Të drejtat e njeriut
“Të drejtat e njeriut” shprehin një sërë të drejtash themelore që zotërojnë njerëzit në mënyrë të bashkëlindur thjesht si rrjedhojë e qenies së tyre njeri. Ndërsa në botën perëndimore, këto të drejta u arritën pas një lufte të gjatë e…
Publikuar:

“Të drejtat e njeriut” shprehin një sërë të drejtash themelore që zotërojnë njerëzit në mënyrë të bashkëlindur thjesht si rrjedhojë e qenies së tyre njeri. Ndërsa në botën perëndimore, këto të drejta u arritën pas një lufte të gjatë e të ashpër kundër autoriteteve politike, Islami e pati bërë qenien e quajtur njeri, të merituar dhe zotërues të këtyre të drejtave – rrjedhojë të një favori dhe dhuntie hyjnore – si domosdoshmëri e faktit që ishte një qenie fisnike e krijuar për t’u bërë “zëvendës” i Allahut mbi tokë, për më tepër në një kohë kur në të gjithë botën, forca pranohej si burimi i vetëm i “të drejtës” dhe kur konsiderohej legjitime që i forti ta trajtonte të dobëtin si të dëshironte!
Ndërkaq, nuk mund të mendohet që këto të drejta që përmbahen në botëkuptimin islam, të mund të ekzistojnë me terminologjinë e sotme, sepse janë shumë më të avancuara se të drejtat e sotme për sa i përket pranisë si përmbajtje dhe synim, madje, edhe si entitet, edhe si rëndësi që u jepet. Sepse, siç ka thënë edhe francezi Rozhé Garodí i cili ka pranuar Islamin,
“Kur’ani është një libër që u paraprin shekujve!”
Botëkuptimi islam ka dy burime bazë: Librin (Kur’anin) dhe Sunnetin (Traditën Profetike). Analogjia (Kijas, metoda analogjike e nxjerrjes së konkluzioneve të reja, e ideatimeve – M.H.) dhe Konsensi (Ixhma, mendimi i njëzëshëm i përgjithshëm i juristëve dhe ideatorëve, përgjithësisht i dijetarëve islamë – M.H.) janë të detyruar të mbështeten në këto dy burime. Vëmë re se, me Kur’anin e Shenjtë që është burimi i parë i botëkuptimit islam, Zoti i ka folur tërë njerëzimit dhe tërë njerëzimin e ka pranuar si “një komb të vetëm”. Pastaj, në një ajet kur’anor, urdhërohet:
“Hyni që të gjithë së bashku në Islam (ose në paqe).”
Këtu ka mendim të njëzëshëm se me fjalën “Islam” nënkuptohen fjalët “sulh-paqe” dhe “musalemet-pajtim”.
Nga ana tjetër, Profeti (s.a.s.), duke e konsideruar tërë njerëzimin si një familje të vetme, ka thënë se njerëzit janë “ijalullah” / “familja e Allahut”.
Në Islam nuk është ndjerë nevoja që, ashtu si në botën perëndimore, të kërkohen një sërë të drejtash duke ndjekur rrugën e kundërshtimit dhe luftës ndaj atyre që kanë pasur në duar autoritetin politik. Të drejtat u janë falur nga ana e Allahut njerëzve që jetojnë në shtetin osman. Ato nuk janë dhuratë e askujt. Edhe drejtuesit e shtetit, si muslimanë që janë, janë të detyruar të respektojnë një drejtësi që s’është vepër e vullnetit të tyre, pra, të respektojnë ligjet e sheriatit. Për këtë arsye, shteti më ideal i së drejtës është shteti islam. Sepse qeveritarët, duke qenë të varur në mënyrë absolute në çështjen e respektimit të ligjeve (sheriuatit) që nuk janë produkt i vullnetit të tyre, në rast të kundërt, domethënë, po s’e respektuan këtë vartësi, e humbin kompetencën e pushtetit, domethënë bien nga pushteti, shfuqizohen. Le të përmendim disa nga shembujt e panumërt të kësaj në historinë e Islamit.
Hutbeja që mbajti Hz. Ebu Bekri kur u zgjodh kalif, është kështu:
“O njerëz! Megjithëse nuk jam më i miri ndër ju, jam vënë në krye tuaj. Po qe se e kryej detyrën ashtu siç duhet, ndihmomëni; po u gabova, tregomëni rrugën e drejtë! Drejtësia dhe ndershmëria janë respektimi i amanetit, kurse gënjeshtra është tradhtim i amanetit. I dobëti ndër ju është i fuqishëm gjersa t’i kthehet e drejta e rrëmbyer. I fuqishmi ndër ju është i dobët gjersa t’i merret e drejta që ua ka rrëmbyer të tjerëve. Po qe se një komb e lë xhihadin në rrugën e Allahut, bie në mjerim!
Po qe se në një komb sundon dhe vepron e keqja, domethënë, e keqja duket si e mirë, i tërë kombi bie në fatkeqësi. Për sa kohë që unë t’u bindem Allahut dhe Profetit, edhe ju bindmuni mua; po qe se unë dal kundër Allahut dhe Profetit, ju s’jeni të detyruar të më bindeni mua! Ejani në namaz! Zoti na bëftë të gjithëve të denjë për mëshirën e Tij!”
