Pas kthimit nga Taifi, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) jetoi për një farë kohe larg nga njerëzit. Pastaj e vazhdoi ftesën përsëri. Kur politeistët filluan të sillen krejtësisht ashpër dhe në mënyrë të ngurtë, Allahu i Lartë e urdhëroi Profetin të takohej me fiset arabe e t’u kumtonte Islamin.

Pas kësaj, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) filloi t’u fliste të ardhurve në Mekë në kohën e haxhit dhe pjesëmarrësve të panaireve të Ukazit, Mexhennes, Dhulmexhazit, etj., t’u këndonte ajetet e Kur’anit dhe t’i ftonte në Islam.

I Dërguari i Allahut (s.a.s.) shkonte në vendet ku bënin konak fiset, si Beni Amr, Muharib, Fezara, Gassan, Murre, Hanife, Thulejm, Abs, Beni Nasr, Beni Bekka, Kinde, Kelb, Harithe, Uzre, Hudarime që mblidheshin në këto panaire të mëdha, dhe i ftonte në Islam. Ai u kërkonte atyre t’ia vërtetonin profetësinë dhe ta ndihmonin në kryerjen e detyrës profetike me të cilën e kishte ngarkuar Zoti.

Xhabiri (r.a.) tregon kështu:

“Në kohën e haxhit, i Dërguari i Allahut ua paraqiste veten haxhinjve në zonën e vakfes dhe u thoshte:

“A s’ka kush që të më çojë te fisi i vet? Kurejshët m’u bënë pengesë për kumtimin e fjalës së Zotit tim!” (Ebu Davud, Sunnet, 19-20/4734)

Por prej tyre nuk dilte askush që ta pranonte ftesën, ta mbronte dhe ta ndihmonte. Përkundrazi, dikush i varte turinjtë dhe sillej në mënyrë të trashë e të ngurtë, dikush debatonte me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) duke i thënë: “Fisi yt e di më mirë! Pse nuk të ndjekin ata?” Kurse i Dërguari i Allahut (s.a.s.), duke u dhënë përgjigjet e duhura, vazhdonte t’i ftonte në rrugën e Zotit!

Kur dikush nga Mudari ose Jemeni dilte në rrugë për të shkuar në haxh ose në panaire, fisi e porosiste:

“Kujdes, i riu i Kurejshve të të mos kthejë nga feja!”

Një ditë, në Mina, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) shkoi te të Bijtë Shejban bin Tha’lebe. Pasi i njoftoi se ishte i Dërguari i Allahut, Mefruk bin Amr nga parësia e fisit e pyeti:

“O vëlla Kurejsh! Për çfarë i fton ti njerëzit?”

I Dërguari i Allahut (s.a.s.) shkoi dhe u ul pranë tyre. Ebu Bekri (r.a.) u ngrit në këmbë për t’i bërë hije Profetit me rrobën e vet. I Dërguari i Allahut i tha Mefrukut:

“Unë ju ftoj të dëshmoni se nuk ka zot tjetër veç Allahut, se Allahu është një i vetëm e i pashoq dhe se unë jam i dërguari i Allahut. Unë ju ftoj të më mbroni dhe të më ndihmoni gjersa t’i çoj në vend detyrat për të cilat më ka urdhëruar Allahu. Sepse Kurejshët dolën kundër urdhrit të Allahut, e përgënjeshtruan të Dërguarin e Allahut, mbajtën gënjeshtrën dhe i kthyen shpinën të vërtetës! Allahu s’ka nevojë për asgjë dhe është i denjë për çdo lavdërim!”

Mefruku e pyeti:

“O vëlla Kurejsh! Për çfarë tjetër na fton?”

Dhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i këndoi këto ajete të sures En’am:

 “Thuaju: “Ejani t’jua këndoj se për ç’gjëra ju ka urdhëruar Zoti juaj: Të mos i bëni ortak asgjë Atij, të silleni mirë me prindërit, të mos i vrisni fëmijët nga frika e varfërisë! Sepse Ne e japim rizkun edhe tuaj, edhe të atyre. Mos iu afroni së keqes së hapur apo të fshehtë dhe mos e godisni padrejtësisht jetën që Allahu e ka quajtur të shenjtë (të paprekshme)! Ja, këto janë ato çka ju urdhëron Allahu juve, që të mendoni dhe kuptoni!

Trajtojeni në mënyrën më të mirë pronën dhe pasurinë e jetimit gjersa të arrijë moshën e pjekurisë. Matni dhe peshoni me drejtësi! Ne e ngarkojmë secilin me aq sa mban!

Kur të flisni (pro apo kundër dikujt), tregohuni të drejtë edhe sikur të jetë i afërmi juaj dhe mbajeni fjalën që i jepni Allahut. Ja, këto ju urdhëron Allahu juve, që të mendoheni mirë!

