“Allahu im! Çdokujt i kërkoj me forcë të ruhet nga shkelja e të drejtave të dy vetëve të dobët: jetimit dhe femrës (gruas)!”

Ibni Maxhe, Edeb, 6

Edhe pse në shoqërinë arabe paraislame, disa vajza familjesh fisnike kishin një sërë privilegjesh, në përgjithësi, gjendja e femrës (gruas) ishte shumë e keqe. Para së gjithash, femrat të cilat, në përfundim të luftërave ndërfisnore që s’kishin të mbaruar, konsideroheshin plaçkë lufte, bëheshin gjithmonë viktimë. Për shembull, përveç që shiteshin e bliheshin në statusin e shërbëtores, ato përdoreshin me detyrim në prostitucion. Veç kësaj, pasi gruas i vdiqte i shoqi, ajo s’kishte më asnjë garanci. Po qe se gruaja që i vdiqte i shoqi, binte në dorë të të kunatit (vëllait të burrit) para se të mund të strehohej në shtëpinë atërore, bëhej e tija. Burrat mund të merrnin sa gra që të donin. Në të njëjtën kohë, gruaja nuk mund të bëhej trashëgimtare me asnjë rrugë. Kështu, të kishe vajzë në një shoqëri ku femra shpërdorohej kaq keq, ishte diçka e padurueshme. Prandaj, herë pas here, foshnjat vajza groposeshin përsëgjalli nga vetë familjet.

Shkurt, të shoqërinë arabe paraislamike, përgjithësisht, femra shfrytëzohej dhe shpërdorohej seksualisht si dhe privohej nga të drejtat shoqërore dhe ekonomike që i takonin.

Së bashku me ardhjen e Islamit, në pozitën e femrës (gruas) ndodhën ndryshime me rëndësi. Duke marrë, nga një anë, masa parandaluese ndaj prostitucionit dhe shkeljes së kurorës, feja jonë i doli për zot me përparësi femrës duke shpallur se gjaku, pasuria dhe nderi i çdo muslimani janë të shenjtë e të paprekshëm. Femra (gruaja) nuk do të shtrëngohej t’u nënshtrohej akteve të pandershme e të pavirtytshme, për më tepër, nuk do të thuheshin fjalë që e cënonin nderin dhe dinjitetin e saj. (en-Nur, 24/23, 33)

U ndalua kategorikisht që vajzat të shiheshin me nënvleftësim dhe poshtërim, veçanërisht që të të groposeshin përsëgjalli. (el-En’am, 6/151; en-Nahl, 16/59); et-Tekvir, 81/8) Sipas fesë së re, mes femrës dhe mashkullit (gruas dhe burrit) nuk kishte dallime për sa i përket krijimit si njeri dhe zotërimit të një sërë të drejtash dhe përgjegjësish. Njeriu e fitonte epërsinë e vetme me anë të vetëdijes së robit të Zotit dhe adhurimit ndaj Tij. Në disa ajete kur’anore të kësaj specifike, thuhej kështu:

“O njerëz! Me të vërtetë, Ne ju krijuam prej një femre dhe një mashkulli dhe, që të njiheni me njëri-tjetrin, ju ndamë në fise e popullata. Pa dyshim, më i çmuari nga ju te Allahu është ai që ruhet më shumë prej Tij…” (el-Huxhurat, 49/13)

“…qoftë mashkull apo femër – se jeni prej njëri-tjetrit – Unë s’do t’ia çoj kot punën askujt nga ju që bën përpjekje…” (Al-i Imran, 3/195)

“Cilitdo mashkull apo femër që bën një punë të mirë si musliman, e bëjmë me siguri që të jetojë një jetë të bukur dhe i japim shpërblimin më të bukur!” (en-Nahl, 16/97)