Këtyre fjalëve që janë shprehje e një shteti plotësisht ligjor, le t’u shtojmë edhe këtë:
“Një ditë, ndërsa po mbante hutbe, Hz. Omeri e pyeti xhemaatin se ç’do të bënin nëse ai do të zinte rrugë të keqe, do të jepej pas dëshirave dhe pasioneve vetiake. Njëri nga të pranishmit u ngrit menjëherë në këmbë dhe i tha:
“Të drejtojmë ne me anë të shpatës!”
Për ta provuar guximin e atij njeriu, Hz. Omeri e pyeti:
“Si guxon të shprehesh kështu kundër meje?”
“Po, po, ja, kështu po shprehem kundër teje!” – Ia ktheu burri plot guxim e vendosmëri.
Atëherë, Hz. Omeri tha kështu:
“Falenderuar qoftë Allahu që mes popullit tim ka njerëz që, po të shmangem në rrugë të gabuar, më drejtojnë me shpatë!”
“Xhebele bin el-Ejhem ishte nga parësia siriane që kishte pushtet të madh në Siri. Ai e pranoi Islamin dhe shkoi në Mekë. Gjatë tavafit, një burrë i shkeli këmbën pa dashje. Xhebele e qëlloi me pëllëmbë burrin, edhe burri iu përgjigj duke e qëlluar me pëllëmbë. I zemëruar shumë, Xhebele ia paraqiti ankesën kalifit Omer. Pasi e dëgjoi, kalifi Omer i dha këtë përgjigje:
“Ç’të keni mbjellur, atë keni korrur!”
Xhebele mbeti i habitur nga përgjigjja. Ai i tha kalifit se, për shkak të pozitës së lartë që kishte, personi që ia kishte shkelur këmbën dhe pastaj e kishte qëlluar, duhej dënuar me vdekje! Pastaj ai mori këtë përgjigje nga kalifi:
“Kështu ndodhte në kohën e injorancës, por Islami e eliminoi dallimin mes njerëzve!”
Xhebele iu përgjigj:
“Po qe se Islami është një fe që nuk merr parasysh gradë, pozitë e fisnikëri, unë po heq dorë prej tij!”
Pas kësaj ngjarjeje, Xhebele iku fshehurazi në Kostantinopojë, por kalifi Omer nuk e shkeli drejtësinë për hatër të tij!”
Baza e respektit ndaj “epërsisë së ligjit” dhe “të drejtave të njeriut” të shfaqur në këto disa shembuj që ia paraqitëm vëmendjes suaj nga mijëra ngjarje të njëjta që mbushin historinë islame, janë Libri (Kur’ani) dhe Sunneti (Tradita Profetike). Me të vërtetë ekziston mundësia për të numëruar e shkruar qindra ajete dhe hadithe që ndalojnë dhunën dhe padrejtësinë dhe urdhërojnë drejtësinë! Por ç’nevojë ka! Fakti që shembullin e parë të kushtetutave të shkruara me qëllim për të parashtruar parimet themelore të drejtësisë ose thjesht për të përcaktuar të drejtat e nënshtetasve përballë pushtetarëve, e ka dhënë Profeti Muhammed, është argumenti më bindës në këtë specifikë!
Pas hixhretit (emigrimit) të Profetit në Medinë, kushtetuta në fjalë e përbërë prej 47 nenesh dhe e hartuar me këshillim gjatë mbledhjeve të shtëpinë e sahabiut Hz. Enes, është një tekst për të cilin flitet herë duke e quajtur “libër” (kitap) dhe herë duke e quajtur “fletë” (sahife). Në ato kohëra, arabët jetonin të organizuar në tribu dhe fise sipas ligjeve zakonore përkatëse. Pa dyshim, edhe Medina jetonte në të njëjtën gjendje. Duke i bashkuar tributë dhe fiset e Medinës me anë të një “kontrate sociale”, Profeti formoi Qytetin-Shtet të Medinës. Me anë të kësaj kontrate sociale jo të hollësishme por që, megjithatë, funksiononte si kushtetutë, ku përcaktoheshin të drejtat dhe detyrat e “të qeverisurve” përballë atyre që qeverisnin sipas kushteve të asaj kohe, dhe ku rregulloheshin të drejtat dhe përgjegjësitë e muslimanëve që jetonin në Qytetin-Shtet të Medinës si dhe të atyre që do të bëheshin muslimanë më pas (neni 1), pushteti gjyqësor qe ndarë nga pushteti ekzekutiv dhe qenë përcaktuar edhe të drejtat e pakicave.
Me të vërtetë, në atë periudhë, në Medinë, vetëm hebrenjtë jetonin si pakicë. Shumë nene të kushtetutës në fjalë kanë të bëjnë me ata hebrenj.
Të drejtat e pakicave
Në një kohë kur, ndoshta, në asnjë skaj të botës nuk ekzistonte, madje, një koncept i tillë, si “të drejtat e pakicave”, afro gjysma e kësaj kushtetute të parë të historisë së njerëzimit, të parashtruar nga Profeti Muhammed në Medinë, ka të bëjë me gjendjen e pakicës hebreje apo çifute. Konkretisht:
Neni 16. Ata nga hebrenjtë që varen prej nesh, do të fitojnë të drejtën e ndihmës dhe mbështetjes nga ana jonë pa u shkaktuar padrejtësi dhe pa bërë bashkëpunim me kundërshtarët e tyre.
