“Bëjuni dhurata fëmijëve dhe edukojini bukur…” Ibni Maxhe, Edeb, 3

 

Detyra për ta mbrojtur pastërtinë e fëmijëve që lindin me natyrë islame, u është lënë prindërve. Edukimi i fëmijëve që janë gëzimi i familjes, vazhdimësia e shoqërive dhe shpresa e të nesërmes, kërkon një kujdes dhe përkushtim të posaçëm. Profeti ynë (s.a.v.s.) i cili e shpreh këtë të vërtetë me hadithin profetik “Që të gjithë jeni çobanë dhe që të gjithë jeni përgjegjës për tufën që ruani” (Buhari, Vesaja, 9), i ka lavdëruar gratë e dhëna pas fëmijëve duke u sjellë ndaj tyre me dashuri dhe dhembshuri. (Buhari, Nikah, 12)

Sipas fesë sonë, të kesh fëmijë të mirë e të dobishëm, jo vetëm që është një burim lumturie për jetën e kësaj bote, por është edhe pretekst shpërblimi të pandërprerë edhe për jetën e pasosur. Profeti (s.a.v.s.) ka bërë të ditur se një nga tre gjërat që sigurojnë që të mos mbyllet libri i punëve i personit edhe pas vdekjes së tij, është “fëmija i dobishëm i cili bën lutje për të”. (Muslim, Vasiyet, 14; Tirmidhi, Ahkam, 36)

Kur’ani i Shenjtë (el-Furkan, 25/74) i cili porosit që të gjithë muslimanët të luten që Zoti i Madh t’u japë bashkëshorte dhe fëmijë si drita e syve, bën të ditur se edhe disa profetë dhe njerëz të mirë kanë kërkuar nga Allahu i Lartë veçanërisht fëmijë të dobishëm dhe breza të pastër. (el-Bekare, 2/128; Al-i Imran, 3/35, 38; Ibrahim, 14/35, 40)

Trajtimi i fëmijës nga Islami mbështetet në dashurinë, dhembshurinë dhe mendësinë e mirëkuptimit. Sepse fëmija vjen në këtë botë me një krijim të pastër dhe të pamëkat. Ai nuk mban përgjegjësi fetare as për sjelljet e tij gjer në moshën e pubertetit. Foshnja e porsalindur, nevojtare në çdo aspekt për ndihmën e më të mëdhenjve, është i varur nga prindërit gjer në një moshë të caktuar. Për pasojë, mundet të zhvillojë një personalitet të shëndoshë në raport të drejtë me interesimin e domosdoshëm që i tregohet atij. Po të shihet nga ky këndvështrim, trajtimi i fëmijëve nga Profeti dhe këshillat e tij mbi rritjen dhe përgatitjen e tyre janë jashtëzakonisht interesante.

Siç ndodh në fetë dhe kulturat e tjera, edhe në fenë tonë është porositur të bëhen ceremoni të ndryshme për fëmijën e porsalindur.

Kur tek Profeti (s.a.v.s.) çonin një fëmijë të porsalindur, përtypte një hurmë dhe ia fuste fëmijës në gojë. (Ebu Davud, Edeb, 106, 107) Sepse po të hante fëmija veçanërisht diçka nga goja e Profetit, kjo bëhej pretekst begatie shpirtërore për të.

Vajza e Hz. Ebu Bekrit, Esmaja (r.anha) e cila, gjatë rrugës së emigrimit nga Meka në Medinë, lindi në Kuba një djalë që e quajtën Abdullah, thotë:

“Pasi lindi fëmija, e mora dhe ia çova Profetit dhe ia lashë në prehër. I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) kërkoi një hurmë, e përtypi dhe ia leu gojën fëmijës me të. Gjëja e parë që zbriti në stomakun e fëmijës ishte hurmaja e dalë nga goja e Profetit (s.a.v.s.). Pastaj Profeti u lut për të që të bënte një jetë të dobishke dhe të begatë dhe ia vuri emrin fëmijës Abdullah.” (Buhari, Menakibu’l-Ensar, 45; Muslim, Adab, 26)

