Zejdi (r.a.), ishte një sahab që ia dedikoi jetën Kuranit, që e mbushi zemrën me dashurinë ndaj Kuranit dhe që e pastroi shpirtin me librin e Allahut… Ai ishte një i dashuruar pas Kuranit Fisnik i cili, kur zbrisnin ajetet, i mësonte përmendësh, ndërkohë edhe i shkruante… Ai ishte shkruesi i shpalljes hyjnore që i vinte të Dërguarit të Allahut (s.a.s.)… Ishte një sahab i përkushtuar ndaj dijes dhe një rob i devotshëm që kreu shërbime të mëdha në mbledhjen e faqeve të Kuranit për t’i bërë libër dhe për ta shumuar atë…

Zejdit (r.a.), kur ishte gjashtë vjeç, i vdiq babai. Kështu që mbeti jetim. Babai i tij, Thabiti vdiq në një luftë që quhej “Jeumu’l-Buas” e cila ndodhi ndërmjet fiseve Evs dhe Hazrexh para hixhretit. Prandaj Zejdi u rrit nga nëna e tij, Nevuar binti Maliku.

Ai u nderua me Islamin në Medine në moshën njëmbëdhjetë vjeçare nëpërmjet Mus’ab ibn Umejrit (r.a.). Pasi u bë mysliman, filloi menjëherë t’i mësonte përmendësh ajetet e Kuranit Fisnik që kishin zbritur deri atë kohë. Nga ana tjetër, ato që i mësonte përmendësh, ua mësonte edhe fëmijëve të fisit Beni Nexhxhar. Zejdi (r.a.), ishte i dashuruar pas Kuranit Fisnik. Sa më shumë që lexonte, aq më shumë merrte kënaqësi. Leximi i tij ishte shumë influencues. Fjalët e Kuranit Famëlartë dilnin prej gojës së tij duke ndriçuar si yje. Para se i Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, të bënte hixhret në Medine, Zejdi pati mësuar shtatëmbëdhjetë sure.

Në vitin e dytë të hixhretit deshi të merrte pjesë në luftën e Bedrit. Zejdi (r.a.), shkoi te Resulullahu (s.a.s.), me një shpatë në dorë që ishte më e madhe se trupi i tij dhe i tha:

“O i Dërguari i Allahut! Jeta ime të qoftë falë! Më jep leje të luftoj bashkë me ty.”

Pejgamberi ynë i nderuar u kënaq jashtë mase nga kjo sjellje e Zejdit (r.a.). Prandaj i buzëqeshi. Profeti i Zotit ia vuri dorën në shpatull duke i buzëqeshur dhe duke e parë plot dhembshuri e dashuri. Pastaj i tha të kthehej në Medine duke u shprehur se ishte i vogël në moshë.

Zejd ibn Thabiti (r.a.), u kthye i mërzitur. Por mendjen ende e kishte atje. Ai dëshironte të qëndronte bashkë me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Për këtë arsye, po kërkonte mënyrat për t’iu afruar atij. Zejdi (r.a.), ishte i zgjuar. Atë që e mësonte, e mbante mend mirë. Ai ia kushtoi veten dijes dhe Kuranit Fisnik.

* * *

Një ditë nëna e tij e çoi atë te Resulullahu, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! Biri im, Zejdi ka mësuar shtatëmbëdhjetë sure prej Kuranit. Leximi i tij është i rregullt. Edhe shkrimin e ka të mirë. Ai dëshiron të qëndrojë pranë jush.”

Pejgamberi ynë i nderuar i tha Zejdit (r.a.), që të lexonte. Kështu vuri re se fjalët e Kuranit Fisnik dilnin në formë të rregullt prej gojës së tij. Leximi i Zejdit ishte ndikues. Ai lexonte duke bërë kujdes ndaj kuptimit të fjalëve. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), u gëzua jashtëzakonisht shumë.

Zejd ibn Thabiti (r.a.), edhe shkrimin e kishte të bukur e të lexueshëm. Hz. Pejgamberi u gëzua në veçanti edhe për këtë aftësi. Ai ndjeu se Zejdi në të ardhmen mund të shërbente si shkrues i Kuranit. Prandaj iu afrua dhe i tha: “Zejd! Mësoji për mua shkrimin e hebrenjve dhe gjuhën çifute e aramite.” Zejdi iu përgjigj: “Patjetër, o i Dërguari i Allahut!”

Zejdi (r.a.), e mësoi hebraishten dhe aramishten në një kohë të shkurtër. Pastaj filloi të shkruante marrëveshjet ndërmjet Resulullahut (s.a.s.) dhe hebrenjve. Ai u bë përkthyesi i të Dërguarit të Allahut, alejhi’s-selam. Zejdi (r.a.), i përkthente letrat e mbretërve që dërgoheshin në Medine.

* * *

Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.), vuri re se ai ishte i sinqertë, i besueshëm, i kujdesshëm dhe i zgjuar, e bëri shkrues të shpalljes. Kur zbriste ndonjë ajet i Kuranit Fisnik, Pejgamberi (s.a.s.), thoshte: “Shkruaj, o Zejd!” Edhe ai e shkruante menjëherë.

Zejd ibn Thabiti (r.a.), i cili e arriti këtë mundësi për të qenë bashkë me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), në sajë të këtij shërbimi, ishte një njeri fatlum që e dëgjonte Kuranin Fisnik nga goja e Resulullahut (s.a.s.). Mbi të gjitha, ai i mësonte suret duke i lidhur ato edhe me shkaqet e zbritjes.

