Fehmi Çiçek

Nga Ebu Musa el-Esh’ariu, radijallahu anhu, transmetohet se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, ka thënë:

“Çdo mysliman e ka farz dhënien e lëmoshës.”

Ebu Musa el-Esh’ariu (r.a.), e pyeti:

“O i Dërguari i Allahut! Po nëse nuk ka mundësi për të dhënë lëmoshë?”

“Le të punojë. Në këtë mënyrë i bën dobi vetes dhe e kryen detyrën e dhënies së lëmoshës.”

“Po nëse nuk ka mundësi ta bëjë edhe këtë?”

“Atëherë le të ndihmojë ndonjë që ka nevojë.”

“Po nëse nuk ka mundësi ta bëjë edhe këtë?”

“Le të urdhërojë (inkurajojë) të mirën (apo ndonjë gjë tjetër të bukur).”

“Po nëse nuk mund ta bëjë edhe këtë?”

“Atëherë, të paktën të mos u  shkaktojë dëm njerëzve. Kjo është një lëmoshë për të!..”

Lëmosha është një argument, i cili vërteton se Islami është sistem i mëshirës. Ajo forcon ndjenjat shpirtërore të njeriut që jep dhe që merr. Siguron zhvillimin social në shoqëri dhe i lidh fuqishëm individët me njëri-tjetrin.

Ndihma reciproke, e cila është njëra prej dinamikave themelore për formimin e një shoqërie të qytetëruar dhe të fortë, i gjallëron ndjenjat e ndarjes së të keqes dhe të së mirës me të tjerët. Në këtë mënyrë, ajo shoqëri bëhet një shoqëri e suksesshme, e pasur dhe e civilizuar.

Për këtë arsye Islami i ka dhënë rëndësi të madhe lëmoshës dhe e ka bërë farz atë për çdo mysliman. I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Mbrojeni veten tuaj nga xhehenemi (duke dhënë sadaka) qoftë edhe një gjysmë hurme.” Po ashtu, Hz. Pejgamberi është shprehur se lëmosha nuk bëhet vetëm me para apo vetëm duke e shpenzuar pasurinë në rrugë të Allahut Teala. Në këtë mënyrë, na ka njoftuar se te Allahu i Lartësuar pranohet si lëmoshë edhe buzëqeshja ndaj një vëllai mysliman, të ndihmuarit e dikujt që bën një punë të mirë duke e mbështetur atë, edukimi i psikologjisë së njeriut dhe përforcimi i përshpirtshmërisë së tij me dhikrin e Allahut Teala, duke thënë subhanallah, elhamdulillah, Allahu ekber dhe la ilahe ilallah, edhe të komunikuarit ëmbël me njerëzit, edhe urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja, çdo hap i hedhur kur shkohet në xhami për të falur namazin me xhemat, një pemë e mbjellë në mënyrë që të përfitojnë njerëzit dhe çdo frut i asaj, çdo gjethe e këputur, çdo degë e marrë, shkurtimisht edhe çdo gjë prej të cilës kanë dobi njerëzit dhe kafshët. Pra, të gjitha këto i japin sevape njeriut. Ja kuptimet e fjalëve origjinale të të Dërguarit të Allahut, salallahu alejhi ve selem, që do prijnë deri në Kiamet për ndërtimin e civilizimeve:

Ebu Dherr el-Gifari, radijallahu anh, ka thënë: “Një grup prej sahabëve erdhën te i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem dhe i thanë: “O i Dërguari i Allahut! Të pasurit prej nesh i kanë marrë të gjitha sevapet. Ata e falin namazin siç e falim edhe ne. Ata agjërojnë siç agjërojmë edhe ne, por ata japin edhe pasurinë e tyre në rrugë të Allahut. Ne nuk mund t’i arrijmë sevapet e tyre, ngaqë nuk kemi pasuri.” Nisur nga kjo, i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, u tha:

“A nuk ua ka zgjeruar Allahu juve rrugët në të cilat mund të jepni lëmoshë? Çdo “subhanallah” që thoni është lëmoshë. Çdo “Allahu ekber” është lëmoshë. Çdo “elhamdulillah” është lëmoshë. Çdo “la ilahe illallah” është lëmoshë. Urdhërimi për të mirë është lëmoshë. Ndalimi nga e keqja është lëmoshë. Edhe marrëdhëniet seksuale me bashkëshortet tuaja janë lëmoshë.” Sahabët u habitën dhe e pyetën:

“O i Dërguari i Allahut! A fitojmë sevape edhe kur kryejmë marrëdhënie seksuale me bashkëshorten?” Pejgamberi ynë i nderuar, salallahu alejhi ve selem, u përgjigj:

“Si thoni, a do të kishte marrë gjynah ai person, nëse do ta kishte bërë këtë në rrugë të ndaluara? Ja, në të njëjtën mënyrë, atij personi i shkruhen sevape, ngaqë e ka qetësuar epshin e tij në rrugë të lejuar!..”