Këndimi i ezanit në vesh të fëmijës pas lindjes, qeshja e flokëve në ditën e shtatë të lindjes dhe prerja e kurbanit të flokëve, shpërndarja si lëmosh e një sasie argjendi apo floriri sa pesha e flokëve të qethur, janë veprime dhe ceremoni të sunnetit, traditës profetike. (Ebu Davud, Edeb, 106, 107; Tirmidhi, Edahi, 19) Krahas të gjitha këtyre, vënia e një emri të bukur fëmijës është një specifikë mbi të cilën Profeti është përqëndruar veçanërisht. Kështu, në një hadith profetik, Profeti ka thënë:

“Në ditën e kiametit, ju do të thirreni me emrat tuaj dhe të baballarëve tuaj, prandaj vëruni emra të bukur fëmijëve!” (Ebu Davud, Edeb, 61)

Veç kësaj, disa emra të pakëndshëm i ka ndërruar. (Muslim, Adab, 14; Ibni Albdilber, el-Istiab, II, 837; III, 871, 1006)

Edhe bërja synet e djemve para se të hyjnë në periudhën e pubertetit, është një praktikë profetike. (Buhari, Libas, 63, 64)

Në të gjitha etapat e jetës, Profeti Bujar (s.a.v.s.) ka ushqyer dashuri dhe dhembshuri të thellë për fëmijët, i ka trajtuar me seriozitet dhe ka zbritur në nivelin e tyre; duke ua zgjidhur problemet, i ka orientuar kah e drejta. Në një rast kur i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) i cili ka thënë “kush të ketë fëmijë, le të sillet si fëmijë me të” (Dejlemi, III, 513), e ka puthur nipin Hasan, personi me emrin Akra bin Habith që është ndodhur aty pranë, e ka pyetur Profetin:

“A i puthkeni fëmijët ju? Unë kam dhjetë fëmijë, por asnjërin s’e kam puthur!”

Dhe Profeti i ka thënë kështu:

“Ai që s’ka mëshirë, nuk mëshirohet!” (Buhari, Edeb, 18; Muslim, Fedail, 65)

Edhe gjatë namazit të cilin e ka karakterizuar si “drita e syve” dhe rëndësinë e të cilit e ka theksuar me çdo rast, Profeti i trajtonte fëmijët me dhembshuri dhe mëshirë, ua ka fituar zemrën. I Dërguari i Allahut e pati sjellë të nipin në faltore në një namaz jatsie. Duke drejtuar namazin, gjatë sexhdes, nipi i kishte hipur në kurriz dhe Profeti, për të mos e shqetësuar, e kishte zgjatur sexhden. Pasi e kishin përfunduar namazin, sahabet i kishin thënë Profetit:

“E zgjate sexhden, o i Dërguari i Allahut! Pandehëm se mos ndodhi diçka ose të erdhi vahji…”

Profeti (s.a.v.s.) ua ktheu:

“Jo, s’ndodhi ndonjë gjë e tillë. Vetëm se im bir më kishte hipur në kurriz. Nuk desha të nxitohem me qëllim që të kënaqej ashtu…” (Nesai, Tatbik, 82

Krenaria i Gjithësisë, Profeti ynë (s.a.v.s.), i përshëndeste fëmijët me selam, i pyeste për shëndetin dhe mirëqenien, i vizitonte kur sëmureshin, bënte shaka si me nipërit e vet, ashtu dhe me fëmijët e tjerë, dhe të gjithë ata, nga njëra anë i dëfrente, nga ana tjetër, i edukonte.

