, hidheni në zjarr!”

Njerëzit filluan të përpëliteshin në flakë, derisa i erdhi radha një gruaje që kishte foshnjën e saj në gji. Ajo fillimisht hezitoi të hidhej në zjarr, derisa foshnja foli duke i thënë:

«Bëj durim nënë, sepse ti je duke u sakrifikuar për të vërtetën!»

(Muslim, Zuhd, 73.)

Shpjegime

Ky Hadith, na bën të ditur se jo vetëm myslimanët i janë nënshtruar sprovave të mëdha që kërkojnë durim, por edhe besimtarët prej popujve të shkuar. Duke kujtuar torturat që kanë vuajtur ata për hir të fesë, myslimanëve u jepet mesazhi i qartë që edhe myslimanët të bëjnë durim ndaj vështirësive me të cilat përballen dhe të mos e humbin lidhjen dhe besimin me fenë e tyre.

Në Hadithin e mëparshëm, është dhënë një shembull nga jeta personale e Profetit tonë (a.s.). Ndërsa tani, duke dhënë një shembull prej popujve të shkuar, tërhiqet vëmendja në faktin se sprovat e besimtarëve ekzistojnë në çdo kohë. Në të njëjtën kohë, ky Hadith portretizon edhe ndodhinë që tregohet në Suren Buruxh, ku thuhet:

“Mallkuar qofshin njerëzit e Hendekut, zjarrit (të ushqyer) me lëndë djegëse, kur rrinin ulur rreth tij, duke dëshmuar atë që po i bënin besimtarëve! Ata i munduan besimtarët, vetëm pse këta i besuan Allahut, të Plotfuqishmit, të Denjit për çdo lavd, të Cilit i përket pushteti i qiejve dhe i Tokës dhe që është Dëshmitar i çdo gjëje. Pa dyshim, ata që i përndjekin besimtarët dhe besimtaret e nuk pendohen, i pret dënimi i Xhehenemit dhe dënimi me djegie. Kurse për ata, që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do të ketë kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj. Kjo është fitorja madhështore.” [Buruxh, 4-11.]

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Dhënia e shembujve nga e kaluara, është një metodë efikase në mësim-edukim. Kjo ishte edhe metoda e Profetit tonë (a.s.).
  2. Allahu i Madhëruar e bën triumfuese të vërtetën dhe mbështetësit e saj. Ndërsa të kotën dhe mbështetësit e saj, herët a vonë patjetër i shkatërron.
  3. Është e lejuar të gënjesh në situata lufte dhe të ngjashme me të. Njeriu mund të thotë një gënjeshtër edhe për të shpëtuar jetën.
  4. Besimtari sprovohet në çështjen e sinqeritetit dhe besnikërisë në besimin e vet.
  5. Nuk ekziston asnjë kauzë që nuk ka të shtypur dhe martirë.
  6. Njeriu mund ta sakrifikojë veten e tij, nëse bëhet fjalë për një kauzë fetare dhe në dobi të njerëzimit.
Share.

Leave A Reply