Pa dyshim, kjo është rruga ime e drejtë! Bëni siç ju them unë, mos shkoni në rrugë të tjera, sepse ato ju largojnë nga rruga e Allahut! Ja, këto ju ka urdhëruar Allahu që të ruheni dhe të bëheni të devotshëm!” (el-En’am, 151-153)

Mefruku tha:

“O vëlla Kurejsh! Për çfarë tjetër na fton? Vallahi, këto nuk janë fjalë njeriu! Po të ishin fjalë njeriu, ne do t’i njihnim shumë mirë!”

Pas këtyre fjalëve, Profeti (s.a.s.) këndoi ajetin:

 “Pa dyshim, Allahu urdhëron për drejtësi, mirësi, ndihmë për të afërmin dhe i ndalon punët e shëmtuara, të keqen dhe teprimin. Ai ju këshillon që të mendoni dhe zbatoni!” (en-Nahl, 90)

Mefruku tha:

“O vëlla Kurejsh! Vallahi, ti më ftove për moralin më të lartë dhe punët më të mira! Kjo do të thotë se fisi im që të thotë ty gënjeshtar, ka shpifur!”

Në të njëjtën mënyrë u përgjigjën edhe Hani dhe Musenna nga parësia e fisit. Por thanë se nuk do të mund ta pranojnë këtë propozim pa biseduar me fiset e tyre dhe, veç kësaj, se kishin bërë marrëveshje me Kisran dhe persët, të cilët nuk do të mbeteshin të kënaqur prej kësaj.

Si përfundim, megjithëse pranuan me ndërgjegje, e hodhën poshtë propozimin e të Dërguarit të Allahut nga frika se mos do t’u priteshin interesat dhe do të pësonin ndonjë dëmTarik bin Abdullah (r.a.) tregon kështu:

E pata parë të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) në panairin e Dhulmexhazit me një rrobe të kuqe sipër tek po u fliste njerëzve me zë të lartë:

“O njerëz! Thoni “La ilahe il’lallah (Nuk ka zot tjetër veç Allahut) dhe shpëtoni!”

Një burrë që mbante një gur në dorë, e ndiqte dhe bërtiste me të madhe:

“O njerëz! Kurrë mos iu bindni atij, sepse ai është gënjeshtar!”

Ai ia kishte përgjakur këmbët Profetit me gurët që ia kishte hedhur.

I pyeta të pranishmit: “Kush është ky person?”

“Eshtë një i ri nga të bijtë Abdylmuttalib.” – Më thanë.

“Mirë, po ai që e ndjek dhe e qëllon me gurë, kush është?” – I pyeta.

“Eshtë i ungji, Ebu Leheb!” – Më thanë. (Hakim, II, 668; Ibni Ethir, Usdu’l-Gabe, III, 71)

Kurse një ngjarje tjetër që ka të bëjë me vështirësitë që përballoi Profeti për kumtimin e Islamit, e tregon kështu Mudrik el-Ezdiu (r.a.):

“Po bëja haxh së bashku me tim atë. Kur bëmë konak në Mina, u përballa me një grup njerëzish. E pyeta tim atë:

“Pse është mbledhur ky grup njerëzish?”

“Për atë personin i cili e ka braktisur fenë e fisit!” – Më tha.

Pashë në atë anë që më bëri me shenjë im atë dhe pashë të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) i cili u bënte zë njerëzve:

“O njerëz! Thoni “La ilahe il’lallah” dhe shpëtoni!”

Kurse nga të pranishmit, dikush e pështynte në fytyrë, dikush i hidhte dhé në kokë, dikush tjetër e fyente. Kjo gjendje vazhdoi gjer në drekë. Në atë mes, një vajzë me jakë të hapur erdhi me një enë me ujë dhe një shami në duar. Po qante. I Dërguari i Allahut e mori enën dhe piu ujë, pastaj lau duart dhe fytyrën. E ngriti kokën dhe i tha vajzës:

“Moj bijë, mbuloje qafën me shaminë e kokës! Dhe mos ki frikë për tët atë se mos bjerë në kurth, vritet dhe turpërohet!”

Pyeta se kush ishte ajo vajza që kishte ardhur.

“Eshtë e bija, Zejneb!” – Më thanë.” (Ibni Ethir, Usdu’l-Gabe, V, 130; Hejsemi, VI, 21)

Hz. Zejneb, Hz. Fatime dhe vajzat e tjera të Profetit e kaluan fëmijërinë dhe rininë në periudhën kur Islami ishte shumë i dobët dhe kur muslimanët shtypeshin më shumë. Në vuajtjet dhe hidhërimet që hiqnin i Dërguari i Allahut (s.a.s) dhe muslimanët, morën pjesë po aq edhe Hz. Zejnebi me të motrat. Kur i ati i tyre dilte nga shtëpia dhe merrej me kumtimin e Islamit, ato ose prisnin me frikë dhe merak te porta, ose, duke e ndjekur hap pas hapi babanë e tyre të nderuar, përpiqeshin ta mbronin.

