“Hatibul Enbija/Oratori i profetëve”, i cili i ngrinte peshë zemrat me oratorinë e tij.

 

Mendohet se Shuajbi (a.s.), vjen nga gjaku i Ibrahimit (a.s.), ose i Salihut (a.s.). Gjithashtu, mendohet edhe se, nga ana e nënës lidhet me vajzën e Lutit (a.s.), ndërsa me Ejubin (a.s.) janë djem tezesh. Në të njëjtën kohë, Shuajbi (a.s.), është vjehrri i Musait (a.s.).

Shuajbi (a.s.), ishte dërguar si profet i popujve të Medjenit dhe Ejkes, të cilët kufizoheshin me njëri-tjetrin dhe ishin vendosur në zona pyjore dhe malore. Shuajbi (a.s.), i cili ishte lindur dhe rritur në Medjen, i përkiste një familjeje fisnike. Po ashtu, edhe rinia e tij kaloi midis popullit të Medjenit. Edhe pse populli i këtij rajoni ishte zhytur në punë të këqija, ai vetë, bënte një jetë të pastër dhe larg gjynaheve. Me jetën e tij të pastër, ai ishte shembull për njerëzit, të cilët i thërriste në punë të mira me anë të këshillave.

Shuajbi (a.s.), falte shumë namaz dhe tregonte kujdes ndaj të drejtave të njerëzve. Në mënyrë të veçantë, kur peshonte ose maste diçka, përpiqej shumë që të mos i hynte në hak askujt. Gjithashtu, ai i këshillonte edhe të tjerët, të respektonin të drejtat e njerëzve. Ndërsa në ndonjë rast vjedhjeje, ai tregohej shumë i përpiktë në dhënien e së drejtës atij që i takon.

Pas shkatërrimit të këtyre dy popujve, Shuajbi (a.s.), së bashku me ata që i besuan, u vendosën në Mekë, ku kaloi edhe ditët e fundit të jetës së tij. Pas vdekjes, ai u varros në Qabe, në pjesën e quajtur “Hatim”.

Medjenasit

Medjeni, është zona e cila shtrihet prej Gjirit të Akabes, deri në luginën e Humsit. Emri “Medjen”, vjen prej një fisi i cili jetonte në atë zonë.

Medjenasit, kishin braktisur adhurimet dhe bindjen ndaj Allahut, ishin zhytur në rrugën e të këqijave dhe gjynaheve dhe kishin filluar të adhuronin idhuj dhe statuja. Për shkak se qyteti ndodhej në rrugët nga ku kalonin karvanët, populli i tij, merrej me tregti. Mirëpo, mes tyre ishte përhapur shumë hilja (në tregti). Madje, ajo ishte kthyer në një mjeshtëri të veçantë.

Kur shkonin në pazar dhe blinin diçka për vete, i bënin hile peshës, me qëllim që ajo që blinin të dukej pak dhe të paguanin sa më pak para. Ndërsa, kur u shisnin diçka të tjerëve, e tregonin peshën më të rëndë, duke marrë më shumë para për pak mall që shisnin. Madje, ata përdornin peshore të veçantë për blerje dhe peshore të veçantë për shitje.

Populli i Medjenit, u priste rrugën udhëtarëve dhe plaçkiste një pjesë të mallrave të tyre. Në mënyrë të veçantë, me anë të intrigave të ndryshme, ata shtinin në dorë pasurinë dhe mallin e të huajve dhe të njerëzve pa mbrojtje. Në marrëdhëniet njerëzore, ata e mundonin palën tjetër, duke bërë dredhi dhe padrejtësi të ndryshme. Shkurt, besimi i medjenasve ishte idhujtaria; ndërsa profesionet e tyre më të shquara, ishin mosrespektimi i parimeve të tregtisë, hilja, mashtrimi dhe kusaria. Pra, në Medjenin ku ishin shkatërruar të gjitha parimet e larta, po përjetohej një degradim si në aspektin e besimit, ashtu edhe në atë politik, ekonomik dhe moral, në kuptimin e plotë të fjalës.