Neni 24. Ashtu si muslimanët, edhe hebrenjtë janë të detyruar që shpenzimet e luftërave që zhvillojnë vetë, t’i përballojnë vetë.
Neni 25/a. Hebrenjtë Benu Avf përbëjnë një bashkësi me muslimanët duke mbajtur secila pjesë fenë e vet. Në këtë kusht përfshihen si zotërinjtë (pushtetarët), ashtu dhe individët e thjeshtë.
Neni 25 b. Kush kryen i vetëm (individualisht) një veprim të padrejtë ose një faj, i shkakton dëm vetëm vetes dhe pjesëtarëve të familjes së vet.
Neni 26. Edhe hebrenjtë Benu Nexhar do të gëzojnë të njëjtat të drejta si hebrenjtë Benu Avf.
Neni 27. Edhe hebrenjtë Benu Harith do të gëzojnë të njëjtat të drejta si hebrenjtë Benu Avf.
Neni 28. Edhe hebrenjtë Benu Saide do të gëzojnë të njëjtat të drejta si hebrenjtë Benu Avf.
Neni 29. Edhe hebrenjtë Benu Xhu’shem do të gëzojnë të njëjtat të drejta si hebrenjtë Benu Avf.
Neni 30. Edhe hebrenjtë Benu Evs do të gëzojnë të njëjtat të drejta si hebrenjtë Benu Avf.
Neni 31. Edhe hebrenjtë Benu Tha’lebe do të gëzojnë të njëjtat të drejta si hebrenjtë Benu Avf. Ndërkaq, kush kryen i vetëm (individualisht) një veprim të padrejtë ose një faj, i shkakton dëm vetëm vetes dhe pjesëtarëve të familjes së vet.
Neni 32. (Familja) Xhefne është një krah i Tha’lebes, prandaj do të trajtohen si Tha’lebet.
Neni 33. Edhe hebrenjtë Benu Shutejbe do të gëzojnë të njëjtat të drejta si hebrenjtë Benu Avf. Do të respektohen të njëjtat rregulla edhe për ta dhe ndaj tyre nuk do të bëhet ndonjë veprim kundërvënës.
Neni 34. Zotërinjtë e Tha’lebeve do të trajtohen si vetë Tha’lebet.
Neni 35. Personat që strehohen te hebrenjtë (Bitane) do të trajtohen njëlloj si vetë hebrenjtë.
Neni 36/a. Askush prej tyre (hebrenjve) (nuk do të dalë në fushatë luftarake së bashku me muslimanët) pa pasur leje nga Muhammedi.
Neni 36/b. Nuk do të ndalohet ose pengohet marrja e shpagimit për një plagosje. Eshtë e padiskutueshme se, po qe se dikush vret dikë, i vë nën përgjegjësi veten dhe personat e familjes, në të kundërt, bëhet padrejtësi, domethënë, kush e kundërshton këtë rregull, bën padrejtësi. Allahu është me ata që e respektojnë këtë shkresë.
Neni 37/a. Në rast lufte, shpenzimet e hebrenjve bien mbi hebrenjtë dhe shpenzimet e muslimanëve bien mbi muslimanët. Pa dyshim, personat që përmenden në këtë shkresë do të bashkëpunojnë në ndihmë të njëri-tjetrit kundër atyre që u hapin luftë. Mes tyre do të ketë sjellje të mirë e me dobi të dyanshme. Do të respektohen rregullat, nuk do të bëhen veprime në kundërshtim me to.
Neni 38. Kur hebrenjtë do të luftojnë së bashku me muslimanët, do të bëjnë edhe shpenzimet që do t’u takojnë.
Neni 44. Në raste sulmesh kundër Jethribit, muslimanët dhe hebrenjtë do ta ndihmojnë njëri-tjetrin.
Neni 45/a. Po qe se ata (hebrenjtë) do të ftohen nga muslimanët për të nënshkruar një paqe ose për të marrë pjesë në një marrëveshje paqeje, do ta nënshkruajnë drejtpërdrejt paqen ose do të marrin pjesë drejtpërdrejt në atë marrëveshje paqeje. Po qe se ata (hebrenjtë) do t’ua propozojnë muslimanëve të njëjtat gjëra, do të kenë të njëjtat të drejta në krahasim me muslimanët, duke përjashtuar rastin e luftërave të filluara për çështje fetare.
Neni 46. Kushtet e paraqitura për personat e shënuar në këtë fletë (shkresë), do të zbatohen rreptësisht dhe në mënyrë plotësisht konservatore nga ana e personave të treguar në këtë fletë (shkresë), në të njëjtën mënyrë edhe për hebrenjtë Evs, domethënë, për zotërinjtë e tyre si dhe për vetë personat e tyre. Rregullat do të respektohen absolutisht, nuk do të bëhen veprime në kundërshtim me to dhe ata që sigurojnë fitime në mënyrë të padrejtë, do t’i bëjnë dëm vetëm vetvetes. Allahu është përkrah atyre që i respektojnë në mënyrën më të drejtë e më të përkryer nenet e treguara në këtë fletë (shkresë)!”