Muhammed bin Rebi thotë:

“Mbaj mend që, kur isha pesë vjeç, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) e mbushi gojën me ujë nga kova në shtëpinë tonë dhe ma spërkati në fytyrë.” (Buhari, Ilm, 18; Muslim, Mesaxhid, 265)

Enesi (r.a.) thotë:

I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ishte më i miri ndër njerëzit për sa i përket moralit. Unë kisha një vëlla me emrin Ebu Umejr që sapo ish prerë nga gjiri. Kur Profeti vinte tek ne, thoshte:

“O Ebu Umejr, ç’bëri Nugajri?”

Nugajri ishte një zog me të cilin luante im vëlla. Disa herë, kur Profeti (s.a.v.s.) ndodhej tek ne, vinte koha e namazit. Ai na kërkonte menjëherë ta fshinim shtresën dhe ta spërkatnim me ujë. Pastaj qëndronte në namaz, edhe ne viheshim në radhë pas tij dhe e drejtonte faljen e namazit për ne.96 (Buhari, Edeb, 112)

Ebu Hurejre (r.a.) thotë:

E kam parë me këta dy sy dhe e kam dëgjuar me këta dy veshë se si i Dërguari i Allahut e kapte Hasanin ose Hysenin nga të dy duart, pastaj ia vinte këmbët mbi këmbët e veta dhe i thoshte:

“Hidhu!”

Dhe fëmija hidhej gjersa t’i vinte këmbët në gjoksin e të Dërguarit të Allahut. Pastaj e puthte fëmijën dhe thoshte:

“Allahu im! Duaje këtë, se unë e dua!” (Buhari, Edebu’l-mufred, hadith nr. 249)

Enesi (r.a.) thotë:

Ishte një fëmijë hebre në shërbim të Profetit (s.a.v.s.). Një ditë, fëmija u sëmur. Profeti (s.a.v.s.) shkoi për ta vizituar, iu ul tek koka dhe i tha “Bëhu musliman!”

Fëmija pa nga i ati për ta kuptuar se ç’mendonte.

I ati i tha:

“Bëj siç të thotë Ebul Kasëmi!”

Dhe fëmija u bë musliman.

Atëherë, Profeti (s.a.v.s.) tha:

“Lavdi Allahut që e shpëtoi këtë fëmijë nga xhehennemi!”

Dhe doli jashtë. (Buhari, Xhenaiz, 80)

Kur Profeti zbriste për në shtëpinë e Ebu Ejub el-Ensariut, vajzat e vogla të të bijve Nexhxhar dilnin dhe këndonin duke i rënë defit:

Vajzat e të bijve Nexhxhar jemi ne!

Sa mirë që e kemi komshi Muhammedin ne!

I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) i pyeste:

“A më doni mua?”

“Po, të duam, o i Dërguari i Allahut!” – I përgjigjeshin ato.

Atëherë, Profeti thoshte:

“Për Zotin, Allahu e di që edhe unë ju dua ju! Për Zotin, edhe unë ju dua ju! Për Zotin, edhe unë ju dua ju!” (Ibni Maxhe, Nikah, 21; Dijarbekri, I, 341)

Ibni Abbasi thotë:

“Kur Profeti erdhi në Mekë, e pritën fëmijë nga të bijtë Muttalib. I Dërguari i Allahut e mori njërin para, kurse tjetrin e vuri në vithe të kafshës.” (Buhari, Umre, 13, Libas, 99)

Profeti (s.a.v.s.) inkurajonte t’u bëheshin dhurata fëmijëve ose të gostiseshin ata. Edhe vetë, kur e shihte të përshtatshme, tregonte interesimin e duhur për ta në këtë drejtim.

Në një hadith të transmetuar prej Hz. Enesit (r.a.), i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka thënë kështu:

“Gostitini fëmijët dhe jepuni edukatë të mirë!” (Ibni Maxhe, Edeb, 3)

Sipas rrëfimit të Ebu Hurejres, Profetit i sillej fruti i parë i stinës dhe ai lutej:

“Allahu im! Jepna begati mbi begati në vendin tonë, në frutat tona dhe në masat e peshave tona!”

