Zejd ibn Harithe (r.a.), ishte prej fatlumëve që patën nderin të bëheshin myslimanëve nga robërit e liruar. Ai ishte robi i të Dërguarit të Allahut (a.s.), të cilit i pati dhënë lirinë. Zejdi ishte nga Jemeni. Ai kishte një jetë të mbushur plot me mësime e cila u ngrit nga robërimi në udhëheqje. Kjo ndodhi si më poshtë:

Zejdi (r.a.), ishte ende në moshë të vogël. Bashkë me nënën e tij, Su’da binti Thalebe pati marrë rrugën për të shkuar te fisi Beni Maan, në mënyrë që të vizitonin të afërmit e tyre. Përgjatë rrugës u sulmuan dhe Zejdi u kap rob. Atë e sollën në tregun Ukaz të Mekës dhe e nxorën në shitje.

Zejd ibn Harithenë e bleu nipi i Hazreti Hatixhesë, Hakim ibn Hizami. Kur Hakimi arriti në Mekë, i tha hallës së tij: “Hallë! Kam blerë shumë robër në tregun Ukaz. Zgjidh kë të duash prej tyre që të ta bëj dhuratë.” Hatixheja (r.anha), zgjodhi Zejd ibn Harithenë ndërmjet robëve dhe e mori.

Hatixheja (r.anha), pas pak kohësh u martua me Pejgamberin tonë të nderuar. Ajo i bëri dhuratë atij Zejdin, i cili ishte robi më i vlefshëm prej të gjithëve. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), e mori atë dhe e liroi.

Edhe pasi Zejdi (r.a.), mori lirinë, nuk u largua nga Resulullahu, alejhi’s-selam. Ai qëndroi vazhdimisht pranë tij. Zejdi u përpoq t’i shërbente, por edhe që të përfitonte nga drita e tij. Ai pa te i Dërguari i Allahut (s.a.s.), dhembshurinë, mëshirën, drejtësinë, fisnikërinë, ndihmën dhe dashurinë që nuk i kishte parë te askush tjetër.

Prindërit e Zejdit u mërzitën shumë për humbjen e djalit të tyre. Harithe, i cili përvëlohej nga zjarri i humbjes së fëmijës, e kërkonte atë në çdo vend. Ai pyeti çdo karvan në lidhje me të. Pastaj përpiqej ta shuante mallin duke thënë poezi me lot në sy:

“Zejd! Biri im! Ah sa dua të kthehesh pranë nesh!

Për Zotin nuk dua askënd tjetër përveç teje!

Të kujtoj kur fryn era dhe kur shoh ndonjë fëmijë,

Çdo mëngjes më sjell në mendje ty kur lind dielli.

Përgjatë një periudhe haxhi erdhën nga fisi i Zejdit njerëz për të vizituar Qabenë. Ata e panë Zejdin dhe e njohën. E pyetën për gjendjen dhe shëndetin. Kur u kthyen nga haxhi, i treguan babait të tij për ato që kishin parë dhe dëgjuar. Babai i tij, Harithe u gëzua shumë prej këtij lajmi. Për këtë arsye, mori menjëherë rrugën drejt Mekës së bashku me vëllanë e tij, Ka’bin. Ata u takuan me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) dhe i thanë:

“O i nderuari i fisit Kurejsh! O nipi i Abdulmuttalibit! Ju jeni fqinjët e Qabesë. I nderoni mysafirët dhe shfaqni mirësi ndaj robërve. I ushqeni të uriturit dhe i ndihmoni nevojtarët.

Kemi ardhur këtu për birin tonë që gjendet pranë teje. Do të të japim para sa të dëshirosh në shkëmbim të tij. Andaj na e jep birin tonë. Të lutemi, mos e refuzo këtë kërkesë!”

Pas parashtrimit të kësaj kërkese nga ana e tyre, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), u tha: “Le ta thërrasim Zejdin dhe ta njoftojmë për situatën. Pastaj ta lëmë të lirë të zgjedhë. Nëse do të pranojë të vijë me ju, mund ta merrni pa paguar asnjë çmim. Nëse do të preferojë të qëndrojë këtu, atëherë do të qëndrojë me mua.” Pastaj e thirri Zejdin dhe e pyeti:

“A i njeh këta?” Ai u përgjigj:

“Po! Njëri është babai. Ndërsa tjetri është xhaxhai im, Ka’bi.”