Vihet re haptazi se afërsisht gjysma (22 nene) të kësaj kushtetute prej 47 nenesh ka të bëjë me hebrenjtë që atëherë ishin një pakicë e Medinës. Këto nene, jo vetëm i përcaktonin në mënyrë që s’linte shteg për lëkundje, të drejtat e pakicave, por kishin edhe vlerë pakti. Ndërkaq, muslimanët, për shkak kë urdhrit hyjnor, “evfû bi’l-ahdi” / “qëndrojuni besnikë marrëveshjeve”, gjatë gjithë historisë u kanë qëndruar besnikë gjer në fund fjalës së dhënë dhe nënshkrimit të hedhur, hebrenjtë gjatë Shekullit të Lumtur dhe krishterët më pas, pothuaj gjithmonë e kanë shkelur betimin dhe i kanë shkelur marrëveshjet.
Sot, cilido nga shtetet perëndimore që krenohen se kanë shkuar përpara në çështjen e të drejtave të njeriut, a e pranon që pakicat brenda shtetit të kenë sistemin e vet juridiko-gjyqësor? Sigurisht që nuk e pranon! Për ta kuptuar këtë, mjafton të kujtojmë zhurmën katastrofike që shpërtheu në Angli kur kryepeshkopi anglez Rowan Wiliams – siç e kemi prekur këtë çështje më parë – pati kërkuar që të lejohej që muslimanët që jetonin në Angli, të trajtoheshin sipas ligjeve të sheriatit të paktën në çështjet private!
Si përmbledhje të të gjitha këtyre që shprehëm, mund të themi se njerëzit që jetojnë në shtetin islam (përfshi pakicat), gëzojnë këto të drejta themelore:
1) Eshtë detyrë themelore e atyre që kanë pushtetin politik dhe ekzekutiv në dorë, që të garantojnë jetën, pasurinë dhe nderin e nënshtetasve, t’i mbrojnë ata nga sulmet dhe përdhunimet!
2) Askujt nuk mund t’i vihet para ndonjë pengesë për të përdorur gjuhën e nënës.
3) Çdokush është i barabartë para ligjit, çdokush ka të drejtë ta jetojë besimin e vet. Në këtë specifikë nuk mund të ushtrohet ndonjë presion apo shtypje. Personi ka të drejtë të gjykohet sipas ligjit që beson dhe pranon.
4) Askujt nuk mund t’i ndërhyhet në veshje me përjashtim të domosdoshmërive të rregullit publik.
5) Arsimi dhe edukimi janë të lirë dhe askush nuk mund të privohet nga e drejta për t’u arsimuar.
6) Sipas botëkuptimit islam i cili pranon në shoqëri vetëm dallimin besimtar-mohues, jomuslimanët nuk merren nën armë. Si kundërvlerë të kësaj, paguajnë taksën e quajtur “xhizje”. Ashtu si në të drejtat dhe përgjegjësitë burrë-grua (mashkull-femër), kjo ka të bëjë me besueshmërinë dhe sigurimin, duke qenë domosdoshmëri e ekuilibrit dhe drejtësisë së domosdoshme mes detyrimeve dhe përgjegjësive.
7) Në shtetin islam, jomuslimanët nuk pranohen në shërbimet publike dhe nuk mund të mbajnë armë brenda në qytet. Kjo gjendje si rezultat i mosbesimit ndaj tyre për sa i përket rendit publik, u ndryshua tek osmanët me Dekretin e Tanzimatit të vitit 1839.
8) Qoftë musliman, qoftë jomusliman, çdo njeri mund të vendoset me banim në çfarëdo pjese të shtetit. Në kundërshtim me këtë, mund të vihen disa kufizime thjesht me qëllimin për mbrojtjen e sigurisë dhe rendit publik.
9) Udhëtimi dhe tregtia janë të lira për këdo. As këtyre nuk mund t’u vihet ndonjë pengesë me përjashtim të interesave publike. Megjithëkëtë, vetëm muslimanët nuk lejohen të udhëtojnë me qëllim për t’u vendosur me banim në një shtet që i përket zonës së quajtur “Dâru’l-Harb”.
10) Sipas botëkuptimit islam, është urdhër hyjnor që muslimani i pasur t’ua shpërndajë të varfërve çdo vit, nën emërtimin “zeqat”, një të dyzetën e tepricës së pasurisë duke përjashtuar nevojat bazë të jetesës. Siç dihet, zeqati, si një ndër pesë kushtet themelore të Islamit, është “detyrim” për të pasurit muslimanë dhe “e drejtë” për të varfërit muslimanë.
11) Edhe ndihma për prindërit dhe fëmijët, për të afërmit, për të varfërit, për vizitorët dhe miqtë si dhe për udhëtarët e mbetur në rrugë është një detyrim që Allahu ua ka ngarkuar muslimanëve në raport me mundësitë materiale që kanë, kurse ua ka konsideruar “të drejtë” personave të sipërpërmendur. Në këtë specifikë nuk mund të bëhet dallim pakicë-shumicë!
12) Sipas botëkuptimit islam, edhe komshinjtë kanë “të drejta dhe detyrime” ndaj njëri-tjetrit! Dhe këto të drejta dhe detyrime shkojnë, për sa i përket rëndësisë, gjer atje sa të duket se do të mund t’i bëjnë komshinjtë trashëgimtarë të njëri-tjetrit!
