Pasi Ademi (a.s.) me nënën tonë Hava, kundërshtuan urdhrin e Zotit me anë të nxitjes së shejtanit, Allahu i Madhëruar i qortoi dhe i përzuri nga xheneti, duke i zbritur në tokë. Lidhur me këtë, në Kuran urdhërohet:

“…Zoti i tyre i thirri: «A nuk jua kisha ndaluar atë pemë? A nuk ju pata thënë se djalli është vërtet armiku juaj i hapët?»” (A’raf, 22)

Më pas, Ademi (a.s.) dhe nëna jonë Havaja, u penduan dhe kërkuan falje, duke thënë:

“O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.” (A’raf, 23)

Megjithatë, vullneti i Allahut, ishte që ata të jetonin në vendin për ku ishin caktuar si mëkëmbës të Tij, në tokë. Prandaj: “Allahu tha: «Zbritni! Ju do të jeni armiq me njëri-tjetrin. Në Tokë do të banoni dhe do të jetoni deri në një kohë të caktuar. Aty do të jetoni, aty do të vdisni dhe prej saj do të ringjalleni.»” (A’raf, 24-25)

Ata u zbritën nga xheneti në ditën e xhuma. Këtë e vërteton hadithi i Profetit (a.s.), i cili thotë:

“Dita më e mirë në të cilën lind dielli, është dita e xhuma. Atë ditë është krijuar Ademi, atë ditë ka hyrë në xhenet dhe atë ditë është përzënë prej tij.” (Muslim, 7/5/854; Ahmedi, 1/512.)

Megjithëse Allahu ua pranon pendimin, para se t’i zbriste nga xheneti, i paralajmëron për udhëzimet që do t’u vijnë. Lidhur me këtë, Kurani Fisnik, shprehet:

“Pastaj, Zoti i tij e zgjodhi atë, ia pranoi pendimin, e udhëzoi dhe tha: “Zbritni prej Xhenetit që të dy! Do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Kur t’ju vijë udhëzim nga ana Ime, kush do ta pasojë udhëzimin Tim, as nuk do të humbë, as nuk do të bjerë në mjerim. Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër.” (Ta-Ha, 122-124)

 

Share.

Leave A Reply