Tufejl ibn Amr ed-Devsi (r.a.), ishte prej fisnikëve të fisit Devs që banonte në anët e Jemenit… Ai ishte një sahab prej fisnikëve jo vetëm të fisit të tij, por edhe prej fisnikëve të arabëve në përgjithësi… Tufejli (r.a.), gjithashtu ishte i njohur edhe me bujarinë e tij.

Tenxherja e tij asnjëherë nuk hiqej prej oxhakut dhe dera e shtëpisë së tij ishte vazhdimisht e hapur ndaj mysafirëve. Ai i ushqente të uriturit dhe i mbronte ata që i kërkonin strehim. Tufejl ibn Amr ed-Devsi (r.a.), preokupohej me tregti. Përveç të tjerash, ishte edhe një poet i mirë dhe letrar i zgjuar.

Hyrja e tij në Islam ka një legjendë mësimdhënëse. Nderimi i tij me Islam dhe përpjekja që shfaqi për predikimin e kësaj feje kanë shumë momente të bukura që janë mësim për ne. Këtë legjendë e tregon vetë Tufejli (r.a.):

“Një ditë shkova në Mekë. Fisnikët e Mekës më pritën dhe nderuan në formën më të bukur. Ata dhanë gosti për mua. Pastaj të parët e kurejshve më folën për problemin që u kishte ndhodhur. Ata më thanë: “Tufejl! Mirë se ke ardhur në qytetin tonë, por ne kemi një problem të madh. Prej nesh ka dalë një burrë dhe thotë se është i Dërguari i Allahut. Në këtë mënyrë ka filluar të ndajë babanë prej djemve, vëllezërit prej vëllezërve dhe gratë prej burrave. Ai ka fjalë magjike. Të lutemi që të mos i afrohesh atij njeriu! Ne frikësohemi se mos i ndodh edhe fisit tënd kjo që po na ndodh neve. Mos fol asnjëherë me të dhe mos dëgjo gjë prej tij. Në të kundërt, mund të të bëjë edhe ty magji.”

Për shkak të këtyre fjalëve të çuditshme vendosa që të mos i afrohesha dhe të mos i flisja atij. Madje vendosa që edhe të mos dëgjoja asgjë prej tij. Të nesërmen, kur shkova për të vizituar Qabenë, vendosa pambuk në veshë për të mos i dëgjuar fjalët e tij. Kur arrita në Qabe, e pashë Muhamedin (s.a.s.), duke kënduar Kuran. Pamja e tij la mbresa të mira te unë. Këndimi i tij më magjepsi. Andaj mendova:

“More, mos vallë jam një njeri i paaftë që nuk mund ta ndajë të mirën nga e keqja, që po i mbyll veshët kështu? Përse nuk i dëgjoj ato që thotë ky njeri? Unë jam i aftë ta ndaj fjalën e mirë nga ajo e keqja. Nëse ato që thotë do të jenë të mira, do t’i vlerësoj. Përndryshe nuk do t’u kushtoj rëndësi.” Kështu i nxora pambukët që kisha në veshë.

Pasi nxori pambukun prej veshëve, në zemrën e poetit Tufejl filluan të binin rrufetë. Tufejl ibn Amr ed-Devsi, i cili mendoi se nuk kishte dëgjuar fjalë më të bukura se ato deri atë ditë, ua hapi shpirtin atyre që thoshte Hz. Muhamedi (s.a.s.). Ai mbeti i mahnitur prej Kuranit Fisnik. Kur njeriu e dëgjon Kuranin pikërisht nga goja e bekuar e të Dërguarit të Allahut, alejhi’s-selam, influencohet edhe më shumë. Ai ndjen kënaqësi prej kësaj. Pastaj Tufejli e ndoqi nga pas Resulullahun (s.a.s.) dhe shkoi te shtëpia e tij. Tufejli (r.a.), i tregoi Hz. Pejgamberit se si e kishin frikësuar mekasit, se çfarë i kishin thënë dhe se çfarë kishte bërë ai vetë. Pastaj i tha Resulullahut (s.a.s.), se dëshironte të bëhej mysliman. Kështu tha shehadetin dhe arriti shpëtimin e përhershëm.