I Dërguari i Allahut (s.a.s.), i cili kishte dhembshuri dhe mëshirë të madhe, e pyeti Zejdin përsëri:

“O Zejd! Ti e ke parë sjelljen time ndaj teje. Këta kanë ardhur të të marrin. Zgjedhjen po ta lë ty. Nëse dëshiron, mund të shkosh me ta. Nëse dëshiron, mund të qëndrosh pranë meje.”

Zejdi u përgjigj pa hezituar aspak:

“O i Dërguari i Allahut! Askënd nuk mund të zgjedh para jush. Ju jeni babai dhe xhaxhai im.”

Babai i Zejdit u habit kundrejt kësaj përgjigjeje dhe tha:

“Turp të kesh! Domethënë, ti preferon më shumë robërinë se sa lirinë, nënën, babanë dhe xhaxhain tënd.” Zejdi ia ktheu:

“Baba! U kanë parë një sjellje aq të butë dhe të mëshirshme nga ky njeri, saqë nuk mund ta ndërroj atë me askënd.”

* * *

Ja sjellja me dhembshuri dhe mëshirë që nxjerr në pah krejt qartësisht dashurinë që gjendet në zemra dhe që është bërë shkak për çlirimin e shumë zemrave… Ja rezultatet e sjelljes së mirë… Dashuria ndaj nënës, babait dhe xhaxhait që nuk e kaloi dot dashurinë ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij… Një dashuri e tillë i jep nder njeriut… Ajo e lartëson atë nga robërimi drejt udhëheqjes.

Kur Pejgamberi ynë i nderuar e pa këtë dashuri dhe nënshtrim të Zejdit, e kapi për dore, shkoi te muri i Qabesë dhe u tha atyre që gjendeshin aty:

 “Dëshmoni se Zejdi është biri im. Ai është trashëgimtari im dhe unë jam trashëgimtari i tij.”

Babai dhe xhaxhai i Zejdit i dëgjuan këto fjalë. Ata e panë këtë dashuri dhe sjellje plot butësi që Resulullahu (s.a.s.), kishte kundrejt Zejdit (r.a.). Për këtë arsye, u kthyen me zemër të qetë në vendin e tyre.

* * *

Që nga ajo ditë ky djalosh u quajt Zejd ibn Muhamed. Ndërsa pasi zbriti ajeti fisnik: “Thirrini ata me emrat e baballarëve të tyre…” (Ahzab, 5), filluan përsëri ta thërrisnin Zejd ibn Harithe.

Në këtë lavdërim profetik për Zejdin (r.a.), vëmë re se sa mirësi e madhe është dashuria ndaj të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Resulullahu, alejhi’s-selam, ka thënë: “Betohem në Allahun se Zejdi është i përshtatshëm për udhëheqje dhe njeriu më i dashur për mua.”

* * *

Zejd ibn Harithe (r.a.), ka marrë pjesë në të gjitha luftërat duke filluar që nga lufta e Bedrit e deri te Lufta e Mu’tes. Ai ishte shembull me trimërinë dhe heroizmin e tij. Zejdi (r.a.), ra dëshmor në luftën e Mu’tes në vitin 629 e.s. Në këtë luftë patën rënë dëshmorë tre komandantë njëri pas tjetrit.

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

I Dërguari i Allahut (s.a.s.), shkoi për t’i ngushëlluar familjet e këtyre tre dëshmorëve. Kur shkoi te shtëpia e Zejd ibn Harithesë (r.a.), vajza e vogël e Zejdit iu hodh në qafë duke qarë. Edhe Resulullahu (s.a.s.), nuk e mbajti dot veten dhe filluan t’i rridhnin lot nga sytë.

Kur Sa’d ibn Ubade (r.a.), e pyeti Resulullahun (s.a.s.): “O i Dërguari i Allahut! Pse po qani?” Hz. Pejgamberi iu përgjigj: “Kjo është e qara e të dashurit për të dashurin.”

Allahu Teala na dhëntë edhe neve dashuri e nënshtrim si ajo e Zejd ibn Harithesë! Zoti (xh.xh.), na bashkoftë me të dashurit e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), në xhenet! Amin!

Share.

Comments are closed.