Megjithëse mashkulli dhe femra kanë status të njëjtë për sa i përket qenies rob i Zotit, secili prej tyre kanë veçori fiziologjike dhe psikologjike të posaçme. Kjo gjendje si rregull jetese dhe domosdoshmëri krijimi natyror, nuk u jep mashkullit dhe femrës të drejtën për të pretenduar epërsi ndaj njëri-tjetrit. Në ajetin kur’anor thuhet kështu:

“Mos i dëshironi me mall gjërat me të cilat Allahu ju dha epërsi ndaj njëri-tjetrit, se edhe meshkujt kanë pjesë të fituara, edhe gratë kanë pjesë të fituara. Favorin e Allahut kërkojeni, se, pa dyshim, Allahu e di çdo gjë!” (en-Nisa, 4/32)

Prandaj nuk duhet harruar se, në rrugën e jetës, femra dhe mashkulli nuk janë konkurrentë dhe kundërshtarë të njëri-tjetrit, por ndihmës të njëri-tjetrit. Kështu, në Kur’anin e Shenjtë, ndërsa nga njëra anë thuhet se “gratë janë rroba juaj dhe ju jeni rroba e grave” (el-Bekare, 2/187), nga ana tjetër, gjendja në fjalë shprehet kështu si argument i ekzistencës së Allahut:

وَمِنْ آياَتهِِ أنَْ خَلقََ لكَُم مِّنْ أنَفُسِكُمْ أزَْوَاجًا لتِّسَْكُنُوا إلِ هََْا ي

وَجَعَلَ ب نَْكَُم مَوَدَةً وَرَحْمَةً إنَِ فيِ ذٰلكَِ آ ل ياَتٍ لقَِّوْمٍ يتَفََكَرُونَ يَ

“Ndër argumentet e ekzistencës së Tij është edhe që Ai krijoi nga lloji i juaj bashkëshortë me qëllim që të bashkoheni dhe mes jush të shfaqen dashuria dhe mëshira…” (er-Rum, 30/21)

Nga ana tjetër, Kur’ani i Shenjtë e ka trajtuar femrën (gruan) si nënë, ka qëndruar mbi nevojën e mirësisë ndaj prindërve pas adhurimit të Allahut dhe ka shprehur se nuk është e drejtë as t’u thuhet “of” atyre kur të plaken. (el-Isra, 17/23)

Vështrimi i Kur’anit të Shenjtë ndaj femrës (gruas) me thëniet dhe zbatimet e Profetit janë, në mënyrë të natyrshme, të një platforme. Profeti ynë (s.a.v.s.) duke u shprehur me konsideratë të lartë për to, ka thënë:

“Xhenneti është nën këmbët e nënave!” (Sujuti, II, 125)97

Me këtë qëndrim të Profetit, në personin e tij, femrat (gratë) kanë parë një mik dhe mbrojtës i cili ndjen dhembshuri dhe mëshirë për to, i cili ndërmjetëson në keqkuptimet mes tyre dhe burrave të tyre, i cili ua mbron të drejtat, i cili i këshillon burrat të sillen mirë ndaj grave dhe i cili, me mënyrën e jetesës së tij përbën një model të kësaj sjelljeje.

Profeti i Nderuar (s.a.v.s.), gratë që nënvleftësohen, poshtërohen dhe, për më tepër, që, kohë më kohë, rrihen, i ka konsideruar pothuajse si jetimë dhe ka thënë kështu:

“Allahu im! Çdokujt i kërkoj me forcë të ruhet nga shkelja e të drejtave të dy vetëve të dobët: jetimit dhe femrës (gruas)!” (Ibni Maxhe, Edeb, 6)

Çdo njeri që hyn në kuadrin e Islamit dhe pajiset me moralin e tij, duhet të shpalosë sjellje të hijshme kundrejt femrave (grave), veçanërisht kundrejt gruas së vet. Krenaria i Gjithësisë, Profeti ynë (s.a.v.s.) i këshillon kështu meshkujt (burrat) e ummetit:

“Më i përkryeri ndër besimtarët për sa i përket besimit, është ai me moralin më të mirë. Më i dobishmi ndër ju është i dobishmi kundrejt grave!” (Tirmidhi, Rada, 11)

Në një hadith tjetër, këtë kriter, Profeti (s.a.v.s.) e shpreh kështu:

“I dobishëm është i dobishmi ndaj pjesëtarëve të familjes, kurse më i dobishmi ndër ju ndaj familjes së vet, jam unë!” (Tirmidhi, Menakib, 63; Ibni Maxhe, Nikah, 50)

Profeti ynë (s.a.v.s.), edhe burrave që i rrahin gratë, ua ka tërhequr vëmendjen në mënyra të ndryshme si dhe ka shprehur gjithmonë pakënaqësi ndaj tyre. Një herë, disa gra të rrahura nga burrat e tyre shkuan në shtëpinë e Profetit për t’u ankuar. Atëherë, i Dërguari i Madh (s.a.v.s.) tha:

“Ata persona që i kanë rrahur gratë, nuk janë të mbarë e të dobishëm për ju!” (Ebu Davud, Nikah, 42; Ibni Maxhe, Nikah, 51)

Gjithashtu, një ditë, duke mbajtur hutbe, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) u ka bërë zë burrave kështu:

“Dikush nga ju ngrihet ta rrahë gruan siç rreh skllavin, pastaj do të bjerë të flerë në një shtrat me të…” (Muslim, Xhennet, 49)

Edhe në një hadith tjetër profetik, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka thënë kështu:

“Besimtari le të mos e përbuzë gruan, se, nëse s’ia pëlqen një shprehi, tjetrën ia pëlqen…” (Muslim, Rada, 61)

Mund të ketë raste kur çdo njeri, mashkull apo femër (burrë apo grua) të jetë i pasuksesshëm ose të gabojë pa dashje. kjo është e pashmangshme. Eshtë e domosdoshme që njerëzit të vlerësohen sipas mundësive dhe aftësive, që çështjet të zgjidhen duke biseduar me qetësi dhe butësi Kjo është metodë e Profetit. Me të vërtetë, ai u ka folur kështu disa vetëve të cilët i kanë vazhduar shprehitë e mbetura nga sjelljetrashësia e periudhës së injorancës paraislame kundrejt grave:

“… Ju porosis të silleni mirë ndaj grave. Sepse gruaja është krijuar nga eshtra e brinjës. Pjesa më e shtrembër e eshtrës së brinjës është pjesa e sipërme. Po të duash ta drejtosh brinjën, e thyen. Po ta lësh siç është, mbetet e shtrembër. Atëherë, zbatojini porositë që po ju jap mbi gratë!” (Buhari, Enbija, 1; Muslim, Rada, 60)

Në një rivajet tjetër është thënë:

“Gruaja është si eshtra e brinjës. Po të tentosh ta drejtosh, do të thyhet. Po të duash të përfitosh prej saj, mund të përfitosh edhe kështu siç është!” (Buhari, Nikah, 79; Muslim, Rada, 65)

Me këto hadithe, Profeti nuk ka dashur të na japë njohuri biologjike mbi krijimin e femrës (gruas), por na ka treguar me rrugë metaforike se si duhet sjellë me gratë.

Disa dijetarë, shprehjen e hadithit se “pjesa më e shtrembër e eshtrës së brinjës është pjesa e sipërme”, e kanë interpretuar si “pjesa më problematike e gruas është gjuha e saj”. (Ibni Haxher, Fet’hul Bari, IX, 253) Këtë interpretim e mbështet ky hadith profetik i cili përcakton se gruaja ka për të hyrë në xhehennem për shkak të gjuhës:

“Ju mallkoni shumë dhe bëni sikur s’i shihni të mirat e burrit tuaj!” (Buhari, Hajd, 6)

Mallkimi dhe mohimi i së mirës bëhen me gojë. Gruaja e cila, pa e menduar gjendjen ekonomike të burrit, kërkon t’i ketë edhe në shtëpinë e vet ato që sheh te miqtë dhe fqinjët, që egërsohet po s’iu plotësua dëshira, që ua zbulon sekretet e shtëpisë kujtdo, që bën thashetheme majtas e djathtas, të gjitha këto sjellje të këqija i realizon me anë të gjuhës.