Ndërkohë që medjenasit ishin zhytur në një jetë të tillë të ulët, Allahu i Madhëruar u dërgoi atyre Shuajbin (a.s.), si profet, i cili i këshilloi në mënyrën më të mirë. Ai u tregoi urdhrat dhe ndalimet e Allahut. U tha të mos i bënin shok Allahut, por të adhuronin vetëm Atë. I këshilloi të mos bënin padrejtësi në matje e peshim, të besonin në botën tjetër dhe të mos shkaktonin trazira në tokë. Ai ua bëri të qartë se, ndëshkimi i Allahut është shumë i ashpër; kurse të mirat dhe dhuntitë e Tij, të pafundme. Lidhur me këto, Kurani Fisnik, urdhëron:

“Popullit të Medjenit, Ne i dërguam vëllain e tyre, Shuajbin. Ai tha: «O populli im, adhuroni Allahun! Ju s’keni zot tjetër përveç Tij. Mos bëni hile as në matje, as në kandar. Unë po shoh se ju gjendeni në begati dhe kam frikë se do t’ju godasë dënimi i një dite, që ju përfshin të gjithëve.»” (Hud, 84)

“…Tha: «O populli im! Adhuroni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër përveç Tij. Me të vërtetë, ju ka ardhur provë e qartë nga Zoti juaj, prandaj matni dhe peshoni saktë, mos u hani hakun njerëzve dhe mos bëni ngatërresa në Tokë, pasi të jetë vënë rregulli në të»…” (A’raf, 85)

“…Ai u tha: “O populli im! Adhuroni Allahun, shpresoni në Ditën e Fundit…” (Ankebut, 36)

Populli i Shuajbit (a.s.), mallin që blinte e peshonte mangët, kurse atë që shiste e peshonte tepër. Për këtë arsye, ai vazhdimisht ua tërhiqte vëmendjen në këtë çështje. Përveç kësaj, ai i paralajmëronte ata se, nëse nuk hiqnin dorë prej këtyre sjelljeve dhe nuk pendoheshin, atyre do t’u merreshin të gjitha të mirat që u janë dhënë! Allahu i Madhëruar, i kishte dhuruar shumë të mira atij populli. Prandaj, ata s’kishin asnjë të drejtë ta kalonin kufirin në atë mënyrë!

Prej asaj kohe, Shuajbi (a.s.), përcaktoi parimet e tregtisë, duke vendosur normat e drejta të matjes dhe peshimit dhe kënaqjen me fitimin normal. Kjo, sepse në fitimin normal kishte siguri dhe garanci të punës dhe tregtisë; ndërsa respektimi i të drejtave të robit, kishte grada të larta tek Allahu. Shuajbi (a.s.), i vazhdoi këshillat e tij, duke thënë:

“Ajo që ju është lënë nga Allahu, është më e mirë për ju, nëse jeni besimtarë; e unë nuk jam ruajtësi juaj.” (Hud, 86)

Domethënë se: Unë nuk mund t’ju ndëshkoj për punët e këqija, por, as nuk mundem të bëhem pengesë që t’ju merren të mirat që keni, për shkak të mosmirënjohjes ndaj Allahut dhe të padrejtësive që bëni. Detyra ime është vetëm t’ju kumtoj ato që më urdhërohen:

Siç e shohim edhe në ajetet e mësipërme, Shuajbi (a.s.), i ftonte njerëzit në pesë çështje.

  1. Në pranimin e besimit monoteist dhe adhurimin vetëm të Allahut.
  2. Në pranimin e profecisë së tij.
  3. Në matje dhe peshim të drejtë dhe në braktisjen e hileve dhe mashtrimeve.
  4. Në respektimin e të gjitha të drejtave të njeriut dhe në braktisjen e të gjitha punëve të këqija, të hapura apo të fshehta qofshin, si vjedhjen, grabitjen, ryshfetin dhe piraterinë.
  5. Në mos shkaktimin e trazirave dhe ngatërresave në çështjet e fesë dhe të jetës.

Në mënyrë të përmbledhur, këto pesë parime, në të cilat Shuajbi (a.s.), ftonte popullin e tij, shprehin “Respektin ndaj urdhrave të Allahut dhe mëshirën e dhembshurinë ndaj krijesave të Tij”.