Ebu Hurejra, radijallahu anh, transmeton se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Në çdo ditë që lind dielli e ke obligim të japësh lëmoshë aq sa numri i kyçeve që njeriu ka në trup. Të pajtosh dy njerëz në mënyrë të drejtë është lëmoshë. Të ndihmosh një njeri për të hipur në kafshën e tij, apo t’i japësh atij ndonjë gjë që i ka rënë në tokë, është lëmoshë. Të thuash fjalë të mira është lëmoshë. Çdo hap që hedh për të shkuar në xhami për të falur namazin me xhemat është lëmoshë. Largimi nga rruga e ndonjë gjëje që pengon njerëzit është lëmoshë.”

Xhabiri, radijallahu anhu, transmeton se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Kur myslimani mbjell një pemë, çdo gjë që hahet nga ajo pemë është lëmoshë për të. Çdo gjë që përfitohet prej saj është lëmoshë.” Ndërsa në transmetimin e Muslimit thuhet: “Çdo gjë e asaj peme prej të cilës përfitojnë njerëzit dhe kafshët është lëmoshë për atë që e ka mbjellë atë pemë.”

Adijj b. Hatimi, radijallahu anhu, transmeton se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Mbrojeni veten tuaj nga zjarri i xhehenemit duke dhënë lëmoshë qoftë edhe gjysmë hurme. Ai që nuk mund të gjejë qoftë edhe një gjysmë hurme, le ta mbrojë veten nga ndëshkimi i xhehenemit duke thënë fjalë të mira.”

Por e dobishme është që ta themi edhe këtë: Ai që jep lëmoshë financiare, duhet ta kryejë këtë punë pa e lënduar, pa e munduar dhe pa e nënçmuar atë që e merr. Në të kundërt, vepra që bën është haram. Dhënësi i lëmoshës asnjëherë nuk duhet ta harrojë se e ka për detyrë dhënien e lëmoshës. Për këtë arsye duhet ta falënderojë marrësin e lëmoshës, ngaqë u bë shkak që dhënësi i saj ta kryejë atë detyrë. Mbi të gjitha, dhënësi i lëmoshës nuk duhet të presë që marrësi i sadakasë t’i shkojë pranë, por atë duhet ta kërkojë dhe ta gjejë vetë. Nisur nga ky këndvështrim, i varfri nuk është nevojtar për të pasurin, por përkundrazi, i pasuri ka nevojë për të varfrin, sepse i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, në shumë transmetime të ndryshme është shprehur se të pasurit i furnizon Zoti në sajë të të varfërve.

Ja pra, gjyshërit tanë të cilët morën frymëzim nga rregullat hyjnore që shprehen në hadithet e mësipërme, themeluan civilizimin e njohur me gurët e lëmoshës. Njerëzit e pasur fusnin dorën brenda në gurët e mermerit të gdhendur thellë në oborret e xhamive dhe linin para. Edhe të varfrit e fusnin dorën dhe merrnin para aq sa kishin nevojë. Ai që nuk kishte nevojë, nuk e fuste dorën te ata gurë…

Në hadithin e parë fisnik na tërheq vëmendjen një pikë delikate: I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, ka thënë për atë që nuk ka para për të dhënë qoftë edhe një lëmoshë të vogël dhe për atë që nuk ka mundësi të bëjë ndonjë punë të dobishme për t’i ndihmuar të tjerët:

“Të paktën mos t’u shkaktojë dëm njerëzve. Edhe kjo është një lëmoshë për të…”

Edhe ne dëshmojmë se kjo fe, e cila e vlerëson si lëmoshë edhe mosdëmtimin e të tjerëve kur nuk ke mundësi t’u bësh dobi, është fe e vërtetë… Një Pejgamber, i cili e ka sjellë këtë rregull dhe i cili na inkurajon që të mos u bëjmë keq njerëzve, është pejgamber i vërtetë… Mesazhet e kësaj feje të përsosur dhe të këtij Pejgamberi të nderuar do vazhdojnë t’i ndriçojnë të gjithë brezat… O ti Pejgamber fisnik që na mësove këto vlera sublime! Paqja e Zotit qoftë mbi ty! Lutjet dhe salavatet më të mira qofshin për ty! O i nderuari i të shkuarës dhe i së ardhmes!.. O dielli i gjithësisë…

 

Share.

Leave A Reply