Ebu Jahja Usejd Ibni Hudajr (r.a.), transmeton se, një person prej Medinës e pyeti të Dërguarin e Allahut(a.s.):

“O i Dërguar i Allahut! A nuk po më caktoni edhe mua vali (guvernator) si filanin?”

I Dërguari i Allahut (a.s.), tha:

“Pas meje do të dëshmoni në fenomenin e favorizimit të personave. Bëni durim derisa të takoheni me mua në krye të hauzit!”

-Muttefekun alejhi-

(Buhari, Fiten, 2, Menakibu’l-Ensar, 8; Muslim, Imare, 48.)

Usejd Ibni Hudajr (r.a.).

Usejd Ibni Hudajr (r.a.), ishte prej myslimanëve të Medinës dhe i përkiste fisit Eus prej degës së Bijve të Esh’helit. Ai u bë mysliman si rezultat i punës së Mus’ab Ibni Umejrit (r.a.), në Medinë. Usejdi (r.a.), ishte prej sahabëve që lexonin bukur Kuranin dhe ka transmetuar 18 hadithe nga i Dërguari i Allahut (a.s.). Por, vetëm ky Hadith është transmetuar edhe nga Buhariu, edhe nga Muslimi.

Usejdi (r.a.), i cili ka gëzuar lavdërimin e Profetit (a.s.), me ç’rast ka thënë: “Sa rob i mirë është Usejd Ibni Hudajr!”, ka ndërruar jetë në vitin 20 Hixhri dhe është varrosur në varrezat Baki, në Medinë.

Allahu qoftë i kënaqur me të!

Shpjegime

Disa pozita dhe tituj janë joshëse për birin e njeriut. Prandaj, është e domosdoshme që si myslimanë, të vetëpërmbahemi nga këto prirje. Ky është edhe evidentimi që bëhet në këtë Hadith. Fakti që i Dërguari i Allahut (a.s.), e lajmëroi personin që i kërkoi ta caktonte si vali, për fenomenin e favorizimit që do të ndodhë pas tij, tregon se myslimani nuk duhet të bëhet prej njerëzve të pakualifikuar, të cilët ngrihen në detyra me kërkesa dhe mbështetje të tilla. Për rrjedhojë, durimi ndaj dëshirave për të arritur pozita të larta pa e merituar, është një domosdoshmëri dhe konsiderohet virtyt. Po ashtu, njeriu nuk duhet t’i përdorë si arsyetime padrejtësitë që sheh, për ta konsideruar veten më meritor.

Në fakt, dëshira për pozita, tituj shoqërorë, personalitet dhe famë, mund t’i detyrojë shumë njerëz të përdorin mënyra të paligjshme. Prandaj, durimi ndaj këtyre, është i barazvelfshëm me durimin ndaj problemeve dhe fatkeqësive. Për mendimin tonë, ky është edhe mesazhi që përcjell ky Hadith.

Profeti ynë (a.s.), me përgjigjen në këtë Hadith, ka dashur të tregojë se në caktimin e valiut të përmendur, nuk ka pasur asnjë lloj favorizimi dhe se fenomene të tilla do të vërehen në periudhat e mëvonshme. Dhe në fakt, gjatë gjithë historisë janë  vërejtur me mijëra shembuj të këtij fenomeni. Personi për të cilin bëhet fjalë se është caktuar si vali me shprehjen “filani”, mendohet të jetë Amr Ibni As (r.a.). Ndërsa “hauzi”, i cili përmendet në Hadith, është Hauzi i Keutherit që i përket të Dërguarit të Allahut(a.s.) në botën tjetër.

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Vetëpërmbajtja ndaj joshjes së pozitave dhe titujve, është një dimension i rëndësishëm i durimit.
  2. Kur punët bien në dorë të njerëzve të paaftë dhe bëhen gabime, duhet të bëhet durim në të drejtën.
Share.

Leave A Reply