Ftesa e Shuajbit (a.s.), pati një ndikim të madh tek njerëzit përreth tij. Njerëzit shkonin dhe e vizitonin në grupe, e besonin dhe zbatonin ato që u thoshte. E megjithatë, ata që nuk e besonin ishin të shumtë. Ligjet e reja, i shqetësonin dhe acaronin së tepërmi ata që nuk e besonin, sepse atyre u dukej pak fitimi i lejuar. Ata e nxitnin njëri-tjetrin në padrejtësi dhe gjynahe, duke thënë se: “Me fitim normal askush nuk mund të pasurohet”. Këta njerëz të harbuar, i thoshin profetit të tyre:

“O Shuajb, a mos vallë namazi yt urdhëron që ne t’i lëmë ato që i kanë adhuruar të parët tanë ose që të mos bëjmë me pasurinë tonë çfarë të duam? Qenke njëmend i butë dhe i drejtë ti!” (Hud, 87)

Me fjalën namaz, nënkuptohet feja, sepse namazi, si adhurimi më i madh dhe më  gjithëpërfshirës, në një farë mënyre përfaqëson fenë.

“Ai (Shuajbi) tha: “O populli im, mendoni pak! Nëse unë kam provë të qartë nga Zoti im, i Cili më ka furnizuar me begati të mira nga ana e Vet, a të mos ju udhëzoj në rrugën e drejtë?! Unë nuk dëshiroj të bëj atë, që jua ndaloj juve. Unë dëshiroj vetëm të përmirësoj atë që mundem. Ndërsa suksesi im varet vetëm nga Allahu. Tek Ai mbështetem dhe Atij i drejtohem.” (Hud, 88)

Shuajbi (a.s.), vazhdonte kumtimin e tij nën dritën e këtyre kritereve pa u lodhur dhe pa u mërzitur. Mirëpo, populli i harbuar, nuk ua vuri veshin porosive dhe këshillave të Shuajbit (a.s.). Madje, ata e shtuan edhe më shumë harbutërinë e tyre. Edhe pse vetë Shuajbit (a.s.), nuk mund t’i bënin ndonjë të keqe, sepse ai i përkiste një fisi të fuqishëm, ata nuk rrinin pa i kërcënuar ata që i besonin atij. Lidhur me këtë, Shuajbi (a.s.), i paralajmëroi:

“Mos zini pusi në çdo rrugë, duke frikësuar dhe penguar nga rruga e Allahut ata që besojnë tek Ai dhe duke kërkuar shtrembërimin e saj! Kujtoni atëherë kur ishit të paktë në numër e Ai ju shumoi. Shikoni si përfundojnë ngatërrestarët!” (A’raf, 86)

Me gjithë vështirësitë që po kalonte, Shuajbi (a.s.), vazhdonte ta ftonte popullin e tij në udhën e drejtë. Ai vepronte sipas ligjeve që i ishin zbritur Ibrahimit (a.s.). Lajmi i profecisë së Shuajbit (a.s.), kishte arritur deri në Damask. Zemrat e djegura me dashurinë për Allahun, udhëtonin deri në Medjen për ta parë atë. Mirëpo, populli i Medjenit, u zinte rrugën besimtarëve që vinin për t’u nderuar me takimin e Shuajbit (a.s.) dhe i pengonin ata të takoheshin me të. Kjo, tregonte qartë se ata ndiqnin rrugën e shejtanit, sepse ai, pasi u dëbua prej mëshirës hyjnore, tha:

“Për shkak se Ti më flake tej, unë do t’u zë pritë njerëzve në rrugën Tënde të drejtë e do t’u qasem atyre nga përpara dhe nga mbrapa, nga e djathta dhe nga e majta, e kështu Ti do të vëresh se shumica prej tyre nuk të janë mirënjohës!” (A’raf, 16-17)

Mirëpo, Shuajbi (a.s.), përpiqej t’i pengonte ata:

  1. Që t’u dilnin njerëzve në rrugë, t’i kërcënonin dhe t’i mundonin;
  2. T’i ndalonin njerëzit për t’i besuar Allahut;
  3. Që t’i shmangnin nga udha e drejtë besimtarët dhe ata që do donin të besonin, duke u hedhur ngurrime dhe dyshime.

 

Share.

Leave A Reply