Nga ana tjetër, Profeti (s.a.v.s.) ka thënë se gruaja cilësore që e ka përvetësuar moralin islam, është një dhunti e rrallë për burrat:

“Kjo botë përbëhet prej një dobie kalimtare. Qenia më dobiprurëse e saj është gruaja e mirë!” (Muslim, Rada, 64)

I Dërguari i Madh, profeti ynë, e parashtron ndryshe në një hadith tjetër:

“Janë tri gjëra që e bëjnë njeriun të lumtur: një grua e mirë, një shtëpi e mirë, një kafshë shale e mirë. Kurse tri gjëra që e bëjnë njeriun të palumtur, janë: një grua e keqe, një shtëpi e keqe dhe një kafshë shale e keqe!” (Ibni Hanbel, I, 168)

Amr bin Ahvas (r.a.) transmeton se në Haxhin e Lamtumirës, Profeti (a.s.) ka thënë kështu:

“Shokë të mi! Ju porosis të silleni mirë me gratë. Porosinë time mbajeni, se ato janë dhënë nën qeverisjen dhe mbrojtjen tuaj. Nuk keni të drejtë të ushtroni dhunë mbi to nëse s’e dini me siguri që të kenë bërë ndonjë imoralitet. Po qe se bëjnë ndonjë veprim të pamoralshëm, lërini vetëm në shtrat. Rrihini pa i lënduar. Po qe se ju binden, mos bëni diçka që t’i dëmtojë!

Dijeni se, siç keni ju të drejta mbi to, edhe ato kanë të drejta mbi ju.

E drejta juaj mbi to është që t’jua mbrojnë shtratin nga të huajt, që të mos fusin në shtëpi njerëz që ju nuk i doni.

Kurse e drejta e tyre mbi ju është që t’u krijoni mundësi të mira për veshmbathje dhe ushqim.” (Tirmidhi, Rada, 11; Ibni Maxhe, Nikah, 3)

Në këto këshilla, Krenaria i Gjithësisë (s.a.v.s.), krahas trajtimit të mirë të grave, ka tërhequr vëmendjen mbi nevojën e rrahjes së grave që s’marrin vesh me fjalë, që shpalosin sjellje imorale që mund të bëhen shkak për shembjen e familjes, e rrahjes me mendimin për t’i sjellë në rrugë dhe me kusht për të mos kaluar në teprim. Në mënyrë të ngjashme, kjo porosi përmendet edhe në Kur’an. (en-Nisa, 4/34) Vetëm se nuk duhet harruar që rrahja është zgjidhja më e fundit. Veç kësaj, i Dërguari i Madh (s.a.v.s.) gjatë gjithë jetës nuk ka rrahur asnjë grua dhe asnjë shërbëtor. Këtë e thotë bashkëshortja e tij e dhjetë vjetëve, Hz. Aishe. (Ibni Maxhe, Nikah, 51)

Megjithëkëtë, ka ndodhur edhe që Profeti (s.a.v.s.), herë pas here ua ka tërhequr vërejtjen grave në mënyrë të ashpër për shkak të disa qëndrimeve negative që i ka dëgjuar dhe parë vetë. Xhabiri (r.a.) tregon:

Mora pjesë së bashku me të Dërguarin e Allahut (s.a.v.s.) në namazin e bajramit. Profeti e filloi namazin para hutbes, pa ezan dhe pa ikamet. Pastaj, duke u mbështetur te Bilali (r.a.), u ngrit. Na porositi ta kemi frikë Allahun dhe t’i bindemi Atij. Predikoi dhe ua kujtoi njerëzve vdekjen, ahiretin, xhennetin dhe xhehennemin. Pastaj foli mbi gratë. U predikoi atyre, u kujtoi disa gjëra dhe u tha:

“Jepni për Allahun, sepse shumica juaj jeni dru zjarri për xhehennem!” Një grua nga gratë me dinjitet, që i ishin nxirë faqet, u ngrit dhe pyeti:

“Pse (të jemi dru zjarri për xhehennemin), o i Dërguari i Allahut?”

