Nuri i Gjithësisë i pati hapur sytë në këtë botë si jetim. Për këtë, Zoti në Kur’an thotë kështu:

 “A nuk të gjeti ty jetim e të vu dorë?” (ed-Duha, 6)

Ditët e para, Hz. Muhammedit i dha gji e ëma, Hz. Amine. Pastaj e mori zonja Suvejbe e cila i dha gji atij bashkë me të birin Mesruh. Kështu, zonja Suvejbe iu bë nënë qumështi (mëndeshë) Zotërisë së Botëve.65 (Ibni Sa’d, I, 108)

I Dërguari i Allahut (s.a.s.) i cili qe një model besnikërie, në periudhat e mëvonshme të jetës së vet tregoi interesim të vazhdueshëm për mëndeshën e tij, zonjën Suvejbe. Sa ndodhej në Mekë, si i Dërguari i Allahut vetë, ashtu dhe nëna jonë Hatixhe, i bënin vazhdimisht të mira dhe dhurata. Edhe pasi emigroi në Medinë, Drita e Ekzistencës i dërgoi vazhdimisht zonjës Suvejbe ushqime dhe veshmbathje, ia plotësoi nevojat. Në vitin e shtatë të hixhretit, kur po kthehej nga fushata e Hajberit, i Dërguari i Allahut i cili e pati marrë vesh vdekjen e saj, pyeti për të birin:

“Po i biri, Mesruh, ç’bën?”

“Ai vdiq para s’ëmës!” – I thanë.

Atëherë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) pyeti nëse kishte mbetur njeri nga të afërmit e saj dhe mësoi se s’kishte mbetur asnjeri. (Ibni Sa’d, I, 108, 109)

Respekti dhe interesimi që pati treguar Profeti për zonjën Suvejbe, janë një model i paçmueshëm vlerësimi dhe besnikërie!

Pas zonjës Suvejbe, nderi për t’iu bërë mëndeshë Zotërisë së Botërave i ra në pjesë zonjës Halime.

Atë kohë, arabët kishin një zakon të tillë: fëmijët e porsalindur ua jepnin për gji fiseve që jetonin në shkretëtirë. Jo vetëm klima e shkretëtirës e bënte njeriun më të shëndetshëm e më të guximshëm, por edhe e folura e njerëzve që banonin në shkretëtirë ishte më e rregullt dhe e shtruar, po ashtu, më shprehëse. Kështu, fëmijët rriteshin si njerëz të shëndetshëm dhe më të aftë në gjuhë e shprehje.

Edhe kjo foshnjë e bekuar, si pasojë e këtij zakoni, iu dha mëndeshës fatbardhë Halime. Ndër fiset arabe, fisi Beni Sa’d ishte fisi me të folurën më të qartë e më shprehëse. Kështu, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i cili ka qenë folësi më shprehës ndër njerëzit, me këtë pretekst, u përgatit që i vogël për detyrën e kumtimit dhe shpjegimit të Fjalës së Allahut e cila është kulmi i artit të shprehjes dhe oratorisë.

Kështu, Hz. Ebu Bekri (r.a.) i pati thënë Profetit:

“O i Dërguari i Allahut! Nuk kam parë njeri që të flasë më qartë dhe në mënyrë më shprehëse se ti!” “Ç’ka këtu për t’u çuditur?” – Ia pati kthyer Profeti. “Unë i përkas fisit Kurejsh dhe jam mëkuar me gji në fisin Sa’d!” (Ali el-Muttaki, VI, 174/15247)

Halime binti Harith (r.anha) e tregon kështu ngjarjen se si ishte bërë mëndeshë e Mbretit të Botëve:

“Ishte një vit kur sundonte zija e bukës. Hipa në një gomar qimebardhë dhe, së bashku me disa gra të fisit tonë, Sa’d, dolëm në rrugë për në Mekë me qëllim për të gjetur fëmijë gjiri. S’na kishte mbetur asgjë për të ngrënë. Me vete kishim një deve femër të moshuar e cila s’kishte pikë qumështi. Unë kisha me vete edhe një fëmijë që qante vazhdimisht për të pirë se as unë s’kisha qumësht, as deveja, dhe s’na linte të flinim. Më në fund, arritëm në Mekë. Nuk mbeti grua që të mos i propozohej ta merrte Muhammedin (s.a.s.), por asnjëra s’e pranoi, sepse secila kërkonte fëmijë që ta kishte të atin gjallë. Kurse ai ishte jetim. Ndërkaq, secila nga gratë gjeti një fëmijë për t’i dhënë gji dhe u largua. Edhe unë s’desha të largohesha pa marrë fëmijë. I thashë tim shoqi:

“Do të shkoj ta marr atë jetimin!”

Shkova, e mora dhe u ktheva në çadrën tonë. Im shoq më tha:

“Mirë bëre që e more! Kush e di, mbase, në sajë të këtij fëmije, Allahu na dhuron dobi dhe begati!”

