Ubej ibn Ka’bi (r.a.), ishte një sahab që ua kishte dedikuar jetën shkencave islame… Ai ishte një sahab që pati marrë lavdërimin e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), i cili i tha: “Të përgëzoj për shkak të dijes që posedon.” Ai ishte një dijetar i Kuranit Fisnik i cili njihej si “zotëria e lexuesve të Kuranit”. Ubeji i përkiste fisit Hazrexh dhe ishte i njohur me llagapin “Ebu’l-Mundhir”.

Ubeji (r.a.), u bë mysliman para besatimit të Akabesë së dytë. Ai shkoi në Akabe me shtatëdhjetë vetë. Aty i dha besën të Dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Pas hixhretit arriti nderin të ishte shkruesi i parë i shpalljes. Ai u bë vëlla me Said ibn Zejdin (r.a.). Në dije arriti grada të larta. Ai kishte dije të gjerë në lidhje me Teuratin, Ungjillin dhe librat e tjerë qiellorë. Kuranin Fisnik e komentonte me vetë Kuranin. Ubade (r.a.), posedonte dije të gjerë në lidhje me zbritjen e sureve dhe të ajeteve.

Ai ishte prej atyre që e lexonin më bukur Kuranin Fisnik. Pejgamberi ynë i nderuar ka thënë në lidhje me të: “Ai që e lexon Kuranin më mirë prej jush, është Ubej ibn Ka’bi.” Për shkak se Ubeji nuk u nda asnjëherë nga Resulullahu (s.a.s.), përfitoi pa masë nga burimi fisnik i shpalljes hyjnore. Ai e mësoi përmendësh të gjithë Kuranin Fisnik dhe u bë prijës në shkencat e Kuranit, tefsirit e hadithit. Po ashtu, u bë autoritet në shkencën e jurisprudencës islame.

Kur erdhi urdhri për zekatin, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), e ngarkoi atë me detyrën për të mbledhur zekatin e fiseve Beni Huzejm, Beni Kudame, Beni Saad dhe Beni Uzre. Ubeji, radijall-llahu anh, e kreu me sukses këtë detyrë. Kështu që e kënaqi Profetin e Zotit (s.a.s.). Ai e fitoi aq shumë dashurinë e Hz. Pejgamberit, saqë një ditë Resulullahu (s.a.s.), e vendosi dorën e tij të bekuar në kraharorin e Ubejit dhe u lut për të:

“O Zot! Mbroje këtë (zemër) nga dyshimi, përgënjeshtrimi dhe gënjeshtra!”

Ubej ibn Ka’bi (r.a.), i tregon kështu gjendjen, ndjenjat dhe kënaqësinë që ndjeu në ato momente:

“Më ndodhi diçka e çuditshme. Mu shfaq një vend i bardhë si argjend. Edhe unë aty mbeta i mbuluar në djersë prej frikës, ngaqë mu duk sikur po shikoja Zotin.”

Kush nuk e dëshiron një lutje të tillë?!.. Kush nuk e dëshiron një gjendje kaq të bukur?!.. Kush nuk e dëshiron një vështrim të tillë?!.. Zoti (xh.sh.), na e mundësoftë të gjithëve ta shohim dritën e Tij!..

Një ditë i Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, e pyeti Ubejin (r.a.): “O Ebu Mundhir! Cili është ajeti më i madh në librin e Allahut?” Ai tha: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë.” Pasi Resulullahu (s.a.s.), e pyeti përsëri, Ubej ibn Ka’bi (r.a.), u përgjigj: “Ajetu’l-Kursij.”  Pas kësaj përgjigjeje Pejgamberi ynë i nderuar e vendosi dorën e tij të bekuar në kraharorin e Ubejit (r.a.) dhe e shprehu kënaqësinë duke thënë: “O Ebu Mundhir! Të përgëzoj për dijen që posedon.”

* * *

Ubeji (r.a.), përkujtohej ndërmjet engjëjve për shkak se jetën ia kishte dedikuar mësimit të Islamit. Një ditë i Dërguari i Allahut (s.a.s.), i tha: “O Ubej! Jam urdhëruar që të të këndoj ty suren Bejjine nga Kurani.” Ubeji (r.a.), e pyeti: “O i Dërguari i Allahut! Nëna dhe babai im të qofshin falë! A është përmendur pikërisht emri im?” Pejgamberi ynë i nderuar iu përgjigj: “Po!.. Emri yt…” Ubej ibn Ka’bi (r.a.), nuk i mbajti dot lotët për shkak të gëzimit.