I Dërguari i Allahut i tha kështu:

“Sepse ju gratë bëni shumë ankesa, tregoheni mosmirënjohëse ndaj burrave!”

Pas kësaj, gratë nisën t’i dhurojnë stolitë…” (Muslim, Idejn, 4)

Duhet prekur edhe çështja e efektit të trajtimit të grave nga Profeti me mëshirë dhe dhembshuri, mbi sahabet. Abdullah bin Omer (r.a.) thotë:

“Në kohën e të Dërguarit të Allahut, me frikën se mos vjen ndonjë mesazh mbi ne, ne ruheshim të mos silleshim me gratë ashtu siç deshim. Pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut, nisëm të flasim e të sillemi siç deshim.” (Buhari, Nikah, 80)

Profeti ynë (s.a.v.s.) i ngarkuar me detyrën për t’i ftuar njerëzit në Islam, është përpjekur që t’ia mësojë urdhrat e fesë gjithkujt, pa bërë dallim mashkull-femër apo burrë-grua. Përveç predikimeve të përgjithshme, herë pas here ka ndodhur edhe që të bëjë predikime për gratë. Nxitja e grave për sadaka që përmendet në hadithin më lart, ka ndodhur në një nga këto predikime të posaçme. Vëmë re se disa gra që kanë menduar se nga bisedat e të Dërguarit të Allahut përfitojnë vetëm burrat, i kanë kërkuar Profetit të zhvillojë biseda të posaçme me to. Siç transmeton Ebu Said el-Hudri (r.a.), një grua shkoi te i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) dhe i tha:

“O i Dërguari i Allahut! Nga fjalët e tua përfitojnë vetëm burrat. Sikur të veçosh një ditë edhe për ne, të mblidhemi dhe të na mësosh nga ato që të mëson Allahu ty!”

Profeti (s.a.v.s.) i tha:

“Mirë, po mblidhemi filan ditë në filan vend!”

Gratë u mblodhën. Profeti (s.a.v.s.) shkoi dhe u mësoi atyre nga ato që ia kishte mësuar Allahu atij vetë. (Buhari, I’tisam, 9; Muslim, Birr, 152)

Zonjat sahabe, ndërsa nga njëra anë përpiqeshin t’i mësonin urdhrat e Islamit nëpërmjet predikimeve dhe bisedave të Profetit, nga ana tjetër, kishin mundësi t’i drejtoheshin të Dërguarit të Allahut për të marrë përgjigjet e pyetjeve që u vinin nëpërmend, si dhe zgjidhjen e problemeve me të cilat përballeshin. Edhe Profeti u jepte vlerë, u përgjigjej pyetjeve dhe merrej me problemet e tyre. (Muslim, Fedail, 76; Ebu Davud, Edeb, 12) Disa nga gratë sahabe nuk druheshin ta pyesnin Profetin edhe për çështjet më intime. Nëna e Enes bin Malikut, Ummu Sulejm e pati pyetur të Dërguarin e Allahut nëse duhet të bënin gusl gratë pas orgazmës. (Buhari, Ilm, 50) Gjithashtu, gruaja sahabe e quajtur Esma binti Shekel e pati pyetur Profetin se si duhet bërë larja pas ndërprerjes së të përmuajshmeve (në fund të ditëve përkatëse). Duke e admiruar guximin e Esmasë, Hz. Aisheja pati thënë:

“Ç’gra të mira janë gratë ensare! Ndjenja e turpit s’u bëhet pengesë për ta mësuar fenë!” (Muslim, Hajd, 61)

Ummu Umare tregon:

I thashë:

“O i Dërguari i Allahut, e shoh se çdo gjë është për burrat, nuk shoh të flitet në ndonjë mënyrë për gratë!”