Zejdi ishte fatlum. Ai bëri specializim në lidhje me Kuranin Fisnik. Në këtë mënyrë e zgjeroi dijen dhe e ndriçoi zemrën me dritën e udhëzimit.

* * *

Në luftën e Bedrit dhe të Uhudit nuk pati marrë pjesë për shkak se ishte i vogël në moshë. Ndërsa në luftën e Hendekut shfaqi heroizma të mëdha. Ai fitoi lavdërimin e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), i cili u shpreh: “Sa djalosh i mirë është ky!”

Kur flamuri i Beni Nexharëve u mor nga Umare dhe iu dha Zejdit në luftën e Tebukut, Umare tha: “O i Dërguari i Allahut! A keni dëgjuar ndonjë të keqe për mua?” Pejgamberi ynë i nderuar iu përgjigj:

“Jo! Por Kurani ka përparësi. Zejdi di Kuran më shumë sesa ti.”

Pasi Resulullahu, alejhi’s-selam, ndërroi jetë, Zejd ibn Thabiti (r.a.), ishte udhërrëfyes për zgjidhjen e problemeve të myslimanëve. Kalifët konsultoheshin me të për çështjet që ishin të vështira për t’u zgjidhur. Edhe populli e pyeste atë për çdo çështje dhe merrte fetva prej tij. Veçanërisht nuk kishte asnjë që t’i dinte më mirë se Zejdi (r.a.), dispozitat në lidhje me trashëgiminë. Ai kishte dije të plotë në lidhje me dijen e farzeve. I Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, ka thënë:

“Zejd ibn Thabiti është ai që e njeh më mirë dijen e farzeve në umetin tim.”

Për këtë arsye, kur Zejdi (r.a.), shkonte në xhami, ata që kishin probleme, shkonin dhe i zgjidhnin ato duke e pyetur për çështjet e tyre.

* * *

Në periudhën e Ebu Bekrit (r.a.), patën rënë dëshmorë shtatëdhjetë hafizë përgjatë luftës së Jemames. Omeri (r.a.), shkoi te kalifi dhe i kërkoi që të mblidheshin fletët e Kuranit Fisnik dhe të bëheshin libër.

Ebu Bekri (r.a.), thirri Zejd ibn Thabitin (r.a.), për këtë punë dhe e ngarkoi atë me detyrë duke i thënë: “O Zejd! Ti je i ri dhe i zgjuar. Deri më tani nuk ke bërë ndonjë gjë për të të akuzuar apo për të të dënuar. Përveç të tjerash, ke qenë shkruesi i shpalljes së të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Andaj mblidhi faqet e Kuranit Fisnik që janë të shpërndara dhe bëji libër.”

Zejd ibn Thabiti, radijall-llahu anh, formoi menjëherë një komision prej hafizave. Ai i mblodhi ajetet fisnike me një përpikëri të madhe dhe i bëri libër.

Edhe në periudhën e Osmanit (r.a.), Kurani Fisnik që ishte një libër i vetëm, u shtua në gjashtë kopje përsëri nën kryesinë e Zejdit (r.a.). Mbi të gjitha, edhe nderin për mbledhjen e çështjeve më delikate të jurisprudencës islame siç janë trashëgimia dhe testamenti, e kishte pasur kësmet ai.

Edhe në kohën e sahabëve Zejdi (r.a.), ishte kadiu (gjykatësi) i Medines. Ai ishte kryeimam në dijen e farzeve, leximit të Kuranit dhe tefsirit. Ky besimtar i ditur që dha një kontribut kaq të madh për librin tonë të shenjtë, Kuranin Fisnik, ishte shumë modest në jetën e tij private.

* * *

Një ditë deti i dijes, Abdullah ibn Abbasi (r.a.), e pa Zejd ibn Thabitin (r.a.), tek po hipte në kafshën e tij. Ai vrapoi menjëherë dhe i mbajti kapistrën dhe yzengjitë. Zejdi u ndje i turpëruar. Andaj deshi ta ndalonte, duke i thënë:

“Ti je biri i xhaxhait të të Dërguarit të Allahut.”, por Ibn Abbasi (r.a.), i tha:

“Ne kështu jemi urdhëruar që të sillemi kundrejt dijetarëve tanë.”

Zejdi (r.a.), me këtë rast gjeti mundësinë dhe ia puthi dorën Ibn Abbasit (r.a.). Pastaj i tha:

“Edhe ne kështu jemi urdhëruar të sillemi kundrejt familjes së të Dërguarit të Allahut (s.a.s.).”

* * *

Sa shembull i shkëlqyer që është për ne dashuria, respekti, mëshira, butësia dhe modestia reciproke e këtyre dy burrave të mëdhenj që ishin si deti i dijes!.. Dija është shkalla më e lartë… Por kjo lartësi është në raport me modestinë që ka njeriu… Injoranca është problemi më i madh… Njerëzimi mund të lartësohet vetëm me dije, edukatë dhe Kuran.

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

Zoti (xh.xh.), na bëftë të dashuruar pas Kuranit Fisnik si Zejd ibn Thabiti (r.a.)! Allahu na e mundësoftë që të bëjmë një jetë sipas rrugës që na ka treguar Kurani Famëlartë!

Zoti i madhëruar na bashkoftë ne xhenet me këtë sahab të dashuruar pas Kuranit Fisnik i cili ndërroi jetë në Medinë në vitin 665 e.s. Amin!

 

Share.

Leave A Reply