Vallahi, sapo e mora fëmijën në prehër, gjinjtë m’u mbushën e m’u derdhën nga qumështi! E mëkova fëmijën i cili piu dhe u ngop. Pastaj i dhashë gji fëmijës tjetër, vëllait të tij të gjirit, i cili, gjithashtu, piu sa u ngop. Kur u bë natë, im shoq shkoi pranë devesë sonë plakë, por ç’të shihte? Gjinjtë e devesë ishin fryrë nga qumështi. Atëherë, edhe ne pimë qumësht dhe u ngopëm dhe atë natë s’na mbeti as uri, as etje! Fëmijët fjetën më të qetë. Im shoq nuk duroi dot së thëni:

“Vallahi, sipas mendimit tim, ti ke marrë një fëmijë shumë të bekuar!”

Hipa në gomar dhe u nisëm. Gomari im që në ardhje mezi e ndiqte karvanin, tani i kalonte të gjitha kafshët, kurse unë s’e përmbaja dot! Çdokush kishte mbetur i shushatur dhe më pyeste:

“A s’është ky gomari që i pate hipur kur erdhëm?”

Dhe unë i përgjigjesha: “Po, ky është!”

Më në fund, arritëm në fshat. Toka jonë ishte mjaft e thatë dhe e varfër. Në ditët në vazhdim, dhentë tona ktheheshin nga kullota me gjinjtë e mbushur plot, kurse dhentë e të tjerëve, të lodhura, të uritura e të etura. Kur dhentë e të tjerëve s’kishin qumësht, ne i milnim dhentë tona dhe kënaqeshim me qumështin e bollshëm! Fshatarët e tjerë u bërtisnin çobanëve:

“Turp të keni! A nuk i kullotni dhentë po në atë vend ku i kullot edhe çobani i Halimes?”

Fshatarët kishin të drejtë që nxeheshin, sepse çobanët i kullotnin tufat në të njëjtin vend, kurse, ndërsa dhentë e të tjerëve ktheheshin të uritura dhe me gjinjtë e zbrazët, dhentë tona ktheheshin me gjinjtë plot!

Muhammedi (s.a.s.) rritej e zhvillohej brenda një dite sa rriteshin e zhvilloheshin fëmijët e tjerë gjatë një muaji. Në një muaj rritej sa një fëmijë njëvjeçar. Kur u bë një vjeç, ishte bërë mjaft i pashëm.

Pasi qëndroi disa vjet pranë nesh, më në fund, e dërguam te e ëma. Im shoq i cili tashmë ishte i ati i qumështit për fëmijën, pra, e kishte si fëmijën e vet, i tha zonjës Amine me këmbëngulje:

“Ma kthe prapë tim bir! Kemi frikë nga përhapja e kolerës në Mekë!”

Në të njëjtën kohë, ne nuk deshëm të mbeteshim pa begatinë që i jepte shtëpisë sonë ai fëmijë. Aq shumë këmbëngulëm, saqë e ëma u detyrua të pranonte:

“Merreni, pra, përsëri me vete!” (Hejsemi, VIII, 221; Ibni Kethir, el-Bidaje, II, 278-279)

Kur Drita e Ekzistencës ndodhej te mëndesha, një ditë, së bashku me dyjaren ose motrën e vet të qumështit, Shejmanë, shkuan te dhentë mu në vapën e drekës. Kur u kthyen në shtëpi, zonja Halime i tha të bijës Shejma:

“Pse dolët jashtë në këtë të nxehtë?”

Dhe Shejmaja ia përshkroi kështu s’ëmës favorin hyjnor që kishin përjetuar:

“Moj nënë, po ne nuk e ndjemë fare nxehtësinë përvëluese të diellit! Mbi kryet e vëllait përsillej vazhdimisht një re që na bënte hije…” (Ibni Kethir, el-Bidaje, II, 279; Ibni Sa’d, I, 112)

Zonja Hatun vazhdon të tregojë:

“Ai qëndroi tek ne edhe ca kohë. Ndërkaq, për shkak të disa gjendjeve mrekullore me të cilat u përballëm, kishim frikë se mos i ndodhte gjë. Prandaj, një ditë, e morëm dhe dolëm në rrugë. Kur arritëm në Mekë, në pjesën e sipërme të qytetit, mes rrëmujës së njerëzve, e humbëm djalin!” (Ibni Hisham, I, 179; Ibni Sa’d, I, 112)

Mekasit i zuri një shqetësim i madh. Çdo njeri doli për ta kërkuar atë fëmijë të vogël, por s’e gjetën dot. Abdylmuttalibi po lutej në Qabe. Atë mes, dëgjuam një zë që vinte nga qielli:

“O njerëz, mos bërtisni! Pa dyshim, Muhammedi ka Zotin! Ai s’e lë atë pa ndihmë, s’e lë të humbë!”