Vajzat fisnike të Profetit e ndihmuan të atin edhe pas vdekjes së nënës së tyre, Hz. Hatixhe, patën marrë pjesë në brengat e tij. Përballë vuajtjeve e mundime që pati hequr ai, qenë dëshpëruar dhe patën derdhur lot. Fatimeja ia pati fshirë gjakun, Zejnebi që i shkonte pas me ujë, ia pati larë fytyrën. Për vite të tëra ato patën bërë një jetë të tendosur.

Një ndër shumë fiset që pati ftuar në Islam Profeti në panairin e Ukazit, qenë edhe të Bijtë Amir bin Sa’saa. Ai u tha kështu atyre:

“Unë jam i Dërguari i Allahut! Kur të vij tek ju, a do të më mbroni gjersa t’ua çoj njerëzve urdhrat e Zoti tim, gjersa ta çoj në vend detyrën e profetësisë? Unë s’kam për ta detyruar askënd prej jush!”

Ata i thanë: “As nuk do të të përzemë, as nuk do të të besojmë. Vetëm do të të mbrojmë gjersa ta plotësosh detyrën e kumtesës!”

Në atë mes doli befas një burrë i atij fisi, me emrin Bejhara. Pasi e mësoi se kush ishte Profeti, pëshpëriti me vete “Vallahi, po të mundesha ta merrja këtë njeri nga Kurejshët, do të fitoja epërsi mbi të gjithë arabët!”

Pastaj e pyeti të Dërguarin e Allahut (s.a.s.):

“Po qe se ne ta japim besën ty dhe Allahu të nxjerr fitues mbi kundërshtarët, a do të na mbetet parësia neve pas teje?”

Profeti iu përgjigj:

“Kjo gjë i përket Allahut! Allahu ia jep parësinë atij që të dëshirojë!”

Bejhara i tha:

“Domethënë, për hir tënd, gjoksi ynë do të bëhet shenjë për shigjetat e të gjithë arabëve dhe, kur Allahu do të të nxjerrë fitues ty, parësia do t’i jepet tjetërkujt, ë? Kjo s’është në interesin tonë!”

Pastaj Bejhara iu kthye fisit të vet duke u bërtitur:

“Nuk njoh askënd që të kthehet nga ky panair me gjë më të keqe se kjo e juaja! A do të bëni t’ju kundërvihen të gjitha fiset arabe, ë? Fisi i vet e njeh atë më mirë se ju! Po qe se fisi i vet do të shihte ndonjë të mirë tek ai, do t’i dilte për zot para çdokujt tjetër…”

Pastaj u kthye nga Profeti dhe i tha:

“Ngrihu menjëherë dhe ik prej këtu!”

Kur i Dërguari i Allahut u ngrit dhe hipi mbi deve, Bejhara i ndyrë e shpoi menjëherë devenë në gjoks. Ndërsa deveja u hodh përpjetë, Profeti ra përtokë.

Një grua muslimane e quajtur Dubaa binti Amir, sapo e pa këtë veprim të kryer kundër Profetit, tha:

“O dera fisnike Amir! A nuk ka kush që ta shohë këtë mundim kundër të Dërguarit të Allahut mu para syve tuaj e ta mbrojë atë për hatrin tim?”

Tre vetë nga djemtë e të ungjve të saj u ngritën menjëherë dhe u sulën kundër Bejharas së mallkuar!

Pas kësaj ngjarjeje, i Dërguari i Allahut u lut kështu për ta “Allahu im, falua begatinë tënde këtyre!”

Në sajë të kësaj lutjeje, Allahu i Lartë ua mundësoi atyre besimin dhe, më në fund, ata merituan gradën e dëshmorit!

Ky fis kishte një prijës i cili, meqë ishte shumë plak, nuk merrte pjesë në ritet e haxhit. Kur u kthyen në vendin e vet, ia treguan gjithë ç’kishte ngjarë. Plaku vuri menjëherë duart në kokë dhe i qortoi rëndë ata duke u thënë:

“O të Bijtë Amir! Si do ta zëvendësoni këtë rast që e keni lënë t’u ikë dore? Betohem në Allahun që ka në dorë frymën time, që gjer më sot askush nga të Bijtë Ismail nuk ka thënë duke gënjyer se është pejgamber! Sigurisht që ajo që thotë ai është e vërtetë dhe e drejtë! Ku ishte në atë çast ai vështrimi juaj i qëlluar?”

Pavarësisht nga të gjitha trajtimet negative që pësoi, Profeti (s.a.s.) kurrë nuk u tërhoq nga kumtimi tek njerëzit i fesë së vërtetë që e ndante të mirën nga e keqja dhe ua parashtroi të vërtetën edhe fiseve të tjera të ardhura në panair.

Share.

Leave A Reply