13) Në botëkuptimin islam nuk ekziston e drejta e renegatizmit, kthimit nga Islami. Edhe nëse për renegatin jepet, në parim, dënim me vdekje, kjo nuk zbatohet verbërisht, por sipas një metodike të caktuar. Nëse duhet thënë shkurt, në fillim bëhen përpjekje bindëse, pastaj përdoret edhe burgosja.
Të drejtat e kafshëve
Të drejtat e rregulluara në botëkuptimin islam nuk janë të posaçme vetëm për njeriun. Sepse Islami e rregullon jetën e njeriut sipas të gjitha lidhjeve dhe marrëdhënieve reciproke të mundshme – për sa u përket të drejtave dhe detyrave (përgjegjësive) – me Zotin, me njerëzit, me kafshët dhe natyrën. Prandaj, para se ta mbyllim këtë temë, dëshirojmë t’i shpjegojmë pak edhe përgjegjësitë e njerëzve ndaj kafshëve, domethënë, të drejtat e kafshëve.
Në optikën e Islamit, e drejta në radhë të dytë për sa i përket rëndësisë, është e drejta e personit, e cila, në terminologjinë e Islamit emërtohet “e drejta e robit” dhe, meqë Allahu e ka përjashtuar atë nga amnistia e Tij e lartë, bart një rëndësi të jashtëzakonshme.
Pas kësaj, për sa i përket rëndësisë, vijnë “të drejtat e kafshëve”. Urdhri i Allahut që njerëzit t’i trajtojnë të gjitha krijesat me mëshirë dhe dhembshuri është një urdhër me veprim të përhershëm. Sjellja me mëshirë dhe dhembshuri ndaj kafshëve, përfitimi prej të cilave është fetarisht i lejueshëm, ushqyerja e tyre ashtu siç duhet, shfrytëzimi i tyre duke mos i lodhur tej mase dhe, pastaj, sigurimi i kushteve për pushimin dhe ripërtëritjen e forcave, janë nga urdhrat e lartë të Islamit. Në këtë specifikë, le t’ju ofrojmë disa porosi profetike dhe modele sjelljeje të profetit Muhammed (s.a.s.).
“Sehl Ibni Rebi Ibni Amr el-Ensari (r.a.) tha kështu:
“I Dërguari i Allahut (s.a.s.) kaloi pranë një deveje që i ishte ngjitur barku pas shpine (që i dalloheshin brinjët mbi lëkurë) dhe tha:
“Kini frikë Allahun për këto kafshë që s’mund të flasin! I vini në punë të ushqyera dhe therini e hajini të ushqyera!”
“I Dërguari i Allahut (s.a.s.) hyri për të ngrënë në kopshtin e një ensari dhe vuri re atje një deve. Me ta parë Profetin (s.a.s.), deveja rënkoi dhe sytë iu përlotën. Profeti (s.a.s.) i shkoi devesë pranë dhe e përkëdheli me dhembshuri në gungat dhe pas veshëve. Deveja e ndërpreu rënkimin. Atëherë, Profeti pyeti për të zotin e saj:
“Kush është i zoti i kësaj deveje? E kujt është kjo deve?”
Doli një djalë i ri medinas dhe iu përgjigj:
“Kjo deve është e imja, o i Dërguari i Allahut!”
Atëherë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ia tërhoqi vëmendjen me këto fjalë:
“A nuk ke frikë nga Allahu për këtë kafshë, për të cilën të ka bërë pronar? Ajo m’u ankua për ty se e ke lënë pa ngrënë dhe se e ke munduar shumë!”
“Enesi (r.a.) tha kështu:
“Kur ne bënim konak në një vend, ua shkarkonim barrën deveve, i vinim të hanin e të pushonin dhe pastaj viheshim në namaz!”
“Siç rrëfen Ebu Hurejre (r.a.), i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka thënë kështu:
“Dikur, një njeri që kish dalë në rrugë, e zuri etja shumë. Ai gjeti një pus, zbriti në të dhe piu ujë. Por, kur doli, ç’të shihte? Një qen me gjuhën e nxjerrë një pëllëmbë jashtë, mezi merrte frymë dhe, nga etja e madhe, lëpinte tokën me lagështirë. Duke menduar se qeni do të ishte etur shumë krejt si ai vetë, zbriti prapë në pus, e mbushi shapkën me ujë dhe, duke e mbajtur me dhëmbë, u ngjit lart dhe ia vuri qenit para që të pinte. Nga ky veprim, Allahu i Lartë mbeti i kënaqur dhe e fali atë njeri!”
Në një rrëfim tjetër të Buhariut në lidhje me këtë ngjarje, thuhet: “Allahu mbeti i kënaqur prej tij, e fali dhe e vendosi në xhennet!”
Sahabet e pyetën:
“O i Dërguari i Allahut! A edhe për ne ka sevap prej kafshëve”
I Dërguari i Allahut iu përgjigj:
“Si pasojë e sjelljes së mirë ndaj çdo gjallese ka sevap!”
Në një rrëfim tjetër të Buhariut dhe Muslimit, thuhet kështu:
“Një qen gati në të ngordhur nga etja e madhe, vinte rrotull rreth një pusi. Një grua çifute e përdalë e vuri re qenin, e zbathi menjëherë çizmen, nxori ujë me të nga pusi dhe i dha të pijë qenit. Për shkak të këtij veprimi, gruaja u fal!”