Abdylmuttalibi tha:

“O ti që po na bën zë! Na trego se ku ndodhet ai!”

Zëri i tregoi:

“Ai ndodhet në luginën Tihane, pranë pemës në të djathtë!”

Atëherë, Abdylmuttalibi shkoi në atë anë dhe e gjeti të nipin!” (Dijarbekri, I, 228)

Ai i tha fëmijës: “T’u bëfsha fli! Unë jam gjyshi yt, Abdylmuttalibi!” Pastaj e puthi dhe e mori në krahë!” (Halebi, I, 154)

Thuhet se për këtë ngjarje aludon ajeti kur’anor i sures Duha:

“A nuk të gjeti ty (kur ishe fëmijë) të humbur dhe ta tregoi rrugën?” (ed-Duha, 7)66

Zonja Halime e tregon kështu vazhdimin e ngjarjes:

“Kur shkuam te e ëma Amine, na pyeti:

“E morët fëmijën me këmbëngulje, tani pse e kthyet prapë?”

Unë iu përgjigja:

“Vallahi, ne e bëmë detyrën tonë pa lënë gjë mangut, por pastaj u frikësuam nga ato që na ndodhën dhe menduam se më e mira do të ishte t’jua sillnim prapë ju!”

E ëma na tha:

“Ju lutem, më tregoni se ç’ju kanë ndodhur!”

Dhe aq këmbënguli, sa mbetëm të detyruar t’i tregonim. Mirëpo ajo nuk u habit fare me tregimin tonë. Ajo na tha:

“Fundja, me fëmijën tim patën ndodhur shumë ngjarje të çuditshme, prandaj mos u frikësoni aspak. Edhe unë po ju tregoj ç’kam parë!”

Dhe na tregoi për ndodhitë e jashtëzakonshme që kishte përjetuar gjatë lindjes së fëmijës. Pastaj na tha:

“Lëreni fëmijën dhe kthehuni të qetë në shtëpinë tuaj!” (Hejsemi, VIII, 221; Ibni Kethir, el-Bidaje, II, 278-279)

Zonja Halime thotë:

“Abdylmuttalibi më përcolli me dhuratat më të mira. Unë u ktheva në vendin tim me mallra aq të shumta e të vlefshme, sa s’mund t’i përshkruaj. Kurse Muhammedi ndenji pranë të gjyshit. Unë ia tregova Abdylmuttalibit çdo gjë që i kishte ndodhur fëmijës. Abdylmuttalibi e shtrëngoi në gjoks, qau dhe më tha:

“O Halime! Nuk ka asnjë dyshim se fama e tim biri do të bëhet shumë e lartë. Sa do të desha t’ia arrija asaj kohe!” (Bejhaki, Delail, I, 145)

Hz. Muhammedi u suall gjatë gjithë jetës besnik ndaj farefisit të qumështit. Sa herë që e shihte zonjën Halime, e thërriste “nënë”, i shfaqte respekt të madh dhe me gjithë zemrën, e hiqte pelerinën nga supet dhe ia shtronte asaj përtokë që të ulej dhe ia plotësonte të gjitha kërkesat që mund të kishte. (Ibni Sa’d, I, 113, 114)

Zonja Halime pati shkuar një ditë në Mekë për ta parë Profetin. Atëherë ai ndodhej i martuar me Hz. Hatixhenë. Ata e pritën zonjën Halime si mik dhe i bënë respekte të mëdha. Zonja Halime iu ankua atyre për thatësirën që sundonte në vendbanimin e tyre, për mungesën e ushqimeve dhe për ngordhjen e bagëtive. Profeti bisedoi me Hz. Hatixhenë. Dhe Hz. Hatixheja i dhuroi asaj dyzet dhen si dhe një deve barre e udhëtimi.

Gjatë triumfit të Mekës, kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ndodhej në zonën e quajtur Ebtah, e takoi motra e zonjës Halime e cila kishte ardhur aty pikërisht me atë qëllim. Ajo i kishte sjellë si dhuratë gjëra shtëpie si djathë, gjalpë, etj., të futura në një torbë të vogël. I Dërguari i Allahut e pyeti menjëherë për mëndeshën, zonjën Halime dhe kur e mori vesh se kishte vdekur, iu mbushën sytë me lot. Pastaj pyeti se kush kishte mbetur prej tyre. Pastaj urdhëroi që t’i vishnin rroba asaj zonje dhe t’i jepnin një deve dhe dyqind dërhem argjendi. Duke u kthyer e gëzuar në vendin e vet, gruaja thoshte:

“Ti, edhe kur ishe i vogël, ishe i dashur, edhe kur u rrite, u bëre më bujari!” (Vakidi, II, 869; Belazuri, I, 95)

Share.

Comments are closed.