Mbi këtë, zbriti ky ajet:

“Nuk ka dyshim se Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh për të gjithë burrat dhe gratë muslimanë, burrat dhe gratë besimtarë, burrat dhe gratë e bindur, burrat dhe gratë fjalëdrejtë, burrat dhe gratë që bëjnë durim, burrat dhe gratë të lidhur me gjithë zemër, burrat dhe gratë që japin sadaka, burrat dhe gratë që mbajnë agjërim, burrat dhe gratë që e mbrojnë nderin, burrat dhe gratë që e përmendin shumë Allahun…” (Ahzab, 33/35) (Tirmidhi, Tefsir, 33, 14)

Nënat e besimtarëve dhe disa gra sahabe janë shquar në mësimin përmendësh të haditheve profetike dhe transmetimin e tyre.98 Për shembull, nëna jonë Hz. Aishe është njëra nga shtatë sahabet që kanë transmetuar më shumë hadithe. (Iraki, f. 350) Veç kësaj, ajo ka qenë specialiste edhe në të drejtën islame (fikh), në artin e poezisë, në gjenealogji dhe mjekësi. (Ibni Haxher, el-Isabe, IV, 360)

Megjithëse në periudhën e injorancës paraislame, përqindja e personave të arsimuar s’ishte e madhe, vëmë re se disa zonja sahabe dinin shkrim e këndim. Për shembull, transmetohet se Shifa binti Abdillah e cila ishte e arsimuar, me porosinë e Profetit, i ka mësuar bashkëshortes së tij Hafsa shkrim e këndim dhe gjëra të tjera. (Ebu Davud, Tib, 18; Kettani, I, 49, 50)

Në periudhën e Profetit, faltoret kanë pasur një vend me rëndësi si në arsimimin dhe edukimin e femrave (grave), ashtu dhe në jetën e tyre fetare. Kështu, në Faltoren Profetike, me porosi të Profetit, qe hapur një derë vetëm për hyrje-daljen e femrave (grave) (Ebu Davud, Salat, 17, 53) dhe meshkujt (burrat) qenë urdhëruar që të mos u bëheshin pengesë grave për të shkuar në faltore ditën apo natën. Disa prej haditheve përkatëse janë kështu:

“Nëse gruaja e dikujt nga ju kërkon leje për të shkuar në faltore, të mos i nxirret pengesë!” (Muslim, Salat, 134, 135)

“Mos iu bëni pengesë grave që të shkojnë natën në faltore!” (Muslim, Salat, 138)

“Mos i pengoni nga faltorja robtë zonja të Allahut!” (Muslim, Salat, 136)

Megjithëse në Shekullin e Lumtur, vajtja e femrave (grave) në faltore dukej e përshtatshme në parim, u është tërhequr vëmendja që, duke hyrë e duke dalë nga faltorja, të mos bëheshin shkak për intrigë dhe sjelljeve të pavend. Prandaj Profeti pati kërkuar që femrat (gratë) që shkonin në faltore, të mos lyheshin me lëndë aromatike. (Muslim, Salat, 141-145) Kështu, pas vdekjes se të Dërguarit të Allahut Hz. Aisheja e cila vinte re gjendjen dhe sjelljet e papërshtatshme të disa grave që shkonin në faltore, pati thënë:

“Po qe se i Dërguari i Allahut do të shihte se ç’bëjnë sot gratë, do t’i ndalonte të shkonin në faltore ashtu siç ndalohen gratë e izraelitëve!” (Muslim, Salat, 144)

Kështu, kuptohet se porositë e Profetit (s.a.v.s.) të formës “Namazi më i mbarë e më i dobishëm i grave, është ai që e falin në shtëpi” (Ibni Hanbel, VI, 301), janë bërë për të theksuar domosdoshmërinë e shmangies nga sjelljet e papërshtatshme gjatë vajtje-ardhjeve në xhami.

