Xhabir ibn Abdullahu (r.a.), ishte një djalosh që i dha besën të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), që në moshë të vogël… Ai ishte një fatlum që i kishte myslimanë edhe prindërit… Xhabiri (r.a.), ishte një trim që shkoi së bashku me babain e tij nga Medina në Mekë dhe që pati nderin të gjendej në besatimin e dytë të Akabesë… Ishte anëtari më i vogël i grupit prej shtatëdhjetë vetash… Gjithashtu ishte prej sahabëve që kanë transmetuar më shumë hadithe…

Babai i tij ishte Abdullah ibn Amr ibn Harami (r.a.), i cili ishte sahabi i parë që ra dëshmor në luftën e Uhudit. Nëna e tij, Enise (Unejse) binti Aneme, ishte prej grave të para që i dhanë besën të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Xhabiri (r.a.), i cili lindi në Medine në vitin 607 e.s. apo thënë ndryshe, gjashtëmbëdhjetë vjet para hixhretit, i përkiste degës Beni Seleme të fisit Hazrexh.

Në sajë të begatisë së të qëndruarit bashkë me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), që në moshë të vogël, ai u bë prej sahabëve që transmetuan më shumë hadithe. Xhabir ibn Abdullahu (r.a.), e mori dijen, edukatën dhe moralin e lartë nga Resulullahu (s.a.s.). Ai e mbushi zemrën me dritën e tij. I mësoi hadithet e Profetit të Zotit dhe u përpoq t’ua tregonte dhe për t’ua mësonte të tjerëve. Në literaturën islame thuhet se Xhabiri (r.a.), ka transmetuar 1540 hadithe. Kjo ngjarje e nxjerr në pah qartazi përpikërinë që kishte Xhabiri në çështjen e transmetimit të haditheve:

Xhabiri (r.a.), nuk e kishte dëgjuar nga vetë i Dërguari i Allahut (s.a.s.), hadithin në të cilin thuhet: “Ai që ka shkelur të drejtën e tjetrit, nuk mund të hyjë në xhenet.” Ai u lajmërua se këtë hadith e dinte sahabi Abdullah ibn Unejsi (r.a.), ngaqë e kishte dëgjuar vetë nga Resulullahu (s.a.s.). Xhabiri u mundua shumë për ta gjetur këtë sahab. Më në fund mësoi se ai banonte në Sham.

Shami ishte një muaj larg, nëse shkohej në këmbë. Vajtja dhe kthimi ishin jashtëzakonisht shumë të vështira. Por ja që Xhabiri (r.a.), nuk kishte mundësi ta dëgjonte këtë hadith prej dikujt tjetër. Ai dëshironte ta mësonte atë patjetër. Xhabiri (r.a.), nuk u tremb nga kjo largësi. Atij nuk iu tremb syri dhe vendosi të shkonte. Prandaj bleu një deve dhe doli nga Medina. Pas një udhëtimi të mundimshëm që zgjati një muaj, arriti në Sham. Ai e gjeti Abdullah ibn Unejsin (r.a.) dhe e dëgjoi hadithin prej tij. Më pas u kthye në Medine me prehjen shpirtërore që i dha mësimi i një hadithi të Resulullahut (s.a.s.).

Ja ndjeshmëria që shndërroi sahabët në yje!.. Ja vlera e madhe që u jepej fjalëve të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.)!.. Ja përpjekja që është shfaqur për të mos transmetuar ndonjë fjalë të gabuar në emër të Hz. Pejgamberit!.. Ja veprimi që i ka bërë ata të paarritshëm!.. O Allah, na bëj pasues të atyre!.. Amin!

Xhabir ibn Abdullahu (r.a.), nuk mori dot pjesë në luftën e Bedrit dhe atë të Uhudit. Detyra për t’u përkujdesur ndaj nëntë motrave iu dha atij. Kur babai i tij po shkonte në luftë, e këshilloi Xhabirin:

“Bir! Për Zotin, nuk po lë pas një njeri më të dashur se ti, përveç të Dërguarit të Allahut. Unë kam borxhe. Ato paguaji ti. Këshilloji motrat me gjëra të mira! Po të mos kisha frikë se do të mbeteshin të vetmuara këto vajza, do të dëshiroja që ti të bije dëshmor para syve të mi.” Babai i tij me këto fjalë ia qetësoi Xhabirit mallëngjimin që kishte në zemër për të rënë dëshmor. Ai vetë mori pjesë në luftën e Uhudit dhe ra dëshmor.

Xhabiri dhe familja e tij e morën xhenazen e babait dhe deshën ta varrosnin në varrezat e tyre, por Resulullahu (s.a.s.), urdhëroi: “Varrosini dëshmorët në vendin ku janë vrarë!” Të gjithë si familje filluan të qanin te koka e babait. Kur Pejgamberi ynë i nderuar kaloi nga ata, u tha: “Mos qani!.. Engjëjt po i bëjnë hije atij me krahët e tyre!..”

I Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, i qetësoi ata duke shprehur ndjenjat në lidhje me vendosmërinë që babai i tyre kishte në besim dhe me mallëngjimin që kishte për të rënë dëshmor. Pastaj i lajmëroi se babai i tyre kishte fituar lavdërimin e Allahut Teala. Hz. Pejgamberi tha:

 “O Xhabir! Ndërkohë që Allahu Teala flet pas një perdeje me të gjithë, me babanë tënd ka folur ballë për ballë. Atij i ka thënë: “O robi im! Kërko prej meje, në mënyrë që të të jap!” Babai yt i tha: “O Zot! Të përgjërohem që të më çosh përsëri në dynja, në mënyrë që të bie dëshmor përsëri për Ty ose që t’u tregoj atyre që kam lënë pas për mirësitë që na ke dhënë.” Allahu Teala zbriti këto ajete fisnike:

“Kurrsesi mos i quani të vdekur ata që janë vrarë në rrugën e Allahut. Jo, janë të gjallë, duke u ushqyer te Zoti i tyre. Janë të gëzuar për çfarë u ka dhënë Allahu nga dhuntitë e Tij dhe gëzohen edhe për ata që ende nuk u janë bashkuar e që kanë ngelur pas tyre (dhe ende nuk kanë rënë martirë), sepse nuk do të frikësohen (për çfarë i pret) dhe nuk do të pikëllohen (për çfarë kanë lënë pas).” (Al Imran, 169-170)

I Dërguari i Allahut (s.a.s.), gjendej pranë dëshmorëve përgjatë varrosjes së tyre. Për babanë e Xhabirit tha: “Varrosini në të njëjtin varr Abdullah ibn Amrin dhe Amr ibn Xhemuhun, sepse ata ishin miq të ngushtë në këtë jetë.”

Resulullahu (s.a.s.), preokupohej dhe interesohej në mënyrë të veçantë me familjen e Xhabirit (r.a.). Herë pas here e hipte Xhabirin pas vetes në devenë e tij dhe kur sëmurej, i shkonte për vizitë. Babai i Xhabirit ra dëshmor, por prapa kishte lënë shumë borxhe. Xhabiri (r.a.), e kishte të vështirë t’i paguante. Ai nuk kishte asnjë të ardhur tjetër përveç një bahçeje të vogël me hurma. Përveç të tjerash, atë vit edhe hurmat patën mbajtur pak. Shumica e borxhlinjve ishin çifutë. Ata kërkuan borxhin e tyre. Kur Hz. Pejgamberi u njoftua për këtë situatë, tha: “Më njoftoni kur t’i mbledhë hurmat.” Prodhimi u mblodh dhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.), u njoftua. Profeti i Zotit kaloi në krye të humave që ishin mbledhur dhe tha: “Thirrini borxhlinjtë!” Ai mori peshoren në dorën e tij të bekuar dhe filloi t’ua jepte të gjithëve borxhin që kishin për të marrë. Aty u vu re se borxhet e Xhabirit u paguan të gjitha dhe hurmat e tij nuk u pakësuan aspak.

* * *

Kur po ktheheshin nga lufta Dhatu’rr-Rrika, në një moment Xhabir ibn Abdullahu (r.a.), po bisedonte me Pejgamberin, alejhi’s-selam. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), e kishte dëgjuar se Xhabiri sapo ishte martuar. Për këtë arsye, e pyeti: “Je martuar me vajzë apo me grua të ve?” Xhabiri (r.a.), i tha se kishte zgjedhur një grua të ve, ngaqë nuk e shihte të drejtë që të sillte në shtëpi një vajzë në moshën e motrave të tij. Profeti (s.a.s.), u gëzua shumë nga mendimi i zgjuar dhe largpamësia e Xhabirit (r.a.).

* * *

Po në të njëjtin udhëtim, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), dëgjoi se Xhabiri kishte borxhe. Prandaj i kërkoi që t’i shiste devenë. Pas një pazarllëku të gjatë, Xhabiri ia shiti devenë me kusht për ta dorëzuar kur të arrinin në Medine. Kur Xhabiri (r.a.), e solli devenë për ta dorëzuar, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), ia dha pagesën. Pastaj edhe devenë ia dha dhuratë.

Ja dashuria!.. Ja vëllazëria!.. Ja solidariteti!.. Sa moral i lartë që është ky!.. Vëllazëria e ndërtuar me këtë moral, sigurisht që e zbukuron jetën. Problemet, vështirësitë dhe hallet mund të kalohen vetëm me këtë dashuri, sakrificë dhe vëllazëri… Vështirësitë kalohen vetëm me atë mëshirë… O Allah!.. Na e jep edhe neve një dashuri dhe vëllazëri të tillë!.. Amin!

* * *

Xhabiri (r.a.), pati formuar kuvende dijeje në Mesxhidu’n-Nebevi. Shumë njerëz përfitonin prej dijes së tij. Dijetarët si Said ibn Musejjebi, Ata ibn Rebahu, Muhamed ibn Munkediri, Muxhahid Sha’bi, Tavusi dhe Muhamed el-Bakiri u edukuan në kuvendin e tij. Edhe pse shtëpia e Xhabirit ishte dy kilometra larg nga xhamia, ai i falte namazet me Pejgamberin (s.a.s.).

Xhabir ibn Abdullahu (r.a.), mori pjesë në nëntëmbëdhjetë luftëra bashkë me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Ai ndërroi jetë në Medinetu’l-Munevvera në moshën 95 vjeçare. Namazin e xhenazes ia fali prefekti i Medines, Erbani, i cili ishte biri i Osman ibn Afanit (r.a.).

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

Allahu (xh.xh.), na dhëntë të gjithëve mallëngjimin për të rënë dëshmor dhe dashurinë ndaj Pejgamberit, siç i kishte Xhabir ibn Abdullahu (r.a.)! Zoti (xh.sh.), na bashkoftë me të në xhenet! Amin!

 

Share.

Leave A Reply