Ubade ibn Samiti (r.a.), ishte prej të mëdhenjve të ensarëve… Ai ishte njëri prej dymbëdhjetë trimave që u nderua me Islamin në besatimin e parë të Akabesë… Gjithashtu ishte edhe njëri prej heronjve që morën pjesë në Akabenë e dytë… Ubade hyri në Islam duke i thënë Pejgamberit tonë të nderuar (s.a.s.): “O i Dërguari i Allahut! Po ta jap besën se nuk do të më ndalojë në rrugën e Allahut dënimi i asnjë dënuesi.”, kur i dha besën Hz. Pejgamberit… Ai ishte një dijetar që ia dedikoi jetën përhapjes së Islamit…

Ubade (r.a.), i cili thotë se ia kishin dhënë besën të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), për të mos i bërë shirk Allahut, për të mos vjedhur, për të mos bërë imoralitet, për të mos vrarë fëmijët, për të mos gënjyer, për të mos shpifur dhe për të mos e kundërshtuar Pejgamberin, e mbajti në çdo fushë të jetës së tij këtë premtim që pati dhënë.

Ubade ibn Samiti (r.a.), i përkiste Beni Aufit prej fisit Hazrexh. Babai i tij ishte Samit ibn Kajsi. Ndërsa nëna e tij ishte Kurretu’l-ajn binti Ubade binti Nadle. Pas hixhretit, Ubade (r.a.), u bë vëlla me Ebu Mersedin (r.a.).

E gjithë miqësia e tij ishte për hir të Allahut (xh.xh.). Bindja dhe dashuria e tij ishin për hir të Allahut Teala. Ubade (r.a.), asnjëherë nuk hezitonte të thoshte të vërtetën. Lidhjet me të gjithë të afërmit, miqtë dhe armiqtë ia pati formuar besimi i tij i palëkundur. Ndershmëria në vepra dhe besnikëria në besatim që Ubade ibn Samiti (r.a.) kishte, shihet qartazi në këtë ngjarje.

“Familja e Ubades (r.a.), ishte e lidhur ndaj një marrëveshjeje të vjetër që kishte bërë me hebrenjtë Beni Kajnukaa’h në Medine. Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.), bëri hixhret në Medine, hebrenjtë u shfaqën sikur kishin bërë paqe. Pas luftës së Bedrit, hebrenjtë në Medine filluan të bënin përçarje. Ata filluan të bënin kërcënime duke shpifur për myslimanët. Kur Ubade (r.a.), i pa këto përçarje, mashtrime de shpifje të çifutëve, nuk i dha aspak rëndësi marrëveshjes që familja e tij kishte me ta dhe tha: “Unë dua Allahun, të Dërguarin e Tij dhe besimtarët.” Me këtë fjalë Ubade (r.a.), shfaqi besnikërinë e tij për premtimin dhe besën që i kishte dhënë Resulullahut (s.a.s.). Pas këtij veprimi të tij, Allahu Teala zbriti këtë ajet fisnik:

“Ata që marrin për mik e mbrojtës Allahun, të Dërguarin e Tij dhe besimtarët, (ta dinë se) pa dyshim, pala e Allahut do të jetë fituese.” (Maide, 56)

Ja një rregull apo parim që shkëlqen përpara nesh si dritë… Të marrësh për mik e mbrojtës Allahun në të gjitha fushat e jetës dhe në të gjitha veprimet… Nëse dëshirojmë ta bëjmë zgjedhjen sipas besimit që kemi në zemër, atëherë duhet ta posedojmë këtë parim, në mënyrë që ta shfaqim besimin tonë. Epërsia u përket atyre që mbështesin fenë e Allahut (xh.sh.).

* * *

Ubade ibn Samiti, radijall-llahu anh, i cili e mësoi përmendësh Kuranin Fisnik dhe ua mësoi atë edhe të tjerëve në kohën e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), ishte ndër sahabët kryesorë. Çdo vend ku shkoi, e mbushi me dije dhe me dritën e jurisprudencës islame. Ai ka transmetuar 181 hadithe nga Pejgamberi ynë i nderuar. Ubade (r.a.), ishte shumë i përpiktë në transmetimin e hadithit. Ai ishte aq i përpiktë, saqë në transmetimet e tij përdorte shprehjet: “E kam dëgjuar vetë nga i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Dëshmoj se e kam dëgjuar vetë nga i Dërguari i Allahut (s.a.s.).” Ubade shfaqte kujdes të veçantë në transmetimin e haditheve fisnike siç shfaqte edhe në çështjet e tjera.