Veç kësaj, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) i cili mbante parasysh dallimet biologjike e shpirtërore të meshkujve dhe femrave, i ka këshilluar gratë të merren me shtëpitë e tyre. Për shembull, duke u shprehur si në vijim, ka tërhequr vëmendjen që gruaja duhet t’i dijë mirë punët e shtëpisë së vet:

“Jua këshilloj shtëpitë, sepse xhihadi juaj është në shtëpi!” (Ibni Hanbel, VI, 68) Dhe: “…Gruaja është çoban në shtëpinë e burrit dhe përgjigjet për tufën që ruan…” (Buhari, Vesaja, 9; Muslim, Imare, 20)

Vëmë re se, duke bërë ndarjen e punëve të shtëpisë, Profeti i pati këshilluar së bijës Fatime punët e shtëpisë, kurse dhëndërrit Hz. Ali, punët jashtë shtëpisë. Zonja sahabe Kajle binti Ummi Enmar tregon: Gjatë një umreje, i thashë Profetit në Merve:

“O i Dërguari i Allahut! Unë jam një grua që merrem me shitblerje në treg. Kur dua të blej diçka, jap një çmim më të ulët se ai që kam menduar. Pastaj ia ngre çmimin në nivel normal. Kur dua ta shes, në fillim kërkoj për të një çmim më të lartë se normalja, pastaj e zbres në nivel normal.”

Atëherë, i Dërguari i Allahut i tha:

“O Kajle, mos vepro kështu! Kur dëshiron të blesh diçka, propozo një çmim normal, pastaj e blen ose nuk e blen. Edhe kur kërkon të shesësh diçka, kërko çmimin normal të atij malli, pastaj ose e shet, ose s’e shet dot!” (Ibni Maxhe, Tixharet, 29)

Në kohën e Profetit, Havle binti Tuvejt e njohur si Havle el-Attare, dihej se ishte një zonjë sahabe e cila merrej me tregtimin e parfumeve. (Ibni Haxher, el-Isabe, IV, 278)

Një shembull tjetër është vajza e Hz. Ebu Bekrit, Esmaja, e cila, përveç punëve të shtëpisë, merrej me kujdestarinë e kalit të të shoqit dhe me transportimin e prodhimeve që merrnin nga kopshtet. (Buhari, Nikah, 107)

Transmetohet se zonja sahabe e quajtur Semra binti Nuhejk patrullonte në treg me kërbaç në dorë si një lloj nëpunësi rendi që i nxiste njerëzit për të bërë mirë dhe i pengonte ata që donin të bënin keq. (Hejthemi, IX, 264) Kuptohet se edhe Shifa binti Abdillah e cila dinte shkrim e këndim, qe ngarkuar me të njëjtën detyrë në kohën e kalifit Omer në njërin nga tregjet e Medinës. (Ibni Haxher, el-Isabe, IV, 341)

Sa për fushatat luftarake të quajtura gazve në kohën e Profetit, të cilat ishin pjesë e jetës shoqërore, meshkujt (burrat) patën qenë gjithmonë ata që përbënin klasën e luftëtarëve, me fjalë të tjera, pjesëmarrja në luftë nuk pati qenë detyrë bazë e femrave (grave). Një herë, Hz. Aisheja pati kërkuar leje të merrte pjesë në luftë, kurse Profeti (s.a.v.s.) i pati dhënë përgjigje negative kërkesës së të shoqes, duke i thënë:

“Xhihadi juaj është haxhi!” (Buhari, Xhihad, 62)