“Eshtë normale që, përballë shembujve tipikë të dhënë nga Profeti, disa nga sahabet të kenë pyetur: “A mund të fitojmë sevap si pasojë e trajtimit të mirë të kafshëve?” Sepse sjellja me mëshirë dhe dhembshuri ndaj kafshëve nuk pati qenë as mendësi, as zakon veprimi në shoqërinë e asaj kohe. Profeti ynë i dashur i dërguar si mëshirë për botët ua pati tërhequr vëmendjen dhe i pati orientuar personat që e patën pyetur në këtë drejtim si dhe të gjithë njerëzit që mendonin si ta dhe pati deklaruar krejt haptazi se “do të fitohet sevap nga trajtimi i mirë i çdo gjallese”. Madje pati bërë të ditur se Allahu mbetet i kënaqur edhe nga mirësia që mund t’i bëhet një kafshe!
Informacionet e dhëna në variantet e tjera të rrëfimit të haditheve, e ndriçojnë gjendjen edhe pak më tej dhe bëjnë të ditur se personi apo gruaja e përdalë të cilët i kanë dhënë ujë qenit të etur, si pasojë e veprimit të tyre, janë falur nga Allahu dhe kanë fituar xhennetin! Kjo do të thotë se të mirat që do u bëhen krijesave të Allahut, janë dëmshpërblim për disa mëkate!”
Kurse në një hadith tjetër, Profeti (s.a.s.) ka bërë të ditur se “gruaja e cila e ka lënë pa ngrënë macen dhe është bërë shkaktare për ngordhjen e saj, si pasojë, ka shkuar në xhehennem!”
Gjatë një udhëtimi, muslimanët patën qëndruar për të pushuar në një vend ku një zog kishte lënë vezët. Njëri i mori vezët, kurse zogu nisi të përplaste krahët nga dëshpërimi. Atëherë, Profeti e gjeti njeriun që i kishte marrë vezët dhe e urdhëroi që t’i vinte në vend!
Ka qenë si rrjedhojë e kësaj vetëdijeje dhe e këtyre kritereve islame, që në muret e ndërtesave të mbetura nga koha e Osmanëve, vihen re “shtëpitë e zogjve”. Ato qenë bërë gjatë ndërtimit të ndërtesave me qëllim që zogjtë të strehoheshin dhe mbroheshin gjatë shiut dhe të ftohtit të ashpër.
Nga ana tjetër, tek Osmanët që kanë qenë pothuaj një qytetërim vakfesh, është mjaft i njohur fakti që ngriheshin vakfe për lejlekët që, kur vinte stina e shtegtimit, nuk shtegtonin dot!
Mbrojtja e mjedisit
Gjëja më e domosdoshme për mbrojtjen e “ekuilibrit ekologjik”, domethënë, për mbrojtjen e mjedisit si kusht i pamënjanueshëm për sigurimin e vazhdimësisë së jetës, është shmangia nga shpenzimi i tepërt gjatë plotësimit të nevojave, domethënë, respektimi i ekonomizmit në përdorimin e mjeteve të jetesës, gjë që është një nga urdhrat më të parë të Islamit. Allahu i Gjithëmadhnueshëm urdhëron:
“Hani, pini, por mos shpërdoroni!”
Dhe shpall se “nuk i do ata që shpërdorojnë”.
Edhe Profeti Muhammed i dërguar si mëshirë për botët, ka porositur:
“Tregohuni kursimtarë dhe ekonomiqarë edhe kur të jeni duke marrë abdest në një përrua!”
Pa asnjë dyshim, këto urdhra dhe porosi shprehin domosdoshmërinë e përjetimit të respektimit të kursimit dhe ekonomizmit si një shprehi e vazhdueshme. Edhe Gandi e famshme ka thënë:
“Jeto thjesht që edhe njerëzit e tjerë të kenë mundësi të jetojnë!..”
Kjo do të thotë se “mbishpenzimi dhe shpërdorimi” janë përdhunim i të drejtave të njerëzve të tjerë.
Në botën perëndimore e cila përparon vetëm me anë të sundimit të mendjes që e shtyn njeriun në interesa personale dhe egoizëm, me zhvillimin edhe të industrisë, “nxitja dhe inkurajimi i mbishpenzimit dhe shpërdorimit” është bërë pjesë e pamënjanueshme e jetës ekonomike. Mirëpo nxitja dhe inkurajimi që i bëjnë ata konsumit me anë të parimit “përdore dhe hidhe”, qysh prej kohësh është duke e shtyrë tërë njerëzimin drejt katastrofës. Ime bijë e cila ka studiuar për fizikë në Angli, e shpreh kështu këtë gjendje në pjesën hyrëse të veprës së saj me vlerë, të shkruar mbi këtë specifikë:
“Ndotja e mjedisit dhe rezultati imediat dhe i pashmangshëm i kësaj, asgjësimi i jetës natyrale, si një nga çështjet më të rëndësishme të ditëve tona, është përshpejtuar pas Luftës së Dytë Botërore me zhvillimin e industrializimit. Në Perëndim, ata që deshën t’i bëheshin pengesë këtij procesi, ngritën grupe e shoqata të ndryshme që kishin për qëllim dhe synim të mbrojnë natyrën dhe jetën natyrore. Në vitin 1979, pasi Herbert Gruhl dhe Petra Kelly bashkuan 250 grupe environmentalistësh ose, siç i quajmë ndryshe, ne, ekologjistësh, dhe formuan në Gjermani partinë e të jeshiltëve (ekologjistëve) Die Grünen, ideja e “të jeshiltës” (ekologjizmit) u vesh me petkun politik. Këtë e ndoqën, pastaj, La Verts në Francë, De Gröenen në Hollandë, The Green Party në Kanada dhe Angli.