Sa nder i madh!.. Sa mirësi e madhe, apo jo?.. Dikujt i përmendet emri te qenie dhe pozita shumë të larta… Zoti na e mundësoftë të gjithëve të na përmendet emri në kuvende të tilla!.. Sa nder i madh është të përmendesh në audiencën e Zotit (xh.sh.)!.. Sa lumturi e madhe është të të përmendet veçanërisht emri!.. O Zot!.. Na bëj edhe neve prej atyre që e arrijnë këtë lumturi dhe që hyjnë në zemrën e miqve të Tu!.. Amin!

Ubej ibn Ka’bi (r.a.), bënte shumë kujdes në çështjen e transmetimit të haditheve fisnike. Ai ka transmetuar 164 katër hadithe. Ubeji (r.a.), kishte hallka mësimi. Ai ulej në të njëjtën pozitë me nxënësit e tij. Ishte shumë i sjellshëm, kishte edukatë dhe ishte i disiplinuar. Fjalët dhe pyetjet e pavlera bënte sikur nuk i dëgjonte. Ndërsa pyetjeve serioze u përgjigjej me kujdes dhe përpikëri.

Ai ishte autoritet në jurisprudencën islame përgjatë kohës së Ebu Bekrit (r.a.) dhe Omerit (r.a.). Për shkak të dijes që posedonte, respektohej jashtëzakonisht shumë. Omeri, radijall-llahu anh, thotë: “Ubeji është i nderuari i myslimanëve.”

Namazi i teravive deri në vitin e 14-të të hixhretit falej në shtëpi dhe individualisht. Kur u shkatërrua perandoria Bizantine dhe Perse në periudhën e Umerit (r.a.) dhe udhëheqja e botës filloi të kalonte në duart e myslimanëve, si falënderim ndaj Zotit (xh.xh.), atë vit u ndezën kandila nëpër xhami dhe namazi i teravisë u fal me xhemat. Ubej ibn Ka’bi (r.a.), u caktua imam i këtij xhemati.

* * *

Ubeji (r.a.), ishte një sahab i devotshëm dhe asket. Ndaj bidatit bënte kujdes të veçantë. Atë gjë që e dinte si të vërtetë, e shpjegonte patjetër. I Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, ishte i vetmi shembull për të. Çfarëdo që kishte parë te Resulullahu (s.a.s.), përpiqej ta bënte njëlloj. Ubeji (r.a.), u përpoq të jetonte si Pejgamberi ynë i nderuar. Kurdo që e përmendte Allahun dhe ditën e gjykimit, qante. Kur e këndonte apo e dëgjonte këndimin e Kuranit Fisnik, i dridhej i gjithë trupi. Kjo botë nuk e mashtroi dot atë. Ai e ngjasonte këtë botë me ushqimin që ha njeriu. Pastaj thoshte: “Mendo se si mund të jetë (kjo botë), pasi i është hedhur tepër kripë.”

Ubeji (r.a.), thoshte se besimtari dallohet prej katër cilësive dhe i radhiste në këtë mënyrë: 1- Besimtari duron kur i ndodh ndonjë bela dhe fatkeqësi. 2- Besimtari e falënderon Zotin (xh.xh.), kur arrin ndonjë mirësi apo kur ka mirëqenie. 3- Besimtari thotë të vërtetën kur flet. 4- Besimtari e mban drejtësinë kur gjykon.

Ubej ibn Ka’bi (r.a.), mori pjesë në të gjitha luftërat. Ai ndërroi jetë në Medinetu’l-Munevvera në vitin 656 e.s. Namazin e xhenazes ia fali Osmani (r.a.). Pastaj u varros në Xhennetu’l-Baki.

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

Allahu Teala na bëftë të gjithë të përkushtuar ndaj dijes dhe Kuranit Fisnik si Ubej ibn Ka’bi (r.a.)! Zoti (xh.sh.), na bashkoftë me të në xhenet! Amin!

 

Share.

Leave A Reply