Megjithëkëtë, vëmë re se, në periudhën e Profetit, gratë merrnin pjesë në luftë, në bazë të kushteve, më shumë në shërbimet e prapavijës, kurse, disa herë, duke marrë pjesë drejtpërsëdrejti në betejë. Siç transmeton Enes bin Maliku, kur Ummu Sulejm ia njoftoi Profetit se dëshironte të merrte pjesë në luftë, i Dërguari i Allahut i tha se xhihadi nuk ishte bërë farz, detyrim për gratë. Ummu Sulejm i tha se mund t’i mjekonte të plagosurit, se mund të përgatiste ilaç për dhimbjet e syve, se mund të bartte ujë për luftëtarët. Atëherë, Profeti i tha kështu: “Në këto kushte, sa bukur bëhet po të dilni në luftë!” (Hejthemi, V, 324)

Disa gra sahabe, duke u mbështetur në këtë leje të të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s.), morën pjesë në luftë duke mjekuar plagët, duke qepur e arrnuar, duke bartur ujë, duke bërë gjellë, madje, duke marrë pjesë drejtpëdrejt në përleshje. (Buhari, Xhihad, 65-68; Ibni Sa’d, VIII, 425; Ibni Maxhe, Xhihad, 37; Ibni Haxher, el-Isabe, Iv, 396) Umu Umare është njëra nga gratë që morën pjesë në betejën e Uhudit duke luftuar si harkëtare. Pasi u kthye në Medinë pas beteje, Profeti tha:

“Gjatë betejës, sa herë që ktheja kokën djathtas e majtas, shihja Ummu Umaren që përleshej m’u pranë meje…” (Ibni Haxher, el-Isabe, IV, 479)

Të gjitha këto rrëfime tregojnë se gruan së cilës nuk i jepej vlerë në periudhën e injorancës paraislame, Profeti e ngriti në pozitën bazë të saj në shoqëri. Për më tepër, gratë muslimane, për të fituar të drejtat e tyre, herë pas here kanë polemizuar brenda rregullave të etikës, me udhëheqësit e shtetit. Kjo ngjarje e cila ka ndodhur menjëherë pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut, e nxjerr haptazi në shesh këtë situatë.

Mesruk tregon:

Kalifi Omer bin Hattabi u ngjit në minberin e të Dërguarit të Allahut dhe tha:

“Nuk e di aspak që prika është mbi 400 dërhem!”

Pastaj zbriti nga minberi.

Një grua kurejshe e kundërshtoi Omerin:

“O prijësi i besimtarëve, a mos ua ndalove njerëzve që të japin për prikë më shumë se 400 dërhem?”

“Po!” – Tha Omeri.

Atëherë, gruaja tha:

“Në Kur’anin e Tij, Allahu thotë: “Edhe sikur ndonjërës prej tyre t’i keni dhënë prikë me barrë, të mos u merrni gjë nga ato që i keni dhënë!” (en-Nisa, 4/20) A s’e ke dëgjuar këtë?”

Hz. Omer tha:

“Allahu im, falmë mua se të gjithë njerëzit janë më të ditur se Omeri!..” Pastaj, u ngjit në minber dhe vazhdoi:

“O njerëz! Unë jua pata ndaluar prikën mbi 400 dërhem. Kush të dojë, le të japë prikë nga malli i vet sa të dojë!” (Ibni Haxher, Metalib, II, 4, 5)

Megjithëse në hadithe u jepet leje grave të dalin në treg për të siguruar nevojat e domosdoshme, janë vënë disa norma rregulluese mbi gjërat që duhet të kenë kujdes gratë kur vishen për të dalë jashtë si dhe kur ecin në rrugë. Kështu, në një hadith, Profeti (s.a.v.s.), duke u shprehur si më poshtë, ka bërë të ditur se nuk është e drejtë që gratë të sillen në atë mënyrë që, duke u stolisur, të tërheqin vëmendjen e meshkujve të huaj:

“Shembulli i femrës e cila ecën mes të huajve (njerëzve jointimë) duke u stolisur e duke u lëkundur, është shembulli i errësirës në ditën e kiametit. Për atë nuk ka ndriçim!” (Tirmidhi, Rada, 13)

Share.

Leave A Reply