Kurse në vitet tetëdhjetë, partitë joekologjiste e panë të nevojshme që brenda tyre të ndodhej edhe një grup ekologjistësh i cili të interesohej për çështjet ekologjike. Për më tepër, herë sinqerisht e, herë, vetëm për të mbledhur vota, filluan të pretendojnë se “ishin të jeshiltë të paktën sa të jeshiltët vetë”! Mirëpo që të bëheshin me të vërtetë “të jeshiltë”, duhej që pretendimet e tyre të mos mbeteshin vetëm fjalë, por të shndërroheshin në veprime!
Shtetet e industrializuara të cilat s’kanë marrë asnjë masë brenda një periudhe kohore prej pesëdhjetë vjetësh, këtej e tutje nuk mund të presin shpëtimin e botës duke qëndruar vetë vetëm si “të jeshiltë”. Sepse, së pari duhet riparuar dëmtimi i bërë gjer tani, gjë që kërkon shpenzime prej trilionash dhe kjo faturë shtohet nga pak e për ditë. Çështjet ekologjike të dimensioneve madhore, si shpimi i shtresës së ozonit, radiacioni që përhapet përreth kur shpërthejnë centralet e energjisë atomike ose nga mbetjet teknologjike funksionale të tyre ose të disa degëve të industrisë, sipërfaqe të mëdha pyjesh që priten ose digjen çdo ditë, shiu acid dhe ndotja e mjedisit me gazrat helmuese që lëshojnë në ajër industria dhe skapamentot e automjeteve, ngrohja e klimës dhe ndryshimet që po pëson ajo, burimet ujore që ndyhen dhe helmatisen me hedhjet kimike, toksike dhe radioaktive në lumenj e dete, si dhe zhdukja e llojeve shtazore që jetojnë në këto ujëra, këto çështje ekologjike të dimensioneve madhore, pra, presin mbështetjen e shteteve.”
Shkaku themelor i kësaj ecurie drejt katastrofës është vështrimi i natyrës thjesht si një eveniment material, si dhe pamundësia për t’i konceptuar ose, më keq, prirja për t’i mohuar cilësitë e saj metafizike. Mirëpo Zoti urdhëron:
“Shtatë kat qiell e tokë si dhe ato që ndodhen në to, e madhërojnë Allahun. Nuk ka asgjë që të mos e madhërojë Allahun me lavdërim dhe falenderim, por ju nuk e kuptoni dot madhërimin e tyre.”
Në Kur’an janë edhe shumë ajete të tjerë të ngjashëm që, të gjithë së bashku, tregojnë se qeniet në natyrë nuk janë thjesht identitete materialesh të ngurtë, por bartin edhe disa cilësi jomateriale të pamundura për t’u rrokur nga konsiderata jonë.
Zoti ka vënë në dispozicion të njeriut një gjithësi në funksion me një ekuilibër të përkryer dhe po të duhej shprehur sipas deklaratës hyjnore, e ka bërë gjithësinë “të ulë kokën” para njeriut! Njeriu është “zëvendësi” dhe “mbajtësi i amanetit” të Zotit mbi tokë. Mbrojtja e këtij amaneti pa e tradhtuar atë është një nga urdhrat bazë të botëkuptimit islam. Perëndimorët të cilët po përparojnë veçanërisht në industri dhe, duke u bërë çdo çast e më shumë egoistë, po i konsumojnë në mënyrë egoiste mundësitë e natyrës me një logjikë prej plangprishësi, po e zvarrisin tërë njerëzimin drejt katastrofës. Ndotja e ujit dhe ajrit, shkatërrimi i bimësisë së gjelbër, shpimi i shtresës së ozonit, s’janë gjë tjetër përveç kambanave të katastrofës që skanë filluar të bjenë. Këtë gjendje, Kur’ani i Shenjtë ka shekuj që e paralajmëron:
“Disa fatkeqësi që i godasin njerëzit janë përfundime të vetë bëmave të tyre”
Dhe urdhëron:
“Intriga doli sheshit në tokë e në det për shkak të bëmave të njerëzve me duart e tyre… Prandaj Allahu do t’i bëjë të shijojnë disa nga rezultatet e këqija të bëmave të tyre, se mos kthejnë…”
Ja, pra, sot është bërë e qartë se po shkohet drejt një dite ndëshkimi. Tokat po kthehen në djerrina jopjellore; për shkak të ngrohjes globale si rezultat i shpimit të shtresës së ozonit, uji i lumenjve po pakësohet, liqenjtë po thahen, me mbeturinat industriale po ndotet atmosfera, madje, tërë natyra, mjedisi po mbushet me materiale kancerogjene.