* * *

Tufejl ibn Amr ed-Devsi (r.a.), qëndroi për një kohë në Mekë. Mësoi Islamin dhe ajetet e Kuranit që shpalleshin. Ndërkohë që po kalonte ditë shumë të lumtura dhe të gëzuara, i vinë në mendje fisi, nëna, babai dhe djali i tij. Ai vetë kishte shpëtuar, por ata po përpëliteshin në errësirën e mohimit të fesë. Tufejli (r.a.), dëshironte ta përjetonte këtë lumturi së bashku me ta. Për këtë arsye, shkoi te Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe i tha:

“O i Dërguari i Allahut! Nesër dua të shkoj te fisi dhe t’i ftoj në Islam të gjithë pjesëtarët e tij. Njerëzit e fisit ma dëgjojnë fjalën. Shpresoj që Zoti t’i udhëzojë edhe ata. Vetëm se kam edhe një kërkesë. Lutju Allahut që të më japë ndonjë shenjë që do të ma lehtësojë punën.” Pejgamberi ynë i nderuar u lut: “O Allah! Jepi atij ndonjë shenjë!”

Tufejli (r.a.), mori rrugën drejt fisit të tij. Kur arriti te fshati, koha ishte errësuar. Papritur në mes të ballit të tij u shfaq një dritë. Kjo ishte shenja që ai donte për ta përhapur lehtësisht Islamin. Tufejli (r.a.), e falënderoi menjëherë Allahun (xh.xh.), por ndërkohë u frikësua se mos njerëzit e fisit do të mendonin se kjo mund të ishte ndonjë sëmundje. Për shkak të këtij shqetësimi, iu lut Zotit: “O Allah! Le të shfaqet diku tjetër kjo dritë!” Drita ndërroi vend dhe kaloi në majën e shkopit të tij. Kur arriti në shtëpi, së pari u takua me babanë e tij të moshuar. Atij i tha:

“Qëndro larg meje, baba! Tashmë unë nuk jam prej teje. Edhe ti nuk je prej meje.” Babai i tij u habit nga kjo sjellje e Tufejlit. Për këtë arsye, e pyeti:

“Pse bir?” Ai iu përgjigj: “Unë jam bërë mysliman. Pra, kam hyrë në fenë e Muhamedit (s.a.s.).” Babai ia ktheu:

“Bir! Feja jote është edhe feja ime. Cilëndo fe që të pranosh ti, do ta pranoj edhe unë.” Tufejli (r.a.), i tha përsëri me një sjellje të ashpër: “Atëherë shko, lahu, vish rroba të pastra dhe eja, në mënyrë që të t’i mësoj ato që më janë mësuar.” Babai i Tufejlit shkoi, u la, tha shehadetin dhe u bë mysliman. Tufejli (r.a.), foli në të njëjtën mënyrë edhe me nënën dhe bashkëshorten e tij. Edhe ato u pastruan dhe u bënë myslimane.

Tufejl ibn Amr ed-Devsi (r.a.), i mblodhi me të njëjtën sjellje dhe mënyrë edhe pjesëtarët e fisit. U tregoi atyre për Islamin. Ai u përpoq që ata të bëheshin myslimanë dhe të arrinin shpëtimin e përhershëm. Për fat të keq, të tjerët nuk e pranuan Islamin. Tufejli u përpoq për ditë dhe javë të tëra, por asnjë prej njerëzve të fisit nuk e pranoi Islamin.

Ai shkoi përsëri në Mekë. Përbrenda ishte i mbushur me urrejtje ndaj fisit. Tufejli (r.a.), u takua me të Dërguarin e Allahut, alejhi’s-selam dhe i tregoi se njerëzit e fisit Devs nuk e pranuan Islamin, se e kundërshtuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe se vazhdimisht bënin imoralitet e preokupoheshin me kamatën. Pastaj e përfundoi fjalën duke thënë: “Mallkoji ata, o i Dërguari i Allahut!”

Pejgamberi ynë i nderuar u kthye nga Qabeja, ngriti duart dhe u lut: “O Allah! Udhëzoji në rrugën e drejtë njerëzit e fisit Devs! Silli ata në Islam!” Pastaj u kthye nga Tufejli (r.a.) dhe i tha:

“Tani kthehu te fisi yt! Ftoje atë në Islam! Ama sillu me butësi ndaj tyre!”