* * *

Njëri prej haditheve që ai vetë e ka dëgjuar nga Resulullahu, alejhi’s-selam, është si më poshtë:

“Një ditë një person erdhi te Profeti (s.a.s.) dhe e pyeti:

“O i Dërguari i Allahut! Cila është vepra më e mirë?” Pejgamberi ynë i nderuar iu përgjigj:

 “Besimi ndaj Allahut, aprovimi i Tij dhe xhihadi në rrugë të Tij.” Kur personi e pyeti: “A nuk ka ndonjë më të lehtë?” Hz. Pejgamberi iu përgjigj:

“Atëherë është durimi dhe mirësia.” Kur personi tha se donte diçka më të lehtë, Resulullahu (s.a.s.), i tha:

“Atëherë të jesh i kënaqur me atë që të ka dhënë Allahu.”

* * *

Ubade ibn Samiti (r.a.), e kaloi jetën duke ua mësuar njerëzve fenë. Ai u ka dhënë mësim edhe sahabët që qëndronin në Suffa. Shumë njerëzve u mësoi shkrim e këndim. Shpeshherë ka shërbyer si mësues i Kuranit Fisnik. Pejgamberi ynë i nderuar i pati thënë që të mos i pranonte dhuratat që i silleshin si shpërblim për këtë. Ai nuk pranoi detyrë tjetër, sepse kjo ngjarje që ka ndodhur ndërmjet tij dhe të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), ndikoi shumë te ai. Ngjarja ndodhi si më poshtë:

“Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.), e dërgoi Ubade ibn Samitin (r.a.), për të mbledhur zekatin, e këshilloi:

“O babai i Velidit! Ki frikë Allahun dhe mos eja ditën e kiametit me deve apo lopë që pëllet në qafën tënde.” Kur Ubade (r.a.), e pyeti:

“A kështu do të ndodhë, o i Dërguari i Allahut?”, Pejgamberi ynë i nderuar iu përgjigj:

 “Betohem në Allahun se ashtu do të ndodhë, o Ubade. Përveç atyre që do t’i mëshirojë Allahu.”

Pas këtyre fjalëve Ubade ibn Samiti (r.a.), tha: “Betohem në Allahun i Cili të ka dërguar ty si Pejgamber të vërtetë se edhe unë pas kësaj here nuk do të marr përsipër punë të tilla.” Profeti i Zotit (s.a.s.), i tha:

“Unë për ju nuk kam frikë se do të bini në shirk pas meje. Ajo së cilës i frikësohem për ju është animi dhe rivaliteti që do të bëni për pasuri.”

* * *

Ubade (r.a.), gjatë gjithë jetës së tij qëndroi larg këtyre lloj detyrash. Omeri (r.a.), në periudhën e kalifatit të tij nuk e bindi dot që të merrte detyrë tjetër përveç mësimit të fesë ndaj njerëzve.

Ubade ibn Samiti (r.a.), e kaloi jetën si një predikues dhe luftëtar. Ai mori pjesë në luftën e Bedrit, të Uhudit, Hudejbijes dhe Hunejnit. Gjithashtu mori pjesë edhe në çlirimin e Sirisë dhe Egjiptit.

Përgjatë çlirimit të Egjiptit Amr ibn Asi (r.a.), kërkoi ndihmë nga Omeri (r.a.). Kalifi Omer zgjodhi katër vetë dhe ia dërgoi. Komandantit i shkroi një letër në të cilën thuhej: “Secili vlen sa një mijë vetë.” Ubade ibn Samiti ishte njëri prej këtyre trimave që vlenin më shumë se një mijë vetë.

* * *

Ubade ibn Samiti (r.a.), u martua me Ummu Hiramin (r.anha), e cila ishte tezja e qumështit të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) që në Qipro njihej si Halla Sulltan. Në moshën 72 vjeçare (655 e.s.),Ubade (r.a.), u sëmur në një vend që quhej Remle në anët e Palestinës.

Në momentet e fundit të jetës i biri, Velidi (r.a.), i tha: “Baba më këshillo!” Ai i tha: “Bir! Për ta shijuar kënaqësinë e besimit dhe për ta arritur të vërtetën e cila është thelbi i dijes, duhet t’i besosh së mirës dhe së keqes së kaderit.” Biri i tij e pyeti: “Baba! Si mund ta kuptoj të mirën dhe të keqen e kaderit?” Ubade (r.a.), iu përgjigj: “Kjo do të thotë të besosh se nuk do të të ndodhë ajo që s’ka për të të ardhur dhe se patjetër do të të ndodhë ajo që ka për të të ardhur.”

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

Allahu Teala na dhëntë edhe neve një nënshtrim të tillë ndaj Tij, na bëftë prej atyre që veprojnë sipas kënaqësisë së Tij dhe na e mundësoftë ta përjetojmë besimin pa pasur frikë nga dënimi i askujt! Zoti (xh.sh.), na bashkoftë në xhenet me Ubade ibn Samitin! Amin!

 

Share.

Leave A Reply