Por a mos do të ndodhte kështu sikur të respektoheshin urdhrat e Islamit?
Me të vërtetë, Kur’ani i Shenjtë e ndalon me forcë mbishpenzimin dhe shpërdorimin dhe i shpall këto si “vëllazëri me shejtanin”. Kur’ani i Shenjtë nuk urdhëron shkatërrimin e natyrës, përkundrazi, rregullimin dhe sistemimin e saj! Ky urdhër është në atë shkallë i rëndësishëm, saqë Profeti (s.a.s.) i cili ka porositur që “më i mbari i njerëzve është ai që bëhet më i dobishmi për ta”, në një porosi tjetër profetike ka thënë:
“Edhe kur kiameti t’ju jetë afruar pranë, po të keni në dorë një fidan dhe kohë për ta mbjellur atë, mbilleni!”
Hadithe të tillë janë shumë. Përgjithësisht:
“Për atë që mbjell një pemë, Allahu shkruan mirësi sa prodhimi që merret nga ajo pemë!”
“Kush e përmirëson dhe e bën sërish pjellore një parcelë të thatë, shterpë e të lënë djerr, Allahu e shpërblen për këtë veprim. Sa herë që një gjallesë të përfitojë prej asaj parcele, përmirësuesit të saj i shkruhet sadaka!”
“Po qe se një musliman mbjell një pemë, prodhimi që hahet prej saj është patjetër sadaka për të. Edhe frutat e vjedhura prej saj janë për të sadaka. Edhe ato që hanë kafshët e egra është sadaka. Edhe ato që hanë zogjtë dhe shpendët është sadaka. Edhe prodhimi i ngrënë e i konsumuar nga çdokush prej saj është sadaka për mbjellësin e saj!”
“Një teksti marrëveshjeje të përgatitur nga Profeti, i qenë vënë si nen edhe këto kushte: luginat e zonës së Taifit merren nën mbrojtje; ndalohet dëmtimi i mbulesës bimore të gjelbër dhe gjuetia e kafshëve; ndëshkohen të gjithë ata që i shkelin këto kushte!” Ky veprim përbën një pararendës të mendësisë së sotme të mbrojtjes së vlerave (kryesisht natyrore).
Në periudhën e kalifatit të Hz. Omerit (r.a.), Sa’d b. Ebi Vakkas (r.a.), duke e marrë për bazë këtë qarkore, e pati ndëshkuar dikë që pati vepruar në kundërvajtje me të. Gjithashtu, Profeti (s.a.s.) e pati ndaluar prerjen e drurit Sidr, një bimë shkretëtire, ajo, nën hijen e së cilës pushonin njerëzit dhe kafshët, si dhe e pati mallkuar atë që do ta priste këtë dru.
Urdhrat dhe porositë islame për të jetuar duke respektuar qëndrimin ekonomik, për të mos e dëmtuar dhe shkatërruar natyrën, por për t’u përpjekur për ta përmirësuar, rregulluar dhe sistemuar atë, si dhe shembujt historikë mbi zbatimin e këtyre urdhrave dhe porosive janë të shumtë.
Le t’i japim fund kësaj teme duke përmendur nga këto vetëm disa shembuj nga osmanët, të cilët, pas muslimanëve të Shekullit të Lumtur, e patën kuptuar dhe zbatuar Islamin më mirë.
Shihni sa mësimdhënëse janë këto konkluzione që përmbahen në një akt-dhurimi të Sulltan Mehmetit II, Ngadhnjimtarit:
“Në çdo rrugë dhe rrugicë të Stambollit të caktohen dy vetë. Ata do të shëtisin andej në orë të caktuara të ditës duke mbajtur me vete enë me pluhur gëlqereje dhe qymyri që do ta hedhin sipër pështymave. Për këtë punë, do të marrin një pagë mujore prej 20 akçesh. Të caktohen edhe 10 kirurgë, 10 mjekë dhe 3 infermierë të cilët, në ditë të caktuara të muajit, të dalin nëpër qytet, të trokasin pa përjashtim në çdo portë dhe të pyesin nëse ka të sëmurë në atë shtëpi. Nëse ka, t’u bëjnë të sëmurëve vizitat dhe mjekimet e duhura dhe, në pamundësi, ta ngrenë e ta shtrojnë të sëmurin në spital për t’u mjekuar atje pa pagesë.
Mos e thëntë Zoti, mund të ndodhë ndonjë krizë ushqimore. Në ato raste, 100 armë që kam lënë, t’u jepen personave të aftë të cilët, të dalin për gjah në mal në kohën kur shpendët nuk janë në periudhën e shumëzimit dhe të mos na i lënë të sëmurët pa ushqim!”
“Në lidhje me ujësjellësin e Stambollit të shtruar nga Arkitekt Sinani, që bartte ujërat e Kërëkçeshme nëpër pyjet e Sarëjerit, qe ndaluar me një dekret perandorak ndërtimi i çdo lloj banese, stalle apo hangari si dhe çdo grumbullim plehu gjer në 20 arshin largësi nga të dy anët e ujësjellësit.”
Këta janë vetëm disa shembuj të vegjël nga qindra shembuj që mund të jepen mbi rëndësinë e kushtuar në kohën e osmanëve ndaj pastërtisë dhe mbrojtjes së mjedisit!