Pastaj atë frut ia jepte fëmijës më të vogël që ndodhej aty. (Muslim, Haxh, 474)

Hz. Aishe thotë: Nga Nexhashiu, të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s.) i kishte ardhur një plaçkë stolie si dhuratë. Mes dhuratës ndodhej edhe një unazë floriri me vetullën prodhim Abisinie. Duke iu shmangur unazës së florinjtë, Profeti e mori me një fije kashte apo me majën e gishtave. Pastaj e thirri mbesën Umame të lindur nga e bija Zejneb me Ebul As-in, dhe i tha:

“Moj bijëz, pa vëre këtë stoli!” (Ebu Davud, Hatem, 8)

Ka ndodhur edhe që Profeti ynë i lartë (s.a.v.s.), duke i trajtuar disa fëmijë si moshatarë të vet, u ka treguar disa sekrete.

Enesi (r.a.) thotë:

Një ditë, pasi ia kryeva shërbimet Profetit, shkova te shokët me mendimin se Profeti është shtrirë në gjumin e drekës. Ndërsa po ndiqja lojën e tyre, i Dërguari i Allahut erdhi. Ai i përshëndeti me selam fëmijët që luanin. pastaj më thirri mua dhe më dërgoi diku. Unë shkova, kurse Profeti (s.a.v.s.) u ul nën një hije gjersa të kthehesha unë. Te nëna shkova me vonesë.

“Pse u vonove?” – Më pyeti ajo.

“Më kishte dërguar Profeti për një punë!” – Iu përgjigja unë.

“Për çfarë pune?” – Më pyeti nëna sërish.

“Eshtë e fshehtë e të Dërguarit të Allahut!” – I thashë.

“Në është kështu, ruaje të fshehtën e të Dërguarit të Allahut!” – Më tha nëna.

Thabiti i cili e rrëfen këtë hadith, thotë:

“Enesi më tha: “Po qe se do t’ia thoja dikujt, ty do të ta thoja, o Thabit!” (Ibni Hanbel, III, 195)

Abdullah bin Xhafer tregon:

“Një ditë, Profeti (s.a.v.s.) më mori në vithe të kafshës. Pastaj më tha një fjalë të fshehtë që unë s’ia kam thënë askujt!” (Muslim, Hajd, 79)

Profeti (s.a.v.s.) edhe lojën e fëmijëve e ka parë si një nevojë të natyrshme. Për shembull ai e pati pritur me mirëkuptim sjelljen e Enesit të vogël që i shërbente, i cili, një ditë, kur Profeti e pati dërguar diku, nuk pati shkuar sepse e pati humbur mendjen duke luajtur me fëmijët. Këtë ngjarje, Enesi (r.a.) e tregon kështu:

…Një ditë, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) deshi të më dërgonte diku.

“Vallahi, nuk shkoj!” – I thashë unë.

Mirëpo në vetvete kisha vendosur të shkoja, sepse ai që më kishte dhënë urdhër, ishte Profeti i Allahut! Dola në rrugë, u afrova te fëmijët që po luanin dhe mbeta. Ndërkaq, i Dërguari i Allahut më erdhi nga pas dhe më kapi për zverku. Kur e ktheva kokën dhe e pashë, po buzëqeshte.

“O Enesi i vockël, a shkove atje ku të thashë?” – Më pyeti.

“Ja, menjëherë po shkoj, o i Dërguari i Allahut!” – I thashë. (Muslim, Fedail, 54)

Kurse një herë tjetër, Profeti kishte hasur një grup fëmijësh që po luanin me dhé. Ndërkaq, kur një sahabe deshi t’i ndalonte, Profeti i kishte thënë:

“Lëri të luajnë, se dheu është pranvera e fëmijëve!” (Hejthemi, VIII, 159)

Krahas këtyre, ka ndodhur që i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka luajtur me të nipërit Hasan dhe Hysen, i ka marrë në shpinë dhe i ka shëtitur, veç kësaj, ka organizuar gara vrapimi mes fëmijëve të të ungjit Abbas.