Tufejl ibn Amri (r.a.), u kthye përsëri te fisi i tij dhe filloi t’i ftonte njerëzit me butësi e mëshirë. Kaluan muaj e vite dhe Tufejli (r.a.), vazhdonte ende t’ua shpjegonte Islamin njerëzve të fisit të tij pa rënë në pesimizëm, pa u nxehur dhe pa u zemëruar. Ndërkohë i Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, kishte emigruar në Medine dhe ishin bërë luftërat e njohura si Bedri, Uhudi dhe hendeku. Në kohën kur Resulullahu (s.a.s.), po preokupohej me çlirimin e Hajberit, edhe Tufejli bëri hixhret në Medine me tetëdhjetë familje nga Devsi. Së bashku me të gjendej edhe Ebu Hurejre (r.a.), i cili ishte prej fisit të Tufejlit dhe prej sahabëve të njohur. Ata morën pjesë së bashku në çlirimin e Hajberit. Edhe Pejgamberi ynë i nderuar i shpërbleu ata duke u dhënë pjesë nga plaçka e luftës së Hajberit.

Tufejli (r.a.), u gjend pranë Pejgamberit (a.s.), edhe në çlirimin e Mekës. Ai iu lut Hazreti Pejgamberit që ta dërgonte për ta shkatërruar idhullin e quajtur Dhulkeffejn të cilët e adhuronin njerëzit e Devsit. Pasi i Dërguari i Allahut (s.a.s.), i dha leje, mori një grup prej njerëzve të tij  dhe se bashku shkuan për ta shkatërruar. Ndërsa të gjithë po prisnin që Tufejli të ndëshkohej prej idhullit, ai e shkatërroi idhullin duke thënë poezi në prezencë të të gjithëve:

“O Dhulkeffejn! Unë nuk jam prej atyre që të adhurojnë. Ne kemi lindur më përpara se ti. Unë kam futur zjarr brenda teje.” Në këtë mënyrë, i shkatërroi edhe mbetjet e shirkut që gjendeshin akoma në fisin Devs. Kur njerëzit e panë se idhulli ishte i paaftë dhe se nuk mund ta ndalonte dot dëmin që po i bëhej, u bënë myslimanë.

Edhe njerëzit e ditëve të sotme kanë nevojë për njerëz besnikë, sakrifikues, altruistë, bujarë, heronj dhe trima si Tufejl ibn Amr ed-Devsi (r.a.). Gjithashtu kanë nevojë për predikues të Islamit të cilët u japin përparësi njerëzve ndaj vetes, mendojnë vetëm shpëtimin e tyre dhe punojnë për ta me vendosmëri, rezistencë, mëshirë e butësi… Njerëzit e tillë i presin shërbime të mëdha.

Tufejl ibn Amr ed-Devsi (r.a.), nuk u nda asnjëherë nga i Dërguari i Allahut (s.a.s.), derisa Pejgamberi ndërroi jetë. Në kohën e Ebu Bekrit (r.a.), u dërgua kundër Tulejhasë i cili pretendonte se ishte profet i Zotit. Pasi e përfundoi me sukses punën e Tulejhasë, u dërgua kundër Muejlemesë. Ndërsa po luftonte së bashku me birin e tij, Amrin, ra dëshmor në vitin 633 e.s. Biri i tij, Amri vazhdoi të luftonte. Atij iu pre krahu i djathtë. Ai e la babanë dhe krahun në tokën e Jemames dhe u kthye në Medine. Amri (r.a.), i cili shihte vazhdimisht ëndrra me martirizim për shkak të mallëngjimit që ndjente për këtë gradë të lartë, ra dëshmor në Jermuk.

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

Zoti (xh.xh.), na bëftë të gjithëve predikues të Islamit të cilët janë të mbushur me shpirtin e xhihadit si sahabët dhe të cilët janë të butë, modestë dhe fjalëëmbël! Allahu na bashkoftë në xhenet me sahabin bujar, Tufejl ibn Amr ed-Devsin (r.a.)! Amin!

 

Share.

Leave A Reply