Abdullah bin Harith (r.a.) thotë:

I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) i mblidhte fëmijët e Abbasit, Abdullahin, Ubejdullahin dhe Kethirin dhe u thoshte kështu:

“Kush vrapon më shpejt dhe arrin tek unë i pari, do të marrë këtë shpërblim…”

Atëherë fëmijët vraponin kush e kush të arrinte më parë te i Dërguari i Allahut dhe t’i hipte në gjoks a në shpinë. Kurse ai i përqafonte dhe i puthte! (Ibni Hanbel, I, 214)

Krahas kësaj, Profeti (s.a.v.s.) e pati sqaruar se ndenjja e fëmijëve jashtë pasi të kishte rënë nata, ishte diçka me pasoja jo të mira dhe i pati paralajmëruar prindërit në këtë drejtim. (Buhari, Eshribe, 22; Muslim, Eshribe, 97)

Profeti ua pati tërhequr vëmendjen të mëdhenjve që të mos u premtonin fëmijëve gjëra që s’do t’i bënin dot dhe, kështu, i pati paralajmëruar që duhej të bëheshin për ta shembull në mbajtjen e fjalës.

Abdullah bin Amr tregon:

Një ditë, kur i Dërguari i Allahut ndodhej në shtëpinë tonë, nëna më thirri duke më thënë:

“Eja se do të të jap një gjë!”

I Dërguari i Allahut i tha nënës:

“Ç’deshe t’i japësh?”

“Desha t’i jap një hurma!”

Atëherë, Profeti i tha:

“Ta dish se po të mos i kishe dhënë diçka, për ty do të të shkruhej një mëkat gënjeshtre!” (Ebu Davud, Edeb, 80; Ibni Hanbel, III, 447)

Siç rrëfehet nga Ebu Hurejre, i Dërguari i Madh thotë kështu:

“Kush i thotë një fëmije “eja se do të të jap një gjë” dhe pastaj s’ia jep, për të shkruhet një mëkat gënjeshtre!” (Ibni Hanbel, II, 452)

Krenaria i Gjithësisë, Profeti ynë (s.a.v.s.) pati marrë masat parandaluese të domosdoshme për të penguar që fëmijët të bien në gjendje nevojtarie ekonomike pas vdekjes së baballarëve. Ai s’e pati pritur me miratim dëshirën e Sa’d bin Malikut për të lënë porosi që pasuria e tij të shpenzohej e gjitha në rrugën e Allahut, e pati pyetur se ç’u kishte lënë fëmijëve dhe, kur e pati mësuar se s’u kishte lënë asgjë, i pati thënë t’ua linte fëmijëve nëntë të dhjetat. Pas këmbënguljes së Sa’dit e pati pranuar porosinë e tij për të lënë për shpenzim një të tretën, duke e bërë të qartë se edhe këtë e shihte shumë. (Tirmidhi, Xhenaiz, 6)

Krahas kësaj, Profeti është shmangur nga preokupimi i fëmijëve në fusha të papërshtatshme për moshën e tyre, si lufta, etj. Ibni Omeri (r.a.) thotë:

Kur isha katërmbëdhjetë vjeç, më paraqitën tek i Dërguari i Allahut për të marrë pjesë në ushtri, por ai nuk e pa me vend. Por kur u bëra pesëmbëdhjetë vjeç, e pranoi propozimin që të merrja pjesë në ushtri. (Tirmidhi, Xhihad, 32)

Sa’d bin Ebi Vakkas tregon:

Në ditën e Bedrit, para se Profeti të na kontrollonte, vura re që im vëlla, Umejri, u fsheh. Unë e pyeta:

“Ç’pate, o vëlla?, ç’të gjeti?”

M’u përgjigj kështu:

“Kam frikë se mos i dukem i vogël të Dërguarit të Allahut dhe nuk më pranon në Bedër. Kurse unë dua të dal në xhihad. Shpresoj të më japë Allahu dëshmorësinë!..”

Kur gjendja iu paraqit të Dërguarit të Allahut, Umejri iu duk i vogël dhe nuk e pranoi të merrte pjesë në Bedër. Por pasi Umejri u dëshpërua dhe nisi të qante, Profeti i dha leje. (Ibni Sa’d, III, 149, 150)

Mirëpo Umejri atëherë e kishte kapërcyer edhe moshën e fëmijërisë. Kështu, thuhet se, kur ra dëshmor në Bedër, ai ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç. (Ibni Sa’d, III, 149)

Gjithashtu, thuhet se i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) nuk i pati pranuar në Uhud si të vegjël, disa sahabe, si Zejd bin Harithe, Bera bin Hazib, Zejd bin Erkam, Ebu Said el-Hudri dhe Xhabir bin Abdillah. (Hakim, II, 67)

I Dërguari i Madh ka porositur dhe urdhëruar që prindërit të sillen me drejtësi mes fëmijëve, pa bërë dallime mes djemve dhe vajzave, mes të mëdhenjve dhe të vegjëlve, mes fëmijëve të barkut dhe fëmijëve të gjetur. Si rrjedhojë, prindërit, ashtu siç janë të detyruar të jenë të drejtë në çështje materiale, si dhuratat dhe trashëgimia, ashtu duhet të jenë të drejtë ndaj të gjithë fëmijëve edhe në çështje shpirtërore, si dashuria, interesimi dhe dhembshuria.

Siç tregon Numan bin Beshir (r.anhuma), i ati e çoi te i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.), të cilit i tha:

“I dhashë një skllav këtij djali…”

I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) e pyeti:

“A u dhe edhe fëmijëve të tjerë atë që i dhe këtij?”

“Jo, nuk u dhashë!” – Iu përgjigj im atë Beshir.

“Atëherë, ktheje pas atë dhuratë!” – I tha i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.).

Sipas një rrëfimi të Muslimit, Profeti (s.a.v.s.) e pyeti Beshirin:

“A ua bëre këtë dhuratë të gjithë fëmijëve?”

“Jo, nuk ua bëra!” – Iu përgjigj Beshiri.

Atëherë, Profeti tha:

“Kini frikë Allahun, silluni me drejtësi mes fëmijëve!”

Si përfundim, im atë hoqi dorë nga ai dhurim dhe e mori prapë dhuratën. (Muslim, Hibat, 13)

Enesi (r.a.) tregon:

Dikujt i erdhi i biri ndërsa ndodhej pranë Profetit. Njeriu e mori djalin në prehër dhe e puthi. Pas një copë here, i erdhi e bija. Njeriu e uli vajzën në prehër pa e puthur. Pas kësaj, Profeti mëshirë për botët, i tha:

“Të ishe sjellur barazisht ndaj të dyve!” (Hejthemi, VIII, 156)

Vajzat, të cilat, në periudhën e injorancës pagane paraislame, përbuzeshin, liheshin në plan të dytë, për më tepër, herë pas here groposeshin të gjalla, me ardhjen e Islamit fituan një status të drejtë në shoqëri duke iu dhënë rëndësi pozitës së tyre mes pjesëtarëve të familjes dhe veçanërisht arsimimit dhe edukimit të tyre. Disa hadithe profetike që nxisin dhe inkurajojnë arsimimin dhe edukimin e tyre duke treguar kujdes të veçantë ndaj tyre, janë kështu:

“Atë që ka një vajzë, të cilën nuk e gropos përsëgjalli, nuk e përbuz dhe nuk e trajton duke e nënvleftësuar ndaj djalit, Allahu e vë në xhennet.” (Ebu Davud, Edeb, 121)

Profeti (s.a.v.s), duke bërë shenjë me dy gishta pranë e pranë, ka thënë:

“Kush i rrit dhe i edukon dy vajzat e veta gjersa të bëhen madhore, ditën e kiametit do të jetë së bashku me mua pranë e pranë ja, kështu!..” (Muslim, Birr, 149)

Nga ana tjetër, në hadithet profetike bëhet e ditur se djemtë ose vajzat që vdesin pa e arritur moshën madhore (të pubertetit), në jetën e pasme, ahiret, do të jenë pretekst shpëtimi për prindërit e tyre. Profeti (s.a.v.s.) ka thënë kështu:

“Çdo musliman të cilit i vdesin tre fëmijë pa arritur moshën e pubertetit, Allahu e vë në xhennet si pasojë e mëshirës dhe dhembshurisë ndaj tyre…” (Buhari, Xhenaiz, 6)

Në një predikim dhe këshillë për gratë, Krenaria i Gjithësisë (s.a.v.s.) ka thënë:

“Çdo gruaje nga ju, e cila i dërgon në jetën tjetër tre fëmijë të parritur, këta fëmijë i bëhen patjetër mburojë ndaj xhehennemit!”

Njëra nga gratë e pyeti:

“A vlen kjo edhe për ato që çojnë dy fëmijë?”

I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) iu përgjigj:

“Po kjo vlen edhe për atë që çon dy fëmijë!” (Buhari, Ilm, 36; Muslim, Birr, 152)

Një hadith interesant lidhur me çështjen, është kështu:

“Kur një robi i vdes fëmija, Allahu i Lartë u flet engjëjve:

“A mos e morët shpirtin e fëmijës së robit tim?”

Engjëjt i përgjigjen:

“Po, o Zot!”

Allahu i Lartë u thotë:

“A mos ia këputët frytin e zemrës?”

Engjëjt i përgjigjen:

“Po, o Zot!”

Zoti i Lartë i pyet:

“Mirë, po robi im, ç’tha?”

Engjëjt i përgjigjen:

“Ai të falenderoi dhe u mbështet tek Ti duke thënë: “Ne ekzistojmë për Allahun, tek Ai do të kthehemi!”

Atëherë, Allahu i Lartë thotë kështu:

“Për robin tim ndërtoni në xhennet një shtëpi dhe emrin vërjani “Bejtul Hamd” / “Shtëpia e Falenderimit”! (Tirmidhi, Xhenaiz, 36)

Edhe historia e kësaj gruas sahabe e cila, për shkak të mallit të thellë ndaj fëmijës së vdekur, pati marrë bekimin e Profetit dhe, si rrjedhojë e atij bekimi, pati jetuar shumë gjatë, është plot ndjenja dhe emocione. Ummu Kajs binti Mihsan (r.anha) tregon:

Më kishte vdekur djali, gjë që më pati dëshpëruar shumë. Personit që po e lante, i thashë:

“Mos ma laj të voglin me ujë të ftohtë se do ta vdesësh!”

Pas kësaj, Ukkashe bin Mihsan (r.a.) shkoi menjëherë te Profeti (s.a.v.s.) dhe ia tregoi fjalët e gruas.

I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) buzëqeshi dhe tha:

“A kështu paska thënë? Atëherë i qenka zgjatur jeta.”

Hz. Ukkashe thotë:

“Ne s’njohim grua tjetër që të ketë jetuar kaq gjatë sa ajo!” (Nesai, Xhenaiz, 29)

Sa me rëndësi të jetë interesimi që do të tregohet në çështjen e mirërritjes dhe përgatitjes së fëmijëve tanë, aq rëndësi paraqesin lutjet dhe bekimet që do të bëhen për ta. Duke e zotëruar zemërimin për shkak të prapësive të tyre, ne duhet të ruhemi e të shmangemi nga thënia e fjalëve të këqija për ta ose nga lëshimi i mallkimeve kundër tyre! Këtë e vërejmë gjithmonë edhe në zbatimet dhe porositë e Krenarisë së Gjithësisë (s.a.v.s.). Profeti (s.a.v.s.) thotë:

“Mos e mallkoni veten, mos i mallkoni fëmijët, mos i mallkoni mallrat, se mallkimi juaj mund të qëllojë pikërisht në çastin e pranimit të kërkesave dhe Allahu ua pranon mallkimin!” (Muslim, Zuhd, 74)

Mus’ab bin Abdillah tregon:

“Abdullah bin Tha’lebe pati lindur katër vjet para hixhretit. Atë vit kur u çlirua Meka, u dërgua te Profeti (s.a.v.s.). Ai e fërkoi me duart e veta në fytyrë dhe bëri lutje që jeta t’i bëhej e begatshme. Kur vdiq i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.), djali ishte katërmbëdhjetë vjeç.” (Hakim, III, 315)

 

Profeti kishte shkuar te Abdullah bin Xhaferi (r.anhuma). Megjithëse ishte ende fëmijë, ai bënte tregti. I Dërguari i Allahut u lut për të:

“Allahu im! Bëja të begatshme tregtinë!” (Hejthemi, IX, 286)

Abdullah bin Xhafer thotë:

“Profeti (s.a.v.s.) ma fërkoi me dorë kokën tri herë dhe u lut për mua: “Allahu im! Fali fëmijë Abdullahit!” (Hakim, I, 528)

Ibni Abbasi i cili pati patur nderin të ndodhej shpesh pranë Profetit në moshë të vogël, e tregon kështu një kujtim:

I Dërguari i Allahut ndodhej në shtëpinë e njërës nga bashkëshortet e tij, sime tezeje, Mejmune. Unë i pata përgatitur ujë për abdest. Tezja i tha të Dërguarit të Allahut: “Abdullahi të ka përgatitur ujë për abdest!” Atëherë, i Dërguari i Madh u lut kështu për mua:

“Allahu im! Bëje këtë dijetar në fe dhe mësoja interpretimin (komentin e Kur’anit)!” (Hakim, III, 610)

Enesi (r.a.) tregon:

Profeti (s.a.v.s.) na pati ardhur në shtëpi. Nëna solli hurma dhe gjalpë për ta gostitur. Profeti tha:

“Gjalpin futeni në calik, kurse hurmatë, në enë, se unë jam i agjëruar!”

Pastaj u ngrit dhe fali namaz në një anë të shtëpisë. Pastaj bëri lutje për nënën Ummu Sulejm dhe për njerëzit e shtëpisë.

Ummu Sulejm i tha:

“O i Dërguari i Allahut, unë kam një shërbëtor të vogël!”

“Ku është ai shërbëtori i vogël?” – Pyeti i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.).

“Shërbëtori yt, Enesi është!” – I tha Ummu Sulejm.

Atëherë, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) u lut për mua duke mos përjashtuar, në favorin tim, asnjë të mirë të kësaj bote dhe të përjetësisë: “Allahu im, jepi këtij pasuri dhe fëmijë dhe bëji ata të mbarë e të dobishëm për të!” Ja, prandaj unë jam më i pasuri i ensarëve. Ime bijë Umejne më tha se, gjer në ardhjen e Haxhxhaxhit në Basra, nga brezi im ishin varrosur mbi njëqind e njëzet vetë. (Buhari, Savm, 61; Ibni hanbel, III, 108)

Velid bin Ukbe thotë:

“Kur Profeti (s.a.v.s.) e çliroi Mekën, mekasit i çonin fëmijët te i Dërguari i Allahut dhe ai ua fërkonte kokën dhe lutej për ta.” (Ibni Hanbel, IV, 32)

Po të shihet historia e jetës e të gjithë këtyre sahabeve që patën marrë në moshë të vogël lutjet e të Dërguarit të Allahut, vihet re se patën kaluar një jetë shumë të begatë. Disa materialisht, disa në aspektin dituror dhe disa të tjerë, në të dy aspektet, patën merituar aftësi të ndryshme.

Allahu i Lartë ua mundësoftë të gjithë muslimanëve ta njohin Profetin ashtu siç duhet dhe ta marrin si model atë, si në çdo drejtim, edhe në trajtimin e fëmijëve! Amin!

